------------------------------------------------------
Emri: Erkand
Mbiemri: Qerimaj
Datëlindja: 10.8.1988
Vendlindja: Shkodër
Pesha: 69kg
Karriera: Kampion i trefishtë Europe në peshën 50 për U-17, viti 2002. Kampion i trefishtë Europe në peshën 56 kg për U-17 për vitin 2003, medalje bronzi në europianin e vitit 2004 në peshën 62 kg. Nënkampion Europe në peshën 69 kg për U-17 dhe për të rinj në vitin 2005. Kampion bote në stilin e shtytjes dhe nënkampion në dygarësh në Kampionatin Botëror të të Rinjve, viti 2006.
Që me krijimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes më 1948 e deri më sot, asnjë peshëngritës shqiptar nuk ka arritur të sjellë titullin kampion bote në Shqipëri. Por pas 59 vjetësh këtë e bën Erkand Qerimaj i cili i sjell Shqipërisë titullin e parë "kampion bote". Një nga sukseset më të mëdha të peshëngritjes shqiptare, pas rekordit olimpik të të madhit Ymer Pampuri. Pikërisht dje, në Kampionatin e 32-të Botëror për të Rinj, që po zhvillohet në Kinë, peshëngritësi Erkand Qerimaj në konkurrimin e tij në peshën 69 kg në stilin e shtytjes kapi shifrat e 175 kilogramëve, duke u ngjitur në podin e fituesit të medaljes së artë dhe titullit kampion bote në këtë stil. Ai shpallet njëkohësisht edhe nënkampion bote në dygarësh me 311 kilogramë. Në stilin e shkëputjes ai humbet medaljen e bronzit vetëm për 10 gramë. Ky është suksesi më i madh i 18-vjeçarit Qerimaj në 5 vjet karrierë në sportin e peshëngritjes.
Erkand Qerimaj ka konkurruar në baterinë A të peshës 69 kg, ku janë përfaqësuar gjithsej 18 peshëngritës. Në stilin e shkëputjes Qerimaj ka ngritur 136 kg dhe ka humbur medaljen e bronzit vetëm për peshë trupore, medalje që i është rrëmbyer nga greku Vladimir Lazaridhis, i cili peshonte 10 gramë më pak se Qerimaj. Në stilin e shtytjes Erkand Qerimaj shpallet kampion bote me 175 kg dhe ka një diferencë prej 3 kg me vendin e dytë, peshëngritësi i Ekuadorit Rikardo Flores. Më 311 kg, në dygarësh, Erkand Qerimaj shpallet edhe nënkampion bote. Medalja e artë në stilin e shkëputjes dhe në dygarësh shkon për shkollën kineze të peshëngritjes, përfaqësuar në këtë peshë nga i riu Goushun Zhong me 146 kg në shkëputje dhe 316 kg në dygarësh.
Po dje, në Kampionatin e 12-të Botëror për të Reja ka konkurruar edhe peshëngritësja Romela Begaj. Ajo ka konkurruar në baterinë A të peshës 58 kg, ku kanë marrë pjesë 16 peshëngritëse. Në stilin e shkëputjes, Begaj ka ngritur 91 kg dhe është klasifikuar në vendin e tretë me medalje bronzi. Në stilin e shtytjes ajo ka realizuar pas 3 provave 105 kg dhe është klasifikuar në vendin e 6 të, ndërsa në dygarësh me 196 kg Begaj klasifikohet në vendin e 5 të. Kampione e trefishtë e botës në peshën 58 kg për femra u rendit rusja Svjetllana Carukajeva, me 106 kg në shkëputje, 125 kg në shtytje dhe 231 kg në dygarësh.
Konkurrimi në peshën 62 kg për meshkuj
Stili i shkëputjes
1. Guoshun Zhong Kinë 146kg
2. Kuanish Rahatov Kazakistan 145kg
3. Vladimiros Lazaridhis Greqi 136kg
4. Erkand Qerimaj SHQIPËRI 136kg
Stili i shtytjes
1. Erkand Qerimaj SHQIPËRI 175kg
2. Rikardo Flores Ekuador 172kg
3. Guoshun Zhong Kinë 170kg
Dygarësh
1. Guoshun Zhong Kinë 316kg
2. Erkand Qerimaj SHQIPËRI 311kg
3. Kuanish Rahatov Kazakistan 310kg
------------------------------------------------------
Krijoni Kontakt