Festa (pa) flamur
Pse kësaj here nuk u përdor Flamuri i Dardanisë për festën e 28 Nëntorit?
A thua kaq shpejt u harrua Flamuri i Dardanisë Antike i propozuar nga presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova? Pse asnjë qeveritar komunal apo ndonjë përfaqësues i Institucioneve të Kosovës nuk e nxori në përdorim, së paku simbolikisht Flamurin e Presidentit Rugova? Pse Grupi Parlamentar i LDK-së nuk po e procedon në Kuvendin e Kosovës kërkesën për zyrtarizimin e simboleve të Shtetit të Kosovës të cilat u propozuan nga Presidenti Rugova?
Shkruan Bajrush MORINA
Edhe këtë vit u shënua Festa e 28 nëtorit, Dita e Flamurit në Shqipëri dhe në Kosovë. Edhe këtë vit pati përurime dhe manifestime kulturore anembanë trojeve etnike shqiptare. Këtë vit Skënderbeu erdhi edhe në Shkup, ndërkaq një lapidar i Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së u përurua edhe në Tiranë.
Duke mos i mbitheksuar “dallimet” politike të këtyre përurimeve me vlera dhe karakter kombëtar (në Shkup ishin të pranishëm vetëm përfaqësuesit e BDI-së e jo edhe të PDSH-së, ndërkaq në Tiranë ishin të pranishëm vetëm zyrtarët e PDK-së e jo edhe të Qeverisë së Kosovës apo të partive të tjera politike të Kosovës) mund të thuhet se 28 Nëntori i këtij viti u përshkua edhe me ankthin e pritjes për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës dhe u shënua edhe me protesta të lëvizjes “Vetëvendosja”.
Por, Festa e 28 Nëntorit e këtij viti pati edhe një “zbehje” jo vetëm vizuele. Fare pak ose aspak nuk u vërejt valëvitja e Flamurit të Dardanisë Antike i propozuar nga presidenti i Kosovës dr.Ibrahim Rugova. Në të vërtetë, sipas njoftimeve nga terreni, vetëm disa nxënës të qytetit të Pejës e morën guximin dhe defiluan nëpër qytet me flamuj të Presidentit Rugova. U takon merita, respekti, guximi dhe falënderimi i posaçëm për këta nxënës dhe për ata që udhëheqës komunalë apo partiakë të komunës së Pejës të cilët organizuan dhe shpërndanë flamujt e Dardanisë më rastin e festës së 28 Nëntorit.
Kjo festë e këtij viti “ua nxori bojën” shumë udhëheqësve komunalë dhe të Institucioneve të larta të Kosovës, sidomos atyre që janë nga radhët e LDK-së. Siç dihet, viteve të mëhershme, jo vetëm në tubimet partiake por edhe me rastin e Festave kombëtare, krahas Flamurit Kombëtar, nxirrej edhe Flamuri i Dardanisë, i propozuar nga presidenti Rugova. Në të vërtetë, duhet pranuar se ka patur edhe “rezistenca formale” ndaj këtij flamuri, madje edhe “djegie publike” të Flamurit të Dardanisë Antike nga disa individë dhe shoqatave të ndryshme që thirren si pasardhës të luftës së UÇK-së, por efekti i valëvitjes së këtij flamuri ishte më i madh sesa ai i “djegies”.
Këtë vit nuk u vërejt një përpjekje e tillë për të nxjerrë në valëvitje Flamurin e Dardanisë. Ndërkaq këtë vit, mu për arsye të mungesës fizike të presidentit Rugova do të duhej të shpalosej Flamuri i propozuar nga ai, Flamuri i Dardanisë Antike.
Por, kjo nuk ndodhi, ndërkaq përgjegjësinë morale, politike e mbase edhe institucionale për këtë “fshehje publike” të Flamurit të Dardanisë së propozuar nga dr.Ibrahim Rugova, e bafshin me shëndet të gjithë ata pushtetarë lokalë apo qendror të cilët kanë ardhë në pushtet falë emrit, veprës dhe votës së presidentit Rugova dhe të cilët edhe sot e kësaj dite e kanë “gojën plot” me emrin e dr. Ibrahim Rugovës, ndërkaq nuk ua mban as edhe një ditë që të nxjerrin publikisht simbolet e presidentit Rugova.
Por, kjo “harresë” ndaj simboleve të presidentit Rugova nuk u vërejt vetëm me rastin e festës së 28 Nëntorit. Ka kohë, për të thënë disa muaj që simbolet e propozuara nga Presidenti Rugova janë lënë anash. Jo të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës, jo të gjithë ministrat e Qeverisë së Kosovës, jo të gjithë zyrtarët e lartë të Institucioneve të Kosovës që vijnë nga radhët e LDK-së i mbajnë në zyrat e tyre Flamurin e Dardanisë, Vulën e Presidentit të Kosovës apo fotografinë e presidentit Ibrahim Rugova.
Madje, jo të gjitha Kuvendet zgjedhore të LDK-së në aktive dhe nëndegë janë mbajtur nën intonimin e Himnit të Presidentit Rugova dhe nën Flamurin e Dardanisë. Këtë “harresë” të tyre ata e “arsyetojnë” me modestinë e tepruar apo me “çështje teknike” duke mos e pranuar se në radhë të parë u ka munguar guximi politik që në këtë apo atë tubim zgjedhor të LDK-së nuk e kanë marrë me vete Himnin e Presidentit Rugova të incizuar në disketë apo nuk e kanë marrë me vete Flamurin e Dardanisë Antike.
Duke e parë këtë gjendje, apriori shtrohen këto pyetje: pse kaq shpejt u harrua Flamuri i Dardanisë Antike i propozuar nga presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova? Pse asnjë qeveritar komunal apo ndonjë përfaqësues i Institucioneve të Kosovës nuk e nxori në përdorim, së paku simbolikisht Flamurin e Presidentit Rugova? Pse Grupi Parlamentar i LDK-së nuk po e procedon në Kuvendin e Kosovës kërkesën për zyrtarizimin e simboleve të Shtetit të Kosovës të cilat u propozuan nga Presidenti Rugova?
Këtyre pyetjeve do të duhej t’u përgjigjeshin më mirë ata që kanë përfituar personalisht (shkurt e shqip: që kanë marrë poste institucionale) nën intonimin e Himnit “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë” dhe nën Flamurin e Dardanisë Antike. Ata duhet të përgjigjen dhe të bëjnë diçka më shumë në këtë drejtim sot, sa nuk është bërë vonë nesër!
Krijoni Kontakt