Policia e Shtetit: Aleksander Keka, eksponent i trafikut te droges e eksplozivit
Ora 14:00 Tre orë nga vrasja me eksploziv e kryetarit të PDK-së Malësisë së Madhe policia e Shtetit informon në një prononcim për shtyp se viktima Aleksandër Keka ishte person me precedentë kriminalë në trafikun e drogës dhe të eksplozivëve me telekomandë.
“Duhet theksuar se shtetasi Aleksandër Keka prej vitesh është evidentuar nga strukturat e policisë lokale e qëndrore si person me precedent të theksuar kriminal me tendencë trafikun e lëndëve narkotike, trafikun e mjeteve motorike si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomandë.”- deklaroi zëdhënësi i Policisë së Shtetit Klodian Branko në prononcimin për shtyp të dhënë rreth orës 13.30 minuta.
Njoftimi për shtyp vazhdon me detajet e vrasjes. “Sot më datë 18.06.2009, rreth orës 09.45 në vendin e quajtur Grizhë, në aksin rrugor Koplik- Shkodër, mjeti Mitsubishi Pajero me targë SH 2125 E është parë nga dëshmitarë të pranishëm se ka pasur një shpërthim në ecje dhe dalje të menjëhershme të mjetit nga rruga”.
34 vjecari Aleksandër Keka, lindur e banues në fshatin Pjetroshan, komuna Kastrat, Malësi e Madhe është gjetur i vdekur nga strukturat e policisë lokale që kanë mbërritur në vendngjarje.
Policia thotë se mjeti fuoristradë në të cilën udhëtonte kryetari i degës së PDK-së ishe në pronësi të Arben Bitanit, biznesmen i vrarë në 2008.
Për hetimin e kësaj ngjarje policia thotë se janë angazhuar ekspertët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Laboratorit Qëndror Kriminalistikë, të Njësisë Antieksploziv etj. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
"Balkanweb"
Krijoni Kontakt