"Poema e Mjerimit
Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t?jeshilta
që t'shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin
të tan jetën e vet derisa të vdesin.
E mbi ta n'ajri, si në qesendi,
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta,
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta
shkëlqejnë. E mjerimi mirfilli ndien tradhti.
Mjerimi ka vulën e vet t'shëmtueme,
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme,
balli që e ka, syt që e shprehin,
buzët që më kot mundohen ta mshefin -
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes,
t'mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës
mbi t'cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm.
Mjerimi s'ka fat. Por ka vetëm zhele,
zhele fund e majë, flamujt e një shprese
t'shkyem dhe të coptuem me t'dalun bese.
Mjerimi tërbohet n'dashuni epshore.
Nëpër skaje t'errta, bashkë me qej, mij, mica,
mbi pecat e mykta, t'qelbta, t'ndyta, t'lagta
lakuriqen mishnat, si zhangë; t'verdhë e pisa,
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore,
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja
n'epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja.
Dhe aty zajnë fillin t'marrët, shërbtorët dhe lypsat
që nesër do linden me na i mbushë rrugat.
Mjerimi në dritzën e synit t'kërthinit
dridhet posi flaka e mekun e qirit
nën tavan t'tymuem dhe plot merimanga,
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga,
ku foshnja e smume qan si shpirt' i keq
tu' ndukë gjitë e shterruna t'zezës amë,
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq,
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë.
Foshnj' e saj nuk qesh, por vetëm lëngon,
e ama s'e don, por vetëm mallkon.
Vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit!
Mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis,
ku nuk mund t'u prishet qetsia zotnive
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis.
Mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet,
don ta msojë t'i iki grushtit q'i kërcnohet,
atij grusht që n'gjumë e shtërngon për fytit
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij' e vdekjes,
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes.
Nji fryt kur s'piqet dihet se ku shkon
qashtu edhe fëmia n'bark t'dheut mbaron.
Mjerimi punon, punon dit e natë
tu' i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri n'gjujë, n'baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë.
Shpërblim qesharak! Për qindenjë afsh
në ditë - vetëm: lekë tre-katër dhe "marsh!".
Mjerimi kaiher' i ka faqet e lustrueme,
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme,
trupin përmendore e një tregtis s'ndytë,
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë,
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga.
Mjerimi gjithashtu len dhe n'trashigim
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme,
por eshtnat e shtrembta e n'gjoks ndoj dhimbë,
mund që t'len kujtim ditën e dikurshme
kur pullaz' i shpis u shemb edhe ra
nga kalbsin' e kohës, nga pesha e qiellit,
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit,
ish zan' i njeriut që vdiste nën tra.
Kështu nën kambët'randë t'zotit t'egërsuem -
thotë prifti - vdes ai që çon jetë të dhunuem.
Dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash
mbushet got' e helmit në trashigim brezninash.
Mjerimi ka motër ngushulluese gotën.
Në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën
n'fyt për me harrue nandhetenand' halle.
E gota e turbull, gota satanike
tu' e ledhatue e pickon si gjarpni-
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni,
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike.
Tê gjitha hallet skami n'gotë i mbyt
kur njiqind i derdh një nga një në fyt.
Mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina
dhe bajnë tym si hejt q'i ban shkrum shkreptima.
Mjerimi s'ka gëzim, por ka vetëm dhimba,
dhimba paduruese qe t'bajnë t'çmendesh,
që t'ap in litarin të shkojsh fill' e t'varesh
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh.
Mjerimi s'don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastardhe e etënve dinakë,
t'cilt n'mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu' ia lëshue lypsiti një grosh të holl' n'shplakë.
Mjerimi asht një njollë e pashlyeme
n'ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj.
Dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj."
TRAGJIKJA E NJË ELITE INTELEKTUALE
Shkruan: Arben LLALLA *
Tetovë 13. 09. 2007
Arsimi shqiptar në Maqedoni dhe në veçanti në Tetovë pas vitit 2002 kishte një fat krejt të kundërt nga vlerat historike dhe zhvillimet e saja. Partive politike shqiptare të pas 2002 u faturohet nga historia humbja e vlerave të vërteta të arsimit kombëtar dhe fajtorët më të mëdhenj janë intelektualët tetovar, që përndryshe nuk janë dhe të pakët në numër. Shumë prej tyre përfshihen në listën e emrave më të shëndritshëm, që i kanë dhënë dhe i japin lavdi kulturës shqiptare.
Nuk kam dashur asnjëherë të merrem me problemet e shoqërisë shqiptare në Maqedoni sepse këtu ka shumë intelektualë dhe mëndje të ndritura që fare mirë mund të japin mendimet e tyre, të reagojnë për poshtërimet që u bëhen zhvillimeve të arsimit dhe kulturës shqiptare. Por vitet e fundit vihet re një heshtje e madhe e këtyre intelektualëve përballë fenomeneve poshtëruese të punësimit në arsim në gjuhën shqipe dhe në veçanti në Tetovë.
Jemi mësuar të dëgjojmë slogane: Tetova me dy Universitete, Tetova kryeqytet i arsimit dhe kulturës shqiptar në Maqedoni, etj. Por pas vitit 2002 arsimi shqiptar në Maqedoni dhe në veçanti në Tetovë pas këtij viti kishte një fat krejt të kundërt nga vlerat historike dhe zhvillimet e saja. Partive politike shqiptare të pas 2002 u faturohet nga historia humbja e vlerave të vërteta të arsimit kombëtar dhe fajtorët më të mëdhenj janë intelektualët tetovar, që përndryshe nuk janë dhe të pakët në numër. Shumë prej tyre përfshihen në listën e emrave më të shëndritshëm, që i kanë dhënë dhe i japin lavdi kulturës shqiptare.
Zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës ishte një betejë fituese, por dalë nga dalë koha po tregon se drejtuesit e këtij Universiteti pas zyrtarizimit po humbin luftën e përgjithshme për zhvillimin e arsimit shqiptar me kohën. Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, pas zyrtarizimit u vërejt fenomeni i dhënieve të notave nëpër kafene, dhënia e notave kundrejt një shume në të holla, diplomimi shpejt e shpejt i disa personave ku për 2 - 3 vite pa u paraqitur në bankat e universitetit u diplomuan. U vërejt punësimi i profesorëve pa kritere. Mjafton të ishe militant i partive në pushtet dhe mund të bëheshe akademik universiteti pa patur asnjë titull shkencor, asnjë punim shkencor.
Fenomeni i shkatërrimit të arsimit shqiptar në Tetovë vërehet edhe në arsimin e mesëm dhe tetëvjeçar. Çuditë janë nga më të ndryshmet. Një nxënës deri me 10 qershor ishte mbetës në 11 lëndë dhe me një telefonatë nga ndonjë drejtues partie të nesërmen ky nxënës ishte kalues me nota të mira. Por çuditë janë edhe më interesante për tu shënuar në librin GINES. Për të punësuar profesor mësimdhënës në shkollat e mesme dhe tetëvjeçare nuk vendosin komisionet akademike arsimore, por njerëzit e partive, njerëzit që nuk janë kompetent për punësimet në arsim. Punësimet në arsim në Komunën e Tetovës vendos GINESI Resi Abdurahmnani i cili ka arsimin e merituar 8 vjeçar.
Para disa kohësh pashë disa fotografi të viteve 1941-1944 ku pasqyroheshin nxënësit e shkollave shqipe në trevën e Pollogut. Në ato fotografi dallohej qartë etja e vogëlushëve për arsimimin në gjuhën shqipe, të cilët nëpër duar mbanin pankarta si Rroftë shkolla shqipe, Rrofshin mësuesit e ardhur nga Shqipëria, Rroftë alfabeti ynë, etj. Kam vërejtur se shqiptarët e Tetovës nga mosha 40 vjeç e lart kanë një arsimim të plotë, me kapacitete të larta, ka prej atyre që kanë lexuar shumë libra. Kam vërejtur se kanë një respekt për shkollën shqipe, ka prej atyre që edhe qajnë për mësuesit e tyre, për ata mësues që ishin me diploma të merituara. Këta njerëz me shpirt të madhe luftarak, kur shikojnë injorimin që i bëhet sot arsimit shqiptar nga militantët partiak, vajtojnë brezin e ri që po edukohet në përgjithësi nga profesorë analfabet.
Fenomeni shqiptar për në librin e GINES quhet Resi Abdurahmani
Resi Abdurahmani është anëtar i kryesisë së degës së BDI në Tetovë, ai gjithashtu ka arritur me arsimin e tij të merituar 8-vjeçar (në prill 2005 siguroi diplomën e gjimnazit të Tetovës në moshën 45 vjeçare) të vihet pa marrë asnjë votë nga elektorati tetovar në krye të Këshillit të Komunës së Tetovës. Faji për arritjen e analfabetit Resi Abdurahmani në Krye të Këshillit të qytetit të Tetovës i mbetet intelektualit Atilla Rexhepit i cili rrjedh nga një familje me tradita kombëtare dhe intelektuale. Ishte vitit 2005, kur Atilla Rexhepi vendosi të ishte bartës i listës së BDI për të kërkuar votat e tetovarëve për tu zgjedhur Kryetar i Këshillit të Tetovës. Dhe populli votues i Tetovës duke parë se intelektuali Atilla Rexhepi rrjedh nga një familje e shquar, duke vlerësuar kapacitetin e tij të madh intelektual dhe duke shpresuar se z.Rexhepi do të punonte në të mirën e qytetarit tetovar vendosën ti besojnë votën e tyre. Por pasi fitoi me meritë Atilla Rexhepi “gëlltiti” një lugë çorbë duke ia “shitur” postin, besimin e votës së tetovarëve Resi Abdurahmanit i cili nuk fitoi asnjë votë si anëtarë për në këshillin e Tetovës. Me të marrë postin e Kryetarit të Këshillit të Komunës së Tetovës Resi Abdurahani filloi masakrimin e arsimit shqiptar në Tetovë duke dhënë urdhëra për punësim si arsimtar dhe profesor njerëz pa arsimin përkatës, pa diploma etj.
GINESI Resi Abdurahmani me një shpejtësi të pa parë mundi brenda një viti të punësojë në arsim të gjithë njerëzit e tij të familjes të cilët ishin me diploma dhe pa diploma. Ai arriti vëllain e tij me arsim 8 vjeçar ta punësojë në ndërmarrjen e Zjarrfikjes së Tetovës. Rasti më ekstremist që janë shkelur rregullat dhe ligjet kushtetuese të punësimit në R.M është punësimi i gruas së vëllait të tij si ekonomiste në gjimnazin e Tetovës, gruaja e vëllait të Resi Abdurahmanit nuk ka arsimin përkatës për tu punësuar si ekonomiste. Ajo është e pajisur vetëm me diplomë të shkollës së mesme (gjimnazit) dhe vendi i punës kërkon që ekonomisti të ketë të paktën shkollën e lartë ekonomike. Një sukses i GINESIT Resi Abdurahmanit është dhe dhënia e postit të kryetares së komisionit të ekonomisë në Komunës e Tetovës e cila quhet Rushadie Ramani dhe është vajzë e xhaxhait të Resi Abdurahmanit (në Maqedoni tek shqiptarët vërehet fenomeni brenda një familje me 2-3 mbiemra të ndryshëm). Po ashtu kushëriri i Resi Abdurahmanit Hysen Xhemaili është kryeinspektor në Komunën e Tetovës. Këto janë fakte ku ndeshim me nepotizëm dhe hasim fenomenin Konflikt interesi, ku tre drejtues të lartë të Komunës janë njerëz që rrjedhin nga një familje. Drejtorët e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme ankohen nëpër kafenetë e Tetovës se i pa shkolluari Resi Abdurahmani u bënë presion për punësimet në arsim duke punësuar arsimtar të pakualifikuar dhe pa diploma. Këta drejtorë vetëm mërmërisin me zë të ulët nga frika se GINESI Resi Abdurahmani i shkarkon nga postet e tyre drejtuese.
Premtimet dhe heshtja e PDSH
Kur hyri në qeveri PDSH premtoi se do të korrigjonte të gjitha gabimet e bëra nga BDI, dhe në veçanti ato të bëra në arsim dhe kulturë. Por koha po tregon se premtimet e bëra nga PDSH nuk po realizohen për rehabilitimin e arsimit dhe kulturës shqiptare.
Ministri i Arsimit z.Sulejman Rushiti duhet të japi kontributin e tij pozitiv për ndreqjet e gabimeve të bëra në arsim nga fenomenet si Resi Abdurahmani, por heshtja ka mbuluar ministrin dhe inspektoratin e arsimit. Ministri z.Rushiti duhet të kontrollojë punësimet e bëra në dy vitet e fundit në arsimin tetëvjeçar dhe të mesëm, sepse ka shumë boshllëqe dhe gabime trashanike që sot duken për të qeshur, por nesër nga ky arsim i dobët do të dalin njerëz me kapacitete të vogla që nuk do t´i shërbejnë kohës dhe çështjes së arsimit dhe kulturës shqiptare. Është mirë që pasi të vërtetohen gabimet në punësimet në arsim ministri z.Rushiti t´i marri për një kohë të papërcaktuar kompetencat në dorë për punësimet në arsim sepse po heshti historia do ta dënojë për lejimin e shkatërrimit të arsimit dhe kulturës shqiptare në Maqedoni, që gjyshërit dhe baballarët tanë kanë punuar dhe rrezikuar shumë për këto suksese që janë arritur deri më sot.
Heshtja e intelektualëve
Kur u thashë disa miqve të mijë intelektualë se kam vendosur të merrem me shkrime rreth problemeve që ndeshim si qytetarë në Komunën e Tetovës më thanë: “Arben, shiko shkencën e Historisë sepse aty ti mund të japësh një kontribut të madh për shqiptarët e Maqedonisë, sepse po u more me problemet e Tetovës do shkosh në shtigje me rreziqe të mëdha”. Unë jam i vetëdijshëm që pas këtij shkrimi kritik po shkoj në shtigje me rreziqe të mëdha, por i kam marrë parasysh të gjitha dhe gjënë më të keqe...! Dikush duhet të informojë opinionin për të vërtetën se çfarë po ndodh me arsimin, kulturën dhe integrimin e shoqërisë ku jetojmë dhe punojmë. Dikush prej nesh duhet ta bëjë që të dali e vërteta, për tragjedinë që po ndodh përpara syve tanë.
Në përfundim dua të sqaroj se ata që do ta lexojnë këtë shkrim do të ndahen në dy grupe. Grupi i parë do të mendojë keq për mua, do të më akuzojnë se mos jam bërë anëtarë i ndonjë partie politike, por do të jenë të gabuar, megjithatë është e drejta e tyre të mendojnë çfarë të duan. Ndërsa grupi i dytë do të më përkrahi, këta janë miqtë e mi që më njohin dhe më japin kurajo në punën time si gazetar dhe historian. Unë në të vërtetë e kam shkruar këtë shkrim për grupin e dytë, por që i përket grupit të parë për ta lexuar dhe të gjitha këto sigurisht “ia them nuses që t’i dëgjojë vjehrra”. Dhe në këtë rast “vjehrra” është udhëheqja politike e shqiptare në Maqedoni që i uroj të mos ketë “vesh të rëndë”.
* Autori është historian
· Ky shkrim më 11 shtator është botuar në gazetën ”Fakti” në Maqedoni, më 12 shtator në gazetën “Lajm” në Kosovë dhe sot më 13 shtator në gazetën “Republika” në Shqipëri dhe në faqen elektronike www.pashtriku.org
A do të përsëritet lufta e 2001-shit në Maqedoni? epo kjo eshte me shume se lufte........................
Krijoni Kontakt