-----------------------------------------------
Të quhesh Mbaresa, Federata apo edhe Eros e Ballokume në vitin 2006 në Shqipëri, është një akt i dënueshëm moralisht nga shteti. Pikërisht për këtë arsye zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Pone ka vendosur 'embargon' ndaj 62 emrave të vjetër shqiptarë. Të konsideruar si emra fyes, specialistët e kabinetit të tij kanë hartuar 'listën e zezë' të emrave, të cilët ky dikaster ua sugjeron prindërve se nuk është etike që fëmijët e tyre t'i mbajnë. Vendimi është shpërndarë që me 6 qershor së bashku me listën e emrave në të gjitha zyrat e gjendjeve civile ku dhe është afishuar. Krerët e njësive bashkiake pranojnë se një listë e tillë ka mbërritur në tryezat e tyre, por ata gjithashtu konfirmojnë se nëse një prindër zgjedh ta quajë të voglin e tij me një nga emrat e listës, ata sigurisht që nuk do tua mohojnë këtë të drejtë.
Nuk bëhet fjalë për të nxjerrë jashtë loje një pjesë të emrave të vjetër shqiptarë, por thjesht ata që janë konsideruar se janë emra me karakter fyes. Pikërisht për këtë arsye, zyrat e gjendjeve civile u sugjerojnë prindërve shqiptarë që të mendohen gjerë e gjatë para se të vendosin se si do ta quajnë fëmijën e tyre, sigurisht pa u mohuar të drejtën për t'u regjistruar. Zëvendësministri i Brendshëm për Pushtetin Lokal, Ferdinand Pone ka firmosur një urdhër disa ditë më parë, i cili sugjeron ndalimin e përdorimit të një sërë emrash. Në këtë mënyrë tentohet t'i jepet fund manisë së shfrenuar të prindërve për t'i quajtur fëmijët e tyre me lloj-lloj emrash, me karakter fyes, që regjistrohen çdo ditë në regjistrat e gjendjes civile. Më nostalgjikët do të ishin dakord me këtë urdhër të ri të Pones, sikur në 'listën e zezë' të publikuar disa ditë më parë në të gjitha zyrat e gjendjes civile, të mos figuronin disa emra që janë trashëguar nga breza të tërë dhe nga të cilët e kanë të vështirë të heqin dorë, si: Hiqe, Ankime, Mbaresa apo Sose.
"Emri Sose zakonisht përdorej për të quajtur një vajzë, në mënyrë që t'i jepte fund lindjeve të gjata të vajzave", - shpjegon njëri prej krerëve të njësive bashkiake. Ndërkohë që në listën e ndaluar të Pones figurojnë edhe emra të tjerë mjaft të njohur dhe që kanë një origjinë shumë të largët mitologjike, siç është emri Eros. I kanë shpëtuar kësaj liste emrat që filluan të përdoreshin pas viteve të demokracisë, si Demokrat apo Socialist, ndërkohë që në këtë listë nuk figurojnë emrat e huaj që janë kthyer në një mani të prindërve shqiptarë.
"Urdhri i firmosur nga zëvendësministri Pone ka vetëm karakter orientues, - janë shprehur disa nga krerët e njësive bashkiake të pyetur për këtë problem, - Nëse prindërit kanë dëshirë të vendosin një emër të tillë, ne sigurisht që do ta bëjmë këtë gjë, por vetëm do ta këshillojmë atë të mos vendosin një emër të tillë", - sqarojnë për Gazetën ata.
Emrat e "ndaluar"
Eros
Groshe
Ekran
Mbaresa
Pikëllime
Hiqe
Ankim
Meze
Mjaftime
Arançatë
Pafate
Mbylle
Fodulle
Haze
Gazep
Pseardhe
Mjafton
Ballokume
Sose
Federatë
-----------------------------------------------
Krijoni Kontakt