(QIK-u) - Me rastin e njëvjetorit të vrasjes së ish-kryetarit të Therandës Ukë Bytyçit dhe dy shoqëruesve të tij)
Shkruan: Mevlyde SARAÇI, Deputete në Parlamentin e Kosovës
Si do t'i përballojnë shqiptarët humbjet e njëpasnjëshme të njerëzve që kanë bërë emër me punën dhe veprën e tyre për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Asnjëherë nuk e kam menduar se Kosova do të përcjellë pas luftës kaq shumë njerëz të vrarë nga dora kriminale, të cilët dhanë tërë mundin, djersën, potencialin intelektual e mendor, madje edhe luftëtarë të pendës dhe të pushkës.
Edhe sikur të mendonte një njeri normal asesi nuk do të mund të qëllonte se vërtet një klasë e njerëzve janë aq të tërbuar sa nuk mund të pajtohen me realitetin.
Bota u mahnit me të arriturat e shqiptarëve në këtë periudhë të pasluftës në Kosovë.
Ndërtimi i institucioneve demokratike të zgjedhura me votën e lirë të popullit u përgjakën tri herë radhazi.
Vriten njerëzit që ua beson populli udhëheqjen, vritet vota e lirë, vritet fjala e lirë. Kosova rrugëton në maratonën e vet drejt realizimit të aspiratave shekullore. Tani është një realitet i ri në Kosovë, të cilin duhet ta pranojmë të gjithë.
Ne e lidhëm fatin tonë me fatin e Kosovës dhe pranuam të sfidojmë gjithë atë që mundëm, të sakrifikojmë aq sa u desh të sakrifikohet, për një jetë më të mirë të fëmijëve tonë. Dhe një ditë e bardhë arriti pas gjithë asaj errësire.
Përse përgjaket vota e popullit?
Përse shtohet numri i politikanëve të vrarë?
Përse sot Kosova derdh lot, kur duhet të festojë?
Përse fëmijët e përvuajtur të Ukë Bytyqit, të mos i gëzohen sukseve si të gjithë fëmijët e tjerë të botës ?
Gjer kur nënat të mallkojnë dorën kriminale?
Të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjegje.
Më 26 tetor 2002 mbahen zgjedhjet e dyta komunale. Bota i vlerësoi si shumë të sukseshme.
Më 27 tetor përgjaket vota e lirë. Vritet kryetari i Therandës Ukë Bytyçi.
Kosova vesh petkun e zisë.
Më 29 Tetor qytetarët nga mbarë Kosova drejtohen në Therandë për të përshëndetur për herë të fundit atdhetarin, veprimtarin, luftëtarin e lirisë, kryetarin e komunës së Therandës dhe të dy shoqëruesit e tij.
Përsëri me kulturë e dinjitet i gjithë ai popull nga mbarë Kosova shpalos dhembjen e vet krenare dhe ia hudh një grusht dhe patriotit, luftëtarit, politikanit dhe mikut, kryetarit të Asamblesë Komunale të Therandës Ukë Bytyçit.
Dhe fëmijët e Ukës mbahen të fortë. Të tillë e kishin edhe babain.
Kimetja, e shoqja e Ukës, bashkudhëtarja dhe bashkëpunëtorja më e ngushtë ngushëllon të gjithë pjesëmarrësit dhe uron që kjo të jetë vrasja e fundit.
Këto janë momentet më të rënda që po kalon populli ynë.
Me dhembje të madhe sa bjeshka në zemër do të ecim rrugës së nisur që herët duke arritur qëllimin dhe amanetin e të parëve.
Mallkuar qoftë dora e atyre që po vrasin lirinë e fituar me mund djersë e gjak!
Mallkuar qofshin ata që gatuajnë vetëm vdekje!
Secili le ta marrë dënimin e merituar.
Na ikën nga skena njerëzit që do duhej të ishin si më parë, në vitet kur ishte vështirë të flasësh shqip e lere më të mirresh me aktivitet politik për të krijuar institucionet që mbajtën gjallë këtë popull për një dekadë.
Askush nuk mund ta fshiejë historinë. Për të bërat apo të pabërat mbesin gjurmët. Gjithashtu dëshmitarët. E vërteta po ngadhnjen për çdo ditë e më shumë.
Populli gjykon drejt dhe vendos vetë për fatin e vet duke shprehur vullnetin e lirë Mbase kjo është përgjegje dhe grushti më i madh kundër krimit dhe kriminelëve çfarëdo soji qofshin ata.
Dhe në këtë vjeshtë të ftohtë e me shi përsëri kolonat e gjata nga mbarë Kosova drejtohen në Therandë në nderim të veprës së dëshmorit të kombit Ukë Bytyçi, dhe dy shoqëruesve të tij.
Të gjithë si një me dhembje krenare dhe respekt të veçantë për njeriun që tërë jetën e tij të shkurtër ia fali lirisë dhe demokracisë në Kosovë.
Dhe kësaj radhe Theranda u bë kryeqytet i dhembjes, por edhe i krenarisë kombëtare në nderim të dëshmorit dhe veprës së tij me respekt të lartë për familjen e Ukë Bytyqit, e cila vazhdon rrugëtimin nëpër valët e jetës për ta vazhduar aktivitetin deri në realizimin e aspiratave kombëtare.
Bashkëshortja e Ukës ruan me fanatizëm kujtimet për të shoqin, por edhe është krenare për të bijën Shqipen dhe të bijt Flamurin dhe Valonin të cilët janë betuar se asnjëherë nuk do të zbrapsen nga rruga e demokracisë dhe pavarësisë.
Mbase për Ukën duhet të flitet më shum se një ditë.
Atë dhe veprën e tij e hasim në çdo pore të jetës.
Krijoni Kontakt