Antishqiptari
PER HIR TE PERENDISE, JEPINI NJE PASAPORTE!
Sokol Balla
15 vjet, pasi Janullatos kalo15 vjet, pasi Janullatos kaloi për herë të parë kufirin e jugut si misionar, nën bekimin e Ramiz Alisë dhe Ylli Popës, 12 vjet pas dështimit të Berishës për ta përzënë me Kushtetutë në dorë, sot ende kambanat po bien përgjatë klonit. Fatkeqësisht në misionin e tij për të zhdukur këtë klon, kryepeshkopi Anastas ka dështuar. Por ka fituar Shqipëria
Janullatos, një njeri i lëçitur dhe shumë fetar, natyrisht nuk mund të mësonte kaq shpejt shqip dhe për më shumë i duhej të njihte mirë shqiptarët. Dhe për këtë, i duhej kohë. Shumë shpejt pas mbërritjes së tij në Tiranë, më 1994, një mazhorancë e tërë hartoi një Kushtetutë, vetëm e vetëm që ta përzinin atë nga Shqipëria. Por kjo shënoi edhe fitoren e parë politike të Janullatos. Kushtetuta u rrëzua në referendum dhe shumë analistë të pavarur “fajësojnë” për këtë, pikërisht nenin që kërkonte që Kisha Ortodokse Autoqefale të drejtohej siç kërkonte tradita, nga një kryepeshkop shqiptar. Edhe sot e kësaj dite, ky është një debat i pazgjidhur, çka i detyrohet një statuti të kishës ortodokse, që në vitet ’50-të por edhe më herët, që në vitet 1918- 1923 i kërkonte sinodit një gjë të tillë. Kjo është ndasia e madhe që ende vazhdon sot tek ortodoksët shqiptarë, më e ashpër në Amerikë, ku në një rrugë të Bostonit jugor gjenden tri kisha, njëra me Nolin, tjetra me “grekët” dhe e treta, që bëhet me atë që është më i fuqishëm dhe me influencë për momentin. Dhe natyrisht që nuk bëhet fjalë për influencë fetare, por politike. Sot edhe në këtë pikë Janullatos është më i forti. Sot kundërshtari i tij më i fortë i dikurshëm, promotori i Kushtetutës anti-Janullatos, ka marrëdhënie të shkëlqyera me Athinën zyrtare, si rrjedhim edhe me Kishën Ortodokse Autoqefale (Shqiptare?). Bile kaq të mira janë marrëdhënien me Athinën, sa çështja e varreve të grekëve, siç pohon vetë Janullatos, është tashmë në përfundim e sipër dhe se marrëveshja do të nënshkruhet shpejt mes dy qeverive. Një pohim i jashtëzakonshëm, që ende nuk ishte bërë nga të dy kryeqytetet. Kjo tregon edhe njëherë influencën e madhe të zotit Janullatos. Pa dyshim një influencë politike. Intervista e kryepeshkopit ishte padyshim e rrallë, pasi ne u njohëm me një anë të karakterit personal të zotit Janullatos, që fare pak kishte të bënte me durimin dhe tolerancën që presupozohet të ketë një lider që pretendon se është thjesht shpirtëror. Zoti Janullatos ishte i ashpër dhe i pa kompromis në mbrojtjen e një vartësi të tij, at Vasil Thomollarit të Kosinës, ndërsa edhe më i ashpër në mbrojtjen e kauzës së varreve të dhunuara, duke hequr çdo përgjegjësi të kishës dhe fajësuar për këtë vetëm edicionet e lajmeve. Në fakt, edicionet e lajmeve bënë vetëm detyrën, ashtu si “Alfa” apo “Mega” do të bënte në Greqi- ose siç ka bërë- kur priftërinjtë kanë abuzuar me pushtetin dhe poshtë rasës së zezë kanë fshehur gjithë perversitetet e kësaj bote. Bile duke sfiduar edhe lidhjen zyrtare të kishës greke me shtetin, një gjë që nuk ekziston ligjërisht në Shqipëri. Por agresiviteti i zotit Janullatos, mesa duket ishte një shenjë e zbehtë dëshpërimi instiktiv. Më duhet të them, që të mos keqkuptohem, se zoti Janullatos është pa diskutim arkitekti i ringritjes së Kishës Ortodokse në Shqipëri. Falë punës, por më shumë autoritetit të tij të padiskutueshëm fetar dhe personal, sot kjo kishë ka shumë besimtarë. Në mesha shqipja flitet gjithnjë e më shumë, kisha është kthyer vërtet siç thoshte Janullatos në intervistën te KLAN, në një faktor të rëndësishëm fetar dhe social, bile edhe ka “kontribuar në forcimin e shtetit, si taksapagues i rregullt”. Por ala këtu zoti Janullatos më duhet të ndalem pak. Sepse kjo tregon edhe defektin e madh të rrëfimit tuaj. Zoti Janullatos është përgjegjës kryesor për rritjen e Kishës Ortodokse, por paralelisht me të është rritur edhe Shqipëria. Është zhvilluar edhe shoqëria, e cila është tashmë aq tolerante, sa të pranojë që kishën autoqefale ta drejtojë edhe n j ë grek dhe fetar i mirë, boll që ai të mos përzihet në politikë. Shteti shqiptar është vërtet nevojtar, por kam përshtypjen që rroga e babait tim që punon në shtet, do të paguhej edhe pa kontributet e kishës ortodokse, pa kreditë e premtuara por të pa dhëna greke, por ekonomia pa dyshim që do të ecte më ngadalë nëse emigrantët nuk do të sillnin paratë e tyre në Shqipëri. Por po aq i sigurt jam, se nëse ata do të përdoren si kërcënim në shkëmbim të mosmarrjes së pronave të kishës ortodokse, apo hapjes së procesit hetimor për çështjen e varreve, shumë prej nesh do të pranonin të hanin edhe bukë thatë, vetëm e vetëm të mos dilnin keq përballë fqinjëve të tyre ortodoksë grekë. Pikërisht kërcënimet, por më shumë sugjerimet, që jepte Janullatos për zgjidhjen e çështjes së pronave, ishte një gjë që nuk e kapërdiva dot poshtë. Kryepeshkopi ankohej se përse nuk ktheheshin pronat pa dokumente dhe pa vendime gjykate, në emër të jetëgjatësisë së këtyre pronave, përtej jetëgjatësisë së administratës shqiptare. Pra, me fjalë të tjera, dikujt që mund t’i teket të thotë se në mes të sheshit “Skënderbej”, apo diku anash, ka pasur një kishë, shteti të ndërhyjë dhe t’ia kthejë këto kishës? Pra me fjalë të tjera, Shteti dhe Kisha të kenë një marrëdhënie “të posaçme”, ashtu si në Greqi? Në mungesë të një sqarimi të mëtejshëm apo problemeve të përkthimit në shqip- jam i sigurt se hirësia e ka dhënë intervistën në greqisht- jam i detyruar të them se këto teza nëse janë të vërteta, fshehin një rrezik të madh. Një rrezik që shqiptarët e kanë dyshuar gjithmonë te drejtimi grek i kishës së tyre ortodokse. Një rrezik që unë vetë nuk e kisha marrë asnjëherë në konsideratë. Dikur mblodha shumë materiale për Anastas Janullatos. Një njeri i jashtëzakonshëm që fliste mbi 13 gjuhë të huaja. Një kapacitet i rrallë në njohuritë e dogmës dhe religjionit. Vetëm rastësia bëri që ai të mos trashëgonte drejtimin e Patrikanës së Stambollit- kishte lindur në Greqi dhe jo në ish-kryeqendrën bizantine, siç e kërkon tradita. Por Janullatos ishte padyshim njeriu i duhur që të sillte rilindjen shpirtërore të ortodoksisë në Shqipëri në nivel religjioz. Dhe padyshim kjo ka ndodhur. Por qenka e vështirë të dallosh linjën e hollë dhe të kuqe që ndan fenë nga politika, në pozicionin e rëndësishëm që zë Janullatos në marrëdhëniet historike, sociale dhe fetare në të dy anët e klonit të dikurshëm. Në fakt, këto materiale i mblodha për një shkrim, që u botua pikërisht në revistën KLAN. Nga ai shkrim mbaj mend pak gjëra, por ende nuk e kam harruar titullin që i pata vënë: “Kambanat bien përgjatë Klonit”. Sot 15 vjet, pasi Janullatos kaloi për herë të parë kufirin e jugut si misionar, nën bekimin e Ramiz Alisë dhe Ylli Popës, 12 vjet pas dështimit të Berishës për ta përzënë me Kushtetutë në dorë dhe tetë vjet pas atij shkrimi timit të parë për Kryepeshkopin Anastas, e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar, është simbolika e atij titulli: Sot ende kambanat po bien përgjatë klonit. Fatkeqësisht, në misionin e tij për të zhdukur këtë klon, kryepeshkopi Anastas ka dështuar. Por ka fituar Shqipëria. Ka fituar ringjalljen e një prej feve të saj kryesore, ka fituar besimin se edhe ajo mund të jetojë e pa diskriminuar përbri një fqinji të pasur, aq sa pa frikë dhe me dinjitet mund të kundërshtojë me buzëqeshje tendencat për të aplikuar mbi të, një sistem të vjetruar bizantin të funksionimit të shtetit, apo të shkelë mbi komplekset e së shkuarës me indiferencë. Dhe për hir të Perëndisë, jepini një pasaportë Hirësisë së tij! Tashmë nga ai nuk ka më frikë askush!
Gazeta shqip 2/7/2006
Krijoni Kontakt