“Skënderbeu” i Barletit, gjen prehje në Kosovë
Sjelljen e veprës së Barletit në Kosovë, nga familja Pacolli, historiani Zekeria Cana e konsideron një ngjarje të madhe për kulturën shqiptare Ekzistojnë shumë vepra për historinë e heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të botuara në dhjetëra gjuhë të botës.
Por, pothuajse të gjitha janë të bazuara në një të vetme: “Jeta dhe bëmat e Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbeu - Princ i Epirotëve...”, shkruar nga Marin Barleti dhe botuar në Romë, latinisht, në vitet 1508-1510.
Një ndër ekzemplarët shumë të rrallë të botimit të parë të kësaj vepre, është sjellë të premten në Prishtinë, nga familja e biznesmenëve Pacolli. Para se të bëhet pronë e kësaj familjeje, libri ruhej në Utrecht të Holandës, në një kompani antikitetesh. Ky libër mund të jetë bazë e mirë për krijimin e një koleksioni vlerash të posaçme të kulturës shqiptare, brenda familjes kosovare. Vetëm brenda shekullit XVI, libri është ribotuar në latinisht, si dhe është përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore të Evropës, në më se 20 botime. Sjelljen e veprës së Barletit në Kosovë, historiani Zekeria Cana e konsideron një ngjarje të madhe, një ngjarje të madhe në rrafshin e kulturës shqiptare.
“Kjo është një gjë e madhe, një dhunti e madhe. Ekzemplarët e këtij libri janë shumë të rrallë”, thotë Cana. Sipas tij, me veprën monumentale të Barletit, Skënderbeu kthehet si i gjallë në Kosovë. Veprën ai e quan kryemonument të Skënderbeut. Selim Pacolli, vëllai i biznesmenit Bexhet Pacollit, thotë se ende nuk është vendosur se si do të veprohet me librin në të ardhmen: do të mbahet në pronësi të bibliotekës familjare, apo do t’i dhurohet ndonjë institucioni shtetëror, me kusht që të ruhet. “Pretendojmë të bëjmë një ekspozitë, pasi është libër i rrallë dhe qytetarëve iu duhet dhënë mundësia që ta shohin. Nuk do të ndalemi asnjëherë në kërkim të veprave të tilla dhe do t’i sjellim në shërbim dhe pronësi të popullit, të cilit i takojnë”, thotë ai. Libri ka formatin 31X21 centimetra, ka 326 faqe dhe disa nga faqet e para janë pa numër. Në kopertinë gjendet portreti i Skënderbeut, dy poezi dhe portreti i Marin Barletit.
Krijoni Kontakt