Menjëherë sapo është privatizuar nga turqit e “Çalik” kompania e telefonisë fikse në vend, “Albtelekom” ka nisur nga ndryshimet e para. Pronarët e rinj turq duket se kanë ardhur me një mori projektesh dhe formash të reja për administrimin e kësaj kompanie, duke nisur pikësëpari me ndryshimin e stafit aktual të saj. Duke nisur që nga drejtuesit më të lartë të kësaj kompanie në Tiranë e deri te punonjësit që shtrihen nëpër degët e rretheve, duket se që të gjithë do të preken nga një reformë drastike. Sipas Milto Z., inxhinier dhe ekspert në kompaninë “Albtelekom”, “bëhet fjalë për një shkurtim të mbi 70 për qind të punonjësve të kësaj kompanie në të gjithë vendin, duke lënë brenda radhëve të saj vetëm një grup të vogël specialistësh dhe ekspertësh, që edhe ata do të jenë të përkohshëm”. Po sipas inxhinier Miltos, mendohet se konsorciumi turk që ka privatizuar kompaninë “Albtelekom”, do të nisë menjëherë nga investimet e reja dhe rikonstruksionet e saj në të gjitha degët në rrethe. “Në politikën e re, së bashku me të gjitha investimet, përfshihen edhe reformat që kanë për synim ristrukturimin e stafit të kësaj kompanie, ku nuk përjashtohen shkarkimet në masë të madhe nga puna për punonjësit shqiptarë”, - ka thënë inxhinieri Milto Z. për gazetën. Kompania Albtelekom llogarit disa mijëra punonjës në të gjithë vendin, të cilët së bashku edhe me punonjësit e PTT-së, dikur numëroheshin deri në 14 mijë veta. Por reforma e turqve do të prekë vetëm punonjësit që kanë qenë në varësi të Albtelekomit, në një kohë që nuk përjashtohen nga reforma në rikonstruksion edhe ambientet e çdo poste në rrethe që i përkasin kësaj kompanie.
Ndryshimet
Ndryshimet që do të prekin kompaninë “Albtelekom” pas privatizimit të saj nga konsorciumi turk “Çalik”, pretendohet që të jenë të gjitha në kontekstin pozitiv të saj. Nisma e re, sipas disa specialistëve të Albtelekomit, synon pikë së pari një fushatë të madhe publicitare, që do të sjellë një imazh të ri të kompanisë të telefonisë fikse. Kjo fushatë publicitare do t’i paraprijë edhe asaj për përgatitjen e futjes në tregun e telefonisë mobile të operatorit të tretë celular, “Eagle Mobile”, i cili ka qenë pjesë e paketës së privatizimit së bashku me Albtelekomin. Lidhur me operatorin e tretë të telefonisë mobile që shteti shqiptar ia shiti së bashku me Albtelekomin konsorciumit turk “Çalik”, burime brenda kësaj kompanie bëjnë të ditur se ai do të nisë nga puna vetëm në fund të vitit të ardhshëm. Përveç fushatës publicitare, ndryshimet do të prekin edhe përmirësimin e shtrirjes së rrjetit të telefonisë fikse, rregullimin e sinjalit dhe centraleve dixhitale në mjaft rrethe, që aktualisht nuk kanë mundësi të komunikojnë me telefon fiks, hapjen e sporteleve të reja të Albtelekomit në të gjithë vendin, mandej edhe vendosjen e antenave që do të shërbejnë për operatorin celular “Eagle Mobile”. Por, nga sa mësohet, ndryshime do të ketë edhe në zyrat e selisë qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të Albtelekomit në Tiranë, ku pronarët turq kanë kërkuar nga shteti dhe Bashkia e Tiranës lejen për shtesën edhe të dy kateve në këtë ndërtesë, pasi ambientet ekzistuese duket se kanë qenë të pamjaftueshme për turqit. Bashkë me ndryshimet në logjistikë dhe në imazh, do të vijnë edhe ndryshimet në stafin e kompanisë, që do të shoqërohen me personel të ri dhe me norma të reja pune dhe disipline.
Normat e punës
Sapo kanë hyrë në ambientet e zyrave të kompanisë “Albtelekom”, tashmë të blerë, pronarët e rinj turq kanë nisur nga reformat dhe nga bërjet e rregullave të reja të komunikimit si me publikun, ashtu dhe me eprorët. Kjo gjë shihej dje në të gjitha ambientet e zyrave të Drejtorisë qendrore të kompanisë, ku klima kishte ndryshuar menjëherë sapo “padronët” e rinj kishin kaluar pragun në këtë kompani. Ende pa u ambientuar mirë me zyrat e deritanishme dhe disa herë të rikonstruktuara, pronarët turq kishin planifikuar nisjen e rregullimeve dhe rikonstruksioneve të brendshme të ambienteve. Duke nisur që nga porta kryesore, ku së bashku me recepsionistin ishte vendosur edhe një polic, që kontrollonte cilindo që hynte në ambientet e brendshme të Albtelekomit, e në të gjitha katet e tjera të Drejtorisë qendrore dje nuk “pipëtinte miza”. Disa punonjës që komunikuan prerë me ne, na thanë se “këto ishin rregullat e reja të turqve, në një kohë që pritej dhe hartimi i një rregulloreje të re për komunikimin e brendshëm”. Ndërkohë, në ditët në vijim mësohet se nga përfaqësuesit turq është premtuar “edhe krijimi i një zyre model që do të shërbejë për marrëdhëniet me publikun në këtë kompani”.
Ministri Ruli u premtoi punonjësve të Albtelekomit punë deri në 2008-n
Kontrata e miratuar para disa kohësh nga parlamenti midis shtetit shqiptar dhe kompanisë turke “Çalik” parashikonte një garanci deri në shkurt të vitit 2008 për të gjithë punëtorët e Albtelekomit. Sipas saj, të gjithë punonjësit shqiptarë, pjesë e kompanisë “Albtelekom”, e blerë nga konsorciumi turk “Çalik”, nuk do të pësojnë asnjë shkurtim nga puna si dhe do të marrin edhe të gjitha pagat përkatëse. Vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, në takimin e zhvilluar me përfaqësues të Federatës Sindikale të Postë-Telekomunikacioneve dhe Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë para disa kohësh e premtoi një gjë të tillë duke u garantuar punonjësve siguri për vendet e punës. Në takimin e zhvilluar me kërkesë të sindikalistëve një ditë pas miratimit të Kuvendin e Shqipërisë të kontratës së shitjes së 76 për qind të aksioneve shtetërore të kompanisë Albtelekom, Ruli është ndalur veçanërisht në faktin se me këtë privatizim qeveria shqiptare i ka arritur objektivat që i kishte vënë vetes: të kishte një kontratë të qëndrueshme dhe një kompani të fortë, që ka fitime.
Punonjësit shqiptarë të Albtelekomit, kërkesë shtetit për 12 paga shpërblim
Në bisedimet me Ministrinë e Ekonomisë, përfaqësuesit e sindikatave kanë parashtruar kërkesat e punonjësve të Albtelekomit, që ka të bëjnë me zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 23, datë 21.1.1999, ”Për shpërblimin e punonjësve të shoqërive tregtare që privatizohen”. Kërkesën sindikalistët e mbështetin edhe në Ligjin tjetër nr. 8810, datë 17.05.2001, ”Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime ”Albtelekom”, paketa e mbetur pas shitjes së aksioneve investitorit strategjik “Çalik”. Ligji i privatizimeve parashikon shpërblimin deri në 12 rroga bazë mujore të tyre, nga ana e shtetit-pronar. Lidhur me këtë çështje, ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka premtuar disa kohë më parë se “të dyja ministritë, e Ekonomisë dhe e Financave, do të punojnë për llogaritjen e shpërblimit që u takon punonjësve të kompanisë pas privatizimit, duke marrë parasysh edhe mendimin e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë Albtelekom”. Ruli deklaroi më tej se, “dikasteri që ai drejton dhe Ministria e Financave, do të nisin punën për procedurat e llogaritjes së paketës së aksioneve për punonjësit e shoqërisë, që parashikon shkëmbimin e aksioneve me bono privatizimi, të zotëruara prej tyre, duke përfshirë dhe ato të zotëruara nga familjarët e tyre”.
200 mijë dollarë për reklama luksi në mediat e huaja
Plot 200 mijë dollarë është dëmi që Albtelekomi i ka shkaktuar shtetit shqiptar për llogari të reklamave në mediat e huaja. Të gjitha këto shpenzime kanë qenë të pavlefshme, pasi nuk kanë rritur aspak të ardhurat e Albtelekomit. Konkretisht, vetëm një spot publicitar prej 30 sekondash për t’u shfaqur në stacionin CNBC, i ka kushtuar Albtelekomit 30 mijë euro. Me ardhjen në pushtet të së djathtës, kryeministri Berisha urdhëroi institucionet të mos publikonin më reklama në media. As KESH-i dhe as Albtelekomi nuk u panë për dy vjet rresht në mediat shqiptare, por vetëm këtu, pasi shoqëria po bënte namin përtej kufijve. Sipas KLSH-së, të gjitha shpenzimet për reklama në mediat e huaja kanë rezultuar të pavlefshme për vetë faktin se, “nuk kanë dhënë impaktin pozitiv te të ardhurat e kompanisë Albtelekom, madje rezultuan me rënie nga 2005-a në 2006-n me 1,5 milionë lekë”. KLSH-ja ka zbuluar një vendim të kryeministrit Berisha, i cili urdhëron zhvillimin e një reklame te një revistë e njohur për shumën prej 45 mijë dollarë kur ndërkohë Albtelekomit i kishin ardhur oferta mjaft të leverdishme nga revista po aq të njohura si “Fortune Magazine”.
Albania.
Krijoni Kontakt