Takimi me Berishën: Prodhimi i fabrikës rreth 1.5 milionë tonë në vit
“Titan”, gjiganti i çimentos, gati investimi në Shqipëri
Një fabrikë gjigante e prodhimit të çimentos do të ndërtohet në Shqipëri. Grupi “Titan”, i njohur në të gjithë botën, ka shprehur interes për të ndërtuar fabrikën në Shqipëri, ku vlera e investimit parashikohet të arrijë në 200 milionë dollarë.
Përfaqësues të grupit “Titan” janë takuar me kryeministrin, Sali Berisha, dhe kanë prezantuar projektin e kësaj shoqërie për ngritjen e një fabrike të re çimentoje. Grupi “Titan” është një shoqëri multi-rajonale, e pranishme në Greqi, SHBA, Evropë Juglindore dhe në Mesdheun Lindor dhe prodhon, shpërndan dhe shet çimento, materiale inerte, beton të markave të larta dhe produkte parafabrikate për ndërtim. Firma kryesore e grupit “Titan Cement” s.a., është një shoqëri greke, me mbi 100 vjet eksperiencë në industrinë e çimentos dhe gjatë gjithë historisë së saj është shquar vazhdimisht si në drejtim të performancës industriale, ashtu edhe për përgjegjshmërinë e lartë shoqërore dhe mjedisore.
Takimi
“Ky investim është projektuar për të zhvilluar më tej kapacitetet rajonale dhe interesin e veçantë që Shqipëria paraqet në këtë kuadër”, u shprehën përfaqësuesit e grupit “Titan”. Ndërsa kryeministri Berisha theksoi përkushtimin e qeverisë shqiptare për tërheqjen dhe përkrahjen e gjithanshme të investimeve të huaja direkte në vend, si dhe siguroi shoqërinë “Titan” për mbështetjen që do të ofrojë qeveria, në mënyrë që ky investim i rëndësishëm të realizohet me sukses. “Titan” ka identifikuar zonat e përshtatshme potenciale të rezervave të gëlqerorëve dhe argjilave në Shqipëri dhe ndërkohë ka aplikuar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për marrjen e lejes së kërkim-zbulimit në këto zona. Shoqëria do të investojë menjëherë në punime kërkim-zbulimi dhe shpime, për të verifikuar cilësinë dhe sasinë e rezervave të lëndëve të para, ndërsa ka aplikuar për leje shfrytëzimi për zona të caktuara.
Investimi
Investimi i propozuar nga shoqëria “Titan” ka të bëjë me ndërtimin e një fabrike klinkeri me kapacitet 3.500 ton/ditë, me teknologji nga më modernet, me kapacitetet e duhura për prodhimin e çimentos, si dhe zhvillimin e karrierave të nevojshme gëlqerore dhe argjilore. Fabrika do të ketë kapacitet prodhues prej rreth 1.5 milionë ton çimento në vit. Projekti synon furnizimin e tregut shqiptar, i cili aktualisht importon më shume se 75 për qind të sasisë totale vjetore të konsumit të çimentos dhe klinkerit, si dhe prodhimin për eksport. Vlera totale e projektit parashikohet të jetë rreth 200 milionë dollarë dhe do të financohet nga grupi “Titan”, ndërkohë që Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë shprehur interesin e tyre për të marrë pjesë në projekt. Ky investim do të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare, pasi ul vartësinë e saj nga importi, hap vende të reja pune, rrit konkurrencën në tregun vendas të çimentos dhe pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe në përmirësimin e bilancit tregtar, nëpërmjet rritjes së volumit të eksporteve.
* 3500 ton
në ditë do të jetë kapaciteti i fabrikës, që do të ketë teknologji nga më modernet, me kapacitetet e duhura për prodhimin e çimentos
* 1,5 milione
ton çimento në vit parashikohet të jetë kapaciteti i fabrikës. “Titan” ka identifikuar zonat e përshtatshme potenciale të rezervave të gëlqerorëve
* 75 per qind
e sasisë totale vjetore të konsumit të çimentos dhe klinkerit importon aktualisht tregu shqiptar. Fabrika do të prodhojë edhe për eksport
* 100 vjet
eksperiencë në industrinë e çimentos ka shoqëria greke, e cila është firma kryesore e grupit “Titan Cement” s.a., që është një shoqëri multi-rajonale
Korrieri
Krijoni Kontakt