Shoqërohen në polici disa persona por lirohen pas ballafaqimit. Në sitë të gjithë të skeduarit për krime të ngjashme
Maniaku tenton të përdhunojë 10-vjeçaren brenda në shkollë
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një klasë bosh të shkollës 9- vjeçare “Vasil Shanto”, pas mësimit
Dashamir Biçaku
TIRANË - Maniaku seksual tenton që të përdhunojë vajzën dhjetëvjeçare, nxënëse në shkollën 9- vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur të premten në kryeqytet pas mbarimit të orarit të mësimit në shkollën 9- vjeçare. Maniaku është prezantuar në klasë si një mjek dhe ka kërkuar që të marrë vajzën e vogël. Ai e ka gënjyer atë dhe e ka futur në një klasë bosh. Pasi ka mbyllur derën, maniaku ka tentuar që të zhveshë dhjetëvjeçaren dhe të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me të. Vajza e mitur ka mundur që t’i shpëtojë kthetrave të maniakut dhe është larguar me vrap duke braktisur shkollën. Menjëherë vajza ka shkuar në shtëpi dhe iu ka treguar prindërve ngjarjen e rëndë. Nxënësit e klasës së katërt të shkollës 9- vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë kanë pohuar përpara policisë së “mjeku” nuk ka treguar përse e ka marrë me vete shoqen e tyre. Pas marrjes së denoncimit nga familja policia ka kryer verifikimet përkatëse por pa mundur që të gjejë njeriun që ka tentuar të përdhunojë vajzën e vogël. Disa persona janë shoqëruar në komisariat por pas ballafaqimit me të miturën janë lënë të lirë pasi ajo dhe shokët e klasës nuk kanë njohuar asnjë prej tyre.
Nxënësit
“U prezantua si mjek, por ne nuk na tha se përse donte ta merrte shoqen tonë të klasës”. Kështu mësohet të kenë, pohuar nxënësit e klasës ku mëson 10- vjeçarja e dhunuar nga një person i paidentifikuar të premten e kësaj jave. Menjëherë pas marrjes së deklarimeve të mësipërme, policia ka nisur verifikimet e saj dhe ka nisur hapjen e dosjeve të disa personave të njohur dhe të evidentuar prej saj me prirje të tilla. Pasi kanë parë fotografitë e policisë nxënësit kanë pohuar se nuk kishin parë asnjë prej tyre në shkollë. Nisur nga përzgjedhja e vajzës, policia ka ngritur dyshimin se personi duhet të njohë mirë atë ose familjen e saj. Burimet e policisë pohojnë se nga verifikimet që ata kanë kryer deri më tani, dyshojnë se personi që ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me nxënësen e klasës së katërt të shkollës “Vasil Shanto”, duhet të jetë person që ka ardhur së fundmi në kryeqytet, ose së paku mund të jetë qeraxhi në zonën e Tiranës së Re, ose përreth shkollës.
Verifikimet
Skandali i ndodhur në shkollën 9- vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë, ka bërë që policia e kryeqytetit të nisë verifikimin e dhe rihapjen e të gjitha dosjeve të maniakëve seksualë, të skeduar prej bluve. Pas tentativës për përdhunim të vajzës së vogël dhjetëvjeçare policia ka vënë në sitë të gjithë maniakët seksualë të skeduar prej saj. Gjithashtu është kërkuar informacion prej këtyre të fundit edhe në disa rrethe të tjera të vendit për të bërë të mundur përafrimin e përshkrimit me personin që kreu aktin e mësipërm të premten në shkollën 9- vjeçare “Vasil Shanto”. Fakti i mësipërm, pohohet për “Shekullin”, nga burime të komisariatit nr.2, të cilët shtojnë se ata kanë shoqëruar në ambientet e tyre disa persona me ngjashmëri me personin i cili sulmoi vajzën 10- vjeçare. Gjatë ballafaqimit për njohje dhe gjatë verifikimit të kryer nga policia dhe hetuesit, të gjithë të shoqëruarit kanë rezultuar se ishin të papërfshirë në këtë ngjarje. Kjo ka bërë që hetuesit e policisë kriminale dhe inspektorët e rendit në lagje të nisin verifikimet për evidentimin e personave me prirje perverse. Burimet e policisë shtojnë se personi i cili është shfaqur në shkollën “Vasil Shanto”, të premten, ka qenë i veshur mirë dhe i mbajtur, jo më tepër se 35 vjeç dhe me një paraqitje normale. Drejtori i policisë së kryeqytetit, kryekomisar Albert Dervishi, pohoi dje në mbrëmje për “Shekullin” se po kryheshin të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim zbulimin dhe ndalimin e autorit të këtij krimi të rëndë.
I dyshuari
Kjo ka bërë që policia të evitojë variantin e një veprimit të kryer nga persona që mund të klasifikohen në listën e endacakëve apo njerëzve të rrugëve. I vetmi person i cili ishte dyshuar si më i mundshmi nga policia ka qenë një burrë rreth të 50-ve me tipare të përafërta me ato të personit që kishte marrë vajzën 10- vjeçare në shkollë të premten. Edhe ky gjithashtu si disa të tjerë të shoqëruar, është marrë dhe është pyetur nga inspektorët e policisë kriminale të komisariatit nr.2, por është lënë prej tyre sapo është kryer ballafaqimi për njohje. E dëmtuara dhe nxënës të klasës së IV të shkollës ku mëson e mitura, i kanë pohuar policisë se personi që ata kishin përpara syve nuk ishte ai që kishte kërkuar shoqen e tyre në klasë. Kjo ka bërë që policia të lërë të lirë të kërkuarin dhe të kërkojë të dhëna të tjera edhe më plotësuese në lidhje me paraqitjen, mënyrën e komunikimit dhe të dialektin e të dyshuarit. Gjithashtu është marrë në pyetje edhe mësuesja e orës ku ka qenë duke bërë mësim vajza e mitur si dhe roja i shkollës, i cili sipas policisë duhej të kishte ndaluar hyrjen në shkollë të personave të jashtëm dhe të paautorizuar.
Ngjarja
Një burrë ende i paidentifikuar ka hyrë pa leje në mjediset e shkollës 9- vjeçare “Vasil Shanto” në kryeqytet dhe ka kërkuar që të marrë një nga nxënëset e klasës duke e thirrur në emër. Ai është prezantuar tek nxënësit e klasës së katërt si mjek por nuk ka treguar përse e donte vajzën e vogël 10- vjeçare
Tentativa
Pasi e ka mashtruar vajzën, maniaku e ka futur në një klasë të shkollës, e cila ishte bosh pasi kishte mbaruar mësimi. Ai ka mbyllur derën dhe ka tentuar që të zhveshë vajzën e vogël për të kryer marrëdhënie seksuale me të. Fatmirësisht 10- vjeçarja ka mundur që të shpëtojë dhe të ikë me vrap nga klasa ku ishte futur
Mjekët
Pasi kanë kryer ekspertizat, mjekët kanë pohuar se maniaku nuk ka mundur që të kryejë marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur. Sipas tyre, ajo ka shenja të shumta dhune në trup dhe në këmbë. Gjithashtu vajza 10- vjeçare është tronditur psiqikisht dhe do të duhet të kalojë një periudhë rehabilitimi
Krijoni Kontakt