Festivali i 11-të Kombëtar i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë
- festë për të mos u harruar -
Festë për të mos u harruar! Një pasdite pranverore në zemër të dimrit. Në rrugëtimin e viteve, por edhe në kujtesën e të gjithë të rinjve do të mbetet një nga ngjarjet më të shënuara. Festivali i 11-të Kombëtar i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë shpalli vlerat më të mira të jetës shpirtërore dhe artistike të brezit të ri.
Më 26 dhjetor 2008, salla kryesore e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, e mbushur nga qindra pjesëmarrës, do të shpërthente nga zërat rinorë dhe urimet e zjarrta për Krishtlindje të bekuara dhe një vit të begatë. Këngë, valle, recitime ... atmosferë emocionuese dhe me ngjyra të vërteta festive.
Me qirinj të ndezur dhe duke ecur në skenë nën heshtje, fëmijë dhe të rinj, çelën siparin e festës, si për të lajmëruar ardhjen e Shpëtimtarit në botë. Mes duartrokitjeve, prezantuesit nisën të shpërndanin mesazhet e para: “Të gjithë jemi të gëzuar sot dhe kjo atmosferë është një përjetim jo me drita artificiale, siç shikojmë këto ditë nëpër qytete. Ka ardhur drita e vërtetë, një dritë që çdo njeri e shikon brenda shpirtit të tij. Është Krishti foshnje që nga shpella e Bethlehemit rrugëton me yllin e magëve dhe ndalet edhe në kryeqytetin tonë, në Tiranë, dhe pret të gjejë strehë në zemrën e secilit prej nesh”.
Menjëherë, përmes video-projektorit u prezantua mesazhi i Kryepiskopi Anastas, dhënë përmes mediave për mbarë popullin shqiptar në vigjilje të Krishtlindjeve.
Në skenë do të ngjiteshin njëra pas tjetrës grupet rinore bashkë me fëmijët e shkollave 9-vjeçare të Kishës sonë. Ata përcollën këngë të krishtera dhe popullore, valle tradicionale, recitime dhe pjesë drame. Gjithçka e shoqëruar me dritën që rrezatonte nga fytyrat e tyre të qeshura. Midis tyre ishte edhe ideatori dhe mbështetësi kryesor i këtij festivali, Kryepiskopi Anastas, i shoqëruar nga Mitropoli i Beratit, Hirësi Ignati, Episkopi i Apollonisë, Hirësi Nikolla, Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni, klerikë dhe besimtarë.
Për më shumë se tre orë u krijua një atmosferë bashkëpunimi dhe vëllazërimi, e shprehur në harmonizimin e prezantimit të vlerave të krishtera dhe atyre popullore. Falënderime dhe mirënjohje për të gjithë ata që merrnin pjesë, e sidomos për ata që kanë kontribuar në ndërtimin dhe përparimin e këtij festivali. 15 grupe rinore (pas përzgjedhjes në festivalet e dioqezave të tyre organizuar gjatë muajit dhjetor), sollën vlerat karakteristike të zonave të tyre. Përveç grupeve konkurruese festivalin e përshëndetën me këngët dhe valle festive edhe disa grupe të tjera rinore dhe fëmijësh orthodhoksë.
Drama “Falja, forma finale e dashurisë”, paraqitur për publikun nga të rinj të grupit rinor të Tiranës, përshëndetja e z. Gavril dhe znj. Maria Prifti me këngët “Dashuria e Perëndisë” dhe “Kambanat bien përsëri” dhe pjesët e tjera përshëndetëse krijuan një atmosferë të veçantë për të gjithë të pranishmit.
Pas prezantimit të grupeve dhe pritjes për vendimin e jurisë për fituesin e këtij festivali, Kryepiskopi Anastas përshëndeti pjesëmarrësit. Ai përgëzoi dhe vlerësoi këtë aktivitet, duke e cilësuar një aktivitet me nivel shumë të lartë. Në fjalën e tij përveç të tjera Kryepiskopi tha:
“Në rast se duam të shkojmë në Evropë, duhet të lartësojmë shpirtin. Shqipëria ka nevojë për të gjithë ju. Ka nevojë për njerëz të vendosur, punëtorë dhe të ndershëm, që e duan përparimin e vendit. Duhet më shumë vendosmëri dhe frymë sakrifice. Përparimi i një personi lidhet me përparimin e gjithë vendit. Nuk kam shqetësim për të ardhmen, sepse ajo është në duart e Krishtit. Sa më shumë lidhemi me Krishtin, aq më shumë shpresë jemi për vendin. Duhet të ndjekim shembullin e njerëzve të ndriçuar dhe jo të njerëzve që mendojnë vetëm për veten e tyre. Le ta festojmë ardhjen e Shpëtimtarit me rezistencë cilësore. Për shumë vjet gëzuar Krishtlindjet!”
Në fund, juria e festivalit ndau çmimet për grupet fituese. Sivjet, çmimin inkurajues e mori grupi i Këlcyrës, e më pas u ndanë dy çmime për vendin e tretë, përkatësisht për grupet rinore të Beratit dhe të Korçës, vendin e dytë e meritoi grupi rinor i Kavajës, ndërsa vendin e parë e mori grupi rinor i Tiranës, me paraqitje të shkëlqyer dhe shumë duartrokitje.
Në festën madhështore të Krishtlindjeve, rinia e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka gjetur mënyrën më të mirë për ta shprehur dashurinë dhe gëzimin për ardhjen e Shpëtimtarit në botë.
Isidor Koti
Krijoni Kontakt