Nis konferenca ndërkombëtare për shqipen standarde
Profesorët, apel për mbrojtjen e shqipes
Jetmira Delia
Gjuha shqipe ndodhet aktualisht nën trysninë e dialekteve dhe gjuhëve të huaja. Ndërkaq që prej viteve tetëdhjetë vihet re një indiferentizëm i plotë i shtetit për politikat gjuhësore.
Këto dy probleme janë vërejtur në ditën e parë e Konferencës shkencore ndërkombëtare me temë "Shqipja standarte dhe shoqëria shqiptare sot". Qëllimi i kësaj konference që zhvillohet në dy ditë është përkujtimi i tridhjetë vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe të mbajtur në vitin 1972, si dhe rishikimi i normave drejtshkrimore gjatë këtyre viteve por dhe reflektimin e ndryshimeve në gjuhën standarte të shqipes. Gjatë referateve të mbajtura nga studiues të ndryshëm janë evidentuar disa karakteristika të zhvillimit të gjuhës shqipe gjatë viteve të fundit si dhe nevoja e kujdesit nga shteti për përdorimin e drejtë të gjuhës standarte. Sipas gjuhëtarëve, historia e gjuhës standarte mund të ndahet në dy faza. Faza e parë nis nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe mbajtur në vitin 1972 e deri në vitet tetëdhjetë, ku fillon dhe faza e dytë e cila shtrihet deri në ditët e sotme. Faza e parë sipas tyre karakterizohet nga marrja e disa masave nga shteti për përvetësimin e normave të gjuhës standarte ndonëse jo të plota, përfshirë këtu edhe organizimin e kurseve kualifikuese të mësuesve, korrektorëve dhe redaktorëve letrarë, si dhe kërkesa për përdorimin e gjuhës standarte në administratë. Ndërkaq, pas viteve tetëdhjetë vihet re një indiferentizëm i plotë i strukturave shtetërore për çështjet e politikave gjuhësore. Ajo që ndodh aktualisht me gjuhën shqipe është futja e fjalëve të huaja pa kriter, por, përveç leksikut është prekur edhe gramatika. Kjo ndodh më së shumti në media, qoftë në atë të shkruar apo elektronike. Pjesëmarrës në këtë konferencë janë studiues shqiptarë, kosovarë, maqedonas dhe nga diaspora. Të pranishëm janë gjithashtu edhe albanologë nga Italia, Gjermania, Franca e Amerika. Janë mbajtur një sërë kumtesash nga studiues dhe gjuhëtarë të njohur si; Idriz Ajeti, Rexhep Qose nga Prishtina, Shaban Demiraj nga Tirana dhe Leonardo Savoia nga Italia. Mbi "Shqipen standarte dhe shoqërinë kosovare sot" referoi Idriz Ajeti ku theksoi faktin se "leksema kosovare ka një përdorim të gjerë. Është për t'u habitur" - tha ai - "se sa thellë ka depërtuar ndikimi i gjuhës së huaj në këtë thesar të gjuhës shqipe". Leonardo Savoia, profesor i Universitetit të Firences, mbajti referatën "Aspekte ideologjike të nacionalizmit gjuhësor, dhe u përqëndrua në çështjen e gjuhës kombëtare, vështruar në kuadrin më të gjerë të të drejtave gjuhësore" ku, sipas tij, "të drejtat gjuhësore bëjnë pjesë në të drejtat themelore të njeriut". Studiuesit kanë qenë mjaft të etur për të folur rreth problemeve gjuhësore, shpesh duke kaluar kohën e vënë në dispozicion, ndërsa do të kenë mundësinë që edhe gjatë ditës së dytë të konferencës të diskutojnë për të tjera probleme rreth gjuhës standarte dhe shoqërisë shqiptare
___________________________
_______________________________
Oj sharki e lehete si era , a ka ardhur ne Shqiperi pranvera?
Krijoni Kontakt