Kjo birrë do t’i ofrohet klientit në ambalazhe 0,33 litër e 0,5 litër; brenda muajit prill ajo do të hedhë në treg birrën pa alkool në kanaçe
Kompania e prodhimit të Birra Tirana ka filluar para dy ditësh tregtimin e një produkti të ri, atë të birrës së zezë. Kjo birrë do t’i ofrohet klientit në ambalazhe 0,33 litër e 0,5 litër. Drejtori i marketingut në Birra Tirana, Bernard Jaçe, tha gjatë një ceremonie promovimi në ambientet e Panairit Ndërkombëtar të Europës Juglindore se “ky produkt, ndonëse tradicional, i ka munguar prej kohësh tregut shqiptar”. “Birra Tirana, në kuadër të marrëveshjeve të tregtisë së lirë ka filluar eksportin e birrës në Maqedoni e Angli me rreth 5 mijë hektolitra”,- u shpreh Jaçe. Sipas tij, brenda muajit prill të këtij viti kjo kompani do të eksportojë edhe në Greqi e Itali. “Brenda muajit prill do të fillojë edhe tregtimi i birrës pa alkool në kanaçe”, përfundoi Jaçe. Birra Tirana mbulon mbi 40 për qind të tregut vendas dhe synon që të kapë 50 për qind të këtij tregu. Birra Tirana ka tashmë më shumë se dy vjet që eksportohet edhe në 6 shtete të SHBA-së. Ky eksportim në SHBA, i mundësuar nga një biznesmenë shqiptaro-amerikanë, është sidoqoftë në sasi modeste. Sipas Enea Jankos, administrator i Birra Tirana, kapacitetit maksimal prodhues i kësaj fabrike është rreth 500 mijë hektolitra.
Teknologjia e prodhimit
Teknologjia në fabrikën e prodhimit të Birra Tirana është një teknologji moderne e prodhuar vitet e fundit, e cila ndihmon ndjeshëm plotësimin e nevojës për birrë me ambalazh dhe shije të ndryshme. Pak kohë më parë kjo kompani investoi mbi 10 milionë dollarë. Por pjesa më e madhe e këtij investimi ka shkuar për përmirësimin e teknologjisë dhe mjediseve të prodhimit. Para disa kohësh Birra Tirana u vlerësua me çmimin e artë për cilësi, në një konkurs për cilësinë e produkteve në të gjithë botën, që mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1975. Në këtë konkurs marrin pjesë 160 kompani të prodhimeve të ndryshme nga 120 vende të botës.
Historiku i Birra Tirana
Kompania e prodhimit Birra Tirana është krijuar që në vitin 1960. Deri në vitin 2000 ajo ndante tregun vendas me Birra Korçën, duke zënë përkatësisht 2/3 dhe 1/3 e tregut vendas. Ajo është shoqëri aksionere më kapital të përbashkët të 10 aksionerëve. Lëndët e para që përdoren për prodhimin e birrës, si malto (elb i maltuar) dhe lupolo, merren nga kompani europiane. Birra këtu përgatitet nga elbi i maltuar, uji i Selitës, lupolo dhe majaja; gjithashtu, ajo përmban një përqindje të vogël alkooli dhe sasi të konsiderueshme gazi karbonik. Ka një periudhë skadence 1-vjeçare, pasi kalon në procesin e pasterizimit.
Krijoni Kontakt