Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Koha për të formuar të majtën reale

    Koha për të formuar të majtën reale

    Nga Koço Danaj


    3 korriku ose epilogu i shkatërrimit të së majtës së tranzicionit

    E majta i humbi zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut 2003. Pavarësisht nga aritmetika e përdorur, u vërtetua se politika nuk është aritmetikë. Disa drejtues të së majtës përpiqen ta shpjegojnë krizën e saj me sherret disavjeçare individuale të politikanëve të ndryshëm të së majtës. Sipas tyre, largimi i tyre do shpëtojë të majtën. Disa të tjerë me të ashtuquajturat taktika elektorale etj. Disa të tjerë me “sikur”.
    Zgjedhja si alternativë elektorale për fushatën e 3 korrikut, rikthimi në vitin ‘97 nuk kishte të bënte me grindje individësh, por me mungesë idesh dhe vizionesh për të ardhmen. Ishte kjo mungesë që e ktheu të majtën 8 vjet pas. Kur njerëzit kërkonin shpresën e mirëqenies dhe sigurisë për jetën, drejtuesit e majtë ju dhanë qytetarëve në “pjatën politike” realitetin e vdekjes dhe makrabitetin.
    E majta në Shqipëri është në krizë; e majta në Shqipëri është në zhgënjim; e majta është e dëshpëruar. Por njëkohësisht e majta është edhe në pritje. Ajo është në pritje të analizës, të alternancës, të alternativës. Ajo nuk pranon të jetë akoma një e majtë vetëm politike apo historike. Ajo kërkon të jetë një e majtë moderne, ekonomike, sociale, morale dhe spirituale. Prandaj drejtuesit e vjetër dhe të rinj të së majtës kanë nevojë ta lexojnë saktë mësimin e 3 korrikut:

    Në Shqipëri nuk ka parti politike të majta

    Problemi është më i thellë se një humbje elektorale. Zgjedhjet e 3 korrikut treguan se në Shqipëri ka me shumicë dërrmuese majtistë, ka rryma dhe grupe të majta. Por nuk ka parti politike të majta. Natyrisht jo në emërtim, jo në etiketë, por në thelbin e tyre teorik dhe veprimtarinë e tyre praktike. Drejtuesit e së majtës aktuale kanë koncepte të ndryshme mbi botën, mbi jetën. Këtë koncept ata ja kanë veshur edhe rrymave të quajtura parti, grupeve të quajtura parti. Të ashtuquajturat parti politike të majta, si thelb të tyre nuk kanë programet politike, ekonomike dhe sociale, por konceptet e drejtuesit apo drejtuesve të tyre.
    Prandaj kjo gjendje e së majtës në Shqipëri, ku ka me qindra e mijëra të majtë, ku ka rryma të paraqitura si parti, por nuk ka parti politike të majtë, shtron imperativin e rikrijimit të partisë politike të së majtës. Por ajo nuk rindërtohet dhe bashkohet nga një shumësi individësh apo ndryshim kozmetike programesh. “Kudo në botë vendet bashkohen, sepse bashkimi përbën forcë, u shpreh Toni Bler në fjalimin e mbajtur në Parlamentin Evropian më 23 qershor 2005. Po si bashkohen? Mbi bazën e ideve dhe programeve për të ardhmen e popujve të cilëve u përkasin”. Ndërsa në Shqipëri të vetëquajturat parti të së majtës janë bashkuar mbi bazën e koncepteve të drejtuesit apo drejtuesve të tyre.

    Si u ndal procesi i formimit të partive politike të majta në Shqipëri?

    Është e vërtetë që pas vitit 1997, Lëvizja antirevanshiste që gabimisht quhej Parti Socialiste filloi gradualisht të konturohej si parti politike së bashku me disa të tjera. Por pas vitit 2000, procesi i konturimit të saj si parti politike u ndal dhe filloi procesi i formimit të rrymave dhe grupeve të majta.
    Tre shembuj janë të mjaftueshëm për çka thamë më lart: Pas viteve 2000, disa drejtues të së majtës “të rinj e të vjetër”, në emër të modernizimit i hapën rrugë avancimit në pushtet dhe drejtim partie të individëve që etiketoheshin: “Progresistë dhe Shoqëri Civile».
    Përkundër asaj se çfarë u propagandua, koha tregoi se këto dy etiketime ishin parashenja e shkatërrimit të së majtës nëpërmjet depolitizimit të saj që mori formë të plotë më 3 korrik 2005.

    E para: “Progresistët” ose një objekt politik i paidentifikuar

    Në çdo shoqëri ekziston një shtresë progresistësh që me idetë e saj i hap rrugën zhvillimit të vendit. Si e tillë ajo ekziston edhe në shoqërinë shqiptare dhe përbën dukurinë më shpresëdhënëse për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Por asnjëherë lidershipi i së majtës, në asnjë nga forumet e tij drejtuese, as në tërësi, por as edhe në mënyrë të veçantë nuk e mori mundimin të shtronte pyetjen: Cilat janë bindjet politike të shtresës progresiste që ai e afroi në parti dhe në pushtet? Në qoftë se do të pranohet apriori se janë të majta, atëherë do të shtrohet përsëri një pyetje tjetër: Po progresistë apo shtresë progresiste me bindje të djathta a ka në Shqipëri? Natyrisht që po. Progresistë ka edhe në PD, të tillë ka edhe në PR, PDR apo në partitë e tjera politike shqiptare të spektrit të djathtë. Termi “Progresistë” nuk është tregues bindjesh politike, por tregues i konceptit mbi botën. Ata që priren drejt zhvillimeve dhe ndryshimeve pozitive janë progresistë, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Të pranosh termin progresist si shkallën më të lartë të të qenit parti, do të thotë të mos kesh parti politike, ose edhe po ta kesh ta shkatërrosh atë.

    E dyta: “Shoqëria civile” ose një nocion social i shtrembëruar

    Progresistët jetojnë në gjirin e shoqërisë civile. Por përsëri asnjëherë lidershipi i majtë nuk analizoi se çfarë përbën në vetvete kategoria sociale e paidentifikuar me emrin “shoqëri civile”. Në të kundërtën, pas emrit të saj thirri në drejtimin e të ashtuquajturave parti, të qeverisë apo administratës një numër të madh drejtuesish dhe funksionarësh nga shoqëria civile. Dhe asnjë strukturë drejtuese e së majtës apo individ i këtyre strukturave drejtuese nuk kërkoi të dinte se çfarë përfaqëson politikisht kjo prurje për vetë qenien dhe thelbin e së majtës.
    Asnjëherë problemi nuk u shtrua se cilat janë bindjet politike të kategorisë së quajtur “pjesëtar i shoqërisë civile”, e cila avancoi deri në drejtimin e partisë apo të qeverisë të së majtës dhe përse lidershipi i majtë në Shqipëri doli kundër qëndrimit të Partive Socialiste evropiane lidhur me rolin e shoqërisë civile. Cili është ky rol dhe cili është qëndrimi i PSE mbi shoqërinë civile? Në manifestin e së Majtës së Re të firmosur nga Bler, Shrëder, Uim Kok dhe Parson midis të tjerash thuhet se: “Shoqëria civile është një nga shtyllat kryesore që parandalon abuzimin me pushtetin, duke mos qenë në pushtet”. Më vonë ky deduksion i rëndësishëm është sanksionuar edhe në Statutin e PSE.
    Në qoftë se do të konvertojmë shtresën e emërtuar “progresiste dhe shoqëri civile” të përdorur deri në inflacion nga lidershipi i majtë, rezulton një tablo e tillë: Termat “progresistë dhe shoqëri civile” në më të shumtën e rasteve kanë shërbyer si parzmore e shokëve apo grupe shokësh të këtij apo atij drejtuesi të së majtës. Fshehur pas “progresistëve dhe shoqërisë civile” ata afruan brenda mundësive që kishin në hierarkinë partiake dhe qeverisëse, njerëzit e tyre në qeveri, administratë shtetërore apo parti.
    Aktualisht, në gjirin e së majtës ekzistojnë dy pole: “Poli kontestues dhe poli administrues”. Por si poli kontestues, ashtu edhe poli administrues që kërkojnë ta riparojnë të majtën dhe jo ta rindërtojnë atë, kanë përballë tyre “shtresën e rrogave të ulëta”. Realisht ajo është qindramijëshe. Politikisht ajo përbën një “Sfinks lemerisës” për ta përballuar. Praktikisht ajo nuk bindet as me riparime partish dhe as me fosile mentalitetesh partish. Ajo nuk mashtrohet as nga ndonjë apo disa përfaqësues të të ashtuquajturve progresistë që vazhdojnë të jenë në drejtimin e polit kontestues apo polit administrues të së majtës shqiptare.

    E treta: Shitblerja e votave më 3 korrik 2005, si akti i fundit i shkatërrimit të së majtës.

    Është ndoshta rasti më unikal dhe i vetmi që ka ndodhur në Evropën e para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur me mijëra militantë dhe simpatizantë partie e çonin votën jo atje ku dëshironin, por atje ku u thoshin. Por është edhe domethënia më e saktë e mosekzistencës së partive politike të majta. Në çdo parti politike në Evropë, në qoftë se do guxonte ndokush të urdhëronte transferimin e qindra mijëra votave nga një parti në tjetrën, nuk do të mbushte as javën në postin partiak, por do largohej nga partia dhe askush nuk do t’i bindej. Vota politike nuk tjetërsohet kurrë, prandaj edhe quhet Parti Politike. Ndërsa vota e rrymave dhe grupeve që drejtohen nga individë apo grupe individësh që nuk janë akoma parti politike, ajo tjetërsohet, sepse ajo është shkalla më e ulët e ndërgjegjes politike.
    Prandaj rindërtimi i së majtës fillon nga ripolitizimi i saj. Është një ripolitizim pa rrugë tjetër. Nuk ekziston në botë asnjë parti që të mos jetë politike, me përjashtim të së majtës shqiptare. Por kjo dukuri nuk ka të bëjë vetëm me majtistët, por edhe me gjithë shoqërinë. Totalitarizmi, thotë Hanah Arendt, lind nga një shoqëri e depolitizuar.
    Cilat janë tiparet e asaj që quhet deri tani e majtë?
    Pavarësisht dukurisë së fundit, kur një apo disa grupe nuk pranuan të quhen parti të majta, përsëri ka grupe të tjera që quhen të tilla, qysh nga viti 1991. Po cila është kjo e majtë si shtresëzim dhe mentalitet qeverisës?

    E majta e historisë

    -Një shtresë prej tyre është e majtë për të vetmin fakt se kanë ardhur nga Partia e Punës. Me sulmin që bëri lëvizja antikomuniste në fillim të viteve ‘90, me revanshizmin e disa segmenteve të kësaj lëvizjeje, ata e gjetën më të arsyeshme aderimin si bllok në të majtën socialiste, pa qenë të tillë. Shndërrimi i Kongresit të fundit të PPSH-së në Kongres të Parë të PSSH-së ishte treguesi i parë i konvertimit të së majtës komuniste në të majtë socialiste. Kjo e majtë është e nevojshme, por nuk është e mjaftueshme, ashtu siç është e gabueshme identifikimi i gjithë së majtës me këtë pjesë të saj.

    E majta e 29 Nëntorit 1944

    -Një shtresë tjetër prej tyre është e majtë për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me Luftën NÇL dhe datën e çlirimit të saj. Të gjithë ata që pranojnë 29 Nëntorin si ditë çlirimi, janë të majtë. Kjo është e majta e 29 Nëntorit. Është përsëri një e majtë e nevojshme, por nuk është e mjaftueshme, ashtu siç është e gabuar kthimi i “Orës politike” më 29 Nëntor 1944. Me rrymat apo grupet e tjera të majta këtë shtresë e lidh vetëm mbrojtja që ajo i bën 29 Nëntorit dhe në tërësi Luftës Antifashiste. Problemi është vështirësuar kur edhe lidershipi i së djathtës ka filluar ta marrë në mbrojtje Luftën Antifashiste.

    E majta antiberishë

    -Një shtresë tjetër është e majtë, sepse është antiberishë. Mosmarrëveshjet me Berishën, kontradiktat me të, identifikimi i së djathtës te një individ e ka bërë këtë shtresë që ta konkretizojë majtizmin e saj me të qenit antiberishë. Ata janë të majtë vetëm se janë anti. Realisht janë një e “majtë destruktive”. Ata nuk jetojnë dot pa konflikt, prandaj u duhet edhe antiberishizmi. Aktualisht disa nga drejtuesit e kësaj shtrese përpiqen ta paraqesin veten si pjesë e boshtit të së majtës. Por që nga momenti i qetësimit të marrëdhënieve me Berishën, ata mbetën pa emër, pa identitet politik.

    E majta e “karizmës” së politikanit

    -Një shtresë tjetër janë të majtë se janë tifozë të këtij apo atij lideri politik të së majtës. Përkatësia e tyre politike varet nga përkatësia politike e idhullit të tyre. Më shumë se të majtë ata janë tifozë politikë. Majtizmi i tyre zgjat aq sa zgjat përdëllimi për “karizmën” e idhullit të tyre. Ata e lavdërojnë partinë, kur për të flet mirë idhulli i tyre dhe e satanizojnë kur atë e bën edhe i pari i tyre. Maks Ueber, në një prej pohimeve të tij shprehet se pushteti karizmatik zgjat aq sa zgjat karizma e pushtetarit.

    E majta e “Nipit të Ramoit”

    -Është pjesa më e dukshme e së majtës në pushtet. Kjo shtresë përfaqëson shtresën e të “majtëve stinore”. Ata janë me të majtën sa kohë ajo ju jep komoditet. Në të kundërtën kalojnë në neutralitet. Kjo shtresë del më në pah në raste balotazhesh apo për të qenë më aktuale del në pah në raste rivotimesh. Prirja e tyre është drejt pushtetit dhe jo blloqeve politike i majtë apo i djathtë. Në qoftë se sot flitet për zvetënim moral të një pjese të së majtës, kjo shtresë është portreti më i saktë i këtij zvetënimi. Në Shqipëri ajo figurativisht përbën të majtën e “Nipit të Ramoit” të Diderosë, që shprehej se: “Ç’rëndësi ka në ke apo s’ke një post, mjaft që të jesh i pasur, sepse ai posti ndaj dhe zihet, që të pasurohesh. Të kryesh detyrat që të ngarkojnë? Po ku të shpie kjo vallë, a e dini? Në zilinë e botës, në lloj-lloj shqetësimesh dhe preokupimesh. Se mos vallë kështu, në këtë mënyrë, ecën përpara njeriu? Jo or jo, po duke laviruar, djall o punë, duke frekuentuar të mëdhenjtë, duke studiuar me kujdes shijet e tyre, duke iu bindur kapriçove të tyre, duke u shërbyer veseve të tyre, duke aprovuar tërë padrejtësitë e tyre: ja tërë sekreti!” (Didero, “Nipi i Ramoit”, f. 84-85)

    “E majta e Berluskonit”

    Është një shtresë brenda së majtës që ka lindur pas viteve 2000, kur filluan të lindin monopolet e para në Shqipëri, të drejtuara dhe inspiruar nga udhëheqja e majtë. Aktualisht kjo lloj e majte synon të marrë lidershipin e gjithë së majtës në Shqipëri. Ajo është e shpërndarë në të gjitha të ashtuquajturat parti të spektrit të majtë. Pavarësisht operimit me terma të majtë, pavarësisht fasadës për të rikuperuar humbjen e 3 korrikut, thelbi i kësaj shtrese është eliminimi i të majtës reale dhe manipulimi i elektoratit të majtë me metoda berluskoniste. Kjo shtresë, në mënyrë diabolike ka përdorur për interesa të saj, të majtën historike që vjen nga PPSH-ja dhe atë të 29 Nëntorit, duke ju bërë qejfin sa herë ju janë dashur votat e tyre, por duke i përbuzur në thelbin e tyre.

    E majta “pa shpirt”

    Social-demokracia nuk është një sistem ekonomiko-shoqëror, përkundrazi ajo nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë e të rregulluarit të shoqërisë dhe e vënies së ekonomisë së tregut në shërbim të njeriut. Social-demokracia është një frymëzim, është një mënyrë e të vepruarit, është një referencë konstante e vlerave demokratike dhe sociale.
    Të majtët realë e refuzojnë shoqërinë e tregut, sepse vetë tregu nuk prodhon as dashuri njerëzore, nuk prodhon as solidaritet, nuk prodhon as vlera, as shpirt e as ndjenja. Pronari i një firme ndërtimi nuk prodhon dashuri njerëzore dhe as ndjenja. Ai ndërton pallate dhe kërkon të marrë fitimin prej tyre mundësisht maksimal. Por dhe kur hyn në marrëdhënie me pronarë të tjerë apo edhe me vetë shtetin, ai hyn mbi bazën e partneritetit dhe jo të solidaritetit. Hyn mbi bazën e kërkesë-ofertës, duke mbajtur parasysh fitimin dhe jo shpirtin apo ndjenjat. Shitësit të mishit nuk i shkon mendja të jetë solidar me blerësit e tij dhe t’i trajtojë ata me çmime të ndryshme. Madje edhe në luftën e acaruar politike që zhvillohet në Shqipëri, ai nuk pyet dhe as nuk do t’ia dijë nëse blerësi është apo jo anëtar i partisë së tij. Ai mendon vetëm si të fitojë. Atje ku tipar kryesor është fitimi nuk ka dhe nuk ke përse të kërkosh shpirt, solidaritet apo ndjenja. Por a mund të ekzistojë një shoqëri moderne dhe demokratike pa elementë të tillë? Kurrsesi jo. Shoqëria nuk mundet te ne asnjë rast të përmblidhet në një shkëmbim të thjeshtë mallrash. Për pasojë as tregu nuk mund të jetë i vetmi inspirues i shoqërisë. Tregu dhe konkurrenca nuk janë zotët e vetëm, të cilëve duhet t’u përkulemi çdo ditë. Në një shoqëri moderne ato nuk janë gjë tjetër veçse instrumente që funksionojnë në interes të të gjithë shoqërisë.
    Ndërkaq, lidershipi i majtë në Shqipëri, gjatë 8 vjetëve ka qenë ose kompleksiv ose abuziv. Prandaj ky lloj lidershipi nuk prodhoi as shpirt dhe as ndjenjë. Kështu, edhe e majta që ai përfaqëson në fushën sociale ndaj qytetarëve ka qenë një e majtë pa shpirt.

    E majta reale

    Ekziston edhe e majta reale në gjirin e forcave politike të së majtës. Por ajo është e sakatuar dhe e gjymtuar nga koalicioni i të majtave të mësipërme. Ajo është atakuar dhe vazhdon të atakohet në thelbin e saj. Solidariteti, mirëqenia dhe shanset e barabarta janë konsideruar prej të tjerëve vetëm si slogane, por jo si politikë qeverisëse. Nuk janë të paktë drejtues të së majtës që solidaritetin e kanë barazuar me komunizmin. Shanset e barabarta me egalitarizmin. Shanse të barabarta nuk do të thotë fate të barabarta, përkundrazi do të thotë premisë e një shoqërie me shpirt, e një shoqërie solidare, e një shoqërie që u jep të gjithëve mundësi të njëjta pa premtuar se do ju japë fate të njëjta.
    E majta reale në Shqipëri dallohet nga grupimet e majta, por edhe nga e djathta në projektin social. Kontradiktën shekullore që ekziston tek individi midis lirisë dhe barazisë, e majta e zgjidh me anë të ndërhyrjes së shtetit dhe të mbrojtjes sociale. E majta reale në Shqipëri i përmbahet parimit se një parti, e cila nuk ndihmon të varfrit e shumtë, nuk i mbron dot të pasurit e paktë. Veçanërisht në kushtet kur lideri i së djathtës pranon nevojën e shtetit social për realitetin e Shqipërisë, atëherë e majta reale duhet të përpunojë politika dhe projekte që t’i garantojnë qytetarit mirëqenie dhe solidaritet të përhershëm.

    Një e majtë transformuese në vend të së majtës fataliste

    Deri më sot e majta në Shqipëri në shumicën e rasteve ka qenë një e majtë fataliste. Ky fatalizëm i saj gjatë 8 vjetëve është manifestuar në forma nga më të ndryshme.
    -Fatalizmi përballë fetishizimit të institucioneve ndërkombëtare se FMN-së, BB-së etj. Ky fetishizim ka fshehur në mjaft raste deficencën e qeveritarëve të majtë, mediokritetin apo injorancën e tyre politike për t’u integruar në këtë botë tërësisht të ndërvarur, por pjesërisht të integruar.
    -Fatalizmi i kultivuar, duke atakuar më shumë se sa duhej historinë e kaluar të vetë shtetit shqiptar. Nuk janë të pakta rastet kur kërkesave dhe nevojave të qytetarëve për një jetë më të mirë, e majta që qëndroi 8 vjet në pushtet u ka kundërvënë deri në zmadhim poshtërues kombëtar prapambetjen e së kaluarës që nga koha e Ismail Qemalit deri tek Enver Hoxha. Kësisoj, ky fatalizëm te shtresa të ndryshme krijoi idenë e përmbysur se historia filloi në vitin 1992 apo më shumë në vitin 1997.
    Fatalizmi në funksion të fshehjes së mediokritetit, mungesës së ideve, të papërgjegjshmërisë në qeverisje me anë të situatave rajonale apo ndërkombëtare dhe gjoja nevojës së sakrificës patriotike. Më e prekshme u bë mbjellja e kësaj situate fataliste pas 11 shtatorit, kur e majta qeverisëse në Shqipëri synoi të mbyste çdo tentativë oponence ndaj saj me të ashtuquajturën koalicion kundër terrorizmit. Ndërkaq, në Shqipëri koalicioni real që po konsolidohej ishte koalicioni i korrupsionit dhe mediokritetit.
    Fatalizmi me teorinë e “Gogolit”. Disa nga drejtuesit e majtë, veçanërisht gjatë fushatës elektorale e përdoren fatalizmin si thelb të takimeve të tyre me qytetarët. Ata i thanë qytetarit shqiptar: Kthehu prapa në vitin ‘97. I kujtuan rrëmujën dhe kaosin e atij viti. Domethënia e kësaj fushate përballë qytetarëve ishte sa fataliste aq edhe e pashpirt: Nuk ke se çfarë të bësh, je i detyruar të më pranosh mua, përndryshe ja “Gogoli”, ja viti 1997. Ndërkaq qytetarët e refuzuan këtë lloj fatalizmi makabër.
    Por ndërkaq Shqipëria ka pasur dhe ka akoma më shumë nevojë për një të majtë transformuese. Transformimi fillon atë ditë dhe atje ku fillon dhe rilind shpresa. Atë ditë dhe atje ku përpunohet vizioni i së ardhmes. Qytetarët kanë nevojë për besim. Besimin e mbajnë gjallë dy faktorë: politika dhe feja.
    Shqipëria ka nevojë për një të majtë me identitet të qartë politik, ekonomik, social dhe moral
    Të gjitha çka u analizuan më lart sollën pashmangërisht disfatën e së majtës më 3 korrik. Treguan lakuriq mungesën e ekzistencës së partive reale politike të majta; treguan se në vend të tyre formalisht ekzistonin parti të majta prej etikete.
    Por njëkohësisht zgjedhjet e 3 korrikut treguan se në Shqipëri ka një elektorat të majtë mazhoritar.
    Forcimi i opozitës mbi bazën e projekteve dhe programeve jo vetëm e rrëzoi nga pushteti këtë të majtë dhe këto parti-etiketash, jo vetëm e përçau atë, por tregoi edhe mediokritetin e saj vizionar, ashtu siç tregoi edhe mungesën e identitetit të saj politik, ekonomik, social dhe moral.
    Rindërtimi i së majtës duhet të fillojë nga projekti politik dhe social e pastaj të kalojë te njeriu apo njerëzit.

    Një e majtë që zbaton demokracinë pjesëmarrëse

    Kjo demokraci që kemi nuk mjafton edhe sikur të jetë zbatuar në mënyrë të shkëlqyer, nënvizon Jurgen Habermas. Qytetarët kanë nevojë për një demokraci reale. Dhe e tillë është demokracia pjesëmarrëse e tyre në punët e shtetit dhe pushtetit jo njëherë në katër vjet. Deri më sot, demokracia e aplikuar ka qenë ose demokraci tifozësh ose demokraci e votës. E para ka në thelb tribalizmin, bajraktarizmin dhe desktruktivitetin. Ndërsa e dyta, duke qenë më e avancuar, tregoi se ka në thelb, veçanërisht në një vend të varfër, trafikun e influencave, veçanërisht kur në ndihmë të vjen edhe pushteti me administratën e tij. Nevoja e një demokracie pjesëmarrëse nga qytetarët bëhet imperative edhe në një fakt tjetër. Në një shoqëri pluraliste ekzistojnë katër pushtete: pushteti ekzekutiv, ai legjislativ, gjyqësor dhe pushteti i katërt, ai mediatik. Në kushtet e ekzistencës së katër pushteteve, demokracia e ka të vështirë të jetojë si e tillë. Që të mos mbetet vetëm proklamate, por realitet, ajo duhet të jetë demokraci pjesëmarrëse e vetë qytetarëve. Një parti politike e majtë, demokracinë pjesëmarrëse e konsideron imperativ të veprimtarisë së saj politike.

    E majta në Shqipëri, si një e majtë social-ekologjike

    Që do të thotë se e majta duhet të përpunojë në një platformë mirëqenien, solidaritetin dhe ruajtjen e ambientit. Në kushtet kur monopolet më shumë interesohen për fitim dhe jo për një ambient të shëndetshëm, është detyrë e së majtës që ta kalojë në një të majtë social-ekologjike.
    Nuk është thjesht një risi për të majtën shqiptare, por është një domosdoshmëri për të ardhmen e të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Një e majtë që nuk merr parasysh realitetet e reja të krijuar jo thjesht si rezultat i zhvillimit, por edhe i keqmenaxhimit, duhet me domosdo të jetë një e majtë social-ekologjike. Një e majtë e tillë u krijon mundësi qytetarëve për të shtuar mirëqenien e tyre, duke pastruar dhe jo duke shkatërruar ambientin.

    Një e majtë si demokraci sociale dhe territoriale

    Demokracia mban gjithmonë kushtet dhe realitetet e vendeve që e aplikojnë atë. Ajo nuk pranon dogmën në zbatimin e saj. Demokracia në Tiranë nuk është e njëjtë me demokracinë në Kelmend, në Has apo në Mokër dhe Lumin e Vlorës. Një demokraci në ndërtim dhe konsolidim merr parasysh edhe kriterin territorial të vendit ku ajo aplikohet e konsolidohet.
    Ky kriter territorial i demokracisë nuk është rastësor, por imperativ, veçanërisht në një vend që 55% të popullit e ka në fshat. Në një vend ku dy rreth qyteteve kryesore të tij ka ngulime qindramijëshe qytetarësh që kërkojnë demokraci. Por demokracia e Bathores nuk mund të jetë vetëm sociale, por edhe territoriale. Mungesa e njohjes dhe pranimit si sfidë e demokracisë territoriale solli tërë atë kaos në qarkullimin e lirë të qytetarëve. Por që në fakt më shumë rezultoi në qarkullim varfërie se sa në tregues i demokracisë. Demokraci territoriale do të thotë dinjitet dhe respekt për të gjithë territorin e vendit, të cilit i shërben si politikan apo forcë politike.

    Shtet-strateg dhe i vogël apo shtet si “ambulancë urgjencë”

    Ky është një ndër problemet më të mprehta të sfidave të së majtës. Shteti që ajo krijoi gjatë tetë vjetëve në emër të lloj-lloj kërkesave shumica ireale apo korruptive filloi të ngjante me një “ambulance urgjencash”. Dhe me që aksidentet ishin të shumta u gjet rruga më e shkurtër: shto numrin e punonjësve të “ambulancës”. Por urgjenca nuk është profilaksi. Për më tepër rrezikon të shndërrohet në një “ambulance korruptive”.
    Shqipëria ka nevojë për një shtet tjetër. E majta duhet të përpunojë projektin e një “shteti strateg”, i cili jo vetëm mjekon në raste urgjencash, por parashikon, e që nuk gjen vende pune, por përpunon politika punësimi. Shteti strateg nuk ka nevojë për shumë njerëz. “Ai është i vogël”. Ai ka nevojë për shumë ide dhe projekte, ka nevojë për njerëz të mençur e të përgjegjshëm. Deficenca mentale nuk mund të mbulohet me krijimin e lloj-lloj strukturave gjoja në emër të progresit. Progresi fillon nga truri, nuk fillon nga struktura. Qytetari ka nevojë për katër mësime të botës së sotme moderne: Të mësojë të jetë qytetar, të mësojë të dijë, të mësojë të zbatojë, të mësojë të jetojë në komunitet. Autoriteti i shtetit nuk është autoritarizëm, por demokraci. Por autoriteti i shtetit nuk është aritmetikë shifrash punonjësish.

    Ta “çojmë” të majtën te qytetari

    Në mungesë të partive reale politike, e majta në Shqipëri ka qenë vetëm te drejtuesit e saj apo e shumta te mbledhjet e forumeve të saj të bëra publike në disa raste deri në përdhosje e në poshtërim. Vetëm ata i kanë zgjidhur problemet e jetës. Qytetari shqiptar akoma nuk i ka zgjidhur problemet e jetës. Ai gjatë 8 vjetëve është ndeshur me mentalitetin që të pasurit të pasurohen dhe të varfrit të varfërohen.
    Pra e majta nuk ka shkuar akoma te qytetari. Shtresa e rrogave të ulëta, që është qindramijëshe e ka akoma shumë të ulët fuqinë blerëse të saj. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore e dështimit të drejtueseve të së majtës në Shqipëri. Ata u braktisën nga qytetari i majtë. Aritmetika e shifrave është përpjekja për të fshehur thelbin e braktisjes. Është njësoj sikur të thuash se qytetarët francezë apo holandezë votuan kundër Kushtetutës së Re të BE-së, pasi gjoja nuk u kishin pëlqyer nenet e saj. Kur në fakt ishte e kundërta. Kushtetuta ishte një sebep për të shprehur me anë të votës pakënaqësinë e tyre ndaj politikave qeverisëse.
    Rindërtim i së majtës do të thotë që ajo të shkojë te qytetari. Qytetari i vitit 2005 nuk mund të manipulohet më me të majtën politike të ditës së çlirimit apo të ditës së dëshmorëve, as me kongresin e bukës së gojës apo rrymat dhe gupet e ndryshme të majta që paraqiten si parti politike, as me mirëqenien me raste apo mirëqenien me orar. Projekti social, mirëqenia reale janë dy shtyllat kryesore që e majta të shkojë te qytetari.

    Në fillim qytetar dhe pastaj edhe majtist

    Le t’i japim çdo fëmije një shans për edukim, le t’i japim çdo të rrituri një shans për të qenë qytetar, thotë në një nga fjalimet e tij Toni Bler. Është një sentencë universale për një parti politike në përgjithësi.
    Është shumë lehtë të jesh anëtar i kësaj apo asaj partie, por më e vështirë është të jesh njeri, të jesh qytetar. Të jesh anëtar i kësaj apo asaj partie edhe mund të mos jesh solidar apo qytetar. Mund të jesh thjesht tifoz apo akoma më keq, mund të jesh edhe “mish për top”. Por të jesh qytetar do të thotë para së gjithash të jesh solidar dhe misionar. Të jesh anëtar i kësaj apo asaj partie edhe mund të mos të të vijë keq për të varfrit që varfërohen. Boll që partia jote kur është në pushtet të ka siguruar një vend pune dhe rroftë mentaliteti “larg nga shtëpia ime”.
    Por të jesh qytetar, para se gjithash do të thotë që jo vetëm të ndiesh keqardhje, por më shumë se kaq, keqardhjen ta shndërrosh në kërkesa për politika të tilla qeverisëse që synojnë eliminimin e varfërisë.
    Të jesh anëtar i kësaj partie edhe mund të ndodhë që ta ngresh karrierën tënde politike mbi konstatimin e varfërisë. Politikanë të ndryshëm të së majtës kanë bërë karrierë politike, thjesht duke konstatuar varfërinë e qindra e mijëra qytetarëve dhe duke u pasuruar për vete. Ndërsa të jesh qytetar, do të thotë që konstatimi i varfërisë nuk përbën ndonjë kontribut. Kontribut përbën zëvendësimi i varfërisë me mirëqenien. Kjo është qytetari politike. Në Shqipëri ka shumë politikanë që nuk janë qytetarë.
    Është kjo arsyeja që një shoqëri demokratike, e cila nuk ndihmon të varfrit e shumtë, nuk mund të mbrojë të pasurit e paktë. Pohimi i sapobërë është më shumë se kaq. Ai është deduksion i një realiteti të dhimbshëm që ekziston akoma në Shqipëri.
    Analiza e tij tregon se ai nuk ka në themel të tij as statistikat e ndryshme mbi numrin e të varfërve apo sasinë e minimumit jetik, që më shumë se sa reale është shifër politike. Por nuk bazohet as te raportet e këtij apo atij institucioni ndërkombëtar. Sepse asnjë raport nuk është më i saktë se sa vetë realiteti që përjetojnë qytetarët. Origjinali Shqipëri është shumë herë më i saktë se sa modeli-raport. Çdo shoqëri moderne ka një shtyllë kurrizore që mbahet si e tillë nga harmonizimi sa më i saktë i marrëdhënieve midis të pasurve dhe të varfërve, sepse në një shoqëri ka të pasur dhe të varfër. Dhe në këtë shoqëri fatet nuk janë të njësojta. Në fund të garës ka një kampion, i cili arrin i pari në finish. Por në fillim të garës ka me qindra dhe mijëra që nisen në të njëjtën kohë. Pra atje ku ka finish ka edhe start. Finishi është i pabarabartë, por starti është njësoj për të gjithë. Pra nuk kërkohet barazi finishi, “barazi kampionesh”, por barazi nisjeje. Dhe kjo nuk bëhet me ligje xhungle, por me ligje tregu dhe solidariteti. Të mos zbatosh këtë parim do të thotë që as të varfrit nuk i ndihmon dot, por as të pasurit nuk i mbron dot. Solidariteti nuk është taksë pushteti. Ai para së gjithash është mentalitet shteti dhe shoqërie. Shndërrimi i mentalitetit të shoqërisë në taksë pushteti është përdhosja më e madhe e shoqërisë nga pushteti. Është treguesi më i mirë se si pushteti komandon shtetin. Dhe kur pushteti komandon shtetin, atëherë fillon autoritarizmi apo totalitarizmi i maskuar.

    Konkluzion

    Disfata e 3 korrikut tregoi se është koha për formimin e partive politike të së majtës reale. Disfata e 3 korrikut tregoi se me rryma, drejtues, grupe etj., nuk mund as të mbahet dhe as të fitohet pushteti. Më 3 korrik, pushoi së ekzistuari e majta e tranzicionit. Më 3 korrik dështoi eksperimenti i së majtës të modelit “Forza Italia”. Duhet e majta reale. Ajo duhet të jetë në krye dhe në fund të herës parti. Nuk ka shumë rëndësi forma se si parti elektorale apo parti organizative. Në radhë të parë duhet të jetë parti politike. Në çdo parti politike ka progresistë. Por termi progresistë është shtresë shoqërore, nuk është parti politike.
    Në çdo parti politike do ketë pjesëtarë të shoqërisë civile. Por shoqëria civile nuk është parti politike, por kategori sociologjike.
    Beteja e tanishme është në radhë të parë beteja e ideve. Forcat dhe rrymat politike në Shqipëri nuk mund t’i shmangen këtij realiteti, që për kushtet e realitetit tonë do të thotë: Le t’u japim qytetarëve mundësinë për të jetuar më mirë se çfarë mundësish u ka dhënë Zoti ose siç thotë Klinton: “Ajo që ne duam të bëjmë është të gjejmë një rrugë për të shpjeguar botën në të cilën jetojmë, në një mënyrë që të ketë shpirt për njerëzit që ne përfaqësojmë dhe njerëzit që duam të bëjmë për vete”.

    Tirana-Observer.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    31,920
    Postimet në Bllog
    20
    Te pakten sot, pas 4 vjetesh, Koco Danaj ka guximin dhe kurajon qe te shprehi ate qe une e kisha parashikuar 4 vjet me pare. Nese Danajt i kishin vajtur fjalet e mia ne vesh ne qershorin e 2001 kur kryeministri i vendit ishte Ilir Meta dhe presidenti i vendit ishte Rrexhep Mejdani, ne krah te te cileve renditet dhe Danaj sot, "Humbja e zgjedhjeve nga PS eshte e keqja me e vogel qe i pret socialistet", ai duhet ta kish shkruajtur kete analizen me lart para 3 korrikut, bile para ndarjes se LSI nga PS. Por ja qe Danaj, se bashku me Meten, Mejdanin, u japin shqiptareve sot leksione politike perdite ne media, kur per plot 8 vjet keta ishin ne pushtet dhe mund te ndryshonin shume gjera, nese do te ishin po aq te vullnetshem sa jane sot.

    Cfare desha te them me ate profeci 4 vjet me pare? Nje parti qe humb zgjedhjet, humb vetem pushtetin i cili te vjen me vote dhe te iken me vote. Por kur nje parti fiton duke manipuluar vota ajo inkriminon vetveten dhe humbja eshte e dyfishte: humbja e pushtetit, shperberja e partise. Ne 3 korrik PS nuk humbi vetem pushtetin, humbi edhe strukturen e saj organizative partiake. Sot socialistet tregojne me gisht nga kryetari i tyre Nano si fajtor per humbjen, si per te larguar barren e fajit dhe friken e ligjit nga vetja.

    Per aq kohe sa PS nuk do te beje divorcin me te shkuaren komuniste dhe me "moralin Nano" qe sot e ndan pjesa derrmuese e spektrit te majte, e majta shqiptare nuk ka per te pare pushtet me sy dhe asnjehere nuk do te jete nje force ne gjendje per te fituar zgjedhje.

    Sa per amanetin e shokut Ramiz per te bere "rrokaden e dhendureve" para se te vdesi, duket se kjo nuk ka per tu realizuar sa ai te jete gjalle. Shoku Nano nuk ka per tu larguar pa zhurme por do te marri shume veta me vete atje per ku eshte nisur.

    Albo

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    xhuxh si cun tirone qe je fol dicka vet e jo vec llafet e gazetave..
    cthoni ju neper kafenera per kto muhabete.. apo nuk beni politik..
    mir e keni ne fakt..
    kryepolitika e gjith kohrave ka qen.. me gjet nji shtojzavalle per vehte.. lol..

    ja cthot gsh

    --

    Ish-kandidati socialist Artan Lame komenton situatën në PS pasi ka humbur në zonë

    Fitorja më e madhe e PS, humbja
    "Nuk do qeverisnim dot, ishim shumë të konsumuar"

    -------------------------------------

    Nga Artan LAME
    Artan Lame, është zv.ministër i Ministrisë së Rregullim Territorit dhe Turizmit


    Se si mund të qeveriste, kur të gjithë themi se e majta ishte konsumuar nga pushteti; kur të gjithë krerët tanë thonë së qeverisja ishte e brejtur nga korrupsioni, them të gjithë krerët, duke filluar nga Kryetari Nano, tek Kryetari Rama, tek Kryetari Gjinushi (secili kryetar i të vetës); kur vetë Kryeministri deklaroi gjithë duf pafuqie në Kuvendin e Burrave se "nuk e luftoj dot korrupsionin se nuk kam numrat" dhe asnjë burrë nuk luajti vendit. Si mund të qeveriste me maxhoranca xhuvelore, që do të vraponin pas karrigeve si dhelpra pas atyre të dashit, se në atë rast agrarët do të ishin prapë pjesë e qeverisjes dhe aleatë dhe jo pjesë e qeverisjes dhe tradhëtarë siç janë sot. Sërisht do të qeverisnim majë telit, bie sot, bie neser, jepi diçka këtij, lëshoji pe atij, merrja Lenës e jepja Prenës.

    PS në qeverisje?
    Vërtet mendoni se mund të vazhdonim të qeverisnim kështu?! Vërtet mendoni se do të shkonim përpara ende me po ata njerez e struktura, që ua kanë sjellë njerëzve në majë të hundës, zyrë më zyrë e hall pas halli? Njerëz që do të vazhdonin të milnin lopën koalicioniste, pa u bërë merak se kush e ushqente atë. Po ata njerëz e myteberë zyrash (madje edhe ca të tjerë më shumë, se helbete do të ishim qeveri koalicioni), do të vazhdonin të bënin tenderat, të lidhnin pazaret, të mbaronin punë, të merrnin "një kafe", të rregullonin vendet e punës me bereqet, por ama pos të gjithave do të ishim ne në pushtet. Dhe të gjitha këto nuk i them unë, po i thonin njerëzit, njerëzit e thjeshtë që u dridhej mishi kur do tu duhej të zgjidhnin ndonje punë më ndonjë zyrë, ministrie a bashkie qoftë, i thonin të djathtë e të majtë, i shkruanin gazetat e i filmonin televizorët, i denonconin kontrollet e u hapnin dosje prokurorët. Aq u bë e modës kjo punë, sa edhe ministrat kohë pas kohe duhej të bënin ndonjë denoncim, për të mos qenë jashtë kohës me demek. Po gjithshka ndalonte këtu, se më tej të gjithë ishin miqtë e dikujt, dhe sa kish shporta fiq të gjithë qenë miq, dhe kështu shkuam per lesh me shportë me fiq e me miq.

    Po dale se e humba fillin. Po flisja për qeverisjen e ardhme të të majtës së bashkuar dhe jo për qeverisjen e të majtës që shkoi. Sidoqoftë, më thoni një arsye të vlefshme, se pse kjo qeverisje hipotetike, me të gjitha plagët e mahisura që kishte në trup, do të ishte më e mirë se ajo që shkoi, thjesht se po përfshinte brenda vetes edhe ca të tjerë që ja dinin kimetin pushtetit?
    Në fund të kësaj historie ne të gjithë do të kishim të sigurtë perspektivën që Partia Socialiste të neveritej përfundimisht nga njerëzit e thjeshtë, nga intelektualët, nga të rinjtë, nga të gjithë ata që vetë ne themi se nuk po i afrohen më Partisë Socialiste, apo më keq akoma edhe nga shumë të tjerë që po shohim ti largohen asaj të pakënaqur nga çka shohin në shumë raste brenda saj, duke u tkurrur me mykun brenda saj, a më turp akoma, duke u shndrruar në parti aneks mbijetese.

    Precedenti
    Dhe kemi shumë pranë, si në kohë edhe në gjeografi, një shembull tëë trishtë të një fundi të tillë pa lavdi: Fundin e Partisë Socialiste Italiane. Pas dhjetra vjetësh në pushtet apo pjesë e pushtetit, mes makinacionesh pa fund dhe paktesh pa moral, kjo parti me të gjithë piramidën e saj të stërmadhe të korrupsionit që prodhoi dhe që e kishte mbajtur në këmbë për kaq shumë vite (une kam lindur kur kjo parti qe në pushtet!), pësoi hakmarrjen e heshtur të popullit italian, duke u rrëzuar përdhe e duke u zhdukur me njollë nga skena e historisë. Falë votës së popullit të majtë, Partia Socialiste u shpëtua nga ky fund. Njerëzit na thanë me alfabetin e votës, se populli mbetet i majtë, por e majta duhet të ndryshojë.

    Duhet të ndryshojë shumë gjera, duhet të ndryshojë në ca njerëz e në ca udhëheqës, duhet të ndryshojë në ca pjesë të programit e në projekte të të ardhmes, duhet të ndryshojë jo se nuk është e majtë, por për tu bërë sërisht e majtë. Duhet të ndryshojë, nëse do të jetë e domosdoshme, edhe Kryetarin, por nuk mund të themi kurrë (siç po dëgjojmë të thuhet), se të gjithë ne i duhemi PS-së, se të gjithë ne jemi të mirë dhe e vetmja e keqe qe Kryetari. E hoqëm kryetarin, hajt bromp një dolli të gjithë ne të tjerët bashkë dhe përpara për fitore të reja. Po me kë do të shkojmë përpara? Me po ata njerez që na nxinë faqen në sy të elektoratit?
    Historia nuk njeh asnjë shembull pushteti a shteti, që të ketë rënë për faj të një njeriu të vetëm, sado i fuqishëm, autoritar e i pushtetshëm të ketë qenë ai. Ah jo, e kemi një shembull, që pikërisht se nuk mund të ndodhë kështu, nuk është tokësor por hyjnor: Jezu Krishtin. Se vetëm në atë rast më rezulton se që të gjithë për të shpëtuar, romakët nga kryengritja, çifutët nga persekutimi e tempullarët nga belatë, ja vunë të gjithë gishtin Jezuit, e vunë në kryq dhe thanë se shpëtuan (se si u vajti filli e si i mori lumi, nuk është vendi të zgjatem këtu). Po mua nuk më duket të gjej ndonje ngjajshmëri mes Krishtit dhe Kryetarit Nano, në mos rastit kur do të kemi vendosur ta kryqëzojmë për ta shenjtëruar.

    Problemi i PS, moral
    Problemi i PS-së nuk është luftë brezash, se këtë ajo e ka fituar që në vitin 1991; nuk është as luftë ideologjike, se zor të më gjeni njeri të më thojë kush është ndryshimi ideologjik mes PS-së dhe LSI-së. Problemi i PS-së është moral. Eshtë moral, se nuk ka më moral të qëndrojnë brenda saj, në emër të një uniteti që nuk egziston më, të nginjurit jo nga pushteti por nga të mirat e pushtetit. Këta, pikërisht këta, na ndanë nga njerëzit e thjeshtë dhe që për vetë pozicionin e tyre, u kthyen në imazh i deformuar dhe i padurueshëm i gjithë Partisë, e cila e pagoi shtrenjtë dhjamosjen e tyre. Këta dhe pikërisht këta, përbënë atë perden e hekurt, që nuk lejoi të transmetohej as ajër i pastër nga baza e Partisë drejt qendrës, dhe as idetë e reja nga qendra drejt bazës së etur për ndryshim. Pikërisht në këtë moment deciziv, njerëzit na e dhanë mesazhin e tyre mes votës, por druaj se mos e keqlexojmë këtë, duke thënë të bashkohemi pa do të shpëtojmë. Duhet të kuptojmë se reforma e madhe që kemi përpara, nuk është thjesht çështje bashkimi por është çështje ndryshimi. Ta lexosh ndryshe këtë leksion, do të thotë ti ngjash asaj militantes së Beratit, që ishte gati të rrinte pa gjumë e pa bukë, vetëm e vetëm që "Fatosi të bashkohej me Ilirin".

    Ndryshimi
    E di që ndoshta kjo mënyrë të foluri nuk është më e mira për të bërë karierë, po kam zgjedhur ti them gjërat siç i mendoj.
    Partia Socialiste, të cilës i kam shërbyer gjithë këto vjet, nuk është sekt okult i krijuar për të mbajtur njëri-tjetrin, por për të përfaqësuar popullin e majtë; dhe në këtë funksion, nuk duhet ti vijë aspak keq të flakë pjesë të vetat (që në fakt nuk janë më aspak të vetat), që nuk përfaqësojnë më asgjë socialiste.
    Tashmë pas 15 vjetësh demokraci, nga të cilët më tepër i kemi kaluar në pushtet se në opozitë, mund të themi se kemi mbyllur një cikël historik zhvillimi dhe duhet të hapim ciklin e ri të evolucionit të forcës më të madhe politike shqiptare. Dhe thelbi i evolucionit nuk është bashkimi por ndryshimi.
    Ta fillojmë këtë cikël të ri me në mendje leksionin popullor dhe pastaj bashkimi do të vijë vetë, pa qenë nevoja të bëjmë thirje të tipit "Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni", pasi të ndryshuar dhe pastruar do të bëjmë që qytetarët t'i rikthehen forcës politike që, edhe mes gabimeve, më së shumti i afroi me qytetarët e Evropës, të rinjtë të ndjejnë sërisht freski në detin socialist dhe pleqtë të rigjejnë idealizmën e rinisë së tyre.
    Fitorja më e madhe e PS-së ishte humbja.
    Nëse sadopak u bëra të mendoheni për këtë, ja kam arritur qëllimit. Faleminderit popull i majte!


    ---


    ja cka then dhe mejdani

    Intervistë, flet ish-presidenti Rexhep Meidani. "Si mund të kthehem sërish në PS"

    Kjo PS nuk ka "këllqe" për përplasje të tjera
    Karta e "anikimimeve" po shfrytëzohet me tepri


    --------------------------------------------------------------------------------




    Zoti Meidani, si e gjykoni situatën paszgjedhore në Partinë Socialiste? Sa ka mundur të reagoje deri tani hierarkia e lartë e kësaj partie ndaj humbjes së 3 korrikut dhe me çfarë cilësie po kryhet ky proces?
    Duke e pasur të qartë rezultatin, "analizën" time për zgjedhjet e kam bërë që në dhjetëditëshin e tretë të muajit korrik, i sapo kthyer nga një veprimtari e gjatë jashtë shtetit në media të ndryshme shqiptare. Më vonë, mesa kam mundur të konstatoj, janë shfaqur dhe "analiza" apo reagime të tjera, diku të përcjellura pa zhurmë nga media, diku të reklamuara me zhurmë shumë të madhe e "emocione" propagandistike...
    Sidoqoftë, pa iu futur një ripërsëritjeje, mund të thuhet se situata paszgjedhore në PS ka qenë e mbetet ende konfuze e zvarritëse, pa drejtim real, si të thuash "pa kokë", madje dhe pa koordinim qëndrimi, reagimi e mendimi. Për më tepër, në shumë raste, deklaratat e pastudiuara, shpesh kontradiktore e naive, jo vetëm nuk kanë ngjallur besim e forcë, por dhe kanë provokuar njëfarë "ilariteti" tek qytetarët. Ky qëndrim relativisht amorf e pa kokë u pa dhe në raundin e dytë të zgjedhjeve në 21 gusht. Në këtë optikë, edhe duke mbetur në një plan krejtësisht intelektual e neutral, të rezulton si mjaft e vështirë të komentosh ndonjë rol apo reagim politik konkret paszgjedhor të hierarkisë së lartë të kësaj partie. Nëse bëhet fjalë për këtë rol në vendimet e fundit të qeverisë, mjafton të kujtohet "çorba e liberalizimit", apo shkarkimi i fundit i një zëvendësministri dhe prefekti, për ta "ndjerë deri në palcë" butaforinë e kësaj sjelljeje publike, por dhe përgjegjësinë politike (më saktë papërgjegjshmërinë) e kësaj hierarkie ...

    Cilat janë sipas jush, pistat kryesore mbi të cilat pritet të ecë procesi politik brenda PS-së në opozitë? A shihni kapacitete dhe vullnet politik për një ndryshim real e të shpejtë në defektet kryesore që u vunë re gjatë viteve te fundit?
    Në gjykimin tim, disa nga pistat apo tezat kryesore janë shpalosur qartë që në fushatën parazgjedhore dhe gjatë zhvillimeve të Kongresit të 6-të të PS-së. Ato kanë përbërë dhe shqetësimin kryesor në fjalën time në Konferencën e Tiranës dhe Kongresin e 6-të të PS-së të dhjetorit 2003. Për të ardhur keq, por një pjesë e kësaj hierarkie për të cilën po pyesni ju tashmë, jo vetëm nuk "begenisi" të merrej me to, por dhe braktisi sallën në kohën që unë flisja, thjesht për t'i bërë qejfin kryetarit që po linte në atë çast sallën e kongresit. Për më tepër, edhe kur diskutoheshin propozimet tona për ndryshimin e statutit, pikërisht në seancën mbi amendamentet statutore, sekretari organizativ, që drejtonte dhe komisionin e shqyrtimit të ndryshimeve, si "argument" kundër propozimeve të bëra, "shfrytëzonte" pohimin absurd se "propozimi X, nuk pranohet se është kundër statutit"!...
    Por le të mos zgjatemi me "paradoksalitete" të tilla. Megjithatë, për të ndihmuar analizën e pritshme, po kujtoj se, për çdo rast, ato gjenden e "zeza mbi të bardhë" në librin "Kontratë me vetveten", të botuar gati një vit më parë. Sot, gati pas dy vjetësh, një pjesë e atyre ideve janë pranuar në "ngut", megjithëse ende thjesht në mënyrë formale. Të tilla janë p.sh. ato që lidhen me zbatimin e parimit "një anëtar, një votë" (që kërkon në kushtet tona dhe kufizim të mandatit për disa pozicione kryesore), ideja e fraksioneve në parti (e hedhur ashpërsisht poshtë në Kongresin e 6-të, thjesht për arsye emocionale (!), siç rezultoi dhe nga mbledhja e fundit e KPD-së dhe Kongresi Elektoral, ku ajo u pranua brenda një sekonde- sipas kërkesës ose vullnetit të kryetarit). Por kjo ideja e fundit e fraksioneve, nëse pranohej në Kongresin e 6-të, do ta shpëtonte partinë nga çarja, ndërsa në Kongresin Elektoral, gati dy vjet më vonë, ajo nuk prodhonte dhe nuk mund të prodhonte asgjë konkrete, të paktën për zgjedhjet e përgjithshme. Pra, ishte jo vetëm një iniciativë e pavlerë për kohën, por dhe vendimmarrja mbetej e tillë...
    Në politikë, ka rëndësi e vlerë të veçantë momenti i duhur kohor e pozicioni konkret hapësinor, si të thuash, roli i kohës dhe hapësirës, d.m.th. marrja e një vendimi në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Por kjo nuk mund t'i lihet kurrë një individi të vetëm, pavarësish kapaciteteve të tij. Përndryshe gabimet e njëpasnjëshme bëhen të pashmangshme. Kjo do të thotë, gjithashtu, që në parti duhet të funksionojë në mënyrë optimale dhe parimi i kolegjialitetit. Dhe kjo është fare normale po ta konceptosh partinë politike si një bashkim vullnetar individësh të lirë dhe të barabartë rreth një platforme e programi politik. Por, në asnjë mënyrë, ta konsiderosh atë si një klan ose grup individësh vetëm me interesa ekonomike ose thjesht për interesa ekonomike! Kjo ka qenë dhe duhet të mbetet dhe teza apo pista tjetër. Të shmanget në maksimum konflikti i interesave biznesore në hierarkinë e lartë të partisë, gjë që nuk nënkupton aspak përjashtim të përfaqësimit të biznesit, sidomos të vogël e të mesëm, në radhët e saj. Për këtë problem, por dhe për pozicionimin e drejtë të partisë në përfaqësimin e elektoratit të saj, në përcaktimin e vendndodhjes së saj në spektrin e politikës shqiptare, jam shprehur gjatë dhe në kongres. Më lejoni këtu të citoj vetëm një pjesë të vogël të kësaj tematike: "Një çështje tjetër është ajo e transparencës së partisë, si një parti e majtë, dhe e strukturave të saj drejtuese. Programi i partisë mund të ketë një divergjencë vetëm kohëshkurtër me atë të qeverisë, por jo afatgjatë. Sepse në fund të fundit kjo është dhe një çështje e sinqeritetit dhe e moralitetit programor partiak para bazës dhe elektoratit socialist. Pra, ose duhet t'u përgjigjemi interesave të tij të drejtpërdrejta, ose duhet të ndërmarrim një reformim të mëtejshëm zhvendosës të sistemit juridiko-statutor, për të "përballuar" dhe procesin e nisur, të "integrimit" të një pjese të përfaqësimit politiko-shtetëror të partisë me sipërmarrjen dhe kapitalin, në dallim jo të vogël nga thelbi social aktual i bazës së gjerë socialiste. Por është ky forum, jeni ju të nderuar shokë dhe shoqe delegatë, që duhet të vendosni nëse Partia Socialiste do të mbetet parti e majtë apo do të zhvendoset djathtas. Dhe për këtë nuk kemi pse të mbyllim sytë, sepse po e ripërsëris qartazi, se nuk e ndihmojmë biznesin duke futur në parti individë të pasur, por duke krijuar klimë të shëndetshme, kushte dhe stimuj ligjorë për të gjithë klasën e biznesit, dhe jo vetëm për individët që, për interesa individuale, mbështesin apo hyjnë në Partinë Socialiste. Megjithatë për të mos lejuar ndonjë deformim tjetër të këtyre fjalëve, më duhet të theksoj prerë se këtu nuk bëhet fare fjalë për ndonjë gjoja "përjashtim klasor" apo koncepte klasore në përgjithësi, sepse klasat prej kohësh nuk janë më forca lëvizëse në shoqëri, madje e majta social-demokrate evropiane, në reformimin e thellë konceptual të saj po ecën me shpejtësi sipas "rrugës së tretë" të Blerit apo "mesit të ri" të Shrëderit. Por në kushtet tona aktuale, në analizën time, dukuritë tek ne po marrin një rrjedhje tjetër. Dhe kjo nuk mund të quhet aspak një "rrugë e tretë" apo "mes i ri" për Shqipërinë. Në kushtet e mungesave ende të theksuara ligjore-strukturore, më duket shumë serioze, madje do ta quaja tërësisht negative, deri të pamoralshme, çdo pjesëmarrje individuale në politikë e qeverisje me emra të përveçëm, të vetë këtyre individëve, të afërmve apo të tretëve, për të mbështetur, për të nisur apo favorizuar një biznes privat, në fushat që vetë ata drejtojnë. Ndërkohë që kam bindjen se shmangia e konfliktit të interesave apo dhe transparenca e plotë ndaj partisë dhe publikut, kontrolli permanent, deri, të paktën, menaxhimi apo auditimi i bizneseve të tyre nga struktura të kontrolluara pluraliste, p.sh. të kuvendit, duhet të ishte kushti për të vazhduar përfaqësimi i tyre i mëtejshëm në nivele të ndryshme të qeverisjes apo partisë. Përndryshe rrjedhojat, siç po shihet, janë e do të bëhen mjaft më serioze..."


    Së fundi, për ta mbyllur përgjigjen e kësaj pyetjeje po kujtoj këtu dhe disa nga propozimet e tjera të bëra për përmirësime në statutin e PSSH-së, në Kongresin e 6-të të saj. Për të mos e lodhur lexuesin, do të lutesha që jashtë radhëve të kësaj interviste të gjendej dhe ndonjë qoshe për të rikujtuar këto propozime.
    Si e gjykoni ju pozitën e shumicës së re politike në raport me stabilitetin qeverisës? A mendoni se 81 deputetë janë sinonimi i një qeverisjeje të qetë dhe mundësisht i një presidenti të zgjedhur duke evituar rrezikun e zgjedhjeve të parakohshme?
    Në një vështrim institucional, praktika politike shqiptare e deritanishme ka treguar se nuk është thjesht numri fillestar i deputetëve që përbën garancinë për një qeverisje të qëndrueshme ose jo. Aq më tepër kur në atë numër apo dhe në ndonjë numër tjetër më të madh ose më vogël në të ardhmen mund të kontribuojnë më tej si votat e qarta të një krahu, ashtu dhe ato të krahut tjetër. Në gjykimin tim, cilësia dhe efektiviteti i qeverisjes, ndershmëria dhe morali i saj, serioziteti dhe respektimi i dinjitetit të qytetarëve, të drejtave e lirive të tyre, përbëjnë bazën e vërtetë të stabilitetit qeverisës.
    Ndërsa, për sa i përket zgjedhjes së presidentit, personalisht nuk shoh ndonjë vështirësi ose pengesë serioze. Madje, në kushte normale qeverisjeje, zgjedhja e presidentit nuk mund të shfaqë kurrfarë rreziku për zgjedhjeje të parakohshme. Krejt tjetër mund të shfaqet situata në kushtet e një qeverisjeje tërësisht abuzive...
    Ka pasur një tendencë të një pjese të politikanëve socialistë për të atakuar figurën dhe mënyrën sesi ka vepruar Fatos Nano gjatë fushatës së fundit. Sa sukses do të ketë sipas jush, kjo frymë kritike anti Nano? Sa të afërt e shihni ju fundin politik të kryetarit aktual të PS-së?
    Unë jam marrë jo pak me veprimet e sjelljen politike të një Nano-je të "plotfuqishëm", por gjithmonë për të ndikuar sado pak për të mirë, si të thuash, për reflektim e korrektim të veprimtarisë së tij. Pikërisht, në kohën kur kryesia e partisë dhe anëtarët e kabinetit "gëlltisnin" të heshtur "prapësitë" e tij. Sepse, në gjykimin tim, ka vlerë të kritikosh dukuritë, veprimin, qëndrimin ose sjelljen që mbart një individ ose formacion politik, sidomos kur ato janë të shfaqura në mënyrë të përsëritur, pikërisht gjatë veprimtarisë së tyre politike, ekzekutive e shoqërore. Pra, si të thuash një kritikë, përplasje apo "sulm" në sy, në proces e dinamikë, me objektiv për të shërbyer e minimizuar gabimet e mëtejshme, për të ndihmuar mbartësit e tyre, por jo kritikë, apo siç shpreheni ju, atakim, pas të "vjelave", më saktë pas "kërdisë së breshrit" ...
    Personalisht, besoj më shumë në kritikat që bëhen në sy, dhe jo ato prapa krahëve. Për më tepër, vlerësoj më shumë ato qëndrime parimore të deklaruara në momente fuqie ose "mbifuqie" të kritikuarit, se sa ato kur këtij të fundit i "tunden këmbët". Aq më keq, kur pas një përdorimi me komandë ose bindje të verbër, deri në servilizëm, vetëm të "kartonit jeshil", na kujtohesh tani të ngresh me pompozitet "kartonin e kuq"! Kjo, në politikë, mund të quhet dhe evolucion i shpejtë apo reformim e pozicionim i drejtë mendimi e qëndrimi, por përsëri e ke të vështirë, edhe duke hedhur mjaft "parfum politik", të mos ndjesh që "bie pak erë". E pakta erë "pragmatizmi" politik, e shumta erë "sharlatanizmi" individual Nuk mohohet që të shfaqet në këtë rast fuqishëm dhe "refleksi i mbrojtjes"! Por, në këto kushte, kryetari aktual, e ka plotësisht të "justifikuar" të pyesë "edhe ti Brut?" ose dhe të reagojë me të gjithë "arsenalin" e tij...


    Nga zgjedhjet e 3 korrikut së afërmi do të kenë kaluar dy muaj. Si e konsideroni ju këtë periudhë që kemi lënë pas, si një kohë të çuar dëm, apo si një të keqe të domosdoshme në respekt të ligjit? Në këtë kuadër, si e përdori sipas jush Partia Socialiste kartën e ankimimeve?
    Mjaft të gjatë për një veprimtari normale administrative. Aq më tepër, që Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Nga ana tjetër, politikanët që bërtasin aq shumë sot, deri duke bërë dhe "blofe" antikushtetuese, kanë dhe ata përgjegjësinë e tyre, sepse ata kanë kontribuar në hartimin dhe miratimin e një kodi zgjedhor, që jo vetëm e ka të mishëruar pranimin e këtyre zvarritjeve me procedura të stërzgjatura ankimore në nenet e tij, por për më tepër përmban të inkorporuar edhe shumë nene e paragrafë antikushtetues.
    Po kështu, mund të thuhet, se PS-ja, pas një hutimi të palejueshëm fillestar, deri diku dhe me pasoja, vazhdoi më tej ta shfrytëzojë kartën e ankimimeve me një tepri e "zell" të pajustifikueshëm, madje dhe në mjaft raste të panevojshme...

    Që nga Kongresi i fundit ju jeni tërhequr praktikisht nga politika aktive. Në ç' kushte e shihni ju të mundur një rikthim në pozicionin e "vjetër" të politikanit qendror të së majtës?
    Si Sekretar i Përgjithshëm i PS-së, një nga përpjekjet e mia kryesore ishte dhe ajo e shpëtimit të partisë nga ndonjë ndarje eventuale, gjë që do të përbënte jo vetëm një dobësim shkatërrues për PS-në, por dhe opozitën e asaj kohe. Në atë situatë tensioni të madh brenda partisë, pas zgjedhjeve të manipuluara të 26 majit 1996, pas grindjesh parakongresuale e kongresuale, në kushtet e një depresioni politik të vrojtueshëm, po aq i rëndësishëm ishte dhe rikthimi i besimit të ndërsjellë, i kohezionit brenda radhëve të partisë, duke respektuar personalitetin e gjithsecilit, kolegjialitetin në marrjen e vendimeve dhe diversitetin e tyre. Me fjalë të tjera, vlerat dhe rolin e çdo strukture, të çdo drejtuesi e anëtari të partisë. Dhe kështu, me qetësi e maturi, mjaft vështirësi të mprehta u arritën të kapërcehen. Partia relativisht u rikonsolidua, ajo mbeti përsëri e bashkuar...
    Në Kongresin e 6-të u përfshiva në garë, realisht, jo për postin e kryetarit, por, në radhë të parë, për të shpëtuar edhe njëherë partinë nga çarja e shfaqur qartë në horizontin e asaj kohe, por me zanafillë e shkaqe më të hershme. Gjykova, se në vend të kartës së kohezionit e kolegjialitetit, besimit të ndërsjellë, unitetit e solidaritetit "uniform", ajo që duhej të mëshohej më shumë dhe të pranohej detyrimisht kësaj radhe ishte kërkesa e re statutore për pranimin dhe legalizimin e mendimit ndryshe apo të fraksioneve, pra të ndërtimit të një solidariteti të ri në diversitet.
    Ndoshta, koha nuk ishte tamam ajo e duhura për të "tretur" e miratuar një vendim të tillë, por dhe koha nuk priste. Tek marrja e këtij vendimi qëndronte dhe vetë shpëtimi i partisë, shmangia e çarjes së saj. Mundet që dhe kushtet në atë periudhë politike, me një kabinet qeverisës jo legal (pa disa ministra në kabinet), konsideroheshin apo ishin shpallur nga kryetari dhe pjesa kryesore e udhëheqjes së partisë si "kushte lufte". apo të një "gjendje të jashtëzakonshme", prandaj dhe reagimi ishte po "lufte": arrogant deri në egërsi, refraktar deri në absurditet, krejtësisht i "lajthitur" e pa perspektivë, madje fare abuziv në kuptimin e lirisë dhe të normave demokratike. Sidoqoftë, unë, në ato "kushte lufte", pa qenë "burim" apo ndonjë protagonist i saj, nuk arrita ta shmangia ndarjen, ndoshta, edhe pse nuk më kuptuan për "trashëgimi" apo për arsye më "madhore" e "emocionale"!...
    Edhe diçka tjetër. Gjatë jetës sime pothuajse gjithmonë kam anuar nga i dobëti, jo nga i forti. Në pozita të vështira dhe relativisht të dobëta, pjesërisht e "depresuar" rezulton dhe PS-ja, sot. Pra, PS-ja duhet ndihmuar. Aktualisht, ajo, nuk ka "këllqe" për një tjetër përplasje të ashpër apo në "kushte lufte" midis individësh të veçantë, qoftë dhe duke u përqendruar vetëm në "fushën e ideve". Ajo që kërkohet më shumë sot është kompromisi e konsensusi sa më i gjerë për një zgjidhje të pjekur, të shpejtë dhe relativisht afatgjatë. Madje, për të ndryshuar shumë gjëra, përfshi reformimin statutor dhe ripërtëritjen e strukturave drejtuese të partisë.
    Pas këtij dështimi politik-elektoral Partia Socialiste, për ta rimarrë sa më shpejt veten ka nevojë, pa dyshim, për më shumë liri e kulturë, për më tepër cilësi e ndershmëri përfaqësimi, për një rikthim politik në pozicionin e saj, në "hallet"e elektoratit të majtë, që ajo ka përfaqësuar dhe duhet të përfaqësojë, së bashku me aleatë të tjerë natyrorë. Pikërisht, brenda optikës së një të majte të moderuar e bashkëkohore, të një të majte social-demokrate evropiane, si kudo në botë, pjesa dërmuese e intelektualëve, përfshi dhe mua, e gjen shumë më mirë veten e saj...


    17 ndryshimet e statitut të PS propozuar në 2003
    1. Statuti i Partisë Socialiste të Shqipërisë të sanksionojë parimin e ndarjes së Mandatit të Kryeministrit me atë të Kryetarit të Partisë për një periudhë të caktuar.
    2. Kryetari i PS-së dorëhiqet automatikisht në rast humbjeje të një fushate elektorale për pushtetin legjislativ. Kongresi i Jashtëzakonshëm zgjedh kryetarin e ri të partisë.
    3. Votimi për zgjedhjen e delegatëve të kongresit, të kryetarit të partisë dhe të kryetarëve të partisë së rretheve të bëhet sipas parimit "një anëtar një vote".
    4. Anëtarët e KPD-së të zgjidhen nga Kongresi mbi bazën e listave të paraqitura nga kandidatët konkurrentë për postin e Kryetarit të Partisë. Në të gjitha rastet garantohet përfaqësimi në KPD në mënyrë përpjesëtimore me mbështetjen, që gëzojnë platformat konkurruese shprehëse të mendimit alternativ.
    5. Deputetët e Partisë Socialiste (anëtarë të saj) të jenë automatikisht anëtarë të KPD-së.
    6. Grupi parlamentar është struktura më e rëndësishme politike dhe legjislative e partisë. Kur partia është në pushtet, kryetari i grupit parlamentar është Sekretari i Përgjithshëm. Ndërsa kur partia është në opozitë, si rregull, Kryetari i Partisë kryen dhe detyrën e kryetarit të grupit parlamentar.
    7. Për krijimin e qeverisë apo emërimin e ministrave dhe zëvendësministrave, kryeministri konsultohet me grupin parlamentar, duke konsideruar dhe pikëpamjet e grupit përpara sesa të marrë hapat institucionalë në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë.
    8. Të përcaktohen e përmirësohen në statutin e PSSH-së normat e përfaqësimit të FRESSH-it dhe të Organizatës së Gruas Socialiste.
    9. Të përcaktohet në statutin e partisë ngritja e një Komisioni të Etikës (disiplinor dhe antikorrupsion ), rregullat e funksionimit, detyrat dhe përbërja e tij.
    10. Masat disiplinore propozohen nga Komisioni i Etikës, por vendimi merret vetëm nga forumi i partisë që ka mandatuar të zgjedhurit.
    11. Komisioni Qendror i Garancive Statutore të përbëhet nga 31 vetë, të zgjedhur nga Kongresi në bazë të një liste të propozuar nga përfaqësitë e çdo platforme integruese të votuar. Vendimet e këtij komisioni merren me votim të fshehtë.
    12. Të sanksionohet në statutin e partisë detyrimi për kompjuterizimin dhe regjistrimin korrekt të anëtarësisë së partisë. Regjistri i anëtarësisë të jetë në dispozicion në zyrat lokale e qendrore të PSSH dhe në internet, për çdo anëtar të partisë.
    13. Të krijohet një strukturë këshillimore në PSSH, në të cilën të bëjnë pjesë kryetari dhe ish-kryetarët e partisë, si dhe drejtuesit e ish-drejtuesit e institucioneve kushtetuese më të larta të vendit. Kjo strukturë ngrihet dhe funksionon mbi bazën e një rregulloreje të veçantë, të miratuar nga KPD-ja.
    14. Kryesia e grupit parlamentar merr pjesë në të gjitha takimet që kryetari i partisë organizon me sekretarët e partisë. Kur nuk janë të zgjedhur në Kryesinë e Partisë, anëtarët e kryesisë së grupit parlamentar, marrin pjesë në të gjitha mbledhjet e saj.
    15. Të krijohet dhe të funksionojë forumi i të zgjedhurve lokalë socialistë të gjitha niveleve. Ky forum të ketë përfaqësuesit e tij pranë organeve vendimmarrëse të PSSH-së dhe të marrë pjesë në përpunimin e politikave vendimmarrëse të partisë.
    16. Parimi i votëbesimit të zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë pozicionet dhe strukturat e zgjedhura të partisë kur këtë e kërkon një e treta e strukturës zgjedhëse.
    17. Të sanksionohet në statut ngritja e një strukture të posaçme pranë KPD-së, përgjegjëse për menaxhimin e zhvillimit të burimeve njerëzore të partisë. Njëkohësisht Komiteti i Përgjithshëm Drejtues të miratojë një rregullore të posaçme për rregullat e zhvillimit të karrierës.
    (R.Meidani, Propozime për'përmirësime në statutin e PSSH-së, depozituar në
    selinë e PS-së , dhjetor 2003).

    ---



    edhe Koc Danaj nuk ka fol keq..por..

    keto dite do festojn polaket pervjetorin e solidarnostit..dhe mes atyre qe do flasin e do nderohen do jet dhe les valesi..i famshem..
    po cbenet sot ne poloni?

    po ata qe leshuan policet mbi gdansk-protestuesit ..jan ne fuqi..
    ish krye freshisti i kohes se brezhnjev- gomulkave eshte sot president i polonise..
    Pra Valesa e dhj.eu.. nuk diti puntori te mbaje idealin e paster.. vrapoi mbas bizneseve personale dhe polaket i bene mune e van e votuan perseri ish nomenklaturen e stalinit..
    ja cben rrufjanet qe skan principe..
    keshtu ndodhi dhe ne 97-ten tek ne..

    nejse..po nje e majte do vi ne shqiperi nje dite.. por jo keta qe mbahen per te majte..
    ndoshta mbas 10 vitesh.. dalin filiza idealiste.. qe do vijn nga familje ku ngopen me buke e jo soj te babeziturish..
    Te babeziturit nuk bejn dot sistem shoqeror te drejte..
    As Koco danua nuk ben dot.. Socialdemokraci.. tip europiano-kanadeze..
    ai ben 2 metra artikull e ka frik te thote se.. te majte me sheik ne krye nuk ka..

    Ps dhe aleatet e saje nuk do marrin rrugen e gjate e te veshtire te pastrimit te karakterit.. pra te flakjes se natyres sheiko-xhelato-babezitse.. jo kjo eshte e veshtire shum e veshtire..pra u mbetet e shkurtra rruge me te cilen kan pasur sukses..
    pra do bejne nje 97 speciale perseri.. me te vetmin ndryshim.. kte radhe nuk do gjejne vloren si piknisje te falangave.. te zeza.. Diku tjater ndoshta e plasin..
    te shohim..


    do jemi opozit konstruktive thone kto dite kanibalet Malo-Islami..

    hmm kan humor shejtanet..kan mesuar nga agron llaku..

    Po sberi syt 16 (se kater sjan kurgje) berisha prap do bjer si nga fiku..

Tema të Ngjashme

  1. Lidhja Shqiptare e Prizrenit
    Nga dodoni në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 01-06-2009, 00:29
  2. Të dhënat fosile hedhin poshtë evolucionin
    Nga monarku në forumin Shkenca dhe jeta
    Përgjigje: 17
    Postimi i Fundit: 02-11-2006, 10:34
  3. Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 08-09-2005, 12:53
  4. A ka dallim e djathta (PD+BF) me te majten (PS+PSD+AD)?
    Nga alumni në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 23-07-2002, 19:59

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •