Postuar më parë nga
Xhuxh Xhumaku
Gazeta Shqiptare, Faqja 18 -19- SPECIALE Nentor 5, 2006
“Roli i Ramizit dhe të dërguarit e tij në Lëvizjen e Dhjetorit”
“Ndarja me Azemin, u bë vegël e Berishës”
Eshtë folur shumë për atë Dhjetorin ‘90, por është krijuar përshtypja se më shumë kanë folur protagonistë anësorë ose ata që kërkojnë protagonizëm me çdo kusht. Ju vetë ku ndodheshit në atë kohë dhe çfarë kujtoni prej saj?
Në atë kohë kam qënë student i vitit të dytë të anglishtes në universitetin e Tiranës. Isha 31 vjeç, ndoshta studenti më i vjetër me moshë në universitet. Të drejtën për të shkuar në shkollën e lartë edhe një herë e kisha fituar si krijues letrar i ri i talentuar, një dritare që u hap në vitet e fundit të sistemit. Kisha një libër me poezi që sa kishte dalë nga shtypi, ‘Gjaku Im Trashëgon’ dhe që ishte pritur mirë. Po ashtu, sa kisha botuar një përkthim të Xhejms Xhojsit, i pari në gjuhën shqipe, dhe një tjetër të Karlo Kasolës. Njihja mjaft mirë rreth dhjetë gjuhë të huaja, dhe kisha studjuar shumë e sistematikisht, edhe pse në mënyrë autodidakte, në fusha ku kisha interes si filozofia dhe historia. Meqë, për mua, rruga e vetme për të çarë në atë sistem ishte botimi i shkrimeve artistike e i përkthimeve, unë punoja shumë intensivisht në këto fusha, se asokohe nuk të linte kush as të mendoje për filozofinë e për politikën. Edhe në atë kohë kisha përkthyer dhe kisha të gatshme edhe disa përmbledhje autorësh modernë anglezë, amerikanë e italianë si T.S. Elliot, Thomas, Auden, Montale, Quasimodo, Pound, etj. Kisha një rreth shumë të mirë shoqëror përmes të cilit më binin në dorë shumë libra të ardhur nga jashtë, edhe të viteve të fundit.
Si e kujtoni demonstratën e parë të studentëve, nëse të tillë do të quanim demonstrimin e tyre mbas ‘meshës’ për John Lenon, në Akademinë e Arteve?
E kujtoj si një ngjarje shumë të rëndësishme. Duhet me thanë se në Qytetin Studenti ka pasur edhe shumë protesta të tjera që tash nuk i kujton kush, thjesht sepse ishin spontane dhe pa vijueshmëri, si për shembull, djegja e një dysheku tek godina 6, sharjet e përnatshme për Nexhmije Hoxhën etj., demonstrata e heshtur apo protestat e herëpashershme që lëshoheshin natën e kur fikeshin dritat e me rradhë si nga godinat e djemve ashtu edhe të vajzave. Po ashtu, midis 29 Nëntorit e 8 Dhjetorit ka pasur shumë rrëmujë dhe gjithkush e lëshonte nga një parullë apo bërtiste nga dritarja apo nga tarraca kundër partisë e kundër sistemit, sjellje që u acaruan shumë nga 6-7 Dhjetori. Megjithatë, përkujtimi i vrasjes së Xhon Lennon, dhe ajo që ndodhi më pas e ka vlerën e vet dhe bën pjesë në këtë seri protestash studentore, edhe pse nuk ishte pikë kulmore apo pikë kthese politike thjesht sepse ajo përkujtimore nuk pati as organizim politik dhe as kërkesa të mirëfillta politike. Shiko, në atë kohë për me organizue një aktivitet të tillë duhej një leje që nuk jepej nga Drejtoria e Institutit të Arteve. Mandej, atë protestë duhet me e pa në kontekstin e zhvillimit të gjërave. Nga fundi i gushtit 1990 u pa qartë se mbasi dështuan me duetet, trojkat, me intelektualët etj., strukturat shtetërore po iu drejtoheshin si studentëve ashtu edhe universitetit për të krijue një shkëndijë, aq sa për të justifikuar ndryshimet e pjesshme që ata synonin t’i arrinin. Pra, unë e shumë të tjerë kishim dyshimet tona legjitime se kjo përkutimore për Lennon po ndodhte me lejën e sistemit dhe si pjesë e këtij plani, i cili parashihte që sa të kalonin datat e 28 e 29 nëntorit, e të fillonin provimet, në Universitet të fillonin protestat e studentëve, që do të rrinin aty, d.m.th. një përqindje e vogël e 5000-6000 vetëve që banonin në Qytetin Studenti gjatë vitit shkollor. Unë e shumë shokë të mi e ndoqëm me shumë vëmendje atë aktivitet që për ne nuk po bënte gjë tjetër por po legjitimonte ata që për ne ishin skalioni i dytë i parisë sunduese të Tiranës, dhe shpresa e tyre për të ruajtur sundimin e kastës, çka mes nesh i referoheshim me humor si ‘malladaja gvardija’. Ajo ishte mundësia për një shkëndijë që nuk e ndezi zjarrin që pritej.
Kur jeni njohur fillimisht me Azem Hajdarin dhe cilat ishin raportet tuaja me të?
Azemin e kam njohë edhe më përpara, por nuk kemi qënë shokë sepse kemi pasur interesa të ndryshme dhe kemi lëvizur në rrethe shoqërore të ndryshme. Kemi fillue me bashkëpunue në politikë me 9 Dhjetor 1990 dhe menjëherë kemi marrë drejtime të ndryshme dhe të kundërta. Raportet i kemi pasë shumë të ftohta sepse në vlerat e në mendimet ideologjike nuk pajtoheshim kurrkund me njëri-tjetrin dhe shpesh jemi zënë shumë keq. Kështu ndodhi me 9 Dhjetor kur ai i mbajti studentët në mensë e ne të tjerët organizuam demonstratën e parë politike në 45 vjet në sheshin kryesor të Tiranës. Po kështu ndodhi edhe në mëngjezin e 10 Dhjetorit, kur Azemi nuk donte me lanë kënd që nuk pajtohej me të me folë dhe gati e hodhën në tokë prej platformës derisa na lëshoi mikrofonin. Edhe atë fije respekti e besimi që mund të kisha për të e kam humbur gjatë takimit me Ramiz Alinë kur Azemi, duke bërë me shenjë nga unë i tha Ramiz Alisë se “këta që i çojnë dy gishtat, nuk na e duen të mirën ne, shoku Ramiz.” Mbas atij momenti, unë e kam konsiderue haptazi si provokator dhe spiun dhe këtë e dinë të gjithë ata që kanë qënë afër nesh. Edhe pse këtë mendim unë e kam shprehë edhe publikisht me shokët tonë, Azemi kishte fitue shumë respekt tek studentët e tjerë dhe, në ato kohë, nuk na interesonte aspak përçarja sepse aq duhej për me hedhë në erë gjithçka të mirë që mund të vinte nga ato protesta e nga ajo Lëvizje Studentore. Nga ana e ime, unë kam punue me Azemin dhe kam qënë tepër korrekt me të edhe pse i jemi ruejtë fort njëri-tjetrit. Si shumë shokë të tjerë, në pika të caktuara më vonë edhe unë e kam mbështetë shumë dhe e kam mbrojtë, thjesht sepse mendonim që ai nuk mund të shkonte kurrkund pa ne e pa mbështetjen tone. Me pak naivitet, mendonim që po të ndahej prej nesh, hienat e parisë së Tiranës do ta bënin leckë, ashtu si deri-diku edhe ndodhi. Unë e të tjerët i jemi gjindë Azemit në momente kritike, por ai gjithnjë ka synuar vetëm lavdinë e vet, nuk e ka pasur ndjenjën e shërbimit publik, dhe ka kenë krejt i paskrupullt në përdorimin e ndjenjave dhe të besimit të studentëve, si pasojë, duke e dëmtuar keqazi Lëvizjen Studentore. Personalisht, mundem me thanë se mbas dorëheqjes sime nga Komisioni Nismëtar i PD-së, Azemi më është kundërvënë ashpër në shumë raste dhe më ka rrezikuar shumë. Në lidhje me dallimet e tjera, po përmend rastin e organizimit të Grevës së Urisë, kur i vënë me shpatulla mbas murit prej ‘intelektualëve’ të Kryesisë së PD-së, që donin ta hiqnin si Kryetar i PD-së, ai filloi të shtynte studentët që të protestonin duke e filluar rrëmujën me 6 Shkurt e duke na i ngatërruar keq planet tona. Kemi pasur shumë zënie gjatë periudhës së organizimit të Grevës së Urisë, por herën e fundit që jemi zënë publikisht ka ndodhur gjatë Grevës së Urisë. Azemi erdhi me mision që ta prishte Grevën, dhe disa shokë si Ben Lika, Ben Sula, dhe më duket se edhe Edmond Bushati, Alban Pici, Edvin Shvarci, Fred Gemi etj., e rrethuan me qetësi dhe e paralizuan duke mos e lanë as me shkue tek salla ku ishin studentët e fakultetit të inxhinjerisë. Azemi e ndjeu veten shumë keq kur e pa veten të izoluar e të keqtrajtuar prej nesh dhe mbas do kohe u çua dhe iku shumë i rënduar. Mbas asaj kohe jemi parë, por nuk kemi marrë dhënë e marrë më me njëri-tjetrin. Ai u bë vegla e pakushte e Sali Berishës dhe përfundoi duke u shoqëruar me gjithfarë interesash, jo gjithmonë të pastra, ndërsa unë vazhdova rrugën time. Por mua më ka ardhë jashtëzakonisht shumë keq kur e kanë vra sepse pavarësisht mospajtimeve e problemeve që kishim me njëri-tjetrin, prapë se prapë ai ka qënë pjesë e rëndësishme e Lëvizjes Studentore, dhe një ndër shokët tonë të afërt e me peshë shumë të madhe në shumë vendime që janë marrë e në shumë veprime që kemi ba të gjithë bashkë.
A ka ekzistuar realisht grupi i quajtur ‘tropojanët’ në këtë Lëvizje?
Në atë kohë shumë njerëz shoqëroheshin me bashkëqytetarët e me bashkëfshatarët e tyre. Në këtë sens, edhe tropojanët kanë ndenjë afër njëri-tjetrit, por në Lëvizjen Studentore nuk i ka pyetë kush si ‘tropojanë’. Mandej, sa vetë ishin, kush ishin, çka mendonin e çka kanë bërë këta ‘lidera tropojanë’?!! Në krye të Lëvizjes Studentore, qysh në fillim kishte një komision i cili në mëngjezin e 10 Dhjetorit u bë formal dhe që respektohej shumë nga të gjithë studentët. Në Komisionin Drejtues ishin Arben Lika, heroi i fillimit të protestave të 7-8 Dhjetorit dhe njeriu që me një shoqe tonën e futi Azemin në lojë, Tefalin Malshyti, më vonë nënkryetari i parë i PD-së, Mimoza Zhamo si përfaqësuese e vajzave, Azem Hajdari dhe Shinasi Rama. Tre nga këto pjestarë të Komisionit Drejtues ishin shkodranë siç ishin shumica dërmuese e studentëve që morën pjesë në Demonstratën e 9 Dhjetorit në Sheshin Skanderbej e në të gjitha aktivitetet e tjera. Po të jetë ashtu, mundem me thanë me kompetencë se shkodranët kanë qenë shumë ma të lidhur, shumë ma të vendosur e shumë më përpara me koncepte se të gjithë të tjerët. Ne të tre, Ben Lika, Tefalin Malshyti, dhe unë kemi qënë edhe anëtarë të Komisonit Nismëtar të PD-së, ashtu siç ishte edhe një nga heronjtë e tjerë të fillimit, miku jonë dhe një nga heronjtë e asaj Lëvizje studentore, Arben Sula nga Lushnja. Formalisht, në krye të Lëvizjes Studentore si asokohe por edhe ma vonë kemi qënë ne, ose si grup, ose si individë që dolëm në krye të grupeve e të shoqatave që lindën ma vonë. Kush janë këta pjestarë të ‘grupit tropojan’ për të cilët flisni ju??!! Me vjen keq me të thanë por kjo është një përrallë që i duhej Sali Berishës dhe Ramiz Alisë për me justifikue lojën e tyre e në rradhë të parë, futjen e Berishës në lojë, kinse si ndërmjetësi i Ramiz Alisë me ‘tropojanët’ sepse, për to, ne të tjerët nuk duhej të ekzistonim. Prandaj, edhe e kanë trumbetuar pa u lodhur tash sa vjet.
Ish-Presidenti Ramiz Alia, në këtë periudhë edhe i duartrokitur, por dhe i parë me dyshime të rënda. Cili është opinioni yt për të, sot dhe në atë kohë?
Shiko, Ramiz Alia ka qënë figurë me peshë jashtëzakonisht të rëndësishme në lojën politike në atë moment historik dhe i cili kishte mundësinë e rrallë për me ba shumë gjëra të mira për të gjithë shqiptarët. Por, edhe asokohe, shihej qartë se ai nuk e kishte vullnetin e duhur politik për me sjellë ndryshime të vërteta, por po bënte pirueta politike për me fitue kohë. Personalisht, nuk kam pasë aspak respekt për të, kur është krijuar mundësia i jam kundërvënë pa pikë hezitimi, dhe ai ka qënë tejet kërcënues karshi disave prej nesh. Edhe atëherë, edhe tashti, mendoj se Ramiz Alia nuk diti për me u ngritë në nivelin e momentit historik e për me i futë proceset politike në rrugën e duhur. Ai ishte një kurtizan tipik, pa pikë ndjenje kombëtare, shumë i zgjuar, i pabesë, i depresuar, i rrethuar nga një turmë injorantësh fanatikë në Byronë Politike e më gjerë, pa miqësi të qëndrueshme, pa shtyllë kurrizore, ‘fik i rritur nën hije,’ dhe nën presionin e strukturave të frikshme institucionale që shpesh as ai nuk i kontrollonte si duhet, pse lidhjet në ato struktura ishin çimentuar me martesa, me klane, me interesa etj., jashtë kontrollit të tij. Por, me i ra shkurt, gabimi kryesor i Ramiz Alisë ishte në nivelin ideologjik e të vizionit. Ramiz Alia e shihte botën të ndarë në kapitalistë e në komunistë.
Rrugën e tranzicionit, Ramiz Alia, si e gjithë klasa politike e tanishme, por edhe si paria intelektuale e atëhershme, e konceptonin si një kthim në sistemin kapitalist, ashtu siç ishte paraqitur nga Marksi, Engelsi, Lenini dhe Enver Hoxha. Me që, në mendjen e tyre, vendosja e kapitalizmit ishte e pashmangshme, ai mendonte e synonte jo vetëm që kasta sunduese e atëhershme të bëhej borgjezia, por edhe që kasta dhe nivelet e mëposhtme të ndjekësve besnikë të strukturës të vazhdonin të drejtoheshin nga ‘shtabi’ i saj i padukshëm, tamam si ortat e jeniçerëve në rezervë që drejtoheshin nga teqetë e Baba Aliut në majat e maleve të Tepelenës. Me këtë synim në mendje, Ramiz Alia ndoqi një politikë konseguente e cila kishte si qëllim kryesor ruajtjen e sundimit të kastës e të shtresës të cilën ai mendonte se e përfaqësonte në politikë. Kjo sjellje u pa qysh tek përzgjedhja e lojtarëve të ‘malladaja gvardija,’ tek përcaktimi si lojtarë kryesorë të opozitës i disa individëve të kompromentuar e të kontrollueshëm, disa edhe mburravecë e profesionalisht të pazotë, si dhe tek mandatet politike që ai iu dha këtyre individëve që, ku me më shumë besnikëri e ku me më pak, këta ia zbatuan shumicën e detyrave ashtu si ua la ai. Ishte fatkeqësi që kjo mendësi marksiste që e shihte botën të ndarë në borgjezë e në proletarë nuk i la as Ramiz Alinë, as jeniçerët e tjerë që të kuptonin se e vetmja mbrojtje nga egërsia e strukturave të sistemit ekonomik ndërkombëtar do të ishte që me bashkue njerëzit rreth idesë së kombit e të shtetit-komb. Pra, krimi i tij dhe krimi i parisë së Tiranës ka qënë dështimi me i vue gjërat në rrugën e duhur, d.m.th., as jeniçerët e martallozët e Bllokut e as Ramiz Alia nuk menduan për të gjithë shqiptarët si popull.
Ishte fatkeqësi e madhe që nuk kishte ndodhur ndrrimi i brezave. Drejtuesit e PPSh-së, si Alia dhe shumë të tjerë me peshë në atë rreth, vinin nga brezi që kishte dalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe që kishte zhvilluar një luftë të egër civile kundër nacionalistëve e kundër “klasës shfrytëzuese,” dhe, në vitin 1990, këta ende mendonin se po ktheheshin në pushtet Balli Kombëtar e Legaliteti, armiqtë e tyre të Luftës. Kështu, duke kërkuar e duke luftuar me i kthye kastën e Bllokut e shtresën e vet në borgjezi e në shtresën sunduese, Ramiz Alia as nuk e vrau mendjen se kështu ai po kryente një krim të llahtarshëm kundër të gjithë shqiptarëve të tjerë, të cilët nuk e kishin as aftësinë, as dijen, as mundësinë ekonomike për me mbijetue në sistemin kapitalist ekstrem. Po të lihen marrëdhëniet ekonomike për me përcaktue marrëdhëniet shoqërore e shtetin, atëherë kapitalizmi përfundon në një sistem ku një grusht klanesh kontrollon e zotëron gjithçka e të tjerët kanë e shesin vetëm krahun e punës. Ky ishte edhe sistemi që Alia dhe të tjerët në strukturat e shtetit imagjinonin se do të vendosej e që mandej sistematikisht luftuan për me e vendosë në shtetin shqiptar. Mirëpo, këtyre të shfrytëzuarve, të munduarve e të pazotëve që ishin 90% e shqiptarëve, do t’iu duhej shteti, si mbrojtja e vetme që ata do të kishin prej proceseve të egra diferencuese të tranzicionit.
Gjithkund, mbrojtja më e fortë kundër mekanizmit bluajtës e efekteve rrënuese e shkatërrimtare të kapitalizmit mbi shoqërinë është shteti dhe ndjenja e kombit. Jo se Alia nuk mendoi për sistemin politik dhe për efektet e tij, por ai mendoi mbrapsht. Kështu, përzierja e ndarja e pronave dhe manovrat e tyre për të ruajtur strukturën e mbështetjes në popull etj., u bënë me qëllim të ruajtjes së elektoratit të PPSH-së, d.m.th. që ata individë e familje t’iu ishin përjetë mirënjohës partisë së tij dhe strukturave të saj, si dhe të heqjes së bazës ekonomike të pronarëve të dikurshëm. Pasojat e atij vendimi politik kanë qënë fatale për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve. Pra, ndër gabimet më të mëdha të Ramiz Alisë ka qënë paaftësia për me pasë e me zbatue vizionin e duhur strategjik për të gjithë shqiptarët, një vizion i cili do t’iu garantonte të ardhmen të gjithëve. Nuk e teproj për me thanë se ky ka qënë një dështim themelor që e ka futur vendin e kombin në këtë hulli dhe që, me kohë, e ka çuar në këtë gjendje tragjike ku është tash.
Takimi i ish-Presidentit Ramiz Alia me përfaqësinë e studentëve në Pallatin e Brigadave, çfarë kujtoni nga ajo mbrëmje?
Ai takim ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesën time. Të gjithë ne kemi qënë tepër të vetëdijshëm për rëndësinë jashtëzakonisht të madhe historike të atij takimi. Personalisht, ju jam qënë përjetë mirënjohës shokëve e shoqeve të mia që më besuan për me shkue e me i përfaqësue në atë takim. Mendoj se si unë ashtu edhe disa shokë të tjerë, në veçanti Ben Lika dhe Tefalin Malshyti, ia mbrritëm për me u ngritë në lartësinë e momentit historik, ndërsa do të tjerë si Azem Hajdari, Arben Meçe, Blendi Gonxhe, e me rradhë e treguan veten se për çka kishin ardhur atje dhe se me kë ishin të lidhur. Do të ndalem pak këtu se ka shumë vjet që të gjithë ata që kanë folur për atë takim, qysh nga vetë Ramiz Alia nuk e kanë paraqitur të vërtetën si duhet. Problemi është se të gjithë kanë treguar mjaft përralla dhe shumë prej tyre nuk kanë pasur guxim ta thonë të vërtetën si duhet, disa edhe pse nuk e kanë kuptuar mirë se si erdhën gjërat…
Krijoni Kontakt