Historia e marrëdhënieve diplomatike me shtetin italian, nga viti 1912 deri ne ditët e sotme

22 ambasadorët e Shqipërisë në Itali


Erion HABILAJ

Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, krijohen edhe marrëdhëniet e para diplomatike me shtetet e tjera. Një prej tyre është dhe Italia, që ka qenë thuajse e lidhur organikisht me vendin tonë. Ashtu siç e kërkon praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare, një shtet i pavarur do të duhet të kishte dhe përfaqësuesin e vet në vendet me të cilat kishte relata bashkëpunimi. Sapo u krijua qeveria e Ismail Qemalit, ishte tepër herët për të vendosur një përfaqësi diplomatike dhe kështu i takoi qeverisë së Princ Vidit të ishte e para që krijonte një marrëdhënie me Italinë, duke vendosur dhe një përfaqësues të vetin atje. Fatin e të qenit personaliteti i parë si përfaqësues i Shqipërisë në Itali e pati Myfid Bej Libohova. Me largimin e Libohovës, patëm një ndërprerje marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe Italisë, për arsye dhe të Luftës së Parë Botërore. Një vit pas Kongresit të Lushnjës, rifilloi përsëri vendosja e përfaqësive diplomatike me Italinë, kështu themelohet dhe legata e parë shqiptare në Romë dhe bashkë me të edhe krijimi i disa konsullatave që do të zgjeroheshin me ardhjen e Zogut në pushtet. Gjatë gjithë regjimit të Ahmet Zogut deri në 7 prill 1939, kur ne u vendosëm nën pushtimin italian, ka funksionuar rregullisht komunikimi reciprok i dy vendeve nëpërmjet përfaqësive të tyre në vendet respektive. Nga viti 1939 deri në vitin 1945, marrëdhëniet me shtetin italian ishin të ngrira, për shkak të Luftës së Dytë Botërore, duke qenë se ne ishim dhe një nga vendet që u pushtua nga fashistët italianë.

Ambasadorët pas Çlirimit
Menjëherë pas Çlirimit të vendit nga pushtuesit dhe vendosjes së pushtetit popullor në Shqipëri, u vunë në praktikë dhe marrëdhëniet diplomatike me shtetin italian. Ne me italianët nënshkruam Traktatin e Paqes në vitin 1947 dhe thuajse pas dy vjetësh, Shqipëria hapi legatën e saj të parë në Italinë e pas Luftës. Në fillim kanë qenë përfaqësues Zenel Hamiti, i cili do të pasohet nga Behar Shtylla, Edip Çuçi dhe Koço Prifti. Ndërkohë në vitin 1965, u krijua dhe ambasada e parë shqiptare në Romë, me ambasador Jordan Pani, që u pasua nga Ksenofon Nushi, Piro Koçi, Kujtim Myzyri, Piro Bita, Bashkim Dino dhe Dashnor Dervishi, i cili ishte dhe ambasadori i fundit për sa i përket Shqipërisë socialiste. Ndërkohë përfaqësia më e lartë diplomatike e Shqipërisë pas ardhjes së pluripartizmit, u drejtua nga Edmond Dule, duke u pasuar nga Pandeli Pasko, Leontiev Çuçi, Pëllumb Xhufi, Ilir Tepelena dhe së fundi Llesh Kola.

LISTA e ambasadoreve ne vite

Myfid Bej Libohova 1914-1914
Eqrem Bej Libohova 1921-1925
Xhemil Dino 1925-1927
Xhaverr Vila 1927-1937
Zenel Hamiti 1949-1952
Behar Shtylla 1952-1954
Edip Çuçi 1954-1958
Koço Prifti 1958-1961
Jordan Pani 1961-1967
Ksenofon Nushi 1967- 1972
Pirro Koçi 1972-1977
Kujtim Myzyri 1977-1980
Pirro Bita 1980-1982
Bashkim Dino 1982-1988
Dashnor Dervishi 1988-1992
Edmond Dule 1992-1995
Pandeli Pasko 1995-1998
Leontiev Çuçi 1998-2001
Pëllumb Xhufi 2001-2004
Pavlli Zëri 2004-2006
Ilir Tepelena
Prill 2006-Korrik 2006
Llesh Kola Korrik 2006


Tirana Observer