Festivali i Këngës në RTSH dhe përfitimet e Artur Zhejit
Nga Xhelil Aliu -
Festivali i Këngës në RTSH, i cili sivjet zhvillohet për të 44-tën herë, ka lindur si një domosdoshmëri e zhvillimit dhe lëvrimit të këngës shqiptare.Dhe e vërteta është se nga viti në vit ai ka ardhur gjithënjë në rritje dhe nuk i ka zhgënjyer dashamirësit e shumtë të këngës. Që kur nisi për herë të parë, në fund të vitit 1961 e në vazhdim, ai ka sjellë vlera cilësore, si në aspektin muzikor e letrar, ashtu edhe në atë interpretues të këngës. Fakti që ne dëgjojmë edhe sot e kësaj dite këngë të Festivalit të Parë, të dytë e me radhë, tregon për punën e madhe profesionale e me pasion që kanë bërë krijuesit e këngës, kompozitorë, autorë tekstesh, orkestrues, intepretues, regjistrues e transmetues të saj nga njëri festival në tjetrin. Por, konstatojmë me këqardhje se kjo traditë e bukur është prishur në festivalet e fundit. Do të dëshiroja të kujtoja ndonjë nga këngët e këtyre festivaleve por, për fat të keq, nuk ka mbetur asgjë. Kjo, sepse drejtuesit që meren me festivalin nuk meren me atë që është esenciale, pra me vetë këngën. Duke patur si qëllim kryesor fitimin, ata i kushtojnë vëmendje anës spektakolar të festivalit, dritave, kostumeve, efekteve etj. Kjo llogjikë ka ndryshuar komplet mënyrën e organizimit dhe proçedurën e punës me të. Redaksija e krijimtarisë muzikore, e cila ka qenë një shkollë e vërtetë e këngës shqiptare, tashmë është kthyer në një sektor inekzistent, i cili ka hequr dorë nga qëllimi kryesor për të cilin është ngritur. Këngët e festivalit vijnë të gatëshme në CD, të regjistruara nëpër studio amatorësh, ndërkohë që mjeshtrit e zërit në Radio dhe studiot ku mund të bëhen regjistrime të mrekullueshme, heshtin. Nuk synohet tërheqja e firmave të njohura, të cilët jo vetëm e rrisin prestigjin e vepritarisë, por sjellin edhe elemente të reja në cilësinë e këngës. Nuk bëhet punë me këngëtarët, të cilët kanë mjaft probleme me të ecurën, me qëndrimin në skenë, me gjestikulacionet e tepërta, apo me imitimin në mënyrë shabllone të këngëtarëve të tjerë. Në këtë mënyrë Festivali nuk është më një skenë ku shpalosen vlerat e vërteta krijuese e interpretuese, një ballafaqim talentesh në kompozim e interpretim, por një vitrinë, ku ekspozohen mallra të prodhuara e të trukuara në punishte të ndryshme. Edhe nxjerja e Orkestrës që bën sikur ekzekuton, është një truk i rëndomtë, i cili tashmë nuk mund të pranohet më. Kjo mënyrë pune ka frenuar krijimtarinë e mirëfilltë të profesionistëve, ka larguar emra të njohur të këngës dhe rrjedhimisht Festivali i këngës në RTSH e ka humbur interesin e publikut. Unë nuk mund ta kuptoj festivalin e këngës pa emra të tillë si Adrian Hila, Shpëtim Saraçi, Redon Makashi, motrat Libohova, Aleksandër Gjoka, etj, të cilët e duan këngën dhe kanë dhënë gjithëçka nga shpirti i tyre, për ta bërë sa më të mirë atë. Drejtuesit e RTSH e kanë më lehtë ta bëjnë festivalin me emra pak të njohur, madje edhe me të rinj, që kërkojnë të bëhen të njohur nëpërmjet një veprimtarie të tillë. Kësaj kategorie mund t’i mbyllet goja edhe me pagesa minimale dhe njëkohësisht t’i faturohen edhe dobësitë e Festivalit. Sepse, dekoratat e sukseseve dhe autolëvdatat e tipit “a doni më për Belulin”, drejtuesit i marrin për vehte, siç bënë për pjesëmarrjen në Festivalin e parvjetshëm europian. Edhe pse kjo pjesëmarrje ishte një proçedurë e zakonshme e EBU, për vendet antare të saj, vetë Artur Zheji e Gëzim Podgorica dalldisën prej delirit dhe ishin gati të besonin se aty po lindëte vërtetë RTSH. Udhëtimet që bënë si shoqërues të këngëtares në Turqi, Ukrainë e gjetkë, si dhe intervistat e dhëna përditë prej tyre në ekranin e TVSH, i detyruan njerëzit të thonë: “More, kush ka kënduar? Këta, apo Anjeza Shahini?”. E njëjta gjë ndodhi edhe vjet me A. Hilën, P. Laçon e L. Çelon, të cilët sivjet nuk do të jenë fare në festival. Në dispozicion të Festivalit vihen shuma jo të vogla. Vjet KD i RTSH mirastoi fondin e festivalit prej 250 milionë lekësh. Por, është një shumë jo e më e vogël që mblidhet nga sponsorët e shumtë që i ofrohen kësaj veprimtarie. Por vetëm një pjesë e këtyre parave shkon në favor të këngës, të shpërblimit të krijuesve të saj, të këngëtarëve, të atyre që ia përcjellin publikut etj. Bile mund të themi që pikërisht ata që e bëjnë punën, shpërblehen më pak. Le të ndalemi pak tek mjeshtri i zërit, ose ai që siguron anën dëgjimore të këngës në publik. Dihet që kënga shijohet duke u dëgjuar. Provoni ta shikoni Festivalin në televizion, ku ka një figurë të bukur, një dekor të mrekullueshëm, kostume e ndriçime perfekte, por që nuk dëgjoni melodinë e këngës. Sigurisht, do të ndjeheshit ngushtë dhe festivali do të ishte i dështuar. Radio-Tiranës nuk i mungojnë ustallarët e zërit, të cilët ndër vite janë bërë mjeshtra të punës me të. Edhe mjetet nuk i mungojnë, madje studiot e saj i kanë zili edhe të huajt që vijnë e shikojnë. Por drejtuesit e RTSH i harxhojnë paratë duke marrë mjete me qera, ndërkohë që operatorët e pa lodhur të zërit dhe figurës, teknikët e regjsitrimit, të montimit e të transmetimit, ata që e bëjnë realisht punën, trajtohen si argatë me nga një lëmoshë qesharake. Vetëm me qeranë e paguar për një vit, ato mjete do të ishin blerë disa herë. Natyrisht, drejtuesit nuk e kanë hallin tek sigurimi i mjeteve. Ata duan që, nëpërmjet këtyre, të mbulojnë rrjedhjen e parave nëpër xhepat e tyre. Po t’i hedhësh një sy preventivit të festivalit, të merret mendja nga zërat e shumtë, nga struktura e emërtesa komplet parazitare dhe shpesh të pa nevojëshme. Një mori njerëzish, që nuk kanë asnjë lidhje me këtë veprimtari, nuk lenë gurë pa lëvizur për të regjistruar emrin në borderotë që bëhen për ndarjen parave. Pa llogaritur Drejtorin e Përgjithshëm ose Lalin e Madh, i cili këtu qëndron prapa listave, pasi edhe zarfi i shkon indirekt, janë një mori njerëzish të tjerë, të cilët i vënë vehtes emërtesën e drejtorit, vetëm për të përfituar një shpërblim të majmë nga fondi i festivalit. Kështu kemi Drejtor të Festivalit, Drejtor Artistik, Drejtor organizativ, Drejtor të Fonisë, Drejtor të Ndriçimit, Drejtor të Fotografisë, Drejtor Ekonomik, Drejtor Shtypi etj. pa hyrë në emërtesa të krijimtarisë, si regji, skenografi, skenar, koreografi, etj. Duke krahasuar preventivin e festivalit të vjetshëm me këtë të sivjetshmin, nuk ka si të mos çuditesh me rrumpallëhanen që udhëheq drejtorin e festivalit në caktimin e tarifave. Ja disa zëra, në lekë të vjetra:
ZËRAT VJET SIVJET
- Salla e Festivalit - 18 milionë 24 milionë
- Të ftuar artstë të huaj - 20 milionë 15.8 milionë
- Sigla e Festivalit - 7,5 milionë 7.5 milionë
- Foni me qera - 3 milionë 6 milionë
- Ndriçim me qera - 7,5 milionë 7.5 milionë
- Drejtori i Festivalit - 1 milionë 3 milionë
- Prezantuesi i Festivalit - 5 milionë 4 milionë
- Regjisori - 5 milionë 3 milionë
- Krijuesit muzikorë - 27 milionë 30,6 milionë
Bie në sy këtu pagesa që Gëzim Podgorica i ka caktuar vehtes. Kjo është ajo që deklarohet, por nuk ka naiv ta besojë që Gëzimi e mbyll festivalin me kaq pak fitim. Megjithatë, le të flasim për këtë që është e shkruar. Çfar pune të tepërt po bën sivjet për festivalin ky njeri, që e ka ngritur shpërblimin e vetë, nga një milionë, në 3 milionë? A nuk po bën detyrën e tij ai, për të cilën paguhet jo pak, por një milionë e dyqind mijë lekë rrogë në muaj? Pse u dashka që të paguhet përsëri, duke harxhuar pagën vjetore të dy gazetarëve të Radios, të cilët ai tashmë po i hedh në rrugë, duke mbyllur Kanalin e Tretë dhe një pjesë të Orkestrës. Duke mos u udhëhequr nga asnjë kriter apo ligj i aprovuar për këto tarifa, vjet ai i kishte caktuar regjisorit 5 milionë lekë, kurse sivjet 3 milionë lekë. Natyrshëm lind pyetja: Mos ndoshta sivjet ka më pak punë për regjisorin, apo regjisori i sivjetëm është më i dobët se ai i vjetshmi? Pse pikërisht 5 milionë, apo 3 milionë dhe jo 15 milionë, bie fjala, apo 2 milionë? Natyrisht që në llogjikën e pagesave të sotme, kur dëgjojmë që ky gazetar u ble nga iks TV me 7 milionë e tjetri u shit me 10 milionë, shpërblimi prej 5 apo 3 milionësh mund të mos duket ndonjë çudi. Por RTSH operon vetëm në bazë të tarifave të aprovuara, të cilat edhe këtu duhen respektuar për të qenë në rregull me ligjin. Pa dashur të ekzagjerojmë, nuk mund të mos habitesh nga shifra prej 7,5 milionësh vetëm për një sigël të festivalit, e cila nuk shkon më shumë se dy minuta. Salla e Festivalit, ka po ato kushte dhe përmasa që kishte vjet, kur u paguan 18 milionë lekë, kështuqë nuk kuptohet se pse tarifa e sivjetme është bërë 24 milionë!!! Po kështu mund të themi për të ftuarit nga jashtë ose për pagesa të tjera të panevojëshme, të cilat, tek e fundit, rëndojnë në kurriz të nivelit të këngës dhe festivalit në përgjithësi. Të gjitha këto e mjaft shqetësime të tjera e kanë kthyer Festivalin e këngës në RTSH në një veprimtari të rëndomtë. Ata që meren me organizimin e tij, nuk kanë qëllim kryesor këngën, por pakon që marin nga Babagjysh Festivali i Ri. Gjatë gjithë vitit ata meren me punët e tyre dhe në fund vijnë e bëjnë festivalin. Me mbylljen e siparit të natës së fundit, ata marin pakon dhe nisin përsëri pushimet e gjata njëvjeçare në pritje të pakos që do tu sjellë festivali tjetër. Këta njerëz zbehin emrin e madh të RTSH, i cili është rritur dhe ka fituar respektin e publikut nga puna dhe angazhimi i punonjësve, i gazetarëve, i krijuesve, e jo nga drejtuesit, të cilët në të shumtën e rasteve, kanë spekulluar dhe kanë abuzuar në kurriz të tij. Prandaj është detyrë e vetë krijuesve që të reagojnë ndaj mediokritetit të drejtuesve, të cilët po e zhvleftësojnë këtë festë tradicionale gati gjysmë shekullore të fund vitit, siç është Festivali i Këngës në RTSH.
Sot.
Krijoni Kontakt