Në këtë raport, Shqipëria nuk përfshihet as në grupin e vendeve me “demokraci të çalë”, ku radhiten dy shtetet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi
Shqipëria, më pak demokraci se Palestina
Ndërsa në grupin me demokraci të plotë, janë përfshire plot 17 vende të Bashkimit Europian
Shekulli
TIRANË - Shqipëria vazhdon të përfshihet në grupin e vendeve me “regjim hibrid”, në rast se do t’i referohemi një studimi të “The Economist Intelligence Unit” i publikuar në revistën britanike “The Economist”. Koeficienti i demokracisë, për 167 vende që janë përfshirë në raportin e përvitshëm, është përllogaritur në bazë të pesë kategorive: procesit zgjedhor, pra, në çfarë mase në një vend kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme, liria qytetare, funksionimi i qeverisë, kultura politike dhe pjesëmarrja politike. Në këtë raport, që për revistën britanike është i përvitshëm, Shqipëria radhitet në vendin e 83-të, e para në grupin e vendeve me “regjim hibrid”. Vendi ynë, lë pas vende të tjera si, Libani, Bosnje-Hercegovina, Turqia apo edhe Tajlanda. Megjithatë, ajo vazhdon të mbetet larg vendeve që kanë një demokraci të konsoliduar, gjë, që për shumë vite zor se mund të arrihet, në rast se do t’i hedhim një sy tabelës së rezultateve, sa i përket nivelit të demokracisë për 167 vendet. Në këtë raport, Shqipëria nuk përfshihet as në grupin e vendeve me “demokraci të çalë”, ku radhiten dy shtetet fqinje, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në këtë grup, disa shkallë më lart se Shqipëria, sa i përket nivelit të demokracisë, janë radhitur edhe vende te tjera si, Bangladeshi, Guatemala, Palestina, Bolivia, Peruja, Paraguai etj. Ndërsa mbetet shumë larg e pozicionuar nga vendet me demokraci të konsoliduar. Janë plot 27 vende që përfshihen në këtë grup, i cila kryesohet nga Suedia. Kjo e fundit zë vendin e parë, si vendi më demokraci të plotë apo maksimale. Suedia le pas vende të tjera të zhvilluara si, Norvegjia, Danimarka, Luksemburgu, Finlanda, Kanadaja, Australia etj. Vende të tilla kanë lënë prapa për nivelin e tyre të demokracisë, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që radhiten në vendin e 17-të, Japonia në vendin e 22-të, apo edhe Franca që radhitet në vendin e 24-ër. Në grupin me demokraci të plotë, janë përfshire plot 17 vende të Bashkimit Evropian, ndërkohë që Shqipëria e cila synon të anëtarësohet në këtë organizëm, është shumë vende poshtë. Shqipëria do të duhet të plotësojë një sërë kriteresh, duke filluar që nga zgjedhjet, e deri tek kultura politike në vend, me qëllim që të kalojë edhe grupin e vendeve me “demokraci të çalë”. Ndërkohë, në krye të grupit të vendeve me “regjim autoritar” është Pakistani, në pozicionin e 113-të e më pas vjen Jordania, Maroku apo edhe Egjipti, duke përfunduar me Korenë Veriore. Sipas këtij studimi, rreth 40% e popullsisë në botë, jeton nën regjimet autoritare. Rezultatet e kësaj analize janë publikuar në një shtojcë të veçantë, me titull “Bota në vitin 2007” në revistën britanike “The Economist” pak ditë më parë, e cila u pasqyrua dje nga TV-Alsat. Ky raport është përvitshëm dhe publikohet gjithnjë në prag të Vitit të Ri.
Gazeta Shekulli
Krijoni Kontakt