Britani: "Jo" ekstradimit të shqiptarëve të kërkuar
Një gjykatës bllokon ekstradimin në Shqipëri të të akuzuarit për vrasjen e dy vëllezërve në vitin 1997: U dënua në mungesë
Nga Londra
Muhamed Veliu
Një gjykatës britanik i ka thënë "jo" ekstradimit të një shqiptari të akuzuar për vrasje të dyfishtë, duke vënë në pikëpyetje edhe ekstradimin nga Britania e Madhe në Shqipëri të shqiptarëve të tjerë "wanted". Imer Hoxha, nga fshati Shëmri i Kukësit, i arrestuar nga skuadra e ekstradimeve katër muaj më parë, kërkohej nga drejtësia shqiptare si autor i vrasjes së dy vëllezërve në vitin 1997, pasi dyshoi se ata e kishin spiunuar si kultivues dhe posedues droge. Por, gjykatësi britanik ka bllokuar ekstradimin e Hoxhës, duke përdorur argumentin e vetëm se ai ishte dënuar në mungesë nga drejtësia shqiptare për vrasje dhe nuk i ishte komunikuar vendimi i gjykatës. Burime nga skuadra e ekstradimeve në "Scotland Yard" i thanë gazetës "Shqip", se shteti shqiptar duhet sa më parë të firmosë marrëveshje ekstradimi me palën britanike.
Sipas tyre, rasti i Imer Hoxhës mund të merret si shembull nga avokatët e Afrim Sinanit dënuar për vrasje me 20 vite burg dhe Edmond Kallmit po për vrasje, me 12 vite burg, për të bllokuar ekstradimin e tyre nga Anglia. Sinani dhe Kallmi, të cilët fshiheshin prej disa vitesh në Londër, janë arrestuar nga skuadra e ekstradimeve disa javë më parë dhe janë në pritje të procedurave të dërgimit në Shqipëri gjatë muajit mars të këtij viti. Sinani do të përballet me gjykatën e ekstradimeve më 16 mars, ndërsa Kallmi gjashtë ditë më pas. Është hera e dytë që një gjykatës britanik bllokon ekstradimin e një vrasësi të dyshuar shqiptar. Në vitin 2004, Gjykata e Lartë në Britani bllokoi ekstradimin e Fatmir Bletës, i dënuar për vrasje me 13 vjet burg në mungesë. Shkaku i këtij vendimi ishte mungesa e sqarimeve të duhura nga autoritetet shqiptare të njërës prej pikave të legjislacionit anglez, sipas të cilit duhet vërtetuar se Fatmir Bleta ishte pikërisht person i larguar nga vendlindja në mënyrë të paligjshme dhe ndodhej në arrati.
PROCEDURA
Si ekstradohen shqiptarët nga Anglia
Në zyrat qendrore të "Scotland Yard" ndodhet një njësi e veçantë që merret me ekstradimet. Pasi marrin nga Interpol Tirana apo Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë "skedat e kuqe" për shqiptarët "wanted" fillimisht kryhet krahasimi i shenjave të gishtave në kompjuterin e përgjithshëm kombëtar të policisë me ato të ardhura nga Interpoli. Kjo procedurë kryhet për të verifikuar nëse personi i kërkuar ka aplikuar azil apo vuan ndonjë dënim në burgjet angleze. Një metodë e re është edhe krahasimi i fotove që ndodhen në bankën e të dhënave të zyrës së emigracionit, ku janë regjistruar të gjithë ata shqiptarë, të cilët kanë kërkuar azil në Britani. Shpeshherë, të kërkuarit shqiptarë i kanë "tradhtuar" shenjat e gishtave, paçka se kur kanë kërkuar azil u kanë dhënë identitet të rremë autoriteteve të emigracionit. Menjëherë pas arrestimit ata dalin përpara një gjykate që merret posaçërisht me ekstradimet. Gjykatësi verifikon dokumentet paraprake që ka policia angleze dhe sipas ligjit, i jep kohë palës shqiptare 45 ditë të formulojë dosjen e plotë të ekstradimit. Në procesin e ekstradimit të vrasësit të trefishtë, Gëzim Çala, gjykatësi kritikoi anglishten e dobët dhe plot gabime në dosje. Shteti shqiptar, në proceset e ekstradimit në Londër përfaqësohet nga avokatë britanikë, të cilët paguhen nga "Home Office". Një proces ekstradimi i kushton shtetit britanik mijëra paund. Në rastin e Gëzim Çalës, kur ekstradimi u zvarrit për 18 muaj nga avokatët e tij, kostoja arriti në më shumë se 600 mijë paund. Kur gjykata jep dritën jeshile të ekstradimit, atëherë është sekretari britanik i Shtetit ai që firmos "certifikatën e ekstradimit" si faza finale e procesit.
Krijoni Kontakt