Kur temperaturat ngjiten, as që bëhet fjalë të mund të mbash ende nga ato unazat e mëdha dhe varëset masive. Humori kërkon lehtësi dhe elegancë të hollë. Një bizhu që plotëson veshjen, por që është aq e lehtë sa mund ta harrosh: kjo prirje e sezonit është shndërruar në një fenomen mode, pasi janë të shumtë stilistët që kanë lançuar koleksione delikate, më të thjeshtë si për sa i përket materialit ashtu edhe për sa i përket formës.
Një krijuese koleksionesh të tilla franceze, Marie-Hélène de Taillac (marka e saj mban të njëjtin emër) komenton në Madame Figaro se “Doja të krijoja bizhuteri që përshtaten me mënyrën time të të veshurit, me materiale të mira, në një stil që i korrespondon kohës sonë. Gratë punojnë, jetojnë gjithë ditën me bizhuteritë e tyre dhe nuk kanë kohë që të shkojnë të ndërrohen. Modelet e mia synojnë një klientelë që i do gjërat e lehta dhe të thjeshta për t’u mbajtur.”
Një komfort më se i domosdoshëm në verë kur të gjithë kërkojnë të duken bukur pa u mbingarkuar. Mbi lëkurën e zhveshur, stolia shton sensualitetin dhe ju bën të shkëlqeni sipas krijueses së bizhuterive Marie-Hélène de Taillac koleksioni «Eye», i së cilës është shumë i suksesshëm për momentin. Gurë finë ose të çmuar të ngërthyer në një sy mbrojtës, ky është motivi që përshkon vathët, byzylykët ose varëset me një zinxhir fin. Si për në qytet, ashtu edhe për në det, byzylyku me gjashtë guri safiri shumëngjyrësh duket mjaft veror.
“Modele të tilla ndjekin prirjen që ka lindur në mes të viteve nëntëdhjetë, kur shohim një rikthim në format më ajrore, më të thjeshta, në kontrast me estetikën e rënduar të viteve tetëdhjetë”, - shpjegon Marguerite de Cerval, historiane arti dhe specialiste për stolitë. Në përshtatje me dëshirat e grave urbane dhe aktive, kjo tendencë ultralight e ka gjetur kësisoj publikun e vet. Prej dy vjetësh Marie Poniatoëski dhe Vanessa de Jaegher kanë lançuar kësisoj koleksionin e parë të markës ‘Stone” që përbëhet nga bizhu të arta dhe diamante, njëherësh të thjeshtë dhe të rafinuar si aksesorë. Për verën 2006, dyshja ka dizenjuar një flutur në flori të bardhë me linja të pastra, pajisur me pikla të vogla diamantesh. “Duke imituar thjesht formën e krahëve, ne e kemi bërë pamjen më të lehtë dhe më poetike, ndërkohë që piklat e diamanteve i japin fundit të zinxhirit një pamje të gjallë”, - shpjegon stilistja në lidhje me varëset e pagëzuara “Fly me to the moon”.
Simbole hajmali
Këto insekte të vogla fluturuese dhe motive të tjera hajmali janë më të preferuarat në linjat bashkëkohore dhe mbushin vitrinat. Nga kreatorja Victoria Casal e pashmangshmja e verës është një varëse “Palmë” në stil Los Angelos vitet shtatëdhjetë. Në ngjyrë të bardhë dhe të verdhë, nuk i mungojnë diamantet, por fillon me 590 euro. Bizhutë e lehta janë gjithashtu shumë të preferuara nga markat e modës. Kështu Dior propozon një seri të vogël të limituar pranverë-verë 2006, të konceptuar rreth një vargu me gurë turkuazë natyrorë. E njëjta erë lehtësie fryn edhe për linjën ‘Délicate Rose cut”, varëse diskrete me gurë thuajse të sheshtë, ideale për të luftuar të nxehtin.
Krijoni Kontakt