ATHINO-FANARITËT; PËRPINË SHQIPTARËT ÇÀMËR, JANÍNAS, TEJGRAMOZÍTË
Synimi kryesor i kryqtarëve athino-fanariotë ka qenë dhe mbetet shndërrimi në grekër i shqiptarëve të krahinave fqinje. Meqë pengesën kryesore në këtë drejtim e përbënin shqiptarët islamikë, pre e tyre u bënë pikërisht këta. Mjetet kryesore që përdorën e që po përdorin ende për tjetërsimin e përkatësisë së tyre kombëtare kanë qenë -dhe janë- kishat, manastirët e shkollat. E kur me këto mjete nuk arritën pikësynimin e vet, për t'i zhdukur prej trojeve të veta stërgjyshore dhe për t'ua grabitur ato troje, vunë në përdorim armët.
Goditjet e kryqtarëve athino-fanariotë për zhdukjen e shqiptarëve islamikë skajorë jugorë: çamër, janinas etj, nga trojet dhe vatrat e veta kanë qenë të kahershme; sidomos që nga viti 1854 e këndej ato u bënë përherë e më të shpeshta e gjithnjë e më masive e më të egra. Megjithatë shqiptarët islamikë të krahinave të sapopërmendura, falë trimërisë e vetëmohimit të tyre, kishin mundur t'i përballonin valët e përpirësve. Po, duke qënë ngaherë e më të pakët e gjithnjë më të pafuqishëm përballë mësyesve, gjëmën përfundimtare nuk mund ta shmangnin për gjithnjë. Gjatë 10 muajve: qershor 1944, mars 1945 kryqtarëve athino-fanariotë. të prirë nga priftërinjtë dhe zyrtarët e çdo shkalle kryqtare, Çamërinë e shndërruan në një det të vërtetë gjaku, në të cilin mbytën mijëra fëmijë, pleq, plaka dhe këdo që mundën të shtinin në dorë. Me qëllim që të paraqitet një pasqyrë e gjëmës së shkaktuar nga kryqtarëve athino-fanariotë ndaj shqiptarëve islamikë çamër, janinas e tejgramozitë, duket e domosdoshme të përmenden qoftë dhe vetëtimthi ngjarjet në rrjedhën e tyre historike.
1. Më 1854 një armatë kryqtarëve athino-fanariote e komanduar nga gjenerali greko - shqiptar, apo më saktë i greqizuar nëpërmjet fesë së njëjtë me atë të grekërve - Theodhori Griva, me kryqin në të majtën dhe me shpatën në të djathtën u vërsulën hijenërisht nëpër Çamërinë Jugore dhe të Mesme. Duke përfituar nga mësymja hajdutçe, mundën të vërshonin deri në rrjedhën e Kalamait. Grabitën egërsisht dhe përzhitën shtazërisht çdo gjë që gjetën përpara. Çamëria dhe të zotërit e saj, çamërit mundën t'i shporrnin gjakataro-cubat kryqtarë athino-fanariotë vetëm me ndihmën e fqinjëve të tyre veriorë, kryesisht të lebërve që vrapuan të parët.
2. Duke vazhduar me kokëgdhëndësi dhe etje prej të tërbuari, në shkurt-mars 1878 kryqtarët iu vërsulën sërish Çamërisë dhe Labërisë. Mirëpo edhe asaj here u derdhën për lesh dhe u kthyen të qethur.
3. Në prill 1897 ata, duke valëvitur kryqin, zhveshën sërish shpatën. Përsëri ishte Çamëria që rënkoi nga shqelmat e kryqtarëve athino-fanariotë, dhe ishin po çamërit islamikë ata që u rrënqethën nga kafshimet e tyre.
4. Në mugëtirën e paraditës së 18 tetorit 1912 luftanijet e kryqtarëve athino-fanariotë shprazën papritmas mbi Prévezë e Sallahórë breshëritë e pandërprera të topave "Krup"; njëherit me ta, njësitë e këmbësorisë së armatosur deri në dhëmbë nga uzinat e Putillóvit si edhe ato të artilerisë që ishin rreshtuar gjatë vijës kufitare ndërshtetërore greko-osmane, mësynë dhe kaluan në tokën shqiptare brenda kufirit në fjalë. Si me një çakmak të vetëm, tërë anëdeti jonik dhe anëgjiri Prévezë-Nartë si edhe brezi tokësor nga anëgjiri e deri në Mecovë u përflakën dhe u përzhitën. Taburët e njësisë ushtarake të shërbimit të detyruar dhe ata të njësisë së përbërë prej rezervistësh shqiptarë gjysmë të armatosur të mbledhur ngutësisht në Anënua, Marat, Pesë Puse e kudo gjetkë, me mësyesit u përballën me trimëri shëmbullore. Po, duke qënë më të pakët dhe të keqarmatosur, pas gati një muaj qëndrese u shtrënguan të tërhiqeshin në fortesën e Bezhanit. Pas 5 muajve të tjerë mbrojtjeje, të dyja njësitë ushtarake në fjalë që përbënin Kollordunë(truparmatën) III osmane me qendër në Janinë, të vëna përballë 6 njësive kr. a-f., u shtrënguan të pranonin mundjen. Hijenat kryqtare athino-fanariote u vërsulën bishërisht mbi shqiptarët dhe kamjen e tyre. Së pari u vunë thikën atdhetarëve më të njohur islamikë çamër e janinas. Pasuritë e tyre të luajtshme dhe të paluajtshme u grabitën pa kurrfarë ndrojtjeje. Brenda një gjysëm ore në vendin e quajtur "Lìver" -në përruan poshtë fshatit Selan- u therën dhe iu shtyp koka 100 atdhetarëve krerë vetëm prej Paramithie dhe fshatrave të rrethit përkatës. Therje të tilla masive kryqtarët bënë edhe në qytetet dhe rrethet e tjera të Çamërisë. Dhe, po të mos kishte patur njëfarë ndërhyrjeje të vakët nga qeveria italiane e ajo austro-hungareze, gjaku do të kishte vajtur deri në gju dhe shfarosja e popullatës shqiptare islamike do të kishte qënë tërësore që asokohe.
Për përmbushjen e prapësive të tyre - zhdukjen e shqiptarëve islamikë çamër, janinas etj.- kryqtarët s'linin rast t'u shpëtonte nga dora. Duke shfryrë dufin që po i mbyste për shkak të dërrmimit të ushtrisë së tyre pushtuese në fushat e Anadollit Perëndimor, u vërsulën egërsisht mbi shqiptarët islamikë çamër, janinas etj. Qindra e qindra prej tyre u rrahën për vdekje, u zvarrisën rrugëve dhe u dergjën binxave të burgjeve; nuk ishin të pakët ata që u therën aty-këtu. Megjithatë asgjësimin përfundimtar të shqiptarëve islamikë kryqtarët athino-fanariotë ende nuk e arritën dot. Shkak tjetër për zhdukjen përfundimtare të çamërve dhe shqiptarëve të tjerë islamikë brenda shtetit grek zunë shpërthimin dhe vazhdimin e luftës greko-italiane: tetor 1940-prill 1941. Duke filluar prej pragut të shpërthimit të luftës në fjalë dhe në vazhdim të saj, tërë meshkujt shqiptarë islamikë u rrëmbyen prej horofillakëve dhe u mbyllën në çarqet shfarosëse të ngritur në ujdhezat egjeike, madje edhe pranë Athinës së "qytetëruar"(!!!?). Mjerisht tanimë mungojnë dëshmitarët që i hoqën mbi kurriz kafshëritë kr. a-f., po kujtimet e tyre të shkruara i kemi ruajtur. Riza Nexhip Kali (dtl. 1906) nga Paramithia shënon: "Kudo që na gjëjën, horofillakët na mbërthejën e dikue na hequr xarrë-xarrë, na mbllijën nëpër katonje ku na zihej frima. Kur horofillakët na mundojën e na poshtërojën kështu, priftërinj dhe të krishterë vëndës e grekër të ardhur, që ne u keshëm mbarë shpirtin me bukë, mblidheshin rreth e rrotull e na përqeshjën. Pas ca orësh na qitën atej gjisëm të vdekur; na lidhën me litarë në vargje edhe nga 100 e ca vetë e na nisën për internim. Gjatë tërë udhëtimit nuk na i ndajën shkopin, gllupën e dipshikun e dufeqit. Na goditjën ku u vinej më kollaj. Nëpër çdo fshat a qutet që na shkojën, të dia anët e udhës mbloneshin me njerëz të xhinosur; na shajën me fjalët më të flliqura për flamurin, kombin e Shqipërinë; na pështijën e na goditjën me ç'u zi dora: gurë, ve e perime të prrishura. Horofillakët u thoshën: "Binuni, se janë robër; i kemi zënë në luftë". Në kotecet ku na mbllijën, na ipjën nga një lugë lëng fasulesh a lakrash pa artsi". Prej mungesës së ushqimeve e sidomos nga sëmundjet -pasi ishin lënë pa kurrfarë kujdesi mjekësor- të mbyllurit nëpër ato çarqe po shuheshin ca nga ca nga ora në orë dhe nga dita në ditë. Nga shfarosja tërësore i shpëtoi vetëm mësymja e ushtrive gjermane e bullgare. Në gjysmën e 10-ditshit I të prillit 1941 njësi të atyre dy ushtrive goditën e brenda 2-3 ditëve përgjunjën ushtrinë kr. a-f.. E dërrmuar në mënyrë të pandreqshme, ushtria kr. a-f. u detyrua të hidhte armët e veta të stërgjakosura dhe vetë shteti grek u ndë nën këmbët e fitimtarëve. Kjo ngjarje u dha mundësi çamërve islamikë të mbetur ende gjallë në kurthet egjeike të shfarosjes që të shpëtonin nga vdekja e pashmangshme. Mirëpo kryqtarët nuk i shqetësonte prania e atyre që u kishin dhënë hundët në duar dhe i mbanin si qenin në shkardhë, po prania e çamërve në trojet e veta stërgjyshore. Për të zhdukur përfundimisht çamërit nga vatrat e veta, kryqtarët me kryeministrin Rralli, gjeneralët Çollakogllu, Kaçimitro e krerë të tjerë si Sofuli, Papandreu etj., u bënë bashkëqeveritarë me nazistët dhe ngritën armatën e vet të posaçme nën emrin: Ethnikon Omadhon Elinon Andarton (Çetat Andarte Kombëtare Greke), betimi i pjesëtarëve të së cilës ishte: "jeniqi sfai" (therje të përgjithshme); në krye të saj vunë të mirënjohurin e vet të hurit e të litarit, një nga gjakatarët më të egër, ish- majorin Napoleon Zerva. Për vendstrehim të saj zgjodhën humbëtirat e Sulit, me qëllim që prej andej të vërsuleshin nëpër Çamëri sa më shpejt dhe sa më lehtazi. Prej korrikut të vitit 1942 -kur u ngrit- e deri në fillim të 1944-s në atë armatë u grumbulluan lloj-lloj keqbërësish të shkrepur për gjak, grabitje e gjithfarë ligësish të tjera. Me goditjet e disahershme, në muajt qershor-gusht 1943 njësite të fuqishme andartësh kishin mundur të vrisnin dhe të zbonin të mbeturit nga fshatrat Dhrohomi e Gardhiq. Po, që zhdukja tërësore e çamërve të bëhej sa më egërsisht -doemos me porosi të krerëve të vet- më 29.2.1944 me më të lemeritshmit e tyre të grumbulluar në regjimentet X, XVI e XXXX të kryesuar përkatësisht nga majorët çantallinj: Stefanidhi, Kranjai e Agora, N. Zerva ngriti divizionin X, të quajtur "mirarhjìa tu thànato" (divizioni i vdekjes); në krye të tij vuri të ngjashmin me vetëveten, n/kolonelin çantalli, Vasil Kamarën. Pas aq e aq goditjesh të herë pas herëshme gjatë viteve 1942-1943 dhe gjatë 6-mujorit I të vitit 1944, të 3 regjimentet e mirarhjia tu thanato u vërsulën hijenërisht kundër shqiptarëve islamikë në mbarë Çamërinë. Të prirë nga vet dhespoti i mitropolisë së Paramithisë dhe priftërinjtë nënurdhësa të tij, më 27.6.1944 u derdhën nëpër qytetin në fjalë dhe çelën kështu të parën thertore masive; regjimenti i Kranjait u bë kryetherësi. Të pasnesërmen regjimenti i Stefanidhit u sul në Karbunar, Margëllëç e Luarat dhe përpiu këdo që s'kishte arritur ende të mërgohej; ishte kjo thertorja e dytë masive; kurse të tretën masive e çeli më. 28.7.1944 teseradhekaohton sindagma (regjimenti XXXX) i Agorës dhe i zv. të tij, major Papanikës në Pargë. Ata çamër islamikë që kishin besuar gënjeshtrat e priftërinjve dhe "miqve" grekër u therën të parët; me jetën e vet e paguan edhe tërë të mashtruarit prej të gënjyerve bashkëqytetarë a bashkëfshatarë. Cilit a cilës i fluturonte koka, cilit a cilës i shpërthenin zorrët, cilit a cilës i qiteshin sytë, cilit a cilës i priteshin gjymtyrët. Cili a cila vraponte e nuk kapej dot, grihej me breshëri plumba mitralozësh, pushkësh e revolverësh. Bërtitjet lemeritëse dhe rënkimet rrënqethëse ndiheshin gjithandej. Urrejtja e tyre kryqtare arriti deri atje saqë dikë ta digjnin për së gjalli; një prej tyre ishte edhe gruaja 28-vjeçare, Sanije Bollati nga Paramithia. E mbetur përgjysëm e gjallë, duke mos patur kurrfarë mjekimi, u mbulua nga krrimbat dhe kështu shoi me lemeri të patreguar pas 3-4 ditësh. Me hijenësi ende të paparë gjer asokohe u shqyen dhrohomìtët e gardhiqasit që u kapën në Paramithi. Prej tyre nuk shpëtoi askush. Shkaku i atij polifemizmi aq të egër ishte ah-u që ata i përcëllonte që një vit më parë, për shkak të qëndresës tejet burrërore që ata kishin bërë për mbrojtjen e fshatrave të veta. Tërë fëmijët dhe gratë që më 27 qershor mundën të shpëtonin, duke u fshehur 1-2 ditë, u mbyllën nëpër biruca dhe vende të tjera, ku nga sëmundjet dhe papastërtia e plotë vdisnin nga dita-në ditë e nga ora në orë. Luftëtarët e pakët që u tubuan ngutësisht ca aty e ca këtu nuk ishte e mundur ta ndalnin e aq më pak ta zmbrapsnin dallgën shfarosëse EOEA-site. Javë pas jave ato grupthe pasi linin në vendluftime si dëshmitarë disa nga bashkëluftëtarët më trima, shtrëngoheshin të tërhiqeshin nga vendluftimi i mëparshëm në të pastajmin, duke lënë kështu detyrimisht nën thundrat e përbindshave njërin vendbanim pas tjetrit. Thika EOEA-site ishte mjeti më i përdorshëm; shtatzënave u çahej barku, fëmijëve u pritej koka, pleqve e plakave e kujtdo tjetër që kapej u zihej fryma apo u shtypej kryet me pllaka shkëmbenjsh. Edhe qëndresa gjatë rrjedhës së lumit Kalama nuk zgjati më tepër se 15-20 ditë. EOEA-sitët kaluan në veri të rrjedhës dhe pas fare pak ditësh, natën e 21-22 shtatorit 1944 regjimenti i 24 EOEA-sit i komanduar nga majori çantalli, Ili Kaçua, mundi të futej në Filat; vartësit e tij vrisnin a thernin cilindo a cilëndo që gjenin përpara. Të nesërmen dhe ditët në vijim çdo shqiptar a shqiptare islamike mbetur ende gjallë, e mbyllnin nëpër bimësa dhe pas 2-3 ditësh grupe-grupe të lidhur varg njeri me tjetrin, i shpunë në vendet e paracaktuara jashtë qytetit dhe i grinin me thika e plumba.
Rreth 15-20 dhjetorit 1944, gjatë disa ditësh me shi të dëndur të pandërprerë, kur dukej "sikur ish çarë qielli" dhe nëpër një të ftohtë të llahtarshëm, EOEA-sitët, duke mos patur shteg tjetër, dëbuan kë kishte mbetur ende gjallë nëpër birucat e Filatit dhe të Paramithisë; gati 360-370 vajza, gra, fëmijë e plaka i vunë me shkop përpara dhe, duke mos ua ndarë atë nga kurrizi, i lëshuan hej nëpër pllajën malore të Shëndëlliut dhe grykën shkëmbore Koskë-Vërvë. Të lënë në një vend kur bora arrinte gati në një metër trashësi, kur shiu binte "si krahu" dhe murlani ushtonte e uturinte si i marrë, duke mos e ditur vendin për të dalë këtej kufirit, 25 vetë - kryesisht fëmijë rreth 10-vjeçarë, ngrinë nga të ftohtit; ndër ta edhe e mbesa e myftiut të Paramithisë, e vetmja e mbetur ende gjallë.
Në fillim të 1945-s EOEA-sitët avulluan prej Çamërie; njësi të ushtrisë ELLAS-ite i vunë përpara si dhitë e egra dhe i flakën nëpër ujdhezat jonike. EAM-i ftoi menjëherë çamërit të riktheheshin në vendbanimet e tyre dhe njëherit urdhëroi këshillat përkatëse të ngritura pas shporrjes së EOEA-sitëve që të kthyerve t'u jepnin çdo ndihmë të mundshme për të rifilluar jetesën në kushte lirie. Çamërit, të cilët po dergjeshin aty-këtu në mjerim e vuajtje e që po shuheshin nga dita në ditë, s'kishin udhë tjetër, veç kthimit. Brenda pak javëve çamërit mbuluan tërë trevën në veri të rrjedhës së Kalamait; dyshimi që i brente bëri që për matanë rrjedhës të nguronin. Mjerisht në fillim të marsit 1945 gjëndja ndryshoi rrëmbimthi. Për kushte apo rrethana që dihen, EAM-i dhe ELLAS-i pranuan marrëveshjen me fuqitë kundërshtare: mbeturinat e ushtrisë greke të përzëna tok me mbretin në maj 1941 si edhe me njësitë deri atëherë bashkë-vepruese me nazistët e sapoikur. Sipas saj EAM-i, me mendjelehtësinë më fëmijënore, pranoi që ELLAS-i (ushtria nacionalçlirimtare greke) të çarmatosej. Kur njësitë e saj po grumbulloheshin në aerodromin e Janinës dhe po dorëzonin armët, në hapësirën papritmas mbi ta u shfaqën gjuejtës-bombarduesit anglezë të mbretit grek. Duke u vërtitur sa andej këndej, shpraznin breshëri të pambarim plumbash dhe bombash mbi masën që vishte tërë fushën. Kërrdia merret me mend; ata që shpëtuan u bënë çep e këmbë. Të vënë menjëherë në dijeni mbi sa ndodhi në aerodromin e Janinës, mbeturinat EOEA-site të shpërndara bishtër-bishtër nëpër ujdhezat, qitën sakaq zverk si breshka nga guaska; në errësirën e mbrëmjes së asaj dite të mynxyrtë(5 mars 1945) zbritën në anëdetin çam dhe iu vërsulën tërbimthi çamërve islamikë dhe pjesëtarëve të vendkomandave të pakta ELLAS-ite. Brenda 3 ditëve shumica dërrmuese e çameve dhe çamërve islamikë kishte mbaruar nën tehat e thikave, kamave dhe sëpatave të EOEA-sitëve. Valës grirëse mundën t'i shpëtonin vetëm ata që, duke vrapuar, arritën të kalonin brenda kufirit shtetëror greko-shqiptar.
Organizata e Kombeve të Bashkuara, trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e Lidhjes së Kombeve -e cila në vitet 1913 e kishte mbyllur atë popullatë në burgun grek, të ngjashëm me zgavrën polifemike - nuk deshi të shihte lumenjtë e gjakut e as të dëgjonte klithmat, rënkimet, vajtimet e mjerimet e saj. Dhe ç'është edhe më keq, se ajo edhe sot e kësaj dite, kur çirret e ngjiret për drejtësi e liri, vetëm për shqiptarët islamikë çamër as që do të dijë. Është detyra e saj që ta shtrëngojë qeverinë e sotme greke të dënojë pararendësit e vet fajtorë, të mundësojë kthimin e çamërve dhe të përzënëve të tjerë në vatrat e pronat e tyre, duke u njohur atyre të drejta të barabarta me ato që pakica grekfolëse gëzon në shtetin shqiptar. Nëse BE-ja s'e bën detyrën e vet, atëherë asaj i pëlqen të mbajë në gjirin e vet një qeveri gjakatare, drejtësi e lirimohuese.
Krijoni Kontakt