Raporti i Kombeve të Bashkuara për investimet e huaja tregon se Shqipëria lë pas vetëm Maqedoninë
Investimet e huaja, Shqipëria, e parafundit në rajon
Për vitin 2005, Shqipëria ka thithur rreth 81 milionë USD më pak së një vit më parë
Eltion Hoxha
Investimet direkte të huaja në Shqipëri kanë firuar nga viti në vit. Një raport i publikuar në konferencën për tregti dhe zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe i hartuar nga raporti botëror i investimeve për vitin 2006, e rendit Shqipërinë të parafundit në rajon për sa i përket investimeve të huaja. Për vitin 2005, në Shqipëri janë investuar nga institucione dhe kompani ndërkombëtare 260 milionë dollarë ose rreth 213 milionë euro. Në një kohë që raportet zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2004 investimet direkte të huaja në vendin tonë arritën në rreth 263 milionë euro ose 65 milionë euro (81 milionë USD) më shumë se viti që lamë pas. Megjithëse raporti i Kombeve të Bashkuara tregon për një tendencë globale në rritje të investimeve të huaja, vendi ynë nuk ka mundur të përfitojë shumë. Kështu, në mbarë globin investimet e huaja për vitin 2005 arritën në rreth 916 miliardë dollarë. Në raport citohet se një faktor i madh që ka kontribuar në këtë rritje të fortë ishte një rritje e tregut në të ardhurat e vendeve të zhvilluara. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian mbetën edhe një herë magneti kryesor i thithjes së investimeve direkte të huaja me 442 miliardë dollarë ose thuajse gjysma e investimeve të tërë globit për vitin 2005. Raportet zyrtare të institucioneve shqiptare bëjnë të ditur se zëri kryesor i investimeve të huaja në vend janë privatizimet. Për vitin 2005, në Shqipëri u bënë disa privatizime prej rreth 25 milionë eurosh në sektorin bankar, ndërkohë që u anulua kontrata e blerjes prej 120 milionë eurosh e kompanisë së telefonisë fikse”Albtelekom”.
Rajoni
Vendin e fundit në rajonin tonë për investimet direkte të huaja për vitin 2005 e zuri Maqedonia me 100 milionë dollarë, nga 157 milionë dollarë të investuara në vitin 2004. Ky shtet ndiqet nga Shqipëria me 260 milionë dollarë të investuara gjatë vitit të kaluar ose 81 milionë dollarë më pak se në 2004-ën. Ndërkohë që Bosnje e Hercegovina me të gjitha problemet e brendshme që e karakterizojnë, ka arritur të thithë 300 milionë dollarë investime direkte nga jashtë për vitin 2005. Serbia e Mali i Zi, së bashku, kanë arritur të thithin 1,48 miliardë dollarë investime të huaja direkte, ndërsa Kroacia rreth 1,69 miliardë dollarë. Bullgaria dhe Rumania, të cilat do t’i bashkohen në fillim të vitit të ardhshëm Bashkimit Evropian, kanë shënuar shifra të kënaqshme të investimeve të huaja. Kështu, për vitin 2005 Bullgari ka thithur rreth 6,3 miliardë dollarë dhe Rumania 2,2 miliardë dollarë. Në total investimet direkte të huaja në Evropën Juglindore për vitin 2005 shënuan rritje, duke arritur në 13,3 miliardë dollarë.
18/10/2006
Shekulli
PS: Dihet që Maqedonia ka tension për shkak të minoriteteve dhe detyrimisht investitorët nuk rrezikojnë në një vend të tillë ku nuk dihet akoma çfarë do ndodhë, qoftë dhe vetëm për emërtimin si shtet... po Shqipëria, përse të jetë kaq e papërfillur me gjithë këto "arritje madhështore" që po na pëllet Berisha gjithë këto ditë me bilance alla byro politike ??!!
Krijoni Kontakt