SHOPEN, Frederik
SHOPEN Frederik (1810 - 1849) kompozitor i madh romantik dhe pianist virtuoz
* Kur Shopeni ishte në Londër u tha miqve se një natë më parë nuk kishte mundur të flinte. Ditën tjetër në shtëpi gjeti një krevat me sustë, një dyshek me pupla dhe dy jastëkë. Ato i kishte sjellë fshehurazi një admirues i Shopenit. Më vonë u mor vesh se ky ishte një fabrikant pianofortesh.
* Në Angli dhe në Skoci për Shopenin tregonin kujdes të madh.
Ai u thoshte miqve të tij:
- Gjithë ky interesim më mërzit dhe më shqetëson shumë. Edhe pse kudo më rrethojnë njerëz, e ndiej veten të vetmuar tmerrësisht të vetmuar. Anglezët nuk janë si francëzët e mi të dashur. Ata e duan artin jo se e kuptojnë po sepse është një luks. Ç'duhet bërë kur mbas darkës ata e zhytën në bisedat e tyre që unë nuk i kuptoj dhe në uiskin e tyre që unë nuk e pëlqej?
Nuk mund të bëj gjë tjetër vetëm se t'i vështroj kur flasin dhe t'i dëgjoj kur pinë.
* Shopeni ishte shumë i varfër. Miqtë e tij përpiqeshin që t'i jepnin para fshehurazi, sepse nuk pranonte. Admiruesja e tij Stërling i dërgoi një letër anonime me njëzetepesëmijë lira. Portierja, që nuk e dinte se ç'kishte ajo letër, e vuri në sahatin e madh dhe e harroi atje. Muzikanti po jetonte gjithnjë e më keq. Pas disa kohësh Stërling e pyeti Shopenin në se e kishte marrë letrën. Kur mësoi se ai e kishte marrë, ajo qe e detyruar të thoshte të vërtetën. Shopeni protestoi dhe i tha:
- As mbretëresha e Anglisë nuk do të më detyronte të pranoja një dhuratë si kjo!
* Një këpucar i pasur e ftoi Shopenin në shtëpi. Pasi hëngrën drekë ai iu lut mjeshtrit të ulej në pianoforte. Shopeni deshi të shmangej por tjetri nguli këmbë.
- Aman të lutem, - i tha i zoti i shtëpisë, - vetëm sa të shoh sesi luhet në piano.
Shpeni u detyrua të luante në piano. Disa ditë më vonë ishte ai që e ftoi për drekë këpucarin. Pasi hëngrën i solli të ftuarit në mes të dhomës një tryezë të vogël këpucari me gjitha veglat e duhura dhe iu lut të bënte një palë këpucë.
Kjo i habiti të gjithë, por Shopeni i tha pa të keq:
- Kini mirësinë, ju lutem, vetëm sa të shoh se si bëhen këpucët.
* Midis admiruesve të Shopenit ishte edhe një zonjushë shumë e bukur skoceze nga një familje mjaft e pasur që kishte një kështjellë të mrekullueshme dymbëdhjetë milje nga Edinburgu. Ajo ishte dashuruar me Shopenin dhe donte të martohej me të. Miqtë e tij i thanë për këtë gjë Shopenit. Ai, duke tundur kokën me trishtim, u përgjigj:
- Po pse nuk më thoni më mirë të martohem me vdekjen?
Kjo ndodhi më 1848 kur muzikanti e ndiente veten shumë keq dhe po i vinte vdekja
Krijoni Kontakt