Kur presidenti i Kosovës në mes të fjalës së tij përmendi pavarësinë e Kosovës, pos deputetëve të "Kthimit" nuk duartrokiten as deputetët majtistë, leninistë, marksistë, hysenistë, dugollistë etj. (si t´u themi shqiptarë?), por ulën kokën, çka në kësi rastesh nuk dëshmon gjë tjetër pos asaj se ata nuk janë për pavarësinë e Kosovës. A janë ata të vetdijshëm për gjithë atë reputacion e mirënjohje ndërkombëtare që e ka gëzuar, që sot e gëzon dhe që nesër do ta gëzojë presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova?
Shkruan: Myftar DRAGIDELLA
Sa të mjerë dukeshin deputetët majtistë shqiptarë dhe deputet e "Kthimit" në Kuvendin e Kosovës në mbledhjen e djeshme të këtij institucioni të lartë të shtetit tonë. Për herë të parë, atyre dje iu drejtua me një fjalë rasti edhe presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Daljen e presidentit të Kosovës në foltore e përshëndetën deputetët.
E përshëndetën vetëm deputetët e partisë së tij, më të madhës në Kosovë - LDK-së. Deputetët e PDK-së, edhepse kishin zënë vendet në sallë, nuk vepruan siç e do ky rend dhe ashtu siç vepruan deputetët e partisë tjetër me të cilën bashkëqeverisin Kosovën. Deputetët e AAK-së, që në mesin e tyre kanë Mahmut Bakallin, njërin prej atyre që u takua fshehtas me shefin e ish-sigurimit serb, Stanishiqin, as që kishin zënë vendet e tyre në sallë.
Presidenti i Kosovës, ashtu siç i ka hije një burrështeti të madh fillimisht dërgoi përshëndetjet e posaçme për të gjithë të pranishmit. Ai vazhdoi fjalimin e tij dhe kur përmendi pavarësinë e Kosovës, sërish shpërthejnë duartrokitje në sallë. Ishin duartrokitjet e atyre deputetëve që në këtë fazë tonën të zhvillimit qëllim kryesor kanë pavarësinë e Kosovës.
Ata që përcollën këtë seancë drejtpërdrejt përmes ekraneve televizive edhe nuk u çuditën fortë me sjelljet e deputetëve të "Kthimit" në Kuvendin e Kosovës, të cilët edhe herave të tjera kur përmendej pavarësia e Kosovës sikur mbyllnin veshët dhe ulnin kokat. Poashtu gjithmonë kur duhej të deklaroheshin rreth të gjithë atyre segmenteve të shtetësisë së Kosovës, ata përherë ishin kundër.
Ata prej sot kanë edhe aleatët e tyre nga dy partitë tjera majtiste shqiptare që vetën e quajnë "të dala nga lufta". Nëse ato vërtetë janë parti që dolën nga lufta, duhet të dëshmojnë këtë origjinë të tyre. Origjina e daljes nga lufta e dy partive shqiptare majtiste, thaçiste e ramushiane dihet si mund të dëshmohet.
Ajo duhet të dëshmohet me luftë konsekuente, në radhë të parë për pavarësinë e Kosovës, jo vetëm me fjalë, por e dhe me vepra. Të gjithë deputetët e këtyre dy partive majtiste, marksiste, leniniste, hyseniste, dugolliste e pse jo edhe nanoiste, milosheviçiste etj. janë mësuar të bëjnë zhurmë vend e pa vend dhe të çirren, gjoja se vetëm ata po luftojnë për pavarësinë e Kosovës, bile-bile ata ngrejnë "krye" që të shpallin disa deklarata e memorandume që Kosova të jetë e pavarur.
Ata sikur harrojnë se një garniturë deputetësh të Kuvendit të Kosovës, në një kohë shumë më të vështirë se kjo e sotmja e kanë shpallë pavarësinë. Ata në vend që të avancojnë ato përpjekje të paraardhësve të tyre, veprojnë të kundërtën. Asgjë nuk e pranojnë që ka levizur në drejtim të pavarësisë së Kosovës, deri sa ata nuk janë ulur në ato karrige të sallës së Parlamentit. Dhe ky është mjerimi më i madh i tyre.
Ata pos kësaj çirreshin se kur do t´u drejtohet atyre presidenti i Kosovës, i cili përherë deklaronte se është i gatshëm të bëjë këtë posa Kryesia e Kuvendit të parqesë në rend të ditës. Dhe ajo ditë erdhi. Ishte dje dita kur presidenti i Kosovës iu drejtua atyre me një fjalë që me kurrëgjë nuk kishte lëshuar pa ua përmenduar atyre deputetëve që "sorra ua ka mpirë mendet" dhe nuk shohin asgjë më larg se hunda e tyre.
Kur presidenti i Kosovës në mes të fjalës së tij përmendi pavarësinë e Kosovës, pos deputetëve shkije nuk duartrokiten as deputetët majtistë, leninistë, marksistë, hysenistë, dugollistë etj. (si t´u themi shqiptarë?), por ulën kokën, çka në kësi rastesh nuk dëshmon gjë tjetër pos asaj se ata nuk janë për pavarësinë e Kosovës.
A janë ata të vetdijshëm se asnjë parti e vetme dhe ansjë grupacion e aq më shumë marksistët e lenisistët nuk mund të sjellin pavarësinë për shtetin demokratik të Kosovës. A janë ata të vetdijshëm për gjithë atë reputacion e mirënjohje ndërkombëtare që e ka gëzuar, që sot e gëzon dhe që nesër do ta gëzojë presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Mos ata kanë menduar se presidente Rugova do t´u premtojë atyre diçka tjetër. Mos kanë menduar se presidenti Rugova do t´ua ngrehë veshët për të gjitha ato prapështi që janë duke i bërë disa "prijës" e disa deputetë të tyre.
Ata mashtrohen nëse presin që presidenti Rugova do të mirret me ata dhe ato çështje që matën me peshojën e barnatores. Presidenti Rugova edhe me fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës u tregua një burrështetas i madh sa që kurrë deri më tashti nuk ka pasur ky truall. Ai u tregua aq shumë i kujdesshëm, sa që brenda atyre minutave përfshiu, tamam, çdo shtresë të popullit të tij, çdo lloj të veprimtarisë që po zhvillohet në Kosovë dhe çdo segment të jetës e të punës që duhet të zbvillohet në këto troje për t´u arritur edhe de jure pavarësia.
Nga të gjitha këto që u përmendën nga presidenti dr. Ibarhim Rugova, sikur nuk u ra pika atyre kundërshtarëve të tij dhe të institucionalizmit në Kosovë. Dhe kur presidenti Rugova mbaroi fjalimin e tij, shpërthyen duartrokitje. Jo vetëm duartrokitje por edhe ngritje në këmbë në shenjë të nderimit ndaj punës dhe përpjekjeve të tij që gjatë dy decenieve i ka bërë për Kosovën. Sërish mbetën të ulur dhe me duar të shtanguara deputetët e "Kthimit" dhe deputetët që kanë synime të ngjashme si ata për institucionet e Kosovës.
Ata mbetën të ulur ndoshta se edhe ato pak mend që i kishin, në ato momente u kishin tretur. Kryeparlamentari Daci u dha 15 minuta kohë që të këndellen. Lëre 15 minuta, për ta nuk mjaftojne as vitet për këndellje kombëtare e mirësjelljeje, sepse të pandershmit kurrë nuk dinë të nderojnë.
Krijoni Kontakt