Hapësira rikthimi: Albstudent dhe Mjaft Foundation nisin projektin "Praktika 2005"


Që prej 15 vjetësh kur Shqipëria u bë tashmë një vend i hapur me botën një numër përherë e më i madh të rinjsh nisën të zgjedhin vendet perëndimore për të kryer studimin e tyre. Studentët shqiptarë janë tashmë ndër më të pranishmit kudo në Europë dhe në Amerikën e Veriut. Ata përbëjnë sot një nga shpresat më të mëdha të vendit për të ardhmen. E gjithë eksperienca dhe dija që ata sot po grumbullojnë në universitetet më të mira te botës, nëse do të praktikohej në Shqipëri, do t’i jepte vendit një impuls të jashtëzakonshëm zhvillimi. Kjo për shkak edhe se studentët shqiptarë, kanë provuar gjithandej ku kanë studiuar, se radhiten ndër më të aftët dhe kompetitivët. Ky kapital kaq i madh intelektual, do të ishte boom-i i vërtetë i zhvillimit të vendit. Por fatkeqësisht, pas disa vitesh në perëndim, shumë të rinj shqiptarë, i shkëpusin lidhjet me vendin e tyre duke humbur çdo kontakt me vështirësitë që ai kapërcen apo edhe me lehtësitë e reja që hapen përditë për të arsimuarit jashtë dhe mundësitë që ata të zbatojnë në mënyrë të dobishme por njëkohësisht edhe fitimprurëse për ata vetë, dijet e tyre në shtëpinë e tyre.

Në këtë kontekst Rrjeti Internacional i Shoqatave Studentore Shqiptare Albstudent (www.albstudent.net) dhe Mjaft Foundation (www.mjaftfoundation.org) kanë iniciuar sëbashku projektin "Praktika 2005" (www.praktika-online.com) nën moton “Hapësira rikthimi”. Projekti mundësohet nga mbështetja e Ambasadës Gjermane në Tiranë në kuadër të Paktit të Stabilitetit dhe nga Ministria e Kulturës Rinisë e Sporteve. Ky projekt inovativ do të shërbejë për të organizuar kthimin në atdhe të studentëve të talentuar që studiojnë jashtë, duke u dhënë atyre mundësinë të njohin realitetin e punës në institucionet shtetërore e firmat e mëdha shqiptare duke kryer praktika në to si dhe duke u dhënë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre akademike duke i zbatuar ato në praktikë. Ne po ndërmjetësojmë në mënyrë të suksesshme me shumë institucione qendrore shqiptare apo kompani nga më të mëdhatë në vend, që ato të çelin dyert për studentët në perëndim për të kryer praktikën në Shqipëri. Kryerja e një praktike do të ndihmonte drejtpërdrejtë këta studentë në krijimin e kontakteve me punëdhënës të ndryshëm dhe në fillimin e një karriere të suksesshme në atdhe pas diplomimit të tyre.


Të gjitha informacionet rreth këtij projekti si përshkrimi i praktikave, mundësia e aplikimit online, organizatorët, mbështetësit etj, ju mund t'i gjeni tek faqja www.praktika-online.com . Kjo faqe do të pasurohet vazhdimisht në javët e ardhshme me informacione mbi vende të reja praktikash etj.