Zëdhënësja e Këshillit të Ministrave përgënjeshtroi zërat që flisnin për një goditje me prapavija politike ndaj disa sipërmarrjeve mediatike, duke sqaruar se qeveria po ushtron kontroll mbi kompanitë e biznesit, që në 5 vitet e shkuara, nuk janë kontrolluar për situatat e tyre fiskale

Dalja nga informaliteti është kushti themelor i lirisë së tregut në Shqiperi, dhe eliminimi i këtij fenomeni përbën sfidën emergjente të qeverisë shqiptare, në procesin e integrimit europian. Kështu deklaroi dje zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, në komunikimin e saj të përjavshëm me gazetarët, për të kumtuar më gjerësisht vendimet e qeverisë “Berisha”. Duke u ndalur tek disa ndryshime që ka pësuar paketa fiskale e, me të cilën ka patur jo pak spekulime ne shtyp, Bregu tha se kompanitë e biznesit, në 5 vitet e shkuara nuk janë kontrolluar për situatat e tyre fiskale, duke i shkaktuar shtetit një borxh prej afro 400 milionë eurosh. “Në të gjitha raportet e organizatave prestigjioze raportohet se informaliteti ne Shqiperi llogaritet në shifra të rrezikshme, deri ne 50 përqind të Prodhimit të Brendshem Bruto. Për të kuptuar se sa është informaliteti në Shqiperi, mund t'i referohemi faktit se, në sektorin shtetëror e privat janë të regjistruar 69 persona, me një pagë mbi 200 mijë lekësh të reja, ku 2/3 e tyre janë punonjës të administratës shtetërore dhe vetëm 18 vetë nga sektori privat, kanë deklaruar se marrin mbi 200 mijë lekë në muaj, ndërkohë që në vend numërohen mbi 800 kompani VIP. Dalja nga informaliteti është kushti themelor i lirisë së tregut në Shqipëri. Informaliteti në këtë përqindje deformon shëmtuar rregullat në ekonomi, duke shkelur kështu barazinë në biznese. Eliminimi i ketij fenomeni perben sfiden emergjente te qeverise shqiptare ne procesin e integrimit europian, pasi zbatimi i detyrimeve te percaktuara nga Marreveshja e Stabilizim-Asocimit kerkon mirefunksionimin e tregut”, konfirmoi zëdhënësja e kabinetit qeverisës. Në këtë drejtim, ajo theksoi se peshorja e tregut çekuilibrohet nese mbi te rendon ekonomia informale, ndaj qeveria eshte e angazhuar plotesisht per te luftuar evazionin fiskal, me qellim krijimin e ambienteve “pro” biznes dhe vendosjen e rregullave ne nje treg konkurrues. Ajo informoi se administrata fiskale, ne 3 muajt e fundit, ka raportuar kryerjen e kontrolleve ne rreth 1800 shoqeri private, te klasifikuara si tatimpagues te medhenj, ndërkohë që, bazuar ne legjislacionin fiskal, keto shoqeri, një herë në 5 vjet janë të detyruara t’u nenshtrohen kontrolleve te thelluara. "Nje nga iniciativat qe ka ndermarre Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, se bashku me institucionet e tjera, është nisma per ndërtimin e një metodike të re për matjen e ekonomise se pavrojtuar. Deri tani, jane perfunduar vlerësimet e para të ekonomisë së pavrojtuar për periudhën 2001-2004”, vijoi më tej Bregu. Në këtë kuadër, zëdhënësja e qeverisë e vlerësoi si të rëndësishme masën e ndërmarre nga Ministria e Financave, lidhur me analizen e nivelit te barrës fiskale, si dhe krijimin e një zyre shërbimi on-line dhe non-stop për deklarimin e shkeljeve, e cila funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ne sektorin e sherbimit te taksapaguesve. Aktualisht, strukturat e Drejtorise se Pergjithshme te Tatimeve, gjate muajit shtator 2006, kane ndërmarre nje aksion te gjere për regjistrimin e subjekteve te paregjistruar, dhe gjatë këtij muaji janë regjistruar mbi 5 mijë subjekte tatimpagues. Gjithashtu, Majlinda Bregu tha se, kësisoj, projektligji për disa ndryshime në tarifat tatimore vendos në raporte shumë të drejta marrëdhëniet mes qeverisë dhe bizneseve, pasi “sot për sot, në Shqipëri ka vlerësime të biznesit me 3 standarde”. “E para është që ne të gjithë jemi dakord se, asnjë qytetar apo asnjë biznes, asnjë tatimpagues nuk mund të rrijë në borxh me shtetin, e dyta është që të gjithë bizneset të cilët e shlyejnë borxhin në dogana, në përputhje me “Kodin Doganor”, paguajnë këtë gjobë, këtë kamatë, përpara se të shkojnë në gjykatë dhe e treta është ky projektligj, sipas së cilit, gjobat duhet të paguhen para gjykatës edhe në sektorin e tatimeve”, tha Bregu. Duke mos e konsideruar “kontroll preferencial”, ajo tha se nuk duhen ngatërruar asnjëherë marrëdhëniet dhe vendosmëria e qeverisë për të luftuar informalitetin në të gjitha fushat, me linjat preferenciale. ”Është tjetër gjë marrëdhënia ndërmjet qeverisë e tatimpaguesve dhe sigurisht, është një marrëdhënie tjetër krejtësisht e respektueshme, marrëdhënia ndërmjet qeverisë dhe atyre që punojnë në këta tatimpagues, sikurse mund t'ju them për ta sqaruar më mirë se është një marrëdhënie tjetër ajo ndërmjet qeverisë dhe gazetarit, e një marrëdhënie tjetër ndërmjet qeverisë dhe pronarit. Pronari duhet të paguajë detyrimet financiare”, konkludoi ajo

Gazeta 55