Kosova, zbardhet plani i Serbisë për ndarjen
Ja tezat e palës serbe në tryezën e bisedimeve që nisin të hënën
Platforma e negociatorëve të Beogradit
Serbia do të ketë një platformë të qartë për të ardhmen e Kosovës të cilën do të kërkojë ta negociojë në bisedimet që nisin të hënën 20 shkurt në Vienë, kryeqyteti i Austrisë. Dy ditë para nisjes së bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës, bisedime që do të mbahen në Vjenë. “Gazeta Shqiptare” ka mundur të zbulojë tezat që negociatorët e palës serbe do të paraqesin ditën e hënë në tryezën e bisedimeve. Kjo është platforma e qeverisë serbe, e cila në thelb të saj ka ndarjen e Kosovës.
Platforma serbe është agresive dhe vazhdon të mbështetet në të njëjtën politikë agresive dhe nacionaliste për Kosovën. Ashtu siç shihet qartë edhe në dokumentin eskluziv që boton sot Gazeta, negociatat Serbia do ti vendosë dhe përqendrojë në planin për deçentralizim të Kosovës, e cila synon qartë një ndarje të tipit “kantonizim”, të cilin ata e quajnë territor i entitetit serb në Kosovë, mbi bazën e të cilit do të formohen njësitë e administrimit vendor. Kjo pikë bie ndesh qartë me parimet e grupit të kontaktit, në njërën nga të cilat thuhet qartë se Kosova duhet të vazhdojë të jetë subject shtetëror multietnik.
Kompetencat e serbëve
Platforma e qeverisë së Serbisë mbështetet mbi parimin e ndarjes mbi bazë etnike dhe për këtë synon që në planin e saj për deçentralizim kompetencat dhe të drejtat si dhe autorizimet e këtyre njësive vendore, komuna. Këto kompetenca janë autonomnia e plotë kulturore e komunave serbe si dhe e drejta e lidhjeve të veçanta institucionale me Beogradin. Autonomi të plotë në politikat sociale dhe të shëndetësisë, autonomia financiare dhe ekonomike, si dhe e drejta për të zgjedhur në këto komuna ose bashki drejtuesit e policisë lokale dhe organet e drejtësisë mbi bazën e parimit etnik, pra me kombësi serbe. Këtu vjen një pikë shumë interesante e projektit serb, në të kërkohet ndërlidhja ndërmjet këtyre territoreve në mes njëri-tjetrit dhe të trejave së Bashku me shtetin serb, duke e justifikuar si territore të cilat jo vetëm që kanë nevojë të vazhdueshme të mbështetjes ekonomike, por kanë njëherësh edhe domosdoshmërinë e furnizimit me kuadro dhe profesionistë nga Beogradi, për shkak të pamundësisë të shfrytëzimit të kompetencave me burimet ekonomike dhe njerëzore nga serbët vendas.
Liritë dhe të drejtat
Qeveria serbe në këtë platformë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e serbëve kërkon të bëhet një ligj me anë të të cilit të ndalohen të gjitha format e asimilimit dhe nxitjes së urrejtjes racore, nacionale dhe fetare. Në këtë ligj serbët synojnë ta kthejnë serbishten në gjuhë zyrtare në Kosovë, kjo gjuhë të mbrohet dhe të përdoret në shkolla dhe në të gjitha ambientet publike. Njëkohësisht platforma serbe synon qartë që të bëjë përdorimin e simboleve të veta kombëtare dhe fetare, nëpërmjet kartës së përdorimit të lirive dhe të drejtave fetare.
Pushteti qendror
Qeveria e Serbisë ka në plan të përfshijë në marrëveshjen për statusin përfundimtar detyrimin që autoritetet qendrore duhet të kenë në vendimarrje, për të marrë miratimin dhe konsensusin e deputetëve dhe të përfaqsuesve serbë si në parlament ashtu edhe në qeverisje. Pra pa miratimin e kësaj pakice bllokuese asnjë ligj apo vendim qeverie nuk mund të kalojë dhe kjo duhet të bëhet e detyrueshme nga ndërkomëbtarët për autoritetet qendrore. Njëherësh në këtë projektplatformë serbët synojnë që kurrë të mos ketë gjyqtarë shqiptarë për të gjykuar krimet ordinere të serbëve, por ata të jenë serbë ose ndërkombëtarë.
Garancitë
Pala serbe për të realizuar planin e vet natyrisht që ka menduar edhe për garancitë e nevojshme që do ti duhen për ta implementuar këtë marrëveshje. Si kusht për garancinë vihet integriteti territorial i Kosovës të cilën qeveria Serbe vazhdon ta quajë Kosovë dhe Metohi. Në këtë dokument thuhet se kjo marrëveshje do të arrihet si rezultat i një kompromisi historik politik. Me pak fjalë “garancia” është kërcënimi i përhershëm për ndarjen e Kosovës.
Krijoni Kontakt