Sipas studimeve, 60% e meshkujve dhe 18% e femrave tymosin. Në 10 persona me kancer mushkërish, 9, duhanpirës. (Shekulli)
Bruna Prifti
Në Shqipëri rreth 3 300 vdekje në vit ndodhin si pasojë e sëmundjeve që shkakton duhanpirja. Fenomen që dita-ditës po shënon rritje, me tendencë së fundi femrat. Shifra është bërë publike dje në Ditën Ndërkombëtare pa Duhan, ku janë deklaruar edhe të dhënat më të fundit lidhur me pasojat negative që shkakton duhanpirja, jo vetëm për ata që tymosin rregullisht. “Rreth 3 300 vdekje në vit te ne i takojnë sëmundjeve që shkakton duhanpirja. Në 10 persona të sëmurë me kancer mushkërish, 9 prej tyre janë duhanpirës”, - tha dje Roland Shuperka, specialist pranë Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë dhe koordinator i politikave kundër duhanit.
Të dhënë pas duhanit
Vendi ynë renditet në vendet me përqindje të lartë të duhanpirjes. Studimet e fundit tregojnë se 60% e meshkujve në vendin tonë janë duhanpirës, ndërsa 18% e femrave nuk ndahen dot prej tij. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik theksojnë se tendenca e fundit në këtë fenomen është rritja e përqindjes së femrave që janë të dhëna pas duhanit. Kjo pa pasur dallim shumë të madh për grupmoshën. Sipas studimit, bërë në 60 shkolla tetëvjeçare dhe të mesme të vendit, bie në sy rritje e ndjeshme e numrit të duhanpirësve, duke filluar që në moshë të hershme. Por, ajo që specialisti Shuperka e veçon si një gjë aspak pozitive, është se shumë prej të anketuarve nëpër shkola të ndryshme të vendit janë përgjigjur prerë se vitin e ardhshëm do të renditen te kategoria e duhanpirësve. “Sipas studimit të bërë në grupmoshën 13-15 vjeç, që përfshiu klasat e shtata, të teta e deri në vitet e dyta të shkollave të mesme të vendit, rezultoi se 16,8% e nxënësve pinin rregullisht duhan”, - tha Shuperka. Sipas të njëjtit studim, ndarë në gjini, djemtë ishin edhe tymosësit më të shumtë. Kështu plot 21,9% e djemve në shkollat tetëvjeçare e të mesme të vendit pijnë duhan. Ndërsa vajzat, ndonëse më të pakta se djemtë në numër, zënë mjerisht një përqindje të konsiderueshme. “Pozitisht për pirjen e duhanit i janë përgjigjur 12,5% e vajzave të grupmoshës 13-15 vjeç”, - thotë Shuperka, përqindje që vjen në rritje edhe për femrat e moshave më të mëdha.
Çfarë merret në këmbim
Sëmundje pa fund, kancere të llojeve të ndryshme dhe vdekje shkencërisht e provuar. Fjala e mjekëve dhe e specialistëve të fushës këtë herë nuk ka nevojë për asnjë lloj hamendësimi. “Në listën e sëmundjeve nga duhani, tani shtohen katarakti, pneumonia, kanceri i stomakut, kanceri i pankreasit etj.”, - thotë Shuperka, duke shtuar se këto sëmundje i shtohen listës së njohur të sëmundjeve të shkaktuara nga duhani si kanceri i mushkërive, ezofagut, larinksit, grykës, fshikëzës, sëmundjet kronike pulmonare, kardiovaskulare dhe dëmtime të sistemit riprodhues. Nëse zgjedh me apo pa ndërgjegje të “helmohesh” me duhan, duke mbajtur riskun për vete, duhet padyshim të llogarisësh edhe të tjerët. Alarmi i mjekëve këtë radhë vjen po kaq i fortë edhe për të gjithë ata që rrinë në ambiente ku ka duhanpirës. Sipas tyre, shumë të rrezikuar janë edhe personat në ndikimin e duhanpirësve, të cilësuar si duhanpirësit pasivë. “Ka të dhëna bindëse që e lidhin duhanpirjen pasive me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit të mushkërive, sëmundjeve respiratore, infeksionit të veshit dhe vdekjes imediate foshnjore”, - thuhet në manualin me këshilla praktike “Si ta lë duhanin”, i specialistit Shuperka dhe Arta Lena.
Sipas specialistëve, duhani është një prej sfidave më të mëdha të shëndetit publik, me të cilën po përballet bota sot, padyshim edhe vendi ynë. Të dhënat flasin për 1,3 miliardë duhanpirës në të gjithë botën, ndërsa plot 5 milionë njerëz në botë vdesin për vit nga duhanpirja. “Nëse fenomeni vazhdon me këto ritme, atëherë numri i vdekjeve do të arrijë 10 milionë në vitin 2020, 70% e të cilëve do t’i takojnë vendeve në zhvillim”, - u tha gjatë konferencës së zhvilluar dje.
Mjekët e ardhshëm nuk do të jenë në gjendje të këshillojnë pacientët për lënien e duhanit
Mjekësia, 4 në 10 studentë tymosin
Ata që nesër do të kenë në dorë jetën e pacientëve, nuk do të jenë bindës dhe këshillues të mirë për lënien e duhanit. Studimi i fundit, përfunduar në prill të këtij viti, tregon se shumë prej studentëve të mjekësisë janë duhanpirës të rregullt. Mes tyre, një numër i konsiderueshëm janë femra. “Më shumë se katër në dhjetë studentë pijnë duhan rregullisht”. Ky është përfundimi aspak pozitiv, i studimit të bërë me studentët e viteve të treta të fakulteteve të Mjekësisë, Stomatologjisë, Farmacisë dhe Infermierisë. “Studimi përfshiu 10 shtete të botës, mes të cilëve edhe vendin tonë”, - theksoi Shuperka. Sipas studimit, 65,1% e meshkujve studentë në këto degë, tymosin duhan prej vitesh dhe femrat 35,7%.
Përfundimi është cilësuar si shumë shqetësues, si nga specialistët, ashtu edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, apo edhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. “Ky është një shqetësim i madh, pasi ky personel i ardhshëm i profesionistëve të shëndetit nuk do të jetë në gjendje të japë këshilla për pacientët për lënien e duhanit”, - tha zëvendësministri i Shëndetësisë, Eduard Hashorva, i pranishëm në këtë konferencë. Të gjitha këto marrin nota edhe më alaramante, po t’i bashkangjitësh edhe kontributin e padiskutueshëm të duhanit në vdekshmërinë e parakohshme dhe në sëmundshmëri të ndryshme.
Shqipëria, 300 milionë dollarë për duhanin
Shpenzime rekord për të thithur helmin. Kështu e ka cilësuar specialisti Roland Shuperka, shpenzimet e bëra në vendin tonë për të blerë duhan. “Vendi ynë shpenzon 280-300 milionë dollarë në vit vetëm për të blerë duhan”, -tha ai, duke shtuar se, sipas llogarive, i bie që në ditë për cigare të harxhohen 850 mijë dollarë. Sikur ajo lëndë tymosëse të mos kishte mbërritur në Evropë, ndoshta të dhënat për konsumimin dhe pasojat deri në vdekje nuk do të ishin kaq të larta. Duhanin, njohur në gjuhën shkencore tabako, e kemi “peshqesh” nga fiset Maja, të njohura si të parat që janë marrë me këtë bimë. Nga ana tjetër, sipas Shuperkës, duhet bërë shumë kujdes edhe në shënimet që tregojnë për përmbajtjen e katranit apo nikotinës në paketat që tregtohen. Sipas tij, studimet e bëra në Francë kanë treguar se ndryshimi mes analizave të bëra nga cigaret dhe asaj që shënohej në paketa ka qenë shumë i madh. Pasoja: ajo që thithnin duhanpirësit ka qenë shumë më tepër katran apo nikotinë se duhej.
Shifra
Nxënësit 13-15 vjeç, 16,8% duhanpirës
Djemtë, 21,9%
Vajzat, 12,5%
Do ta nisin, 16,7% e nxënësve
Mjekësia
4 në 10 studentë, duhanpirës
Meshkujt, 65,1%
Femrat, 35,7%
Shpenzimet e shqiptarëve
Në vit, 300 milionë USD për duhanin
Në ditë, 850 mijë USD për duhanin
Pasojat
Duhanpirësit, 8 vjet jetë më pak
Kanceri i mushkërive, 18 herë më i lartë te duhanpirësit
Infarkti, 3 herë më i lartë
Ndikimi te joduhanpirësit
Rreziku i kancerit të mushkërive rritet 26%
Rreziku i infarktit, 23%
Thirrini mendjes!!!
Nese ju pelqen vdekja gjeni ndonje menyre me pak "te hidhur".
Krijoni Kontakt