Akademiku Fadil Kepi sqaron hapat qw duhet tw ndiqen për përfitimin e pensionit të pleqësisë, për të gjitha profesionet
Pensionet ndahen në tri kategori kryesore: të pleqërisë, që zënë 81 për qind të numrit të përgjithshëm; familjare 13 për qind dhe ato të invaliditetit me 6 për qind. Në vendin tonë ka mesatarisht një pensionist për çdo familje. Fondet e sigurimeve shoqërore në shkallë vendi zënë mbi një të pestën e buxhetit të shtetit. Kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pension të pleqërisë, pavarësisht nga gjinia, mbështetur në nenin 31 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore, janë tre:
1-Moshën, e cila ndryshon sipas gjinisë dhe kategorive të punës, sipas vështirësive të përcaktuara me ligj.
2-Vitet e punës të siguruara nga 15 vjet deri në 35 vjet. (15 vjet për të përfituar pension të pjesshëm dhe 35 vjet punë e siguruar për pension të plotë, gjithnjë kur plotëson moshën, sipas viteve në zbatim të tabelave të mëposhtme).
3- Të ketë prerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës.
Moshat dhe vitet e punës që duhen për të përfituar pension të plotë ose të pjesshëm në çdo vit për femra dhe meshkuj, janë përcaktuar në nenin 8 të ligjit nr 8889, datë 25/04/ 2002, botuar në Fletoren Zytare 18, dhe në ligjin nr 9377, datë 21/04/2005 botuar në fletoren zyrtare nr.37 dhe konkretishttabelat shoqëruese 1 dhe 2).
I siguruari ka të drejtë të marrë pension pleqërie në kushtet e kategorisë së parë (ku përfshihen profesionet më të vështira, të cilat do të sqarojmë më poshtë), pasi të ketë plotësuar në këtë kategori vitet e punës së përgjithshme të siguruara dhe jo më pak se 3/4 e viteve të punës të siguruara gjithsej të kenë punuar në profesionet e vështira, me përjashtim të minatorëve të nëntokës dhe disa profesioneve të tjera që kanë punuar po nëntokë që u kërkohen të kenë punuar gjithsej gjysmën e viteve të punës. Sipas nenit 31/1 të ligjit të mësipërm, personat e siguruar kanë të drejtë të kërkojnë të përfitojnë me dëshirën e tyre, pension pleqërie të reduktuar, kur plotësojnë këto kushte: a) kanë plotësuar jo më pak se 35 vjet punë të siguruar gjithsej në vendin tonë, pavarësisht nga gjinia: b) kanë mbushur moshën 62 vjeç, për meshkuj dhe 57 vjeç, për femra; c) të mos kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar, pra të kenë prerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës kur ajo është shtetërore.
Pensioni i reduktuar
Në bazë të ligjit Nr.9058, datë 20.03.2003, botuar në Fletoren Zyrtare Nr.41, faqe 1567. "Pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit, edhe kur plotëson moshën për pension të plotë. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni, është 0.6 për qind në muaj." Për shembull, nëse një femër apo mashkull i plotëson kushtet e mësipërme dhe kërkon të dalë në pension të reduktuar 6 muaj para plotësimit të moshës për pension të plotë, ajo ose ai do të përfitojnë pension të reduktuar 3,6 për qind më pak sesa pensioni i plotë, i cili del duke shumëzuar 6 muaj me 0,6 për qind.
Pra masa e pensionit të reduktuar do të jetë 96,4 për qind (100 -3,6). Sipas nenit 10 të ligjit për Sigurimet Shoqërore, ata dhe ato që kanë dalë në pension të parakohshëm me 60 për qind të pagës dhe vazhdojnë ta përfitojnë atë, pensionin e plotë e marrin me mbushjen e moshës, sipas nenit 92 të ligjit të mësipërm të ligjit nr.8889, datë 25.4.2002, botuar në Fletoren Zyrtare nr.18 të atij viti.
Profesionet e ndara në kategori
Për efekt të daljes në pension, Këshilli i Ministrave, sipas shkallës së vështirësive të punës, ka bërë ndarjen e tyre në tri kategori dhe për këtë nga viti 1958-1991 ka nxjerrë rreth 50 vendime. Lloji i punës që punëtori ose nëpunësi ka kryer dhe vjetërsia në atë punë vërtetohet me anën e librezës së punës.
Në punë të kategorisë së parë, ose shumë të vështirë, hyjnë mbi 18 profesione të minierave nën tokë, me të cilat barazohet edhe puna e inxhinierëve, teknikëve, brigadierëve, përgjegjësve dhe zëvendësve të reparteve ose të turneve nën tokë, kur ajo kryhet gjatë gjithë ditës, në miniera nën tokë, ose në punime të tjera të nëntokës; puna e civilëve dhe ushtarakëve të aviacionit dhe të nëndetëseve, si ajo e komandantit të aeroplanit, navigatorëve, mekanikëve, radiotelegrafistëve dhe radiotelefonistëve; disa lloje punësh në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, të kromit, të fonderive, farkëtarëve, palombarëve, saldatorëve dhe elektrosaldatorëve në rezervuare, kulla dhe cisterna. Gjithashtu, puna e bërë nga artistët e baletit, akrobatët e gjimnastët e cirkut, solistët e operës dhe ansambleve shtetërore, muzikantët e veglave të frymës, artistët e valleve të ansambleve, koristët e operës përfshihen në kategorinë e parë. Po kështu, në kategorinë e parë përfshihen edhe disa punë në industrinë ushtarake, kimike, të naftës, në prodhimin e baterive, në metalurgjinë e zezë, në ferro-krom, në miniera e gjeologji etj. Në punë të kategorisë së dytë për daljen në pension hyjnë: puna e kryer në miniera nën tokë, nga drejtuesit dhe personeli inxhinier-teknik, që ka lidhje me kontrollin e punimeve nën tokë; puna në miniera e në sipërfaqe si vagonistët,ngarkuesit e mineralit, ekskavatoristët, buldozeristët, brigadierët e repartit ose turnit, punët e disa profesioneve në gjeologji, në industrinë e gomës, të naftës e gazit, në centralet elektrike, në hekurudha, në prodhimin e çimentos, të xhamit e qelqit; mbi 45 lloje punësh në industrinë tekstile, në industrinë e lëkurëve, të drurit e letrës, të duhanit e cigareve, në institucionet shëndetësore, në ndërtim, mbi 20 lloje punësh në poligrafi, në transportin ujor e peshkim, ndërlidhje, farkëtari, femra dhe meshkuj ushtarakë të shërbimit aktiv, veterinerë me arsim të lartë; 18 profesione në arsim, kulturë e sport, si edukatorë në kopshtet e fëmijëve, mësues e pedagogë, trajnerë profesionistë. Efektivë të të gjitha kategorive të klubeve sportive, disa lloje punësh në shëndetësi, si mjekë, kirurgë, psikiatër, infermierë të reparteve infektive etj.
Me hollësisht, emërtimet e plota të punëve të kategorisë së parë dhe të dytë janë botuar në legjislacionin e Sigurimeve Shoqërore, nga faqja 196-224, botuar në shtator 2003, të cilat të interesuarit mund t'i gjejnë pranë organeve të Sigurimeve Shoqërore të rretheve. P.sh. deri me 30 qershor 2007 minatorët nën tokë do të përfitojnë pension të plotë kur plotësojnë këto 3 kushte: moshën 56 vjeç, vite pune gjithsej, përfshirë edhe kohën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, 27 vjet, dhe nga këto gjysmën ose 13 vjet e 6 muaj të ketë punuar në miniera nën tokë, të kenë prerë marrëdhëniet financiare me qendrën e punës. Gradualisht, nga viti në vit rritet mosha e daljes në pension dhe shtohen vitet e punës deri sa nga data 1 korrik e vitit 2023 e në vazhdim minatorët e profesionet e tjera që kanë punuar në nëntokë do të dalin në pension të plotë në moshën 65 vjeç, kur të kenë punuar gjithsej 35 vjet të siguruar, pavarësisht se në cilin profesion kanë punuar.
Pensionet deri më qershor 2007
Femrat akrobate cirku, soliste të operës, apo valltare, nga data 1 janar deri më 30 qershor të vitit 2007do të përfitojnë pension të plotë në moshën 51 vjeçe, kur të kenë punuar të siguruara gjithsej 27 vite, përfshirë dhe periudhën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, duke paraqitur kopjen e diplomës së noterizuar. Në mbështetje të pikës 4 të nenit 91 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, nga këto 3/4 e 27 vjetëve (baras me 20 vjet e 3 muaj) të kenë punuar në profesionet e mësipërme. Edhe për këtë kategori punësh, mosha e daljes në pension bëhet 60 vjeç dhe për të përfituar pension të plotë, kërkohen gjithsej 35 vite punë të siguruara, pavarësisht se ç'lloj punësh kanë bërë, përfshirë edhe periudhën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, brenda ose jashtë vendit, me ose pa bursë. Dy shembuj për kushtet që duhen plotësuar për të përfituar pension për ata dhe ato që kanë punuar në punë të kategorisë së dytë: Një mësues ose ushtarak (mashkull), për të fituar pension nga data 1 janar deri më 30 qershor 2007, duhet të plotësojë këto kushte: mosha 61 vjeç e gjashtë muaj, vite pune të siguruara gjithsej 35 dhe nga këto 3/4 e 35 vjetëve, baras me 26 vjet e 3 muaj, të kenë punuar mësues, ushtarakë efektivë ose në punë të tjera të kategorisë së dytë, të caktuara me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, të botuar në legjislacionin e Sigurimeve Shoqërore. Edhe këtyre profesioneve, për efekt të daljes në pension, do t'u rritet gradualisht mosha dhe do t'u shtohen vitet e punës deri sa duke filluar nga 1 korriku 2013 e në vazhdim, do të dalin në pension në moshën 65 vjeç e do t'u kërkohen për të marrë pension të plotë gjithsej 35 vjet punë të siguruara, pavarësisht se ku e në cilën kategori punësh kanë qenë të siguruar.
Për femrat në punë
të kategorisë së dytë
Për të përfituar pension të plotë në intervalin e kohës 1 janar 2007 deri më 30 qershor 2007 duhet të plotësojnë këto kushte: mosha 56 vjeç e gjashtë muaj; vite pune të siguruara gjithsej, përfshirë dhe kohën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën, 35 dhe nga këto 3/ 4 e 35 viteve të kenë punuar si mësuese apo ushtarake efektive dhe në punë të tjera të përfshira në kategorinë e dytë. Edhe për femrat që kanë punuar në profesionet e mësipërme, gradualisht shtohet mosha e pensionit dhe e viteve të punës derisa nga data 1 korrik e vitit 2013 e në vazhdim ato do të përfitojnë pension të plotë në moshën 60 vjeçare dhe do t'u kërkohen gjithsej 35 vite pune të siguruara, pavarësisht se ku kanë punuar, në punë të kategorisë së parë, të dytë apo të tretë. Sipas ligjit nr.9206, datë 17.6.2004, botuar në fletoren zyrtare nr .49 "Për një shtesë në ligjin e arsimit të lartë", personeli akademik i brendshëm me titullin "Profesor", shërben në detyrë deri në moshën 68 vjeç, pavarësisht nga gjinia, me përjashtim të rastit kur me kërkesën e tij; lirohet nga detyra për arsye të plotësimit të moshës së pensionit, sipas neneve 31 dhe 92 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë" me gjithë ndryshimet e mëvonshme. Kjo dispozitë ka efekt vetëm për subjektet e mësipërme që kanë mbushur moshën e pensionit, por jo mbi 68 vjeç.
Kategoria e tretë
Në punë të kategorisë së tretë, për efekt të daljes në pension, përfshihen: punonjësit e administratës civile, ekonomistët, financierët, juristët, kompjuteristët, menaxherët, përkthyesit, magazinierët, punonjësit e mirëmbajtjes, shoferët, punonjësit e tregtisë, të biznesit, të bujqësisë, të blegtorisë etj.
Femrat që kanë punuar në sektorët që përmendëm, nga data 1 korrik 2006 deri me 30 qershor 2007 do të përfitojnë pension të plotë kur të kenë mbushur moshën 57 vjeç e 6 muaj dhe do t'u kërkohen 35 vite punë të siguruara gjithsej, pavarësisht se ku kanë punuar, përfshi dhe shkollën e lartë ditën, duke e vërtetuar me kopjen e diplomës së noterizuar. Nga data 1.7.2007 deri 30.6.2008, mosha e daljes në pension për femrat që kanë punuar në kategorinë e tretë të punëve shtohet edhe 6 muaj dhe bëhet 58 vjeç, ndërsa vitet e punës për të përfituar pension të plotë mbeten po 35. Çdo vit gradualisht rritet 6 muaj mosha e daljes në pension, derisa nga data 1 korrik e vitit 2011 e në vazhdim mosha e daljes në pension të femrave që kanë punuar në kategorinë e tretë të punëve bëhet e mbetet 60 vjeç dhe vitet e punës të siguruara për të përfituar pension të plotë do të kërkohen 35, përfshirë dhe kohën e vazhdimit të shkollës së lartë ditën. Për meshkujt, që kanë punuar në punë të kategorisë së tretë, duke filluar nga data 1 korrik 2006 deri më 30 qershor 2007, për të përfituar pension të plotë, do të kërkohet të plotësojnë këto kushte: -mosha 62 vjeç e 6 muaj dhe vite pune të siguruara gjithsej 35; ndërsa nga data 1 korrik 2007 deri më 30 qershor 2008 mosha për pension bëhet 63 vjeç dhe vitet e punës të siguruara gjithsej kërkohen 35. Në mënyre graduale do të shtohet nga viti në vit edhe gjashtë muaj mosha e daljes në pension, derisa, duke filluar nga data 1 korrik e vitit 2011 e në vazhdim, mosha e daljes në pension e meshkujve do të jetë 65 vjeç dhe vitet e punës të siguruara gjithsej do të mbeten 35, pavarësisht nga profesioni dhe kategoria e punëve që ka kryer. Me plotësimin e kushteve të mësipërme, punëdhënësit e punëmarrësit sipas nenit 31 të ligjit të Sigurimeve Shoqërore u lind e drejta për të nxjerrë apo për të dalë në pension. Në këtë kuptim, qendra e punës në mirëkuptim me punonjësin që ka plotësuar kushtet për pension, mund ta mbajë përsëri në punë me kontratë të përkohshme, siç mund të jetë rasti i një mësueseje, e cila plotëson kushtet e pensionit disa ditë para përfundimit të vitit shkollor, apo kur ka vështirësi për zëvendësimin e një profesionisti cilësor.
Shekulli
Krijoni Kontakt