Emancipimi dhe zhvillimi i Kosovës në rrugën e demokracisë perëndimore nuk mund të mendohet pa përfshirjen, ose të paktën në hapësira të barabarta me mashkullin, edhe të femrës në të gjitha sferat e jetës. Ky angazhim i femrës në përmasa të gjera po ndeshet në dy pengesa kryesore, me atë të sferës private dhe publike. Këto dy sfera të jetës janë të ndërlidhura njëra me tjetrën dhe që të dyja janë faktorë të rëndësishëm për inkuadrimin e femrës kosovare në proceset zhvillimore dhe emancipuese të vendit tonë.
Në shumë vende të Ballkanit, të cilat janë në një lloj trazicioni, duke përfshirë këtu edhe Kosovën, ekziston një mosbarazim në përfshirjen e femrës në fushat ku tashmë dominohet nga meshkujt dhe shkaqet kryesore të tij janë diskriminimi i hapur ndaj potencialit femëror. Janë krijuar disa lloj steriotipesh negative dhe mendime se femra nuk mund të jetë e angazhuar në fushat me përgjegjësi të madhe, ngaqë potenciali i saj është i vogël që të përballojë këto dy lloj sferash dhe se angazhimi më i madh i saj i përket sferës private. Ide të tilla, jo që janë pa baza, por nuk duhet lejuar që të mendohet një gjë e tillë, duke u nisur nga fakti se femra ka një potencial aq të fortë, saqë është në gjendje të përballojë çdo sferë dhe sprovë që mund t’i dalë para. Një gjë të tillë e argumenton vetë fakti që Zoti i ka dhënë asaj privilegjin e të qenit nënë dhe sjelljen në jetë të një krijese të re, siç është fëmija, ku femra, nëna konsiderohet dhe baza e familjes. Atëherë shtrohet pyetja: Si nuk paska potencialin e duhur një femër për sferat publike, kur ajo është në gjendje të rrisë dhe të edukojë fëmijët e saj, të kujdeset për familjen, për bashkëshortin? Ku mund të shihet potenciali i “vogël” i femrës? Ne jemi të vetëdijshëm për shprehjen “Nëse edukon një mashkull, ke edukuar një njeri, por nëse edukon një femër, ke edukuar një shoqëri të tërë”. Pra, nga kjo shihet se gjinia e kundër ka krijuar vetëm një lloj etiketimi si vetëmbrojtje e jo se me të vërtetë eksistojnë këto tipare në personalitetin dhe potencialin femëror.
Diskriminimi i femrës është edhe në shkollimin e saj. Të dhënat e paraqitura nga studimet kërkimore të UNICEF-it, mbi analfabetizmin, në pikëpamje të ndasisë gjinore, tregojnë se femrat kosovare kanë përqindje më të madhe analfabetizmi, 10 % në krahasim me meshkujt, të cilët janë 2 %. Situatë më alarmuese është në vendet rurale me 26 % të femrave të moshës 16-19 vjeçare, të cilat konsiderohen relativisht analfabete, prej të cilave 9.5 % janë plotësisht analfabete.
Nuk është vërtet situatë alarmuese po t’i shohim me kujdes këto të dhëna dhe nëse bëjmë dhe një lloj analize të asaj që thamë më lart me shprehjen se “….Nëse edukon një femër, ke edukuar një shoqëri të tërë”, atëherë shumë shpejt të vjen në mendje ideja se si mund të edukohet shoqëria jonë kur ajo që edukon shoqërinë, jo vetëm që nuk i lihet hapësirë për të vepruar, por nuk i lihet hapësirë as për të drejtën elementare, siç është shkollimi i saj. Si mund të presim ne një shoqëri të shëndoshë dhe brez të rinjsh të edukuar, kur nënat e tyre nuk janë në gjendje t’i mësojnë fëmijëve dhe gjërat më elementare dhe t’i edukojnë me normat sociale?
Pra, duke u bazuar në këto të thëna, vërehet se femra kosovare është anashkaluar nga shkollimi dhe përparimi i saj, duke sjellë në një mënyrë edhe mosangazhimin e saj në proceset aktive shoqërore dhe se këto diskriminime jo vetëm që e ulin rolin dhe pozitën e femrës kosovare në shoqëri, por shënojnë edhe ngecje të ndjeshme, duke e shkëputur hapin nga zhvillimet demokratiko-shoqërore.
Vendet me një demokraci të zhvilluar bëjnë përpjekje të madhe për të çrrënjosur faktorët që ushqenin dhe mundësonin diskriminimin e femrës, duke bërë shumë reforma, si në sferën private, ashtu edhe në atë publike, ndryshime dhe reforma që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Ndërsa tek ne ky proces është i ngadalshëm dhe pengohet nga shumë faktorë objektivë dhe subjektivë, si: mentaliteti patriarkal, duke e konsideruar femrën një individ që i përket vetëm sferës private, pra, angazhimin e saj maksimal në çështjet dhe detyrat e shtëpisë dhe kujdesi i saj për gjithë anëtarët e veçanërisht për burrat e shtëpisë (zakonisht në vendet rurale, ku ekonomia dhe mentaliteti nuk kanë filluar të zhvillohen), paragjykimet e ndryshme për femrat që kanë marrë një lloj nisme për thyerjen e kësaj pengese diskriminuese, duke e identifikuar përparimin e saj me imoralitet, etj.
Pas luftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare luajti një rol përshpejtues në shtimin dhe pjesëmarrjen e femrës kosovare në sferën publike. Kjo përfshirje ishte një rritje në aspektin horizontal, por me diferenca të dukshme në aspektin vertikal të përfaqësimit në postet e rëndësishme të pushtetit, madje edhe në vendet ku i lihet liri femrës, nuk iu bë e mundshme që të marri pjesë sipas kualiteteve. Kjo vërehet kudo, si në strukturat e partive politike, ashtu edhe në tërë spektrin shoqëror, duke e ditur se roli i femrës në proceset vendimmarrëse është fare i vogël apo mund ta quajmë shumë modest, pra, duke e konsideruar atë vetëm si një figurë të partisë ose organizatës ku vepron. Ky realitet i pakëndshëm mund të shihet qartë nga pyetja: Sa femra janë në kryesinë e parlamentit? Sa femra janë në qeverinë e Kosovës? Sa femra janë në institucione të ndryshme të Kosovës?
Sa femra janë ….? Përgjigjja mund të jetë simbolike.
Nga kjo mund të konstatohet se fjala është për një gjendje diskriminuese shoqërore, për pabarazi gjinore. Kjo, gjithsesi është e dëmshme. Prandaj mund të bëhet shumë më tepër për të eliminuar këtë diskriminim, diskriminim që shpresoj të mos ngelet pas dore për t’u shqyrtuar, sepse do të manifestohet me pasoja në zhvillimin e mëtejshëm po qe se ai do të tolerohet ose do të injorohet.
Mendoj se ia vlen të përmendet në këtë rast edhe shprehja e Albert Ajshtanjit: “Nuk mund të zgjidhësh një problem me të njëjtin mentalitet me të cilin është krijuar problemi.”
Krijoni Kontakt