Sulemet ndaj medias të gjithë kundra Berishës
Miranda Vickers: Sali Berisha, je i pashpresë, prandaj tërhiqu mbrapsht.
Reagimi nga Britania e Madhe pas sulmeve të Kryeministrit ndaj fjalës së lirë
Nga Londra
Muhamed Veliu
"Sali Berisha, larg duart nga kontrolli dhe presionet e medias së pavarur shqiptare". Ky është mesazhi që përcjell Miranda Vickers, analiste pranë "Grupit ndërkombëtar të Krizave", "International Crisis Group", në Bruksel, gjatë një bisede për "Top-Media". Ajo i ka kujtuar zotit Berisha se ai apo të tjerë nuk mund të kontrollojnë median, duke i rikujtuar se nuk jemi në kohën kur ai ishte President dhe u përpoq t‘u shmangej përgjegjësive për shumë zullume të kohës. Komentet e analistes Vickers, njohëse e mirë e zhvillimeve politike në 17 vitet e fundit, bëhen dy ditë pas sulmit që Kryeministri Sali Berisha ndërmori për disa mediave të pavarura në Shqipëri, përforcuar dje nga ministri i Drejtësisë, zoti Rusmali.
"Nuk jam aspak e surprizuar nga sulmet që Berisha po i bën medias", thotë Vickers që në fillim, kur e pyesim pikërisht për këto sulme. "Fakti që media tani në Shqipëri është më e fortë se në ‘97-ën, kur Berisha ishte President, duhet ta bëjë atë që të kuptojë se ai nuk mund t‘u mbyllë gojën njerëzve, siç e bëri më parë", vijon ajo komentin e saj. Më tej, Vickers, e cila gjithmonë ka qenë kritike jo vetëm me Berishën, por me të gjithë klasën politike në përgjithësi, në raportet e saj ka pohuar se "Berisha nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Mediat duhet të ngrihen kundra kërcënimeve që vijnë nga qeveria dhe të ngrenë zërin e tyre.
Por a mund Berisha që përmes presionit të ndikojë në kontrollin e mediave private, apo politikën e tyre redaksionale për t‘i bërë "fresk" qeverisë së tij? Zonja Vickers është e prerë në përgjigjen e saj. "Sali Berisha apo të tjerët nuk mund të kontrollojnë median". Por ajo sugjeron se "mediat e pavarura në Shqipëri duhet të ngrihet e të bërtasin me të madhe, duke mos e pranuar në asnjë mënyrë presionin qeveritar". Sipas saj, Berisha dhe njerëzit e tij veçse mund të krijojnë dëme te media, si pasojë e presioneve, por u kujtoi atyre dhe të gjithë shqiptarëve një fakt shumë të rëndësishëm, që duket se e harrojnë shpejt.
"Ata duhet mos të harrojnë pushtetin e tyre dhe se demokracia shqiptare ndodhet në një periudhë testi". Vickers nuk harron të përmendë një element të rëndësishëm për demokracinë shqiptare, që duket se është harruar nga zoti Berisha, atë të monitorimin të kujdesshëm që po i bën Brukseli Tiranës zyrtare. "Nëse Shqipëria do të ketë shansin të pranohet në Bashkimin Evropian, të gjithë janë duke monitoruar situatën. Është e qartë se në asnjë lloj mënyre qeveria nuk duhet të bëjë presion në media, dhe kjo padyshim që nuk do të kalohet pa u vënë re", ka theksuar ajo. Pyetjes nëse sulmet e Berishës mbi median kanë jehonë të ngjashme me të kaluarën kur ai ishte President. Vickers u përgjigj:
"Berisha u mundua t‘i shmangej përgjegjësisë për zgjedhjet e parregullta në 1996, për djegien e gazetës ‘Koha Jonë‘, për sulmet ndaj shtypit të lirë, por ai dështoi. Kjo nuk do të ndodhë përsëri. Berisha e di këtë. Ai mund të tentojë përsëri me të tilla gjëra, por është i pashpresë". Prononcimi i zonjës Vickers, e cila mban postin e analistes kryesore në ICG, është padyshim një dush i ftohtë për zotin Berisha, vetëm dy ditë pas rihapjes së "luftës" nga ai në frontin e medias.
Krijoni Kontakt