Qeveria greke ka vendosur t'u japë nënshtetësinë shtetasve shqiptarë me origjinë greke që ndodhen prej vitesh në këtë vend.
Duke komunikuar lajmin, ministri i Brendshëm Prokopis Pavlopoulos tha se kjo erdhi si rrjedhojë e konsultimeve me palën shqiptare, e cila ka dhënë garancitë se minoritarët do të ruajnë të drejtën e dyshtetësisë.
Kjo kërkesë shumëvjeçare e minoritarëve grekë nga Shqipëria ka gjetur më në fund zgjidhjen, kur Këshilli i Ministrave ka vendosur të martën që t'u japë nënshtetësinë gjithë atyre minoritarëve që ndodhen në Greqi dhe kanë kartën e homogjenit.
Karta e homogjenit është një leje e posaçme, e cila që prej vitit të kaluar, nga trevjeçare është bërë dhjetëvjeçare.
Sipas zotit Pavlopoulos, dhënia e nënshtetësisë do të fillojë menjëherë, dhe më së pari do ta marrin ata që janë pajisur me herët me kartën e homogjenit.
Ministri i brendshëm, duke komunikuar lajmin, tha se problemi i nënshtetësisë po shqyrtohej prej shumë vitesh, dhe se vonesa i dedikohet siç tha ai, "faktit se duheshin siguruar garancitë e nevojshme", që marrja e nështetësisë greke të mos kishte pasoja në pronat dhe të drejtat e tjera të minoritarëve në Shqipëri.
"Pas konsultimeve me palën shqiptare dhe garantimit nga kushtetuta e Shqipërisë të së drejtës së dyshtetësisë, dhe në bazë të mjeteve që kemi si vend, mund të fillojmë të japim nënshtetësinë," tha ministri i brendshëm Pavlopoulos.
Çështja e dhënies së nënshtetësisë minoritarëve grekë nga Shqipëria, ishte vënë në rend të ditës nga qeveria e mëparshme socialiste, në qershor 2003, por atëherë opozita kishte kundërshtuar energjikisht, duke e lidhur këtë qëndrim të qeverisë me afrimin e zgjedhjeve parlamentare.
Vendimi i tanishëm i qeverisë greke u muar në të njëjtën ditë që janë shtuar zërat për zgjedhje të parakoshme në Greqi, në pranverë ose në vjeshtë të vitit të ardhshëm, por zyrtarë të qeverisë hodhën poshtë akuzat se dhënia e nënshtetësisë minoritarëve bëhet për arsye elektorale.
BBC
7-11-2006
Krijoni Kontakt