Mediumet dhe politika

SPIRALJA E HESHTJES KËRCËNON OPINIONIN SHQIPTAR

Shkruan: Gezim MEKULI, Oslo

Gazetaria dardanase po manipulon me përmbajtjen e informacionit duke përdorur, vetëdishëm, nuancat e shumta të shkrimit e shprehjes gjuhësore. Është e njohur se "ndërtimi" dhe lansimi i dy llojeve të informacioneve mbi të njëjten ndodhi mund të ndryshojë për nga forma dhe përmbajtja, pa patur gabime konkrete në asnjerin verzion. Përzgjedhja e fjalëve dhe shprehjeve luan një rol të rëndësishëm. Kjo përzgjedhje është tregues se ç’synon të arrijë politikisht e ekonomikisht një institucion medial. P.sh. kryetitujt e gazetave të tipit: "Angazhimi i SHBA-ve në Afganistan dhe Irak" gjegjësisht "Agresioni i SHBA-ve në Afganistan dhe Irak" përshkruajnë dhe transportojnë një realitet politiko-ushtark që aktualisht ekziston. Por opionit publik i lënë përshtypje e i transporton vlerësime tërësisht të ndryshme, rreth krizës, strategjise dhe qëllimeve politike të aktorëve të saj.

Recipicientit shqiptar për një aktivitet, ndodhi apo deklaratë politke, është duke ju servuar informacione me përmbajtje, porosi e përshtypje të shumllojshme. Për shembull, mbi takimin e një politikani me studentet dhe te rinjet e kryeqytetit një nga gazetat e perdithsme shkruan, se: filan politikani "dokumentoi", "kristalizoi" dhe "konstatoi", ndërsa tjetra gazetë, oponente e politikanit, për të njëjtin takim informon, se: filan politikani "supozoi", "hamendi" dhe "mendoi".

Pastaj konstruktimi i fjalisë nga gazetarucët partiak, se: "salla për pritjen e perfaqësuesve të X partisë… ishte GJYSMË E MBUSHUR" ka asociacione, prapaskena e qëllime krejt tjera nga ai që thotë se: "salla për pritjen e përfaqësuesve të X partisë ishte GJYSMË E ZBRAZËT".

Spiralja e heshtjes në Kosovë

Është e njohur se shumica e individëve nuk e pëlqejnë të jenë të vetmuar, leqitur apo "hermetikisht të gjallëkonzervuar" vetëm e vetëm për shkak të pikëpamjeve, qëndrimeve e vlerësimeve të veta publike. Nga frika e izolimit intelektual e social këta "ndrydhin", dhe nëse është nevoja, edhe "tradhëtojnë" mendimet dhe qëndrimet e tyre politike, mendime të cilat do të ishin "në kundërshtim" me klimën dominuese të opinionit publik.

Shumica e njerëzve dhe "intelektualëve dhe intelektualeve burracake" i bashkangjiten qëndrimit dhe mendimeve të grupacioneve dominuese. Kjo ndodhë edhe atëherë kur hapur e qartë shihet se vlerësimi i grupacioneve dominuese në opinion është i gabuar. Për shembull, shqiptarëve të Kosovës, nga disa mediume masive shqiptare u imponohet përdorimi dhe futja e fjalëve ideologjike e copëtuese "Kosovar", "Histori kosovare" , "Letërsi kosovare"... në vend të asaj shqiptare. Politika mediale e këtyre mediumeve tenton të pjellë, krijojë, formësojë e vizatojë një „popull" të paqenë; të ri e artificial nga populli antik shqiptar. Ndërkaq intelektualë e intelektuale shqiptare të Tiranës, Prishtinës e Tetovës heshtin një heshtje mortore!

Shembulli shkollor nga historia moderne do ishte ai i Rajhut të Tretë. Shum intelektualë, akademikë e punonjës të kulturës heshtën, ndihmuan dhe iu bashkangjiten klimës dominuese politike gjatë sundimit të NSPD-së hitleriane të vitit 1939. Edhe pse botërisht përflitej e dihej se ky opinion, strategji e orientim politik ishte i gabuar politikisht e i varrosur historikisht!

Fituesit dhe humbësit e mediave dështake

Me ndihmën e "CT-së së opinioneve" qytetari dhe intelektuali dardan vazhdimisht është duke kërkuar "të zbulojë", se në ç’raport është mendimi i tij me qendrimet e "shumicës sunduese", gjegjësisht të "pakicës së nënshtruar". Ky "rentgenizim i opinioneve" në rrethana tjera do të realizohej pjesërisht me ndihmën e vetvëzhgimeve përsonale, por në shoqërinë tonë janë mediumet ato që shprehin klimën e opinionit publik.

Klima e opinionit publik shqiptar ka humbësit dhe fituesit e saj. Ka pikëqëndrime e projekte që përkrahen nga shumica, por ka edhe aso që nuk përkrahen, apo që përkrahen nga "një numër krejt i pakët" i tyre.

Në këtë etapë është duke u aktivizuar frika nga izolimi, dhe kjo krijon qëndrime të ndryshme kundrejt ndodhive politike me përkrahje të ndryshme. Ata të cilët po gjejnë përkrahje për mendimet dhe qëndrimet e tyre, po fitojnë vetëbesim të fuqishëm, po bëhen më aktivë dhe po marrin pjesë në debate të jetës politke, sociale e ekonomike. Ata të cilët po "e kuptojnë" se i përkasin klimës "së opinionit pakicë", vetëtërhiqen, bëhen pasivë dhe ndjejnë se është e vështirë të mbrohen e të lansohen pikëpamjet dhe mendimet e tyre (edhe pse të drejta shkencetarisht e historikisht) në mediat publike.

Kështu debati i shoqërisë dardane, debat i "lindur dhe brumosur"nga rrethanat sociale, ekonomike e politke dhe stimuluar nga mediumet masive, do të karaktersizohej e orientohej në dy drejtime: Nga ajo shumicë që është në ofansivë, dhe ajo pakicë që është në defanzivë. Se sa do të mbijetoj kjo "klimë gladiatorësh" në hapsirën shqiptarë, mbetet të shifet!

(Marre nga revista Pasqyra-www.pasqyra.com)