Ke te drejte o Brar, po s'po durohen keta bij shkinash...
Qe shkrimi i ketij Sokol Djalit, Bujar Leskaj
Presidenti Rugova, Profeti i Kombit
Shkruan: Bujar Leskaj
Rrallëherë ndodh që teksa thërret një emër, sado gjeni të jetë ky i fundit, njeherësh ke parathënë edhe fate të mëdhenj. Kjo ndodh me Ibrahim Rugoven, njeriun që për diçka më pak se dy dekada, u shndërrua në një legjendë të kohëve tona moderne, në një mit përpara të cilit edhe vetë vdekjes do t’i takonte të tërhiqej në skutat pa dritë të saj.
Ibrahim Rugova, sidoqoftë, ka lënë mes ne shqiptarëvë një dritë të ndezur për të na kujtuar se ardhmëria nuk kërkohet kurrë përmes territ, por siç do të na e mësonte vetë lideri i madh, përmes dritës së paqes. Bash për këtë arësye, edhe statueta e Papa Gjon Palit në kabinetin e Rugovës ishte diçka më tepër sesa vetë përqasja e një filozofie të përqafuar me një klas-elegancë, e admiruar ndjeshëm nga kancelaritë e perëndimit.
Figura e madhe e Ibrahim Rugovës na bën të gjithë ne shqiptarëvë të ndihemi pjesë e nje procesi të gjatë deri në krijimin e një modeli perfekt të funksionimit të ndjesisë humane dhe parimeve universale të dashurisë edhe në kohën e urrejtjes dhe dogmës. Të gjitha këto që citova, janë thjeshtë vetëm njëra anë e dimensioneve që paraqet Rugova. Janë shumë të rrallë rastet në Krestomacinë e shqiptarëve të mëdhenj të të gjitha kohërave ku të rrijë krah për krah, kulturologu, politikani që shndërrohet në lider shpirtëror, dhe përmasa humane, si tek Ibrahim Rugova.
Shembulli i kolosit shumëdimensional shpeshherë ia kalon edhe vetë fantazisë më evolucioniste, ku përmes saj ngjizen në mënyrë perfekte virtytet më të larta dhe më të arrira te vetë rracës tonë. Elita intelektuale dhe politike , këndej dhe andej kufijve, më shumë se kurrë bëhet sot zëdhënëse e ndjesisë që Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosoves, Gandi bashkëkohor, esteti dhe teoricieni i letersisë është formula shqiptare më frytdhënëse.
Intelektuali i madh i formateve më të arrira të kohës , ia doli që në krye të herës të bëjë realitet atë çfarë secili shqiptar e kish menduar dhe aspiruar, ndonëse dimri ballkanik i kohës ishte shpeshherë një disfavor i madh, në dukje i pakalueshëm.
Veset e racës vepruan dhe ndaj Rugovës , ishte një reagim meskin , një përballje e kahmotshme e mediokritetit me intelektualin, e politikes vizionare e moderne me derivatet negative te saj, të shqiptaresisë së kulluar që kërkon të integrohet me ideologjine e stepave dhe zëdhënesit e tyre shqiptarë e jo.
Është pikërisht kështu sepse ai u ushqye me doktrinën e Pjeter Bogdanit, Nënë Terezës dhe Papa Gjon Palit. Të shkuarën kulturore shqiptare e racionalizoi në bashkëkohësi dhe më tej duke krijuar kështu një mendim politik të një lloji të veçantë. Duke e çuar më tej vështrimin tim në universin Rugovian duhet thënë se përmasat e këtij burri të madh kishin një interferencë të përkryer ku brenda një politikani të pashoq shkrihej një shkrimtar, estet, humanist dhe kulturolog po kaq i madh.
Paralelet e veprimtarise së tij do të bëhen me siguri një objekt jashtëzakonisht i madh i historianëve, biografëve dhe studiuesve. E tillë është vepra e Rugovës, një gur më shumë peshë në historinë moderne te shqiptarëvë, kudo ku ata jetojnë duke aspiruar ardhmërinë. Ky është një ndër mësimet më të mëdha të Ibrahim Rugovës.
Kur kombit shqiptar i qasej ora e ligë andej dhe këtej kufirit, kur perandoria e së keqes shfaqej në format e veta të idhta atje si pushtim i huaj e këtu si urrejtje klasore, vetëm dy burra patën tagrin dhe pergjegjësinë të rrinin brenda përkufizimit kantian “duhet të reagosh ndaj së keqës që të mos bëhesh fajtor për triumfin e saj” quhen Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha. Kur sot më tepër se kurrë, Kosova i është afruar ëndërrës së saj shekullore, pavarësisë, ikja e Rugovës tingëllon tejet tragjike.
Njeriu që më shumë se askush ideoi dhe udhëhoqi një nga proceset me delikate të shqiptarëve, pavarësinë, nuk do të mundet që në kuptimin fizik të shohë materializimin e endërrës që e kish ndërtuar vëtë. Lidhur me këtë, për ta avancuar idenë time po citoj në pak fjalë atë çfarë thotë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare: “është e vertetë se ai nuk do ta shohë dot dritën e pavaresisë për të cilën gjithë jetën ka punuar dhe është përpjekur, por le të na ngushëllojë mendimi se ai ishte një vizionar dhe si gjithë vizionarët e ka parashikuar dhe e ka parë pavarësinë e Kosovës shumë kohë më parë, atëherë kur rrallëkush e shihte dhe kishte besim në të”.
Ndërsa konsiderata ime personale do të ishte ajo që pas Skenderbeut në çetën e profetëve të kombit tonë Ibrahim Rugova zë të parin vend.
Lidhur me atë se çfarë ky përfaqësues i elitës intelektuale shqiptare do të rrezatojë gjithmonë ndër brezat që jetojnë dhe ndër ata që do të vijnë më vonë, si anëtar i kabinetit qeveritar te Republikës së Shqipërisë them se nuk do t’i rreshtim asnjëherë përpjekjet tona për ta lartësuar dhe nderuar ashtu si i takon dhe në të vërtetë ashtu siç është në mes nesh, Ibrahim Rugovën.
Hartimi dhe botimi i një përmbledhjeje ku do të përfshihen në të pothuajse të gjitha studimet mbi veprën dhe rolin e tij në fushën e politikës, humanizmit, eseistikës dhe kulturologjisë do të bëhët një realitet i prekshëm gjë që ne e premtuem në takimin e 4 nentorit të vitit të kaluar gjatë promovimit të vepres së plotë të Rugoves.
Një grup i caktuar shkrimtaresh, studiuesish historianësh dhe politologësh nga brenda dhe jashtë kufijve do të angazhohen tërësisht në këtë vepër të madhe. Nga ana tjetër në rastin më të volitshëm do t’i propozoj këshillit të ministrave që një nga rrugët apo sheshet kryesore të Tiranës të marrë emrin Ibrahim Rugova dhe do të vendoset përjetësisht edhe nje monument i liderit të madh.
Një nga rastet unikale ku një personalitet ka ndërtuar njëherësh me aktivitetin e tij shumedimensional edhe mitin e pathyeshëm të paqës edhe monumentin e përjetësisë.
Një jetë që vazhdon, ashtu siç ishte nisur, për të mbërritur tek harmonia njerëzore, tek aspirata që kishte lindur së bashku me Ibrahim Rugovën. Tani Rugova fillon jetën e tij, atë më të gjatën, udhëtimin përgjatë historisë, jetën pas vdekjes, duke mbetur për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, gjeopolitikë dhe model human e intelektual i përjetshëm.
Autori është Minister i Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë
Tiranë, 24 janar 2006
Krijoni Kontakt