INTERVISTË EKSKLUZIVE E FAKTI-T ME RUFI OSMANIN
Ekziston rreziku që shqiptarëve t’u përsëritet historia e “Kalit të Trojës”
“Për hir të qetësisë së brendshme, sepse edhe pas këtyre zgjedhjeve do të ngelin problemet e njëjta, me të cilat u ballafaquam deri tani dhe për hir të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës, dy liderët aktualë shqiptarë Ahmeti dhe Xhaferi, të cilët aq shumë kanë investuar për Kosovën duhet të bashkëqeverisin nën mentorllëkun e z.Gruevskit, sepse edhe ashtu s’ka kush i kritikon dhe ndëshkon politikisht”, thotë ai
Intervistoi: HALIT AJDINI
Rufi Osmani, analist politik dhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë, në bisedën për FAKTI-n, flet për situatën e krijuar pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, koalicionet e mundshme midis partive, devijimet elektorale dhe të tjera.
Fakti: Si i vlerësoni zgjedhjet politike të sapopërfunduara. Cilat janë veçoritë dalluese në përgjithësi dhe ato të lidhura me rrethin e dytë zgjedhor. A u respektuan kriteret e vendosura nga BE dhe NATO në dimensionin demokratik?
Osmani: Organizmat ndërkombëtarë, zgjedhjet politike në Maqedoni i vlerësuan përgjithësisht si të rregullta të shoqëruara me parregullsi të caktuara në vendbanimet me shumicë shqiptare. Parregullsitë, kryesisht ia adresonin fenomenit tashmë të njohur të votimit për më shumë persona, mbushje të kutive dhe demolimit të kutive votuese. Duhet thënë me korrektësi se përgjegjësia për këto devijime elektorale bie kryesisht mbi partinë më të madhe opozitare shqiptare dhe pjesërisht mbi partinë shqiptare pjesëmarrëse në qeverinë e deritashme. Mendoj se fushata elektorale e këtyre zgjedhjeve përbën një rast të veçantë në kuptimin negativ në aspekt të faktit se këto zgjedhje u menaxhuan nën sloganin “tash ose kurrë” me përdorimin e një arsenali të paparë të armatimit edhe atë shqiptari kundër shqiptarit. Rrethi i dytë zgjedhor dhe votimi i shqiptarëve në vendbanimet etnikisht të pastra shqiptare për listën e kandidatëve të VMRO përbën një precedent të jashtëzakonshëm edhe për faktin se me një votim të kësaj natyre u synua dhe u realizua qëllimi që të fitojë deputeti maqedonas në dëm të deputetit shqiptar.
Ky veprim politik i PDSH së bashku me festimin e fitores së partnerit tradicional politik maqedonas-VMRO-së përfundimisht hap një kapitull të ri politik me pasoja mjaft serioze për organizimin autokton politik të shqiptarëve në Maqedoni.
Jam i mendimit se klasa aktuale politike shqiptare, pa ndonjë përjashtim nuk e lau borxhin ndaj popullit shqiptar në kuptim të ofrimit të alternativës së votimit të lirë dhe demokratik. Përgjigjja në pjesën e fundit të pyetjes suaj do të ishte pjesërisht pozitive.
FAKTI: Në Maqedoni partia maqedonase VMRO-DPMNE ka fituar shumicën e votave dhe i lind detyrimi për të krijuar qeverinë e re, ndonëse ne vend është krijuar një situatë e acaruar?
Osmani: Përkundër faktit që bëhet fjalë për të njëjtën parti, duhet të them se sot kjo forcë politike nuk ka trashëguar në radhët e veta shumicën e kuadrove radikalë dhe albanofobë të “sojit” të Lubço Georgievskit. Ky person së bashku me njerëzit e “sojit” të vet ka krijuar një parti tjetër që quhet VMRO (Partia Popullore).
Mendoj se në VMRO-në e parë dominonin njerëz që kishin bindje kryesisht teknokrate, të cilët në përgjithësi i japin përparësi alternativës ekonomike në krahasim me atë politike. Mirëpo edhe në këtë parti ka mjaft persona vendimmarrës me ngarkesa nacionaliste ndaj çështjes shqiptare e në veçanti ndaj BDI-së si parti e cila trashëgoi legjitimitetin politik të UÇK-së në Maqedoni.
Ne kuptim juridik dhe kushtetues ata kane marrë mandatin që të krijojnë qeverinë e re. Por do të ishte katastrofale nëse ata do te përsërisin gabimet që i pati bërë dikur partia me të njëjtin emërtim VMRO, por me udhëheqës të tjerë.
Sot në vitin 2006 raportet brenda Maqedonisë kanë ndryshuar. Procesi i integrimit euroatlantik i Maqedonisë është dukshëm i avancuar dhe kemi një monitorim ndërkombëtar më intensiv dhe të drejtpërdrejtë.
Liderët e partisë së sotme VMRO-DPMNE, nuk do të duhej të përsërisin gabimet e së kaluarës, ndonëse në bazë të negociatave të deritanishme për krijimin e qeverisë së re rrezikojnë të rrëshqasin në ujërat e të kaluarës. Jam i mendimit se përsëritja e vitit 2001 në vitin 2006 realisht është objektivisht e pamundur.
Fenomeni VMRO-DPMNE përmbledh thelbin e problemit nga zgjedhja e të cilit do të varet nëse nesër do të kemi një qeveri të qëndrueshme dhe stabilitet ndëretnik ose do të rikthehemi në ujërat e vjetra të stabilitetit të paqëndrueshëm.
Rezultatet zgjedhore ne Maqedoni përcaktuan VMRO-në si fituese në palën sllave dhe Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) në palën shqiptare. Pra, në parim duhet të kishim një koalicion midis dy partive fitimtare të dy bashkësive më të mëdha etnike. Bisedimet e deritashme për themelimin e qeverisë së re shkojnë në drejtim të kundërt.
Rreziku në krye me “Kalin e Trojës”
FAKTI: Pse sipas jush duhet të jetë kështu ?
OSMANI: Marrëveshja e Ohrit ka një parim i cili nuk përshkon këtë marrëveshje në të gjitha çështjet me rëndësi. Ky parim është i ashtuquajtur “e drejta e vetos” ose shumica e Badinterit.
Që interpretuar politikisht dhe praktikisht do të thotë respektim i vullnetit të shumicës politike si tërësi dhe shumicës politike shqiptare në veçanti. Për të qenë më të saktë ky parim nuk vlen për konstituimin e qeverisë, mirëpo u adresohet çështjeve kyçe të identitetit nacional.
Analizuar nga këndvështrimi praktik nëse konstituimi i qeverisë nuk do bazohej në këtë rregull si garanci kryesore e zbatimit të saj atëherë kush do të bënte implementimin praktik.
Pikërisht ky fakt nxjerr në sipërfaqe thembrën e Akilit të këtij dokumenti që liderët shqiptarë të kohës së luftës me qëllim ose pa qëllim nuk e vërejtën. Për pasojë të këtij lëshim-dështimi sot ekziston rreziku real që shqiptarëve t’u përsëritet politikisht historia në krye me “Kalin e Trojës”.
FAKTI: Sipas jush kujt i adresohet fakti që VMRO-DPMNE që në start të bisedimeve preferoi kontaktet më PDSH, ndërsa me BDI bisedonte përderisa nuk u gjet arsye e ndërprerjes së bisedimeve?.
OSMANI: Sjellja e kësaj natyre e VMRO nuk është e rastit. Nëse do të freskojmë mbamendjen tonë dhe të konstatojmë se kjo parti që nga viti 2001 nuk ndryshoi fjalorin politik kur është në pyetje BDI dhe në veçanti ish –UÇK-ja duke i pagëzuar si “terrorist” në kontinuitet për të përfunduar me deklaratën ironike të zëdhënësit të saj për BDI si “Hezbollahu i Maqedonisë”.
Për hir të së vërtetës duhet të themi se edhe PDSH ishte në valët e njëjta duke diskualifikuar jo vetëm BDI, por edhe duke shpallur kryengritjen e armatosur shqiptare si “tradhtinë më të madhe shqiptare”.
Pra, ideologjikisht këto dy parti vazhdojnë të akuzojnë BDI me retorikën e njëjtë përjashtuese dhe ishte krejt e pritur që të sillen në këtë mënyrë ndajë fitimtarit politik shqiptar.
Mirëpo përkundër kësaj retorike të papranueshme edhe partitë në fjalë e kanë shumë të qartë se populli shqiptarë për 4 herë për 5 vite radhazi legjitimoi si fitues absolut ndër shqiptarët BDI-në dhe pikërisht mohimi i këtij vullneti politik është sfida mjaft e rrezikshme, e cila do ta bëjë programin ekonomik të 100 hapave të Gruevskit një letër pa vlerë.
FAKTI: Çmoni se reagimi i përfaqësuesve të BDI ishte adekuat me situatën?
OSMANI: Përkundrazi, mendoj se Ali Ahmeti dhe partia e tij si koalicion i cili ka 65% më shumë vota se PDSH në tërësi menaxhoi situatën paszgjedhore në mënyrë konfuze.
Unë nuk e di se përse z.Ali Ahmeti ende nuk u drejtohet shqiptarëve dhe nuk ua sqaron situatën më të re në të cilën të gjithë shqiptarët politikisht u gjetën.
Gabimi strategjik në këtë rast konsiston në faktin se partia fituese shqiptare kishte bërë vlerësimin e gabuar sa i përket rezultatit zgjedhor të partnerit të tyre LSDM.
Situata e re dhe zgjedhore dhe vrapi i PDSH për të hyrë në qeveri pa asnjë kriter dhe pa respektuar vullnetin e shumicës shqiptare e solli BDI në një udhë pakrye.
Deklaratat e Musa Xhaferit dhe Ali Ahmeti të BDI se nëse nuk janë pjesë e qeverisë do t’i ndodhë Gruevskit, populli shqiptar më duket jo të qëlluara.
Populli shqiptar ndodhi në Maqedoni në vitin 2001 me përkrahjen e fuqishme që i dha UÇK dhe legjitimimin demokratik politik që ia dha partisë së Ahmetit për 4 herë radhazi përkundër shumë gabimeve që shoqëruan këtë politikë.
Çka duhet të ndodhë tani nëse mohohet vullneti i shumicës politike shqiptare është pyetja logjike që duhet të shtrohet?. Gjithsesi duhet të ndodhë “rebelimi” politik i përfaqësueseve politikë shqiptarë të zgjedhur në nivel qendror dhe lokal. Recetën për këtë pakënaqësi politike nëse dikush dëshiron ta bëjë serioze mund ta gjejë në arkivin politik të lëvizjes politike shqiptare të këtyre 15 viteve në Maqedoni dhe më gjërë.
Të gjithë të rreshtuar “gatitu” për në qeveri
FAKTI: Këto qëndrime tuaja radikale i bëni për motive të marketingut politik të partisë që paralajmëroni të themeloni?
OSMANI: Gjatë tërë kohës së të qenët në pozicionet e intelektualit të pavarur jam ballafaquar me këtë lloj të kritikës edhe kur në kohën e “fenomenit të flamurit shqiptar” dikur akuzoja PPD për kolaboracion politik, ndërsa udhëheqësit e PDSH-së se janë “Skenderbe” të fjalëve dhe “Moisi Golema” të veprave dhe se idetë e tyre për unitet politik të shqiptarëve dhe për paralelizëm politik janë vetëm shitje e mjegullës politike me të vetmin qëllim për të hyrë në qeveri dhe asgjë tjetër.
Dhe ja tash na ndodh episodi i fundit i një filmi të vjetër me aktorë të vjetër dhe të rinj. Të gjithë janë rreshtuar “gatitu” për t’u futur në qeveri. Për mendimin tim tentativa e të dy VMRO-ve si asaj të Gruevskit edhe asaj të nënshtetasit bullgar,Lubço Georgievski, që me dashamirësi të madhe ia jep në përkrahje 6 deputetët e vet PDSH-së është mjaft e rrezikshme, objektivi bazë është të zhbëjë në tërësi investimin më të madh politik të shqiptarëve kryengritjen e armatosur të vitit 2001 dhe rezultatin e saj Marrëveshjen e Ohrit,në veçanti të drejtën e Badinterit. Një zhbërje e kësaj natyre e ka kuptimin e nënshtrimit të vullnetit politik të shumicës shqiptare ndaj vullnetit politik të shumicës maqedonase. Nëse do të ndodhë ky proces atëherë humb kuptimi i ekzistencës së partive politike shqiptare.
Analizuar nga ajo që përmenda më lart t’u them të drejtën nëse ndodh që partia humbëse shqiptare të jetë përfaqësuesja e vetme politike e shqiptarëve në qeveri, atëherë s’ka asnjë kuptim pse t’i veshë edhe një herë “teshat garuese politike”.
FAKTI: Cila do të ishte rrugëdalja nga ky qorrsokak politik?
OSMANI: Nëse pranojmë tezën se kompromisi i bazuar në parim është zgjidhja më e mirë atëherë zgjidhja është shumë elegante.Nëse kjo qeveri do të jetë një laramani e liderëve të ideologjive të shumë fraksioneve politike dhe të partnerëve strategjikë të interesit dhe të vullnetit të shumicës politike maqedonase dhe fituesit shqiptar atëherë formula është gati. PDSH do t’i bashkëngjitej qeverisë së Gruevskit si partner strategjik ideologjik i tij dhe do të merrte nga kulaçi qeveritar proporcionalisht me mandatet politike që i ka fituar,ndërsa BDI do të shoqëronte këtë qeveri si fituese politike te shqiptarët dhe do të fitonte 2,5 herë më tepër mandate qeveritare në raport me Tito Petkovskin si partner qeveritar me të cilin ideologjikisht kanë pika takimi.
Këtij koalicioni të gjerë ideologjik dhe multietnik me Gruevskin, Xhaferin, Ahmetin, Petkovskin, Andovin, Xingon dhe të tjerë vlen t’i japin shansin që të zbatojë programin ekonomik në 100 hapa në 1001 net dhe ditë dhe shumë më tepër se kaq.
Dhe kush do të mentorojë këtë koalicion, dihet ndërkombëtarët, po vallë po të mos ishin të huajt këtu vaj halli çka ndodh me ne.
Nëse nuk ndodh koalicioni i përmendur do na përsëritet historia politike e revansheve politike,ekonomike, arsimore dhe vendnumërimeve.
Në rastin e dytë perspektiva ekonomike,Unioni Europina dhe Natoja do të jen ëndra që do i ëndrojm jo vetëm natën por edhe ditën,në ndërkohë do transfomohemi në lokalitet ku do qeveriset me legjitimitet zgjedhor të imponuar në ëmër të ,,mandatin demokraktikë popullorë,,.
Në këtë drejtim ne shqiptarët nuk duhet të befasohemi nëse do na shërbejë si mostër Sicilia në Itali, vend ky që është fole e demokracisë dhe anëtare e BE dhe NATO.
Përfundimisht për hir të qetësisë së brendshme sepse edhe pas këtyre zgjedhjeve do të ngelin problemet e njëjta me të cilat u ballafaquam deri tash dhe mbi të gjitha për hir të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së Kosovës, dy liderët aktualë shqiptarë Ahmeti dhe Xhaferi të cilët aq shumë kanë investuar për Kosovën duhet të bashkëqeverisin nën mentorllëkun e z.Gruevskit, sepse edhe ashtu s’ka kush i kritikon dhe ndëshkon politikisht.
Krijoni Kontakt