Postuar më parë nga
ATMAN
Bashkimi Evropian kërcënohet nga sindromi Jugosllavi
Olaf Tempelman - “De Volkskrantamsterdam”
“Ne hamë drekë për 10 minuta, ata harxhojnë tri orë. Ju fitoni para këtu duke punuar fort, ndërsa atje nga ryshfetet. Të hollat tona të fituara me gjak kanë rrjedhur drejtë Jugut për vite të tëra. Paraja fitohet në Veri, për t’u shpërdoruar në Jug”.
Vargjet e mësipërme mund të duken tipike të një euro-skeptiku në Evropën Veriore. Mirëpo, unë i zbulova ato në një fletore të vjetër që daton në fillim të viteve 1990, kur udhëtova tejembanë Ish-Jugosllavisë me tren. Folësi po më shpjegonte arsyen pse republikat veriore ishin të etura për tu larguar nga kjo federatë e “përdredhur”.
Ish-shteti multietnik i Jugosllavisë ishte në shumë aspekte një mini-version i Evropës. Pagat në veri ishin tre ose katër fish të atyre në jug. Në kontrast të plotë me Veriun, Jugu vuante nga papunësia e konsiderueshme. Dhe pothuajse në të njëjtën mënyrë si kombet e eurozonës së sotme, në ish-Jugosllavi kishte një ndjenjë të dallueshme pafuqie kundrejt autoriteteve të “jashtme”, të cilët populli mendonte se nuk e përfaqësonte atë. Teksa Bashkimi Evropian përballet me deficit demokratik, Republika Socialiste Federale e Jugosllavisë - një shtet multietnik komunist i konceptuar nga Tito-ja (1892-1980) - ishte na fakt një shtet njëpartiak.
Teksa evropianët e sotëm mallkojnë Brukselin, sllovenët dhe kroatët asokohe e shikonin Beogradin si sinonim të gjithçkaje të gabuar; është faji I Beogradit që po na ikin paratë; Beogradi është një grumbull burokratësh të paaftë dhe përbuzës. Ish-Jugosllavia po ashtu kishte një monedhë të vetme, dinarin, i cili ishte simboli i “autoriteteve të largët”. Kishte një opinion të përhapur gjerësisht se unifikimi me popujt e tjerë ishte thjeshtë një projekt ideologjik i destinuar për të dështuar, për këtë arsye, një organizim jo-natyral.
Shkatërrimi i Jugosllavisë – diçka e pritshme
Republikat veriore vazhduan të paguajnë kontribute për aq kohë sa vazhdoi prosperiteti, dhe për sa kohë banorët nuk arritën të vënë re vërtitjen së bashku me rajonet e tjera. Gjithçka ndryshoi në vitet 1980, megjithëse rënia ekonomike kishte filluar që prej vdekjes së Titos, dhe Veriu ishte i detyruar të shpëtonte jugun nga falimentimi. Sllogani evropiano-perëndimor i ditëve të sotme “Asnjë cent më shumë për kombet hudhër” është frikshmërisht i ngjashëm me sloganin slloven të asaj kohe: “Asnjë fond më tepër më zonën biftek”.
Revoltat populiste që dallohen qartë në një sërë vendesh janë gjithashtu të ngjashme me ato në Jugosllavi çerek shekulli më parë. Ka ngjashmëri të theksuara mes politikanëve të sotëm si le Pen apo Uilders me Frajo Tuxhmanin dhe Sllobodan Millosheviçin. Të gjithë ata pa përjashtim, përparuan në kurriz të diskursit nacionalist që përdorën, gjë e cila më parë kishte qenë tabu. Dhe secili prej tyre përfitoi nga frustrimi i popullit karshi përpjekjeve të autoriteteve për të rrëmbyer si pushtetin edhe paratë nga “popujt e tyre”.
Nuk ka të dhëna se Partia për Lirinë e Holandezëve (PVV) apo Finlandezët e Vërtetë kanë si synim spastrimin etnik. Por, ky nuk ishte as qëllimi i Millosheviçit: pikë së pari ai ishte thjeshtë një politikan oportunist me largpamësi mjaft të kufizuar. Dhe megjithëse mban përgjegjësi të konsiderueshme për shkatërrimin e Jugosllavisë, ajo ishte diçka e pritshme.
Pamja e përgjithshme në Bashkimin Evropian duket gjithashtu se mbart ngjashmëri të pavolitshme me Jugosllavinë e Titos. Të dy këto “super-shtete” duken tepër të surprizuar për keq nga shenjat e jo-popullaritetit kohë pas kohe. Të dy kategoritë e administratorëve duket se janë mbështjellë në një lloj fshikëze, nga e cila ngurrojnë të largohen.
Pakësimi i mbështetjes demokratike për Evropën
Presidenca e Këshillit të Evropës është e ngjashme me atë të Jugosllavisë në vitet 1980 për sa i përket rotacionit. Presidentët e Jugosllavisë kishin të njëjtin pozicion në republikat e federatës që Herman Van Rompuy ka mes nesh, ç’ka do të thotë se kishte pozicionin e një personi që nuk është emëruar nga shtetet. Presidenti i eurogrupit, Jean-Claude Juncker, njihet për komentin: “Ne të gjithë e dimë se çfarë duhet të bëjmë, ne thjeshtë nuk dimë se si do të rizgjidhemi pasi ta bëjmë atë gjë”. Këto janë ndjesitë e një administratori i cili i frikësohet popullsisë – nëse ne së pari duhet të rrënjosim mbështetjen popullore, atëherë ajo thjeshtë do të çojë në vonesa dhe kompromise të mëtejshme.
Megjithatë, pakësimi i mbështetjes demokratike për Evropën mund të ketë një efekt shumë më të dëmshëm se vetëm thjesht vonesa. Një mësim që mund të nxirret nga kolapsi i Jugosllavisë është se unioni monetar në një zonë ku ka pabarazi ekonomike mes Veriut dhe Jugut është i detyruar të përballet me kërcënimin edhe pse njerëzit nënkuptohet të ndjehen bashkarisht përgjegjës për të, në një mënyrë që të paktën në disa mënyra duket demokratike. Në kohë bollëku, ata e kanë vetëm pak të vështirë ta pranojnë një unitet të tillë. Mirëpo, kur kohët vështirësohen, ata kanë prirjen që atë ta shohin si shkakun e problemeve.
Dallimi më thelbësor mes ish-Jugosllavisë dhe Bashkimit Evropian është që ky i fundit përfshin shtete kombe demokratike. Populistët dhe nacionalistët mund të mbijetojnë duke kundërshtuar forcat demokratike. Shpesh është thënë se federata Jugosllave do të kishte mbijetuar nëse do të kishte mbështetje më të madhe demokratike për të, nëse do të kishte një sistem politik më demokratik, hapësira për debat të hapur dhe liri shtypi.
Politikanët e zgjedhur që përfaqësojnë shtetet kombe evropiane mund ta krijojnë këtë mbështetje dhe ta shndërrojnë Bashkimin Monetar në diçka për të cilën mund të vendosin vetë zgjedhësit, në vend që t’ua imponojnë. Në të kundërt, çdo herë që do të ketë një krizë apo frenim, elektorati do ta shohë – në mënyrë të justifikueshme apo jo – të gjithë politikën si diçka “të imponuar nga Brukseli”. Kjo shkon në favor të forcave anti-evropiane. Edhe pse nuk ka gjasa të shpjerë drejt shpërbërjes së dhunshme të Bashkimit Evropian, pa dyshim kjo do të shkaktojë pakënaqësi të mëtejshme dhe bllokim, i cili mund të qetësohet vetëm nëse arritjet janë qartësisht të dukshme dhe prodhim i politikanëve të zgjedhur.
për "Start" Elsa Agia
Krijoni Kontakt