Firma turke, “Univers-Alb” do të investojë për hapjen e një klinike private, të cilën do ta administrojë për 20 vjet
Vendimi i fshehtë, qeveria jep me qera 15 mijë m2 të Spitalit Ushtarak
Aleksandra Bogdani
TIRANË
- Këshilli i Ministrave “tkurr” spitalin e vetëm ushtarak të vendit, pas vendimit për dhënien me qera të një pjese të mirë të kompleksit universitar. Vendimi i firmosur pa bujë më 18 tetor të këtij viti në sallën e mbledhjeve të qeverisë, ka hyrë në fuqi tre ditë të shkuara, me botimin në Fletoren Zyrtare, duke i hapur rrugën ndërtimit të një qendre spitalore private. “Univers- Alb” sh.a quhet shoqëria që ka përfituar jo pak, por 15. 638 metra katrorë në mjediset e spitalit ushtarak, ndërkohë që vendimi i Këshillit të Ministrave nuk bën publike shumën e parave që do t’i duhet kësaj shoqërie t’i paguajë shtetit shqiptar, për ambientet e marra me qera. Mësohet se “Univers-Alb” është një kompani me pronarë turq, të cilët kanë planifikuar të investojnë për ngritjen e një kompleksi spitalor privat, bash në mjediset e Ushtarakut në Tiranë.
***
“Për dhënien me qera, pa konkurrim, shoqërisë “Univers-Alb” sh.a të disa ambienteve në spitalin ushtarak universitar, Tiranë”,-emërtohet VKM-ja e miratuar në mbledhjen e datës 18 tetor të këtij viti. Ky vendim mban firmën e kryeministrit Sali Berisha dhe është bërë i vlefshëm më 15 nëntor, pas botimit të Fletoren Zyrtare. Propozimi për dhënien me qera të më shumë se 15 mijë metrave katrorë ka mbërritur në tavolinën e kryeministrit nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli dhe ai i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. “Këshilli i Ministrave vendosi dhënien me qera, pa konkurrim shoqërisë “Univers-Alb” të disa mjediseve me sipërfaqe trualli gjithsej 15 638 metra katrorë në spitalin ushtarak, për ngritjen e një qendre spitalore”,-thuhet në VKM-në e miratuar më 18 tetor. Më tej shtohet se afati i kontratës së qerasë do të jetë 20 vjet. Qeveria i ka ngarkuar Ministrisë së Ekonomisë të nënshkruajë kontratën me shoqërinë “Univers-Alb”, shoqëri kjo që për 20 vitet e ardhshme do të ketë nën administrim një pjesë të mirë të mjediseve që deri pak ditë më parë i takonin spitalit ushtarak.
***
Megjithë kontestimet nga deputetë të opozitës për kontratën e mësipërme, përfaqësues të qeverisë shqiptare e vlerësojnë atë si shumë të vlefshëm. Eno Bozdo, zv.ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës pohoi dje për “Shekullin” se vendimi për dhënien me qera të disa ambienteve në spitalin ushtarak është në dobi të shtetit shqiptar, pasi aty do të investohen mijëra dollarë për ngritjen e një qendre spitalore. I pyetur për dhënien me qera të këtyre ambienteve pa konkurrim, Bozdo u përgjigj se:” kjo është një procedurë normale, pasi dhënia me qera e ambienteve shtetërore bëhet zakonisht pa konkurrim”. Zv.ministri nuk ka bërë me dije sesa para do të përfitojë shteti shqiptar nga qeraja, por shton se është miratuar plan-projekti i ofruar nga shoqëria “Univers-Alb” për investimet që do të bëhen nga kjo shoqëri për ngritjen e kompleksit spitalor, që do të konkurojë spitalin ushtarak në Tiranë.
15 638 Metra katrorë truall e ambiente i janë dhënë me qera shoqërisë “Univers-Alb” për ndërtimin e një kompleksi spitalor privat. Qeveria e ka miratuar dhënien me qera më 18 tetor, ndërsa VKM-ja ka hyrë në fuqi tre ditë më parë
20 Vjet është afati i dhënies me qera të ambienteve në mjediset e spitalit Ushtarak. Në vendimin e Këshillit të Ministrave nuk bëhet me dije sesa para për metra katrorë do të paguajë shoqëria “Univers-Alb” për shfrytëzimin e ambienteve
18/11/2006
Shekulli
Krijoni Kontakt