Nuk ka rëndësi nëse udhëton me tren, furgon, makinë apo autobuz. Nuk ka rëndësi as nëse ato tre-katër orë rrugë, që nga Tirana i bën në kohë me diell, shi apo borë. E rëndësishme është që në çdo moment do të kesh diçka për të parë, qofshin këto malet e Kërrabës, qytetet ku kalon, liqenin që shfaqet ashtu papritur dhe në fund një qytet, që plot krenari përballë teje tregon Moravën.
Me apo pa ekzagjerim, Korç a është quajtur “Parisi i vogël” i Shqipërisë Jugore. Sapo hyn në qytetin me tradita, e sheh që gjërat funksionojnë sipas një rregulli të rreptë, rrugë të pastra, njerëz të qetë, të cilët në një mënyrë apo tjetër i kanë bërë ballë “provincializmit”, duke mbetur secili ngapak borgjez në vetvete.
Nëse mbërrim në mbrëmje? Jeni të vendosur, që do të kaloni natën jashtë mund edhe ta bëni, por në raste festash si Krishtlindjet, Viti i Ri, Pashkët dhe fundjavat e pranverë-vjeshtës. Korça, ofron atmosferën e një qyteti modern, me bare, komplekse argëtimi, pub-e, disko dhe ambiente të tjera, ku luhet padyshim “music live”.
Korça, kryeqendra e juglindjes së Shqipërisë, e dominuar nga mali i Moravës në lindje të saj, është një nga zonat më interesante të Shqipërisë, me një kulturë të pasur dhe me tradita të shumta në fushën e artit, arkeologjisë, etnografisë, kuzhinës, arkitekturës, etj. Nëse ndalesh në këtë qytet, që natyra i ka falur një klimë të ftohtë në dimër dhe të freskët në verë, mund të kesh gjithmonë çfarë të bësh. Është dimër, ka dëborë? Përse nuk uleni pranë një vatre, sobe me dru dhe hani gjithçka, që ju ofron kuzhina? Mund të merrni edhe një kitarë e të këndoni. Ose, mund të shkoni (nëse rrugët premtojnë) në Dardhë e Voskopojë dhe të shijoni lakrorin e bërë nga “nikoqiret” korçare.
Është verë? Nëse nuk shkoni për plazh në qytetin e Pogradecit (ashtu si pjesa më e madhe e qytetasve bëjnë) Morava që tashmë e ka hedhur gjithë borën, është mjaft mikpritëse që ju të bëni një piknik e të shkoni tek pika e quajtur “Stefania”. Mos harroni, Korça është nga të vetmit qytete, që ka ruajtur traditën e xhiros së famshme. Xhiroja është një ritual që zor se do të ndryshojë. Dikush e bën për të kaluar kohën në një bar, dikush për të takuar të dashurën apo të dashurin, disa të tjerë për t'i vënë syrin ndonjë “çupke”, e kështu ndodh, të gjithë vishen bukur, me rrobat e tyre më të mira dhe kalojnë një mbasdite të këndshme, që është pjesë e ritualit të tre muajve të verës.
Nëse keni kohë të qëndroni në Korçë për disa ditë, pasi të keni provuar gjithë kuzhinën, pasi të keni dëgjuar serenata e të keni shkuar në lokalet e muzikës live që të kujtojnë buzuqet greke, me kulturën dhe historinë e këtij qyteti mund të njiheni duke vizituar Muzeun Historik, një ndërtesë me një arkitekturë të vjetër, e pozicionuar në Bulevardin “Themistokli Gërmenji”. Pak më poshtë, përgjatë bulevardit, “Muzeun e Arsimit Kombëtar”, i vendosur në ndërtesën që ka shërbyer si shkolla e parë shqipe në Shqipëri. Ndërsa të gjithë të apasionuarit e arkeologjisë, mund të admirojnë zbulimet e shumta në këtë fushë, të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik, i përuruar vetëm pak vjet më parë. Ai ndodhet pas Katedrales Ortodhokse, në qendër të qytetit, në një lagje karakteristike korçare me kalldrëm dhe shtëpi të zbukuruara gjithkund me lule.
MUZEUME:
“MUZEUMI I ARSIMIT KOMBËTAR” (Shkolla e Parë Shqipe në Korçë më 7 mars 1887)
“MUZEU I ARTIT MESJETAR”
“MUZEU ARKEOLOGJIK KOMBËTAR”
“MUZEU I KOLEKSIONIT BRATKO” (Arti i Lindjes)
MUZEU HISTORIK I RRETHIT te Kolonjes
KARNAVALET E KORÇËS
Festohen më 6 janar të çdo viti) Një rrit i hershëm butaforik social-satirik humoristik, me veshje të improvizuara dhe “Maska”. Në kohë ato kanë pasur kulmin e zhvillimit duke i shtuar gjallërinë dhe kulturën qytetit dhe herë për shkaqe të ndryshme kanë rënë në “letargji”, por asnjëherë këtë traditë të hershme dhe të veçantë nuk e kanë zhdukur kohërat dhe shkaqet subjektive … Ato do të “ zgjohen” përsëri. Mjafton të përmendim faktin që Karnavalet vazhdojnë të festohen në fshatin Polenë.
Gjurmët e para të jetës në këtë vend janë shfaqur qysh në epokën e neolititit. Lufta e Parë Botërore, bëri që ajo të pushtohej nga francezët. Eshtë pikërisht koha kur kryhet edhe bashkimi i zonës së Jugut me pjesën tjetër të Shqipërisë dhe kur në Korçë themelohet Liceu francez. Shumë herët u formuan në këtë qytet koret e mandolinatave si dhe një orkestër e përsosur. Me këtë gjallërim të muzikës filluan të kompozohen shumë këngë të reja, të shfaqen tablo muzikore, të organizohen koncerte madhështore të cilat nuk ishin parë ndonjëherë në qytetin e Korçës. U formua edhe shoqëria e "Arteve të Bukura" e cila dha një sërë shfaqjesh të shumta, ballo, etj. "Nabukudonsorët" dhe "Peshkatarët e perlave" korçarët i kanë interpretuar dhe shijuar qysh kur shijuan për herë të parë lirinë, në fillim të shekullit XX. Korça është shquar mjaft për kulturën e saj, civilizimin social dhe bukurinë e veçantë të qytetit, me rrugica e kalldrëme, shtëpitë me kangjella e serenatat e famshme korçare, me njerëzit e saj të talentuar që ka nxjerrë edhe në fushën e artit e kulturës e që kanë bërë emër në Shqipëri e në botë. Midis shumë, e shumë të tjerëve, do të përmendnim: Vangjush Mio, penel i pikturës korçare, Dhimitër Koleci, autor i ikonostasit të Kishës katedrale të Korçës, Naum Veqilharxhi , Elena Gjika , Tefta Tashko Koço, një prej zërave që nuk shuhet kurrë, Gaqo Jorganxhiu , Eleni Qirici, shqiptarja e parë në Hollivud, Dhaskal Todri, etj.
Krijoni Kontakt