Rreth 35 nxënës marrin ndihmën e parë, pesë të tjerë më rëndë mbërrijnë në Tiranë
Vali Qyrfyçi
Shtrohen në urgjencën e spitalit të Durrësit 35 të rinj kosovarë gatë të gjithë natës mes të premtes dhe të shtunës, deri paraditen e djeshme, duke paraqitur simptoma që nuk janë të zakonshme për helmimet ushqimore.
Ndërkohë pesë gjimnaziste të tjera janë dërguar drejt Tiranës, në repartin e toksikologjisë. Dyshohet që konsumimi i hashashit apo i ndonjë substance tjetër të jetë shkak i gjendjes së të rinjve gjimnazistë nga shkolla e mesme "Vëllezërit Frashëri" në Deçan.
Policia këtë herë ka qëndruar pasive, në pritje të rezultateve nga specialistët e shëndetit. Ndërkohë, mjekët flasin dhe për fenomenin e neurozës kolektive të përhapur te një pjesë e të rinjve kosovarë, teksa kanë parë disa prej shokëve të ndjehen keq.
Brenda dhe jashtë dyerve të urgjencës spitalore të Durrësit ndesh të rinj kosovarë të alarmuar, të mbërthyer nga paniku i vdekjes dhe pendimit për udhëtimin e ndërmarrë. Trupa që dridhen fort dhe bien si në kllapi. Të tjerë janë nën efektin e qetësuesve dhe ndjehen të dobët për të reaguar. Të qenit larg shtëpisë e rëndon më shumë gjendjen e tyre, duke përjetuar një ankth disi të pakuptueshëm nga mjekët. Ata që janë më mirë ankohen për ushqimin e cilësisë së ulët, kanë frikë se pas i ndjek fati i keq i bashkëmoshatarëve të tyre, që humbën jetën në aksidentin e rëndë automobilistik pranë Fushë-Arrzit, dy vjet më parë.
"Rastet e para janë pritur nga mjeku i rojës. Të rinjtë paraqiten me gjendje ankthi, të dridhura dhe me një gjendje shpirtërore jo të mirë. Rreth orës 01:00, rastet janë shtuar dhe jemi konsultuar me mjekun infeksionist dhe është konstatuar se të gjithë të mbërritur në spital nuk kanë pasur simptomat e zakonshme të helmimit nga ushqimi. As diarre, as të vjella, as temperaturë apo dhembje barku. Prandaj dyshuam për konsumim të pijeve alkoolike dhe duhanit, apo ndonjë substance tjetër", tha për gazetën shefi i Urgjencës së Durrësit, mjeku Arian Tivari. Vetë të sëmurët kanë pohuar se kanë konsumuar ushqime të ndryshme dhe kanë frikë se në to u është hedhur ndonjë gjë.
Albulena Likaj, 18 vjeçe, ndërsa qëndron e shtrirë në shtratin e spitalit, në pritje të marrjes së serumit, tregon se kanë ardhur të shtunën e kaluar për të vizituar Shqipërinë dhe se do të largoheshin të shtunën. Ajo dhe shoqet, një natë më parë, kanë pasur gjendje të fikti dhe ethe. Edhe ajo, si të tjerat, ndjehet e frikësuar për vdekje. Kanë paguar nga 109 euro për person, ndërsa në fund të vizitës kanë përjetuar ankth për shëndetin e tyre. "Nuk e dimë ç‘na kanë hedhur në ushqim. Ne nuk kemi konsumuar pije alkoolike apo duhan. As hashash apo drogë, siç thonë. Këtu duhet ta gjejnë se çfarë e ka shkaktuar këtë gjendjen tonë", shprehin shqetësimin e tyre shokët e të shtruarve në spital.
Mjekët: Kanë konsumuar drogë dhe pije alkoolike
Pas mjekimit, të rinjtë janë nisur drejt Kosovës
Një vit më parë, të rinjtë u sëmurën në mënyrë kolektive
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt