Shpjegimet rast pas rasti për 9 modele të reja
Çdo profesion, sado i vështirë të jetë, e ka një të mirë dhe një të keqe. Sipas klasifikimit të profesioneve në punë, të thjeshta apo të vështira, secili punonjës duhet të përmbushë disa kritere për të marrë pension të plotë shtetëror. Kushtet bazë për llogaritjen e moshës së daljes në pension janë lloji i punës, vitet e pjesëmarrjes në skemën e sigurimeve, si dhe mosha përkatëse. Përgjatë tri ditëve, gazeta "Shqip" ka publikuar disa modele se si mund të llogariten mosha dhe vjetërsia për të dalë në pension sipas kategorive. Sot, bashkë me tri modelet e reja, ato të llogaritjes së pensionit për punonjësit e shëndetësisë, do të ribotohen edhe 6 modelet e tjera të profesioneve të kategorive të ndryshme. Konkretisht, të gjitha këto sqarime për secilin model janë shpjeguar nga specialisti i kontributeve në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, Sabah Goci. Disa profesione quhen të thjeshta. Disa të tjera të vështira. Pjesa që mbetet klasifikohet në profesione tepër të vështira. Sipas nëndarjeve që ka bërë ligji, janë tre kategori me të cilat klasifikohen profesionet në vendin tonë. Kështu, sipas këtij ligji, punonjësit në radhët e ushtrisë, shëndetësisë, arsimit, punonjësit e nëntokës, apo ata që punojnë në sektorë ku çdo ditë mund të vihet në rrezik shëndeti, mendja apo edhe jeta, konsiderohen si profesione të vështira, ose ndryshe profesione të kategorisë së parë. Ndërkohë që profesione të tjera si: elektricist, jurist, ekonomist, politikan, gazetar apo të tjera si këto, janë punë të zakonshme të cilat klasifikohen si profesione të thjeshta dhe të kategorisë së tretë. Një punonjës i nëntokës, një elektricist dhe një mësuese duhet të plotësojnë kushte të ndryshme për të përfituar një pension të plotë pleqërie. Sipas klasifikimeve të kategorive të punës, rezulton se puna e elektricistit nuk konsiderohet profesion i vështirë. Kjo është punë e kategorisë së parë. Ndërsa profesioni i mësueses është punë e kategorisë së dytë, ajo e minatorit është një nga profesionet më të vështira që klasifikohet në kategorinë e parë. Ndarja e kategorive shërben për të "matur" se sa vite duhet të punojë secili, në mënyrë për të marrë pensionin sipas vështirësisë së profesionit dhe pjesëmarrjes së skemën e kontributeve shoqërore. Nga ana tjetër, ata që i janë afruar moshës së pensionit duhet të bëjnë gati një listë dokumentesh që të plotësojnë kërkesat e sigurimeve shoqërore, që më pas të marrin pensionin që në muajin e parë të lënies së punës. Konkretisht kërkohen dokumente për të vërtetuar moshën, që të vërtetojnë periudhën e sigurimit dhe llojin e punës, si dhe vërtetim për të ardhurat. Për moshën nevojiten certifikatat përkatëse, familjare dhe personale. Kërkohet libreza e punës, vërtetim vjetërsie, vendim gjykate për njohjen e vjetërsisë. Po ashtu kërkohet vërtetim për pagat nga viti 1994. Bashkë me listën e dokumenteve kërkohet edhe plotësimi i një deklarate drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Modeli 1
Të dhënat
1. Punonjësit e kategorisë së tretë (burrë)
A mund të dalin në pension të parakohshëm.
Kur mund të marrin pension të reduktuar.
Sa vite duhet të kenë paguar kontribute të sigurimeve shoqërore.
Mosha përkatëse që duhet të përmbushin.
Kushtet
Ligji për sigurimet shoqërore u njeh të drejtën të gjithë punonjësve që nëngrupohen në kategorinë e tretë, profesionet e thjeshta, për të marrë një pension të reduktuar.
Por kriteri për të marrë këtë pension janë vjetërsia në punë dhe mosha përkatëse. Sipas këtij ligji, pension të reduktuar mund të marrë një burrë që ka plotësuar 32 vite punë dhe që ndodhet në moshën 62 vjeç.
Modeli 2
Të dhënat
1. Punonjës shëndetësie, kategoria e tretë (grua)
A mund të dalin në pension të parakohshëm.
Kur mund të marrin pension të reduktuar.
Sa vite duhet të kenë paguar kontribute të sigurimeve shoqërore.
Mosha përkatëse që duhet të përmbushin.
Kushtet
Një punonjëse e shëndetësisë, puna e së cilës klasifikohet në kategorinë e tretë, mund të marrë një pension të reduktuar vetëm nëse përmbush kriteret që jepen në ligjin e sigurimeve shoqërore. Nëse një infermiere që ka punuar në institucionet shëndetësore do të marrë një pension të reduktuar, atëherë ajo duhet të ketë mbushur 57 vjeç dhe të ketë paguar sigurime shoqërore për 35 vite pune.
Modeli 3
Të dhënat
Një infermiere që ka punuar në sektorët infektivë
Ajo është 53 vjeçe.
Ka lindur në vitin 1954.
Ka 27 vite vjetërsi në punë.
A mund të dalë në pension të parakohshëm?
Kushtet
Puna në shëndetësi klasifikohet si profesion i kategorisë së tretë, punë e thjeshtë. Ndërkohë që për vetëm ata punonjës që kanë ushtruar profesionin në reparte infektive konsiderohet si punë e kategorisë së dytë. Kështu, një punonjëse në këtë sektor, që të dalë në pension deri në qershor të vitit 2007, duhet të jetë 56 vjeç dhe të ketë 35 vite punë, nga këto 26, 3 vjet duhet të ketë punuar në sektorët infektivë.
Modeli 4
Të dhënat
Mësuese (grua)
Një punonjëse e arsimit, mësuese.
Ajo aktualisht është 55 vjeç.
Ka 30 vjet vjetërsi pune.
Ka lindur në vitin 1952.
A i plotëson kushtet për të dalë në pension të plotë pleqërie.
Kushtet
Punonjësja e arsimit nuk i plotëson kushtet e nevojshme për të dalë në pension të plotë pleqërie. Sipas ligjit, ajo del në pension nëse do të ishte këtë vit 56 vjeç e gjashtë muaj dhe po të kishte 35 vite në punë. Ajo merr pension të plotë në vitin 2010, po të ketë mbushur vitet e vjetërisë. Puna e mësuesit konsiderohet si punë e kategorisë së dytë.
Modeli 5
Të dhënat
Elektricist (burrë)
Specialisti elektricist punon në Korporatën Elektroenergjetike.
Ai aktualisht është 57 vjeç.
Elektricisti ka 27 vite vjetërsi pune.
Ka lindur në vitin 1950.
A mund të marrë pension të pjesshëm?
Kushtet
Një specialist që ushtron profesionin si elektricist, klasifikohet të punojë pa "vështirësi". Kjo do të thotë se ai është punëtor i kategorisë së tretë. Tani ai është 57 vjeç, por del në pension në moshën 65 vjeç, nëse plotëson 35 vite vjetërsi pune. Elektricisti del në pension në vitin 2015. Ai mund të marrë pension të reduktuar në moshën 62 vjeç, por duhet të ketë 35 vite vjetërsi në punë.
Modeli 6
Të dhënat
Minator
Aktualisht në vendin tonë ka ende minatorë që punojnë në Korçë, në Bulqizë, apo vende të tjera, ku mund të kryhen ende punët e nëntokës.
Por sa vite punë duhet të ketë një punonjës i nëntokës që të dalë në pension?
Kushtet
Puna e minierës, nën tokë, sipas ligjit klasifikohet si profesion i vështirë dhe nëngrupohet në punë të kategorisë së parë. Kështu, që një minator të dalë sot në pension, brenda qershorit të vitit 2007 duhet të ketë mbushur 56 vjeç dhe të ketë 27 vite vjetërsi në punë.
Majtas
Modeli 7
Të dhënat
Ushtarak (burrë)
Një punonjës i Forcave të Armatosura, që aktualisht është 60 vjeç.
Ai ka 35 vite vjetërsi në punë.
Ushtaraku është i ditëlindjes 1947.
Në cilën kategori të punëve bën pjesë?
Cilat janë kriteret për të dalë në pension
Kushtet
Një ushtarak, që është datëlindja e vitit ‘47, nuk del dot në pension të plotë qeveritar. Puna e ushtarakut vlerësohet si punë e kategorisë së dytë. Që të dalë në pension, ai deri në qershor të vitit 2007 duhet të jetë 61 vjeç e gjashtë muaj. Ai nuk i plotëson kushtet për të dalë në pension të plotë. Por sipas ligjit për përfitimet e ushtarakut, ai mund të marrë një pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Ky ushtarak del në pension të plotë në vitin 2010 në moshën 63 vjeç.
Modeli 8
Kushtet
Ushtarake (grua)
Një punonjëse e Forcave të Armatosura, që aktualisht është 53 vjeçe.
Ajo ka 26 vjet vjetërsi në punë.
Një ushtarake që është 53 vjeçe, që ka 26 vjet vjetërsi pune. Datëlindja 1954.
Cilat janë mundësitë e saj të përfitimit, duke qenë se ajo ka qenë pjesë e skemës për 26 vite me radhë?
Kushtet
Ajo nuk i plotëson kushtet për të marrë pension, pasi duhet të ketë 35 vjet pune. Punonjësja e Forcave të Armatosura nuk mund të përfitojë pension të plotë pleqërie në të tilla kushte. Sipas ligjit, ajo del në pension të plotë në moshën 60 vjeç. Por nëse ajo është në skemën e sigurimeve shoqërore, mund të përfitojë pension të parakohshëm.
Modeli 9
Të dhënat
Mësues (burrë)
Një punonjës i arsimit që është në profesionin e mësuesit.
Ai aktualisht është 59 vjeç.
Ka ushtruar profesionin e mësuesit për 36 vjet me radhë.
Ka lindur në vitin 1948.
A i plotëson kushtet për të marrë nga qeveria një pension të plotë?
Kushtet
Ky punonjës i arsimit nuk i plotëson kushtet për vitin 2007. Ai plotëson vetëm një kusht: atë të përmbushjes së vjetërsisë në punë. Por ai nuk plotëson kriterin e mbushjes së moshës. Ky mësues mbush moshën e pensionit në qershor të vitit 2012. Në këtë vit ai mbush plot 64 vjeç. Profesioni i mësuesit klasifikohet si punë e kategorisë së dytë.
© Gazeta Shqip - 2006-2007
Krijoni Kontakt