PRINDËRIT U NDIHMOJNË FËMIJËVE TË RUHEN, TË
JENË TË LUMTUR DHE TË MËSOJNË
HYRJE
Fillimi i shkollës fillore do të duhej të ishte një përjetim i gëzueshëm dhe me vlerë, mirëpo
për disa fëmijë ky ngulfatet nga dhuna në shkollë. Dhuna në shkollë mund të ketë ndikim
shumë negativ në punën, shëndetin, vetëvendosjen dhe vetëbesimin e fëmijëve. Fëmijët me
nevoja ose të meta të posaçme janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj dhunës.
JINI SYÇELË
Prindërit dhe anëtarët e familjes janë shpesh të parët që i vërejnë shenjat e ushtrimit të
dhunës ndaj fëmijës së tyre. Kushtojini vëmendje rrobave të shqyera, prerjeve dhe lëndimeve
trupore, tekave të këqija, largimit nga shokët, agresivitetit ndaj vëllezërve dhe motrave, dhe
mosdëshirës për të shkuar në shkollë.
ÇKA ËSHTË DHUNA NË SHKOLLË?
Dhuna në shkollë mund të marrë shumë forma, nga ngacmimet e deri tek kërcënimet dhe
dhuna fizike. E çfarëdo lloji që të jetë ajo, dhuna në shkollë mund ta tmerrojë një fëmijë dhe
t’i shqetësojë prindërit dhe kujdestarët.
ÇKA MUND TË BËNI?
1. Bisedoni me fëmijën tuaj lidhur me shkollën, çka i pëlqen e çka i pengon, si dhe kush janë
shokët e tij/saj. Mos e detyroni fëmijën tuaj që të bisedojë me ju, mirëpo thjesht sigurojeni
atë që mund t’ju besojë dhe që qëllimi juaj është që t’i ndihmoni për t’i zgjidhur problemet,
çfarëdo qofshin ato. Kujtojuani fëmijëve tuaj që ata nuk kanë bërë asgjë të keqe. Nxitini ata
që të bisedojnë me ndonjë të rritur, të cilit/ës i besojnë.
2. Mbani shënime lidhur me gjithçka që keni zbuluar, dhe nxiteni fëmijën tuaj që të
flasë gjithmonë me ju.
3. Kontaktoni me shkollën posa ta fitoni përshtypjen që ekziston ndonjë problem.
Shkolla do të ketë po aq vullnet e dëshirë sa edhe ju për ta tejkaluar këtë situatë.
• Bisedoni me kujdestarin e klasës, dhe mos harroni që nuk është faji i shkollës. Duke e
vështruar situatën së bashku me mësuesin dhe duke e vëzhguar kontaktin mes fëmijës
tuaj dhe atij/asaj që ushtron dhunë ndaj fëmijës tuaj, situata mund të tejkalohet shumë
më lehtë.
• Nxiteni fëmijën tuaj që ta zgjerojë rrethin e shokëve të vet, dhe që të kërkojnë nga
njëri-tjetri që të kujdesen për njëri-tjetrin.
• Nëse dhuna në shkollë vazhdon, kontaktoni përsëri me shkollën dhe shkruajini
mësuesit kujdestar, në mënyrë që të mësoni më shumë se si trajtohet problemi i
dhunës në shkollë nga ana e shkollës. Në këtë mënyrë ju mund ta kuptoni saktësisht
se çka është duke u bërë për t’iu qasur kësaj situate. Vazhdoni që të mbani shënime
në lidhje me gjithçka që po ndodh.
4. Bëjani të qartë fëmijës tuaj që me injorimin e situatës kjo jo vetëm që nuk tejkalohet,
mirëpo faktikisht mund të bëhet edhe më e vështirë. Fëmijët duhet që të fitojnë bindjen se
nuk është faji i tyre dhe që askush nuk e meriton që të ngacmohet. Mos i nxitni ata që të
hakmerren: kjo vetëm mund të shkaktojë më shumë probleme dhe mund t’i lëndojë ata edhe
më shumë.
5. Kujt mund t’i drejtoheni? Nëse nuk jeni të kënaqur me mënyrën e trajtimit të situatës
nga ana e shkollës, ju mund të kontaktoni me Zyrën Lokale për Edukim [Local Education
Authority] dhe me drejtorin e shkollës.
Nëse shqetësimi kalon në dhunë fizike, ju mund të kontaktoni me policinë. Policia nuk mund
të ndërmarrë asgjë kundër fëmijëve të moshës nën 10 vjeç, mirëpo tipave problematikë mund
t’ua numërojnë bëmat e veta përpara prindërve të tyre.
Ndiqni rrugët e drejta dhe mos i merrni çështjet në duart tuaja.
Është shumë më mirë që të mos përballeni me tipat problematikë ose me prindërit e tyre. Kjo
mund të shpjerë në ngatërresa serioze dhe probleme të tjera për ju dhe fëmijën tuaj.
Mos lejoni që fëmija juaj të mungojë në shkollë
Pa marrë parasysh se sa i mërzitur është fëmija juaj, nuk mundeni assesi ta lejoni që të rrijë
në shtëpi. Prindërit mund të paditen nëse nuk e çojnë fëmijën e tyre në shkollë. Gjëja më e
mirë që mund të bëni, është që ta siguroni fëmijën tuaj që kjo situatë do të tejkalohet dhe që
ai/ajo nuk ka bërë asgjë të keqe.
KUR FËMIJA JUAJ I SHQETËSON TË TJERËT
Ashtu siç jeni syçelë ndaj shenjave që fëmija juaj është viktimë, ashtu duhet që të jeni të
vetëdijshëm edhe ndaj shenjave që flasin se fëmija juaj po i shqetëson të tjerët. Fëmija juaj
mund t’i imitojë sjelljet agresive dhe nuk i sheh ato si të gabueshme, ose kjo mund të jetë një
mënyrë e shprehjes së ndjenjave kur është duke kaluar nëpër një fazë të vështirë.
• Bisedoni me djalin ose vajzën tuaj në lidhje me arsyet e sjelljeve të tyre në këtë
mënyrë, mundohuni që t’ia bëni atij ose asaj të kuptueshëm efektin rrënues që kanë
sjelljet e tyre tek të tjerët.
• Kujdesuni që në familjen tuaj të mos të arrihen qëllimet nga askush me agresivitet
ose me forcë, dhe tregojini fëmijës tuaj se si mund t’i bashkëngjitet të tjerëve pa
pasur nevojë për dhunë.
• Diskutojeni situatën me kujdestarin e klasës së fëmijës tuaj për të parë se si mund të
bashkëpunoni me shkollën për t’i dhënë fund dhunës.
• Kujdesuni që fëmija juaj ta dijë se ai/ajo duhet të përkrahet edhe nga të tjerët dhe mos
i kurseni lëvdatat kur ai ose ajo tregohet i/e mirë ndaj të tjerëve.
• Bisedoni rregullisht në lidhje me situatën për t’u siguruar se nuk fshihen probleme
serioze mbrapa kësaj faze trazirash.
c/p
Krijoni Kontakt