Nga Kujtim Borici
Në burgun 325 në lagjen “Ali Demi” të kryeqytetit, vazhdojnë të vuajnë dënimin e formës së prerë 68 gra e vajza , ku në 45 raste dënimet janë dhënë për veprën penale të vrasjes.
-[I]Aktualisht, të dënuara me vendim të formës së prerë të gjykatave dhe në paraburgim janë gjithsej 91 gra e vajza.
-68 prej tyre, të dënuara me vendim të formës së prerë janë të akomoduara në burgun 325 në lagjen “Ali Demi”, ndërsa 23 prej tyre janë në paraburgim në burgun 313 të kryeqytetit.
-Nga 68 gra të burgut në lagjen “Ali Demi”, 45 prej tyre kanë kryer veprën penale të vrasjes, ku në 37 raste, gratë kanë vrarë bashkëshortët e tyre.
-Në tërësi,masa e përgjithshme e dënimit për 68 gratë dhe vajzat e dënuara me vendim të formës së prerë të gjykatave, shkon në 820 vite burg.
-Në faljet e fundvitit nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, mes 62 të burgosurve që përfituan falje me dalje nga burgu ose ulje të masës së dënimit, ishte vetëm një grua. [/I]
Edlira B, rreth të 36-tave, është një ndër 68 gratë dhe vajzat e dënuara me vendim të formës së prerë të gjykatave që vazhdon vuajtjen e dënimit, 16 vjet privim lirie në burgun 325 në lagjen “Ali Demi” të kryeqytetit, ose siç njihet ndryshe, burgu i grave. Ka vrarë burrin e saj me pretendimin se i ka zhdukur djalin e donte ta çonte atë prostitutë. Asaj i duhet të ngrysë mes mureve të lartë e rrethimit të shumëfishtë 12 vjet privimin e lirisë.Përtej dramës së dyfishtë, zhdukjes së djalit, Samuelit, dhe krimit makabër, pasojat e të cilit vazhdon t'i vuajë, në bisedë e sipër mes pengjeve të shumta , ka dhe një merak, ikjen e moshës. “Kam qenë shumë e bukur, djemtë linin mendjen pas meje, por jeta më rrodhi keq, përfundova në qeli, ndërsa këtu ne gratë e kemi harruar erën e burrit, jo vetëm unë, por të gjitha”,-shton mes të tjerave 38- vjeçarja. Jo vetëm ajo që vetë e ka vrarë burrin, babain e dy fëmijëve të vegjël të saj,e praktikisht në këto kushte e ka të pamundur të gjejë një tjetër e të ndajë me të intimitetet e krevatit bashkëshortor, por dhe ata që kanë burrat legjitimë jashtë mureve, nuk kanë mundësinë praktike të flenë një natë me ta. Në bisedë e sipër me drejtoreshën e burgut të grave,psikologen Marinela Sota, mes të tjerave, krahas dramave të shumta të komunitetit të grave të dënuara në këtë kamp, përpjekjeve të shtetit e shoqërisë për rehabilitimin sa më të shpejtë të tyre, mësojmë dhe për këtë privim praktik të grave, mundësinë e kontakteve seksuale me burrat e tyre për vite e dekada, ndonëse ligji e lejon një gjë të tillë.
Nëpërmjet shifrave e fakteve..
Marinela Sota, drejtoresha, na tregon për të vërtetën e shprehur nga shumë gra të dënuara se “Kemi harruar erën e burrit!”. Në ligj dhe rregulloren e brendshme të burgjeve, shpjegon Sota, si burrave dhe grave që vuajnë dënimin e formës së prerë, u lejohen takimet speciale me bashkëshortët një herë në muaj. Por ndonëse për burrat kjo kërkesë e ligjit gjen zbatim në 11 burgjet e vendit (ka dhoma të posaçme takimesh për këtë qëllim), për gratë nuk alikohet kjo e drejtë. Kjo, sipas specialistëve, vetëm për faktin e thjeshtë se takime të tilla sjellin shtatzani e lindje më vonë, gjë e cila praktikisht e bën të pamundur vazhdimin e vuajtjes së dënimit nga të burgosurat. Ndoshta, në një të ardhme të afërt, edhe në burgjet shqiptare për gratë që vuajnë dënimin,pas masave të kontrollit të shtatzanisë, mud të aplikohen takimet speciale me burrat e tyre. Ndërsa për më të moshuarën e burgjeve shqiptare, Bedrie Veizatin nga Delvina (dënuar për plagosjen e ish-bashkëshortit), teksa thekson se gratë janë vetë fajtore që kanë përfunduar në këtë derë, nga ana tjetër, është mëkat që nuse të reja apo dhe meso gra, të presin pa fjetur me burrat e tyre 10 apo 25 vjet!
Sipas statistikave që ofrojnë drejtueset e burgut të grave,44 prej tyre kanë kryer krimin e vrasjes së personit (90% kanë vrarë burrat) e janë dënuar nga 13 deri në 25 vjet burg, 4 gra janë dënuar për veprën penale të vjedhjes, një për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë, 6 për trafikim (fëmijësh, prostitucioni,qeniesh njerëzore), një është dënuar për rrëmbim femije, 3 janë dënuar për mashtrim, 2 për trafikim të lëndëve narkotike, 2 janë dënuar për heqje të paligjshme të lirisë, dhe 5 të tjera për vepra të ndryshme penale.
Fakti që pjesa më e madhe e grave të dënuara kanë kryer krimin e rëndë të vrasjes, pohon psikologia Ingrit Balluku, kanë ngarkesa e trauma psikologjike të shumta, shpesh shumë të komplikuara,që jo vetëm kërkojnë punë të kualifikuar për minimizimin e efekteve të këtyre traumave, por vështirësojnë ndjeshëm dhe efektin rezultativ të rehabilitimit në jetë.
Të dënuarat, “Dhuna e burrave na çoi në krim!”
Vramë në kushtet e tronditjes së thellë si pasojë e gjymtimeve fizike e dhunës së burrave, jemi penduar për atë që kemi bërë e ndaj po vuajmë,por ajo që u bë nuk kthehet më!”,-pohuan gjatë bisedës pothuaj të gjitha të dënuarat që kontaktuam.Vetëm në 2-3 raste,të ndodhura ende nën efektin e peshës së rëndë të krimit makabër, deri dhe në inkoshiencë, të dënuarat pohuan se edhe nëse do të ishin në rrethana të atilla, të njëjtin veprim do të kishin bërë.
Në një nga dhomat e burgut të grave,takojmë dy të dënuara, nënë e bijë, Pranvera e Sonila Manjani, nga fshati Homesh i Gjoricës në Dibër, përkatësisht 49 dhe 18 vjeç. Kanë përfunduar në qeli më 2 shkurt të vitit 2004 pasi kanë vrarë burrin e babanë e tyre, 54- vjecarin Murat Manjani. Pranvera është dënuar me 20 vjet burg,ndërsa e bija, Sonila, me 9 vjet heqje lirie.“Jetonim si mos më keq në fshat , në Homesh të Gjoricës në Dibër, nuk kishim të ardhura minimale për jetesë,- tregon gjatë bisedës në dhomën e saj në burg Pranvera Manjani- mezi ngopnim barkun me bukë. Por kjo nuk ishte e keqja më e madhe, e keqja më e madhe, shton më tej 49 vjeçarja, ishte burri im katil, Murat Manjani”. Sipas saj, ai ishte një pijanec kronik, merrte të gjithë lekët e asistencës apo ndonjë lek që kishin në shtëpi dhe pinte. Vinte i dehur gjithnjë në shtëpi, rrihte gruan, rrihte fëmijët, me ç'të gjente, me drunj, me thika, me grushta, me shqelma, me ç'ti zinte dora.“Nuk më vinte keq për veten time, edhe pse më copëtoi këmbët, më shtrembëroi nofullat që edhe sot mezi flas, pasi ky qe fati im, por më shkatërroi dhe 7 fëmijët nga druri, m'i detyronte që natën të rrinin jashtë apo tek fqinjët nga frika, na u bë jeta e pa durueshme”,- shton mes lotëve Pranvera. Tregon gjithashtu se ajo nuk ka njerëz të saj që të interesoheshin, ndërsa pushteti lokal e policia e këshillonin, por prapë Murat Manjani, burri i saj, vazhdonte të ishte i dhunshëm deri në ekstrem.Ndërsa Sonila, e traumatizuar, pasi merr në prehër jastëkun e krevatit ku ka qëndisur një zemër mbi bezen e bardhë, ndërhyn, pasi mesa duket, thellë në një cep të zemrës e ndien jo vetëm dramën që vuan, por dhe dhimbjen për babain e vrarë, ndonëse katil. Ai ishte njeri i mirë kur nuk pinte, gjë që ndodhte tepër rrallë, vazhdon të tregojë Sonila, por ishte i alkoolizuar, i dhunshëm, nuk dinte ç'bënte, na masakronte..
Atë drekë të gushtit të 3 vjetëve më parë, në shtëpinë e tyre, në Homesh të Gjoricës, kishte ardhur për disa orë vizitë vajza e madhe e familjes së bashku me dhëndrin. Për të nderuar dhëndrin, tregon Sonila, nëna theri një nga tre pulat që kishim. Por nuk vonoi shumë çaste pas ikjes së motrës me burrin, dhe në shtëpinë e tyre gjysmë të rrënuar vjen Murati i pirë. Shkaku ishte gjetur, therja e pulës, e nisi dhuna. Fillimisht ndaj Pranverës që i thyen nofullën e poshtme, më pas ndaj Sonilës e fëmijëve të tjerë.. Nëna përfundon në koma në spital, ndërsa fëmijët e traumatizuar natën e kaluan jashtë..
Kështu me ditë, javë e muaj për 7 fëmijët (5 motra e dy vëllezër) dhe nënën e tyre fatkeqe..Ndërsa për shkak të vështirësive deri në pamundësi për të folur nga gjymtimi i pariparueshëm në nofulla, Pranvera i bën shenjë të bijës që të vazhdojë të tregojë për tmerrin,dhunën në familjen, deri tek krimi makabër.
Ndoshta që nga mosha 12 vjeç, vazhdon minorenia e burgosur Sonila Manjani, nga kjo dhunë sistematike e nga tmerri, krevati im pothuaj çdo natë u bë tavani i shtëpisë. Por edhe atje, Sonilës i duhej të qante në heshtje e të dëgjonte rënkimet e nënës dhe fëmijëve të tjerë nga dhuna barbare e babait të dehur. Nuk duhet të bënte as zhurmën më të vogël, pasi nga tavani vrima-vrima mund të diktohej nga babai dhe t'i nënshtrohej edhe ajo masakrës.Por dhe kjo ndodhi një natë, kur sapo ajo i kishte kaluar 16 vjetët. Këto momente tmerri, Sonila i tregon deri në atë çast kur është hedhur nga kati i dytë poshtë, pasi pas disa ditësh do të dilte nga koma e shumë gjëra nuk i mban mend si kishin ndodhur. … “Dëgjoi zhurmë, pasi nga një lëvizje ime e vogël, diçka kishte rënë në dhomën ku babai po rrihte nënën. Më diktoi dhe më zbriti poshtë. Filloi të më godiste me grushta, me shkelma ku të mundte. Më nxorri në derë të katit të dytë të shtëpisë, e atje më fluturoi e më hodhi mbi gurët grumbull në oborr”… Nga ajo rënie, Sonilës i kanë mbetur shenja të rënda në këmbë, në trup, ndërsa njëra dorë, pak mbi kyçe, pas thyerjes së pa riparueshme, i ka mbetur e përkulur dhe e gjymtuar përjetësisht. Megjithëse Sonila , e përlotur,përpiqet që ta fshehë disi me hapjen e mëngës së bluzës këtë masakër të babait, përsëri është e pamundur..
Ishte 2 shkurti i vitit 2004, rreth orës 17.00 pasdite dita e krimit të rëndë. Sonila tregon se atë ditë të ftohtë, ashtu si dhe ditët e tjera , babai vjen i pirë në shtëpi dhe nis dhunën. Kërkonte lekë se donte të dilte prapë për të pirë në klubin e fshatit. Por nuk kishin. Nis si zakonisht dhuna pa pushim. Këtë radhë, si mjet i dhunshëm përdoret kazma që punohet toka, por që në një moment, ndërron duart. Nga duart e babait të dehur, kalon në duar të bashkëshortes së tij.
“M'u errën sytë, nuk di ç'bëra, i rashë me kazmë në kokë dhe e vrava, shpëtuan fëmija, më pas u pendova, por ç'e do, ajo nuk kthehet më që ta ndryshoj me mëndtë që kam tani”,- ndërhyn në tregim Pranvera. Më pas vazhdon se ajo vetë e ka kryer krimin, ndonëse e pranishme ka qenë edhe vajza Sonila. Thotë se vajzën ia kanë ngatërruar kot , pasi ajo ishte fëmijë e nuk kishte gisht në krim.
..Por drama e të dënuarave nënë e bijë deri në krimin makabër të ndëshkuar nga drejtësia, është një nga shumë të tilla në këtë institut rehabilitimi për gratë e dënuara.
Fëmijët që vuajnë faturën e krimit të nënave të tyre
Në hyrje të burgut të grave, pasi ke kaluar tre kontrolle të gardianeve, ke lënë gjithçka personale në “postbllokun” e parë,së fundi ke kaluar dhe derën e rëndë metalike,përballesh me çerdhen e burgut. Është çerdhja e vetme në Shqipëri që funksionon “Non stop!”, me tre turne, ku përkujdestare të foshnjave nuk janë nënat e tyre,por edukatoret dhe punonjëset sociale të Institutit të Rehabilitimit. Në këtë çerdhe, siç na thanë e siç pamë dhe vetë gjatë vizitës, janë tre fëmijë të pafajshëm që kanë lindur dhe janë të detyruar të rrinë në këtë mjedis derisa të mbushin moshën 3- vjeçare. Marsela Kukaj, rreth dy vjeç e gjysmë,është më e madhja, u buzëqesh të gjithëve sapo futen në derën e dhomës së saj,ndërsa punonjëseve u drejtohet me emër. “Giti,Giti..”, thërret Marsela duke i zgjatur duart Ingrit Ballukut, psikologes së burgut të grave. Ndjekim me kureshtje e dhimbje njëkohësisht këtë skenë,që siç mësuam më pas nga punonjëset dhe drejtueset e burgut, është një gjë normale dhe e përditshme. Ingriti na tregon se Marsela ka lindur këtu në burg, pak muaj pasi e ëma e saj, Dilore Kukaj, nga Lezha u arrestua për vrasjen e burrit të saj. Ndërsa në krevatin tjetër në të njëjtën dhomë është Enisa Topuzi, rreth 8- muajshe, edhe kjo e lindur në burg pas prangave për 31- vjeçaren Manushaqe Topuzi nga Zallë-Dardha e Dibrës që akuzohet për vrasjen e bashkëshortit. Më i “privilegjuari” ndër tre fëmijët fatkëqinj, që rri i vetëm në një dhomë është Jetmir Tarazhi, i cili para pak kohësh mbushi vitin e parë të jetës së tij në qeli. Mësojmë se edhe pikënisja e jetës së Jetmirit është e njëllojtë si e dy fëmijëve të tjerë , ka lindur jo si bashkëmoshatarët, por në një sallë lindjeje ku Vitjana Tarazhi nga Mirdita, nënë e dy fëmijëve, dënuar me 25 vjet burg për vrasjen e një 12- vjeçari për hakmarrje, po nxirrte në jetë fëmijën e saj të tretë,tek dera ruhej me gardiane të burgut..
“Përkujdesemi maksimalisht për këta tre fëmijë,nuk u mungon asnjë gjë, as ushqimi, lodrat e shumta, asistenca mjekësore,por janë fatkëqinj, pasi vuajnë padrejtësisht pasojat e aktivitetit kriminal të atyre që i sollën në jetë, nënave të tyre”,-pohon Manushaqe Islami, një nga edukatoret e çerdhes së burgut të grave.
Ingriti na tregon se nënat e tre fëmijëve,në bazë të rregullores së burgut, kanë të drejtën e takimit dy herë në 24 orë me fëmijët e tyre,nga gjysmë ore për çdo takim, ndërsa periudhën tjetër, ata janë nën kujdesin e vazhdueshëm të edukatoreve e personelit tjetër të ngarkuar për këtë qëllim.
Në këto kushte, fëmijë që lindin mes telave me gjemba e rrinë brenda tyre deri sa të bëhen tre vjec, drama e krimeve makabër bëhet e dyfishtë, pasi fatura e tyre bie mbi krijesa të pafajshme. Drejtoresha e burgut, Marinela Sota, na tregon se në momentin që fëmija mbush tre vjeç, merret e dërgohet në institucione ,jetimore, nën përkujdesjen e shtetit, derisa të bëhen në moshë madhore, apo të merren ligjërisht nën kujdestari nga nënat e tyre kur të mbarojnë dënimin e dhënë nga drejtësia. Kështu, Jetmirit i duhet së paku edhe 22 vjet të tjera që të takohet në liri me nënën e tij.
Më e moshuara e burgjeve shqiptare
Në fund nëntorin që shkoi, në prag të faljeve që bën Presidenti i Republikës me rastin e Festave,73- vjeçarja Bedrie Veizati nga Delvina, por jo vetëm ajo (dhe funksionare të burgut), prisnin që ajo të përfitonte , të dilte në liri apo të përfitonte ulje të ndjeshme. Por asnjëra nga këto nuk ndodhi.
Bedria, konfirmojnë për “Spektër” drejtueset e Institucionit të Riedukimit “Ali Demi”, është e burgosura shqiptare më e moshuar, është dënuar me 8 vjet burg për plagosjen e të shoqit, cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë!”. Nuk ka bërë as tre vjet burg, e i duhet të rrijë këtu edhe 5 vjet të tjera.
“Unë nuk dal e gjallë nga këto mure,por më mbetet peng që të dal qoftë dhe një herë të vetme, të shkoj tek varri i tim biri që ma vrau ish-burri im katil,të vendos një tufë me lule e pastaj të iki në botën tjetër”-pohon mes lotëve e burgosura 73- vjeçare. Ndërkohë, tregon dramën e saj familjare, aktin e detyruar të plagosjes së ish-burrit deri në përfundimin në pranga e dënimin me 8 vjet burg. “Nuk kisha para bir i nënës, më kërkuan shumë por nuk kishte kush t'ua jepte, ndërsa ish- burri më vrau një djalë, donte të më vriste tjetrin,por unë u hakmora,qëllova mbi të, ndërsa ai pagoi dhe sot është i lirë”,-shton Bedrie Veizati.
Drama e familjes së saj, siç tregon mes lotëve ajo, nis më 8 qershor 1994, kur burri i saj Xhaferr Alushi, i therr me thikë Ramizin, djalin e saj 38- vjeçar. Pas krimit makabër, autori del i papërgjegjshëm. (Bedrija thotë se kishin 70 milionë lekë e ai pagoi), ndërsa martesa e të moshuarve merr fund.Bedria,e traumatizuar nga humbja e djalit, ikën në Greqi përkohësisht tek vajza, por një tentativë,fatmirësisht e dështuar e ish-burrit për të vrarë dhe djalin tjetër, e kthen të moshuarën përsëri në fshat. Por edhe pse të divorcuar, sherret e dhuna ndaj saj vazhdoi gjatë,deri atë paradite vere të 2002, kur në kushtet e tronditjes së thellë, ajo merr pushkën dhe qëllon mbi ish-burrin e saj.
“Mu errën sytë, mora një pushkë që ma kishte dhënë një rome fqinje, e qëllova,nuk di ç'bëra, në qeli mora vesh se e kisha plagosur në shpatull, kishte shpëtuar,por unë u dënova e jam sot këtu”,-tregon 73- vjeçarja Veizati.
Siç thotë sot e penduar, nuk do të kishte bërë atë që bëri, por ishte e vetme, e pafuqishme përballë dhunës, kërkoi ndihmën e policisë,së pushtetit lokal, por ata nuk ndërhynë për parandalimin në kohë të asaj që ndodhi..
Gratë parlamentare, mes grave të dënuara
Në fund të muajit që shkoi, në Ditën Ndërkombëtare të “Ndalimit të Dhunës ndaj Grave”, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, së bashku me deputeten Majlinda Bregu, ishin mes grave të dënuara në burgun “Jordan Misja” të kryeqytetit. Në takimin në mjediset e këtij institucioni, gra të dënuara rrëfyen pjesë të dramave personale, dhunës së pashembullt mashkullore, e cila rezulton të jetë shkaku kryesor që çoi në krimet makabër.
“Kush bën krimin, në çdo rrethanë, është përgjegjës për atë që bën, por në dramat tuaja të dhimbshme që kanë çuar deri në krime të rënda, veçanërisht për zënien e vendit që i takon gruas në jetën e sotme shqiptare, është dhe përgjegjësia e shtetit dhe shoqërisë, që duhet të reflektojnë”,- theksoi mes të tjerave kryeparlamentarja Topalli. Për kryeparlamentaren Topalli, është i dhimbshëm fakti që në burg të lindin e rriten fëmijë të pafajshëm,të vuajnë padrejtësisht fajet e nënave të tyre,ndaj ky problem duhet të rishikohet nga strukturat përkatëse shtetërore.
Disa të dënuara, pjesëmarrëse në këtë takim,i kujtuan Topallit se edhe në burg ato vazhdojnë të jenë inferiore në krahasim me të dënuarit burra; edhe në faljen që bëri Presidenti Moisiu në fundvit, theksuan ato, mes 62 të burgosurve që fituan lirinë apo ulje dënimi, ishte vetëm një grua.
“Ju premtoj,-theksoi në bisedë me të burgosurat Topalli,- se do të kontaktoj me Presidentin e Republikës duke i sugjeruar atij ushtrimin e kompetencës kushtetuese të faljes për disa raste të grave që vuajnë dënimin në këtë kamp”.
Marre nga Spekter
Krijoni Kontakt