Postuar më parë nga
thekthi
Lehtësimi i vizave: Tregues i qartë i forcimit të bashkëpunimit të Europës Juglindore me BE-në
Data e Publikimit: 14/04/2007
Autori i Lajmit:
Viron Gjymshana
Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi - janë 3 vendet ballkanike të cilat do të përfitojnë nga politika e re e e lehtësimit të vizave që ka aprovuar Bashkimi Europian
Bashkimi Europian bëri të ditur sot, me rastin e nënshkrimit në Zagreb të marrëveshjeve të lehtësimit të vizave dhe riatdhesimeve për banorët e Shqipërisë, Bosnjës dhe Malit të Zi, se studentët që do të ndjekin mësimet në vendet e BE-së do t’i kenë vizat falas dhe me shumë hyrje dalje. Për të tjerët çmimi i vizave Shengen zbret në 35 euro nga 60 sa ka qënë më parë. Njëkohësisht të gjithë mbajtësit e pasaportave diplomatike do të udhëtojnë këtej e tutje pa pasur më nevojë për viza.
Shqipëria, Bosnja dhe Mali i Zi - janë 3 vendet ballkanike të cilat do të përfitojnë nga politika e re e e lehtësimit të vizave që ka aprovuar Bashkimi Europian. Duke marrë pjesë në ceremoninë e Marrëveshjeve së Lehtësimit dhe Riatdhesimit, që po mbahet në Zagreb të Kroacisë, zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Franko Fratttini u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një tregues të qartë të forcimit të bashkëpunimit ndëmjet vendeve të Europës Juglindore dhe Bashkimit Europian.
Thjeshtësim të formularëve dhe shkurtim të kohës të dhënies së tyre, multi viza tip Shengen, ulje e çmimit nga 60 € në 35 € - janë disa nga lehtësitë që Bashkimi Europian u ofron disa kategorive të caktuata të qytetarëve nga vendet e sipërmendura ballkanike, që dëshirojnë të udhëtojnë në vendet e BE-së, siç janë psh biznesmenët, gazetarët etj. Madje zëdhënësi i Komisionit Europian, Pietro Petruçi pohoi se psh për studentët vizat do të jenë falas dhe me numër të pakufizuar hyrje – daljesh përgjatë gjithë kohës së studimeve.
Por ata që përfitojnë më shumë duket se do të jenë zyrtarët e lartë. Që tani e tutje mbajtësit e pasaportave diplomatike nuk do të kenë më nevojë fare për të marrë më vizë për të udhëtuar në vendet e BE-së.
Në ceremoninë e organizuar sot në Bruksel nuk morën pjesë përfaqësuesit e Serbisë, siç ishte parashikuar më parë. Shkak për këtë mospjesëmarrje ishte refuzimi nga ana e Beogradit për të pranuar në territorin e tij edhe shtetas të huaj që kishin përdorur Serbinë si tramplin për tu hedhur në vendet e BE-së. Pritet që për këtë çështje negociatat ndërmjet Brukselit dhe Beogradit të vazhdojnë edhe disa javë të tjera - deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Nga ana e saj Maqedonia i përfundoi vetëm sot negociatat me Brukselin dhe kjo bëri që zyrtarët e saj të mos jenë në Zagreb.
Duke shprehur ngazëllimin e tij për lehtësimin e regjimit të vizave për qytetarët e vendeve ballkanike, zyrtarët e Bashkimit Europian e bënë edhe një herë tjetër të qartë se lehtësimi i regjimit të vizave përbën vetëm hapin e parë drejt një rruge të gjatë që duhet të çojë deri në heqjen e plotë të tyre. Kristina Nagy, zëdhënëse e komisionerit përgjegjës për zgjerimin, Olli Rehn, theksoi se qeveritë e vendeve ballkanike kanë ende shumë punë për të bërë, sidomos në ndalimin e trafiqeve, kontrabandës, emigracionit të paligjshëm, sigurisë së dokumentave të udhëtimit dhe atyre të identitetit, para se të mund të fillojë të diskutohet për një heqje të plotë të regjimit të vizave edhe për qytetarët e vendeve të tyre.
Krijoni Kontakt