Close
Faqja 4 prej 44 FillimFillim ... 2345614 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 40 prej 435
  1. #31
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    Don Juan Aladro Castriota de Perez y Velasco (Spanish nobleman). He was one of several European noblemen of alleged descendancy from Gjergj Kastriota, called Scanderbeg, who tried to gain influence on the National Movement, but with very limited success. One of his preferred propaganda items were postcards with his portrait in a fancy uniform and the title "Prince of Albania". When Albania proclaimed her independence he was out of the game
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #32
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393
    Disa të vërteta mbi vdekjen e Skëderbeut
    Nga Dr. Aurel Plasari


    Simbas historianëve të tij klasikë, në Lezhë Skënderbeu ra i sëmurë dhe vdiq më 17 janar 1468. Datën e ka dhënë Barleti, duke dhënë gabim vitin (1466), me shkakun e cituar sipër: “... e zunë një palë ethe të rënda” . Franku e përshkruan po simbas Barletit: “Por u sëmur prej ethesh shumë të forta”, edhe ky me vitin gabim . Muzaka nuk e thotë shkakun e vdekjes, por jep edhe ai vitin gabim: 1466 . Edhe Tivarasi/Biemmi: “... e zunë një palë ethe të forta, që e detyruan të zinte shtratin dhe të ndryshonte zbatimin e planit të tij”, edhe ky me vitin gabim . Si shihet, si Franku edhe Muzaka, Biemmi dhe mbas tyre shumë të tjerë janë varur po te Barleti; nga ana tjetër, shkaku i vdekjes i dhënë nga Barleti dhe rimarrë nga shumë ndjekës përkon me “variantin zyrtar” venedikas për këtë vdekje. Ky variant nxirret prej një mesazhi të Ghirardo de Collis-it për Dukën e tij më 12 shkurt 1468: “Skënderbeu kaloi nga kjo jetë; kishte ethet dhe, meqë disa turq teptisën në vend, deshi t’i hipte kalit dhe vdiq brenda tri ditësh” . Të mbahet parasysh se Ghirardo de Collis-i ishte ambasador i Dukës së Milanos pikërisht në Venedik, pra me këtë njoftim ai nuk bënte veçse përsëriste “variantin zyrtar” të Republikës. Këtë variant ka adoptuar edhe historigrafia zyrtare shqiptare, pa marrë parasysh që ai nuk është i vetmi variant i dhënë prej bashkëkohësve për vdekjen e Skënderbeut.

    Pikësëpari duhet vënë re se qysh gjatë kohës së vizitës së tij të fundit në Romë shënohej që Skënderbeu ishtë sëmurur “aty”. Dhe nuk bëhej fjalë për “ethe”, përderisa ambasadorët e Dukës së Milanos në oborrin papnor Lorenzo da Pesaro dhe Agostino de’ Rossi informonin me saktësi : “... u sëmur këtu nga punceura” . Ky variant i dytë i sëmundjes njoftohej më 19 shkurt 1467, ndërkohë që Skënderbeu ishte larguar nga Roma më 14 shkurt. Disa ditë mbas “variantit zyrtar” venedikas, që nxirret nga informacioni i De Collis-it i 12 shkurtit , Markezi i Mantuas njoftohej prej ambasadorit të tij Giovanni Francesco de Maffei në Raguzë për një tjetër variant (i treti) vdekjeje: “PS. Skënderbeu vdiq në betejë me një shigjetë” . Një variant i katërt i vdekjes/sëmundjes gjendet te Gaspare Veronese, simbas të cilit Skënderbeu ka vdekur nga “curis et angustia cordis” . Një variant të pestë të vdekjes/sëmundjes së tij e jep Platyna, për të cilin Skëndebeu ka vdekur nga “taedio et senio confectus” . Varianti i gjashtë mund të nxirret prej një kalese posaçërisht të rëndësishme të Volaterrano-s në Komentarët e tij: “Si erdhi në Romë, [Skënderbeu] u kthye në atdhe ku thuhet se mbas pak kohe vdiq i helmuar” .

    Si shihet, variantet e vdekjes/sëmundjes së Skënderbeut janë më shumë se një dhe ato do të duhen numëruar pa parapëlqime për ndonjë “variant zyrtar”. Madje, nëse duhet privilegjuar ndonjëri ndër këto variante, i bie të jetë ky i Volaterrano-s, bashkëkohës i Skënderbeut, që flet për një “helmim” të lidhur me vizitën e heroit në Romë, çfarë do të përkonte, nga ana tjetër, edhe me variantin e sëmundjes së Skënderbeut në Romë (“u sëmur këtu nga punceura”), njoftuar nga relacioni i ambasadorëve milanezë në oborrin papnor. Pavarësisht privilegjimit ose jo të ndonjë varianti, bëhet fjalë për një vdekje të mbështjellë me mjegull paqartësie, dyshimi, sidomos nëse kujtohen kontingjencat specifike të Arbërisë në fund të vitit 1467 dhe fillim të atij 1468: gati i vetëm përballë fuqisë më të madhe të kohës. Të vihet re edhe se, fill mbas vdekjes së Skënderbeut, me një mesazh të 16 marsit Ghirardo de Collis-i njoftonte Dukën e tij se Republika kishte bërë tanimë me osmanët një paqe “për tre vjet”, që venedikasit e mbanin të fshehtë, dhe këtë të dhënë e kishte prej vetë Francisco Capello-s .

    Pyetja shtrohet: A mos ishte Skënderbeu një pengesë për këtë “paqe të fshetë” apo, në përgjithësi, për traktativat e Republikës së Venedikut, të Mbretërisë së Napolit, asaj të Hungarisë dhë Qytetit të Raguzës për paqe me osmanët? Apo, përkundrazi, ai prirej vetë ndaj një paqeje të tillë, sikurse dyshohej në informacionin e 30 korrikut të De Collis-it (“Sulltani [...] ishte marrë vesh dhe kishte bërë traktat me Skënderbeun nëpërmjet mbretit Ferrante për t’ia dhënë Krujën Turkut” etj. ) duke braktisur kështu aleatët e tij? Ky variant i dytë ka pak gjasë, nëse kujtohen traktativat e fshehta të Republikës për paqe me osmanët se paku prej verës 1467. Apo ishte kjo, gjithsesi, një gjendje e mirëfilltë impasi, e cila e bënte Skënderbeun “njeri të tepërt” në skenën politike, prej së cilës do ta nxirrte pikërisht kjo vdekje që ngjan e e thirrur enkas për këtë rast?

    Ndërsa lajmi për vdekjen e Skënderbeut mbërrinte në Venedik më 12 shkurt, të nesërmen Senati mblidhej në “këshill të fshehtë” në të cilin, si njoftohej vdekja e tij (“ka vdekur i ndjeri i madhërueshëm Skënderbe”,“Sicut per litteras vicerectoris nostri Dyrachi intelligitur, mortuus est magnificus quondam Scandarbegus ... ” ), merreshin masa të ngushtme sa i përkiste Arbërisë. Barleti, në të vërtetë “qytetar venedikas”, në Historinë e tij të shkruar pikërisht “nën Republikën”, tregon se Skënderbeu në shtratin e vdekjes thirri pranë të birin dhe e porositur atë “të mbështetej” te Venediku, “nën drejtimin dhe mbrojtjen e të cilit po e lë skeptrin e mbretërisë sate stërgjyshërore” . “Për besnikërinë dhe kujdesin e tyre [venedikasve] mos ki asnjë dyshim, - i thënkësh ai të birit simbas Barletit, - sepse ndër sundimtarët e tjerë të krishterë, të mos i vijë kujt rëndë ta them, venedikasit janë të vetmit që s’ua kalon njeri nga rëndësia, urtësia dhe madhëria e veprave që duhen respektuar sidomos dhe dashur para së gjithash për besnikërinë dhe mirësinë e tyre, ku ata shquajnë si askush tjetër” . Mandej do fjali, gjithnjë në shtratin e vdekjes, me stil edhe më të ngritur: “Ata [venedikast] kanë qenë për mua gjithmonë shokë dhe aleatë të lidhur me besë dhe në vend prindërish të dashur. Këta pra, o bir, pikërisht këta po t’i lë unë ty për prindër, për prijës, për kujdestarë” . Padyshim që është krykëput një ligjërim ideologjik i Barletit. Që, të paraqitura kështu, marrëdhëniet e Skënderbeut me Republikën e Shën Markut nuk përkojnë aspak me të vërtetën historike, do ta vërtetonin edhe vetëm dy episodet e regjistruara prej vetë dokumenteve venedikase të vitit 1448, kur Senati i republikës në “këshill të fshehtë” kishte pranuar ofertën e një “shtetasi besnik” të saj për të vrarë Skënderbeun, duke premtuar t’i lidhte atij pensionin përkatës për këtë vrasje , apo kur me më 27 qershor Republika kishte udhëzuar Kontin e Shkodrës të ndërhynte pranë sulltanit për të hequr qafe “rebelin shqiptar”, duke i kërkuar sulltanit që Skënderbeu “të zhduket jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga faqja e dheut” .

    Masat e ngutshme të regjistruara në formë vendimesh në relacionin e mbledhjes në “këshill të fshehtë” të Senatit venedikas më 13 shkurt kishin të bënin me shtënien nën kontroll të zotërimeve të Skënderbeut. Pikësëpari jepej porosi që arkipeshkvi i Durrësit, i cili cilësohej si “person shumë i kujdesshëm” dhe “besnik e i devotshëm” ndaj Republikës, dhe që me siguri është Pal Engjëlli, të ngarkohej për të kontaktuar me të venë dhe të birin e Skënderbeut, me sa nënkuptohet për t’i bindur ata t’i kalonin zotërimet e tyre nën Venedikun. Për këtë detyrë arkipeshkvi në fjalë do të shpërblehej me një shumë rreth 220 dukatesh . Mandej i jepej urdhër proveditorit të sapoemëruar, Francisco Capello-s, ta shpejtonte sa të mundej lundrimin e tij për Arbëri dhe, me ndihmën e arkipeshkvit të sipërpërmendur, të merrte prej së vesë dhe të birit të Skënderbeut Krujën. Vendimi thotë shtjellimisht: “... t’i jepet porosi atij proveditori që, si të takohet me zotin arkipeshkëv të sipërshkruar, të marrë vësh nëse është rrezik që ato vende dhe ata banorë të mos i mbeten besnikë të birit të të ndjerit zot të sipërshkruar [Skënderbeut] dhe kështu të bien në duart e Turkut, dhe atëherë nëse është më mirë që të mbrohen nën emrin e zotërimit tonë, edhe, në rastin e një rreziku të tillë, në është e mundur të merret vesh me gruan dhe me të birin e atij të ndjeri, duke i siguruar këta se, si të qetësohen punët, zotërimi ynë do t’ua kthejë të gjitha vendet e tyre, por tani për tani, që punët e tyre të mbarështohen më mirë, të pranojnë që ato vende të mbahen e të qeverisen nën emër të zotërimit tonë” . Për masa të posaçme në Arbëri, po lidhur me këtë porosi, urdhëroheshin edhe Komandanti i Përgjithshëm i Detit i Republikës, si dhe proveditoori i Shkodrës Giovanni Matheo Contareno etj. Ky relacion vendimesh i mbledhjes në “këshill të fshehtë” të Senatit të Republikës më 13 shkurt, pra të nesërmen e njoftimit për vdekjen e Skënderbeut, ka rëndësi për të konfirmuar se nuk rezulton e vërtetë ajo çfarë ka treguar Barleti, për të cilin të mos harrohet që ishte nënshtetës i Republikës së Venedikut , Dhimitër Franku gjithshtu nënshtetës i Republikës dhe, mbas tyre, e kanë përsëritur një varg i gjatë historishkruesish: që Skënderbeu ia paskësh lënë zotërimet e tij Venedikut .

    Nga ana tjetër, realiteti i fakteve të zhvilluara fill mbas vdekjes së Skënderbeut dëshmon se marrëdhëniet e tij me Republikën e Shën Markut nuk patën qenë aspak të atilla, së paku në rrethanat e vdekjes së heroit, si kanë ngulmuar t’i përshkruajnë Barleti dhe ndjekësit e tij. E veja dhe i biri, a thua “pa u a vënë veshin” porosive të Skënderbeut në shtratin e vdekjes, e kërkuan strehimin dhe e siguruan atë jo në Venedik, por në Mbretërinë e Napolit, pranë mbretit Ferrante, me sa duket edhe pavarësisht ndërhyrjeve të Pal Engjëllit, për të cilin Franku thotë se u bë tutor i të birit të Skënderbeut dhe u kujdes për mbarëvajtjen e vendit . (Të vihet re që edhe një pjesë e mirë e komandantëve të tij më të afërt, Pjetër Manueli, Zaharia Gropa, Pal Maneshi etj., po në Mbretërinë e Napolit kërkuan dhe morën strehim .) Më 24 shkurt mbreti Ferrante i shkruante së vesë së Skënderbeut: “E Shumëpërndritura Zonjë si mëmë fort e dashur. Jo pa hidhërim shumë të madh kemi marrë vesh se i Shumëpërndrituri Skënderbe, burri i juaj fort i dashur, dhe për ne si babë, ka vdekur ashtu si ka qenë pëlqim i Zotit tonë Perëndi. Për këtë vdekje na ka ardhur jo më pak keq se për vdekjen e të nderuarit atit tonë mbret Alfons që la kujtim të pavdekshëm, dhe aq më shumë na erdhi keq kur prej ambasadorit tuaj u vërtetuam për vdekjen e thënë, edhe prandaj po dërgojmë te ju fisnikun Jeronim de Carvineo, i familjes sonë, i cili do t’ju parashtrojë disa gjëra që ia kemi porositur ne, edhe për këtë arsye ju lutemi t’i besoni atij plotësisht për sa nga ana jonë do t’ju parashtrojë, si të ishte prej vetë nesh” . Ndërsa në letrën me të cilën i ngarkonte detyrën të sipërpërmendurit, mbreti Ferrante i shkruante, mes të tjerash: “Prandaj ju, i thëni Jeronim, prej kontinentit do të veni para pranisë së gruas dhe birit të të ndjerit Skënderbe të thënë, dhe mbas përshendetjesh pa fund dhe të detyrueshme nga ana jonë, do t’i ngushëlloni duke u shpjeguar se sa na hidhëroi neve vdekja e thënë, të cilën duam ta durojmë duke menduar se nuk mund të vihet në vend me asnjë mjet. Gjithashtu, mbasi i dërguari i tyre i posaçëm na ka njoftuar se ata do të donin të vinin në këtë mbretërinë tonë duke na lutur t’u siguronim ndonjë anije për të mund të kaluar, prandaj nga ana jonë do t’u parashtroni se ardhja e tyre do të na kënaqë shumë, edhe prej nesh do të kenë ato përkëdheli e nderime sikurse djali ia ka për detyrë mëmës dhe babai të birit, edhe jo vetëm do t’u lëmë atë çfarë u kemi dhuruar, porse në qoftë nevoja do t’u dhurojmë edhe të tjera pasuri tonat” .

    Prej mesazheve dhe, përkatësisht, veprimeve të mësipërme nxirren disa përfundime me mjaft rëndësi për vdekjen e Skënderbeut. Së pari, që vetë e veja dhe i biri, me anë të një “ambasadori” ose “të dërguari të posaçëm” të tyre, kërkuan strehim në Mbretërinë e Napolit, pranë mbretit Ferrante, dhe jo në Republikën e Venedikut, sikurse do të pritej nga sa tregojnë Barleti dhe ndjekësit e tij prej “porosive” në shtratin e vdekjes të Skënderbeut. Së dyti, shteti në të cilin e veja dhe i biri i Skënderbeut kërkuan strehim, Mbretëria e Napolit, ishte njëherësh rivali dhe armiku i vjetër i shtetit të venedikasve, të cilët Barleti dhe ndjekësit e tij i kanë paraqitur si “shokë dhe aleatë të lidhur me besë” të Skënderbeut, madje “në vend të prindërive të dashur”. Së treti, e veja edhe i biri i Skënderbeut nuk kërkuan strehim as në “tokët e Kishës”, të ofruara zyrtarisht Skënderbeut prej Piut II, të cilat tani i administronte Pali II, një papë venedikas. Së katërti, disa fjali të kujdeshme të mbretit Ferrante në këtë letërshkrim diplomatik, si dhe shprehja e koduar për të dërguarin e tij se ai “do t’ju parashtrojë disa gjëra që ia kemi porositur ne, edhe për këtë arsye ju lutemi t’i besoni atij plotësisht për sa nga ana jonë do t’ju parashtrojë, si të ishte prej vetë nesh” etj., lënë të mendohet edhe më për një “mbrapaskenë” të mundshme të kësaj vdekjeje.

    Si më sipër u shënua, ndërsa e veja e dhe biri i tij kaluan dhe u strehuan në Mbretërinë e Napolit, pranë mbretit Ferrante, zotërimet e Skënderbeut i mori Republika e Venedikut. Më 23 maj 1468 Senati i saj e emëronte Joan Kastriotin “aleat” të Republikës , por ky emërim duket se nuk kishte ndonjë vlerë efektive lidhur me kthimin birit të zotërimeve të t’et. Vetë venedikasit në mars të 1468-s, d.m.th. fill mbas vdekjes së Skënderbeut, bënin me sulltanin një paqe “për tre vjet” ; por ishte një paqe që nuk do të vijonte gjatë dhe Republika do të detyrohej të ndeshej së rishti me osmanët derisa, njërin mbas tjetrin, t’i lëshonte edhe zotërimet e veta në bregdetin arbër: më 16 qershor 1478 Krujën e shtënguar nga uria mbas një rrethimi prej gati tre vjetësh dhe Lezhën, më 1479 Shkodrën , më 1501 Durrësin, më 1571 Ulqinin dhe Tivarin etj.

    Përshëndetje
    Rrofshin Shqiptarët (Arbëria, Illiria) e Bashkuar dhe
    Shqipëria (Arbëria, Illiria) e Bashkuar
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

  3. #33
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393
    Skënderbeu jeta dhe vepra”, të vërteta të fshehura mbi heroin

    “Skënderbeu, jeta dhe vepra”, monografia historike e shkruar nga profesor Kristo Frashëri, zbulon të vërteta të tjera mbi jetën veprën dhe vdekjen e Heroit Kombëtar. Përmbledhur me kujdes në vëllimet e këtij botimi luksoz,kjo monografi është promovuar dje në sallën e Akademisë së Shkencave. Autori i kësaj monografie, Prof. Dr. Kristo Frashëri, në fjalën e tij tha se “Dokumentet historike të kohës së Skënderbeut (shekulli XV-të), tregojnë se ai ishte një burrë shteti, diplomat, udhëheqës i pavarur dhe me integritet të plotë politik". Monografia ndahet në 30 kapituj duke filluar që nga gjendja e Shqipërisë në pragun e pushtimit osman për të përfunduar me vdekjen e Skënderbeut në 17 Janar 1468-të.Sipas tij, ideja shumë e diskutuar se Skënderbeu u helmua nga Venedikasit në vitin 1468-të, është hedhur mënjanë, pasi në kohën kur vdiq Skënderbeu venedikasit ishin në aleancë me të, kundër turqve (po të mos harrojmë se ata kanë dashur ta helmojnë në vitin 1448 dhe jo në vitin 1468, sqaroi ai).Frashëri tregoi se, "Para 7-8 vitesh u binda se ekzistonte materiali i domosdoshëm për të botuar një monografi të plotë, bazuar në dokumente historike të publikuara dhe të papublikuara më parë, që i përkasin kohës së Skënderbeut". "Sipas studimeve që kam bërë, arrita në përfundimin se të gjithë ata që kanë shkruar për këtë figurë në 4-5 shekujt e fundit, janë bazuar në vepra të humanistëve, si Marin Barleti",- tha ai. Prof.Dr Frashëri, shtoi se, "në këtë studim historik vërtetohet se ajo çfarë ka thënë Barleti në veprën e tij, në disa pika është e saktë përveç përshkrimit letrar që ai i ka bërë kësaj figure duke e parë vetëm në këndvështrimin e një prijësi në fushëbetejë". Ndërsa më tej Frashëri tha se “figura e Skënderbeut nuk ka qenë pikësynimi im i vetëm, ndërsa mund të them se e kam në vëmendjen time, duke trajtuar vazhdimisht, probleme të ndryshme rreth figurës dhe epokës së tij. Jam përpjekur që në këtë botim Skënderbeu të vijë si një figurë realiste dhe jo e legjendarizuar siç ka ndodhur rëndom, duke e zhveshur gjithashtu nga lëvdatat e tepërta, të cilat ai i meriton por që për lexuesin duken të tepërta". Në ceremoninë e prezantimit të këti botimi, përshëndeti kryetari i Akademisë së Shkencave, Prof.dr Ylli Popa, duke e cilësuar monografinë e Frashërit, publikuar nga shtëpia botuese"Toena", një botim të plotë rreth figurës së Skënderbeut dhe të bazuar mirë në fakte historike.Prof.Dr.Kristaq Prifti, duke vlerësuar autorin Frashëri si studiues të epokës së Skënderbeut dhe biograf të tij, veçoi vlerën e këtij libri si një botim shkencor, bazuar në detaje dokumentesh historike. Në këtë botim të plotë të Frashërit, përfshihen 113 ilustrime që cilësohen nga autori pjesë e rëndësishme e hartimit të kësaj monografie, ku siç tha ai "jam përpjekur të vendos imazhet më autentike të epokës së Skënderbeut".Prof.Dr. Kristo Frashëri bëri të ditur gjithashtu, se ka në plan të shkruajë një seri prej 9 vëllimesh, mbështetur në dokumente, kancelari, letërkëmbime, etj, të gjitha të Epokës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.



    Përshëndetje
    Rrofshin Shqiptarët (Arbëreshët, Illirët) dhe
    Shqipëria (Arbëria, Illiria) e Bashkuar
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

  4. #34
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,174
    Postimet në Bllog
    22
    Shën Nifoni në oborrin e Skënderbeut

    Dr. Aurel PLASARI.

    Prania e Nifonit, njërit prej etërve në zë të Kishës lindore, në Oborrin e Skënderbeut ka mbetur pa u hulumtuar sa duhet. Ndër ata që janë marrë me historinë e Shqipërisë, i pari që e ka nxjerrë në dukje këtë prani ka qenë Nicolae Jorga në veprat e tij Histori e shteteve ballkanike (Paris 1925)1 dhe Histori e Kishës rumune (Bukuresht 1928)2, mandej Dhimitër Beduli në një diskutim sado të shkurtër (tri faqesh) në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike (Tiranë 1968)3. Në një shënim me titull Një patrik shqiptar në shek. XV ka pasë shkruar diçka për të edhe Faik Konica, me të dhëna nga një Histori politike dhe patrikore e Stambollit, botuar në Bon prej B.G. Niebuhr‑it4. Por Konica nuk e vinte re praninë e Nifonit në Oborrin e Skënderbeut, madje çuditërisht, pa ditur as vitet e patriarkisë së tij, i hamendonte ato5.

    Si burim dore së parë për jetën dhe veprimtarinë e Shën Nifonit shërben Jeta dhe punët e Shenjtërisë së tij atit tonë Nifon, patriark i Carigradit [Kostandinopojës]. E njohur shkurt si Jeta e Shën Nifonit, ajo u shkrua në shek. XVI nga kryeigumeni Gavriil, që ishte protos i Malit të Shenjtë (Athos) dhe e kishte shoqëruar Nifonin në udhëtimin e tij në Hungrovllahi6. E shkruar me gjasë mes viteve 1517‑1521, në greqishte, Jeta e Shën Nifonit u riprodhua e dorëshkruar duke u përkthyer edhe në sllavonishte dhe rumanishte7. Dorëshkrimin në greqishte e botoi Nikodim Agjioriti në Venedik, më 1803. Por Jeta njohu edhe shumë botime rumune, mbasi me të quhet që e zë fillin historiografia e Hungrovllahisë8.

    Të dhënat më të rëndësishme për prejardhjen e Nifonit mësohen prej Jetës: "Të atin e Shën Nifonit e quanin Manuil, por e thërrisnin me nofkën Harip, ndërsa të ëmën ia quanin Maria. Ishte dere së madhe dhe fisi bujar, të njohur për pasurinë dhe zulmën dhe për punë të mira në vendin e Dalmacisë. Ndonëse ishte ai vetë shërbyes besnik në oborrin e Gjorgjit zot i Dalmacisë dhe kujdestar i fëmijëve të shtëpisë, u kallëzua nga Manuil Hlapeni, që e kishte këtë emër prej fisit të tij, i cili e futi në burg dhe deshi ta prishte. Por Perëndia e kurseu me ndërmjetësinë e zonjës Irina nga visi i Dalmacisë, se e dërgoi ajo fshehurazi me libra te një vëlla i saj të cilit i thoshin Toma voevod i ishullit të Peloponezit. Sapo që e pa, sunduesi e priti menjëherë me nderime të mëdha dhe kështu shpëtoi nga vdekja. Në atë vend atëherë Manuili mori për grua një zonjë që e quanin Maria, bijë bujarësh të mëdhenj, dhe me të bëri dy djem dhe një vajzë. Por ai vetë vdiq mbas kësaj"9. Gjeorgji i këtushëm nuk është veçse Brankovici (1482‑1486). Manuil Hlapeni denoncues duhet të vijë prej sunduesit maqedon me të njëjtin mbiemër. Zonja Irenë, që e ka shpëtuar, është Irenë Kantakuzina prej Semendrie, kurse i vëllai "Toma voevod i ishullit të Peloponezit" është Toma Kantakuzeni, despoti i Moresë, që u dëbua prej sulltan Mehmetit II.

    Po aty mësohet edhe për formimin e Nifonit, që atëherë quhej ende Nikollë: "Djalin e madh zonja e dha te sunduesi që të shërbente, ndërsa Nikollën e shpuri te një mësues që të nxente shkrim e këndim. Nikolla kishte dhanti të madhe për mësim, sepse shpejt i kaloi të gjithë bashkënxënësit e tij. Ia kaloi edhe një murgu që quhej Joasaf, mësues dhe kujdestar, dhe prej tij veshi edhe petkat murgore dhe u quajt Nifon. Duke dëgjuar për at Zaharian prej qytetit të Artës, që dinte shkrim e këndim greqisht dhe sllavonisht dhe që kishte ardhur nga Svetagora [Mali i Shenjtë], prej manastirit të Vatopedit, erdhi tek ai dhe ky e bëri murg të përkryer. Metropoliti i Artës e bëri djakon duke e hirotonisur i lumi dhe i madhi Nikodim, patriark i Justinianës së Parë dhe i gjithë bullgarëve dhe i serbëve dhe i Arbërisë dhe i viseve të tjera, të cilin e pati thirrur qeverisësi i qytetit të Linardisë nga Carigradi [Kostandinopoja] në vendin e Ohrisë në Justinianën e Parë"10. Këtu "qeverisësi i qytetit të Linardisë" duhet të jetë Leonard Tocco. "Linardia" ‑ qyteti i Artës.

    Po simbas Jetës, Zaharia me nxënësin e tij të ri dhe murgj të tjerë për t'u ikur turqve u strehuan për një kohë në Arbëri, në Oborrin e Skënderbeut: "Dhe Zaharia me Nifonin, si ndenjën pak kohë atje [në Ohri], deshën të venin në vendin e Askulunit [ose Askalonit] edhe me ta u bashkuan shumë të tjerë. Dhe u nisën nga Justiniana disa nga stereja, të tjerë me anije dhe mbërritën në një qytet me emrin Draç [Durrës], që është në vendin e Askulunit dhe së andejmi u ngjitën në qytetin e Krujës, që është prej Draçit rreth 6 milje. Edhe vajtën te Gjergji qeveritar i Arbërisë, që i thoshin Skënderbe, dhe i pranoi ai me gëzim të madh e me dashuri, sepse edhe më parë kishte dëgjuar për jetën e tyre, që ta ketë [Zaharian] at shpirtëror dhe mësues dhe edukues për të gjithë njerëzit dhe përftues të shpëtimit të të gjithëve, ndërsa Nifonin, me bekimin e kryehiereut të qytetit të Krujës, e bëri prift atje, duke e hirotonisur si edhe vetë kryehiereun i lumi patrik Nikodim"11. "Jo mbas shumë kohe u ngritën turqit nga Lindja dhe pushtuan të gjitha viset nga Perëndimi, pikërisht deri në detin e Oqeanit dhe deri në Arbëri edhe gjithçka që gjenin e thernin, e plaçkisnin dhe e digjnin. Ndaj njerëzit iknin nga të mundnin. Ndërsa etërit e lumë [Zaharia dhe Nifoni] lanë Arbërinë dhe erdhën së rishti në qytetin e madh të Ohrisë"12. "Si vdiq Nikodimi i Justinianës, at Zaharia u bë me pahir patrik i të gjithë bullgarëve, serbëve, arbërve dhe viseve të tjera [...] por perandori turk e hoqi nga froni, ndaj dhe Zaharia e la fronin dhe vajti në Carigrad [Kostandinopojë] së toku me birin e tij shpirtëror Nifon"13.

    E gjitha kjo situatë paraqet interes për të përplotësuar kontekstin religjioz‑politik të qëndresës kundërosmane të Skënderbeut. Në mënyrë të posaçme, rolin e faktorit kishtar ortodoks në organizimin nga ana e tij të kësaj qëndrese. Situata në fjalë integrohet në lidhjet e njohura të Kastriotëve me Malin e Shenjtë (Athos), për shembull me manastirin e Hilandarit aty, të cilit Ivan/Jovan Kastrioti me djemtë e tij Stanisha, Reposh, Kostandin dhe Gjergj i patën dhuruar më 1426 katundet e Radostushës dhe Trebishtit14. Po "Ivan/Jovan Kastriotit" dhe bijve të tij Reposh, Kostandin dhe Gjergj igumeni i manastirit të Hilandarit u pati shitur disa vjet më vonë "Pirgun e Shën Gjergjit" për "gjashtëdhjetë fiorinta"15. Po në këtë kontekst, të lidhjeve me Malin e Shenjtë, do lexuar edhe dëshmia e Muzakës se "Reposhi i sipërthënë bëri jetë të shenjtë dhe vajti në malin e Sinait dhe u bë murg dhe atje vdiq"16. Mandej fakti që po ky Reposh u varros në narteksin e kishës së Hilandarit17. Po kujtoj edhe një herë që Noli ka mbrojtur mendimin se Ivan/Jovan Kastrioti ka qenë "ortodoks grek" [angl. "a Greek Orthodox"] prej vitit 1419 deri më 1426 si "aleat i Stefan Lazarevicit të Serbisë"18. Ducellier‑i nuk ka nguruar ta pohojë se Kastriotët "janë me siguri ende ortodoksë në shek. XV"19. Tani së fundi edhe Petta e thotë shtjellimisht se "Kastriotët ishin historikisht të lidhur me Kishën ortodokse"20. Prania në Oborrin e Skënderbeut e (Shën) Nifonit dhe Zaharias përforcon edhe dëshminë e Mauro Orbinit sa përket ortodoksizmin e Skënderbeut. Në Mbretëria e sllavëve sot gabimisht të quajtur skiavonë (1601) Orbini tregon episodin në të cilin Giovanni di Capistrano‑ja, legat i Papës për organizimin e kryqëzatës, përpiqej t'i mbushte mendjen Skënderbeut që të bëhej katolik. Kastrioti i përgjigjej kështu: "Unë kam jetuar nëntëdhjetë vjet [sic] me këtë mendje, që prej më të mëdhenjve qysh fëmijë në shpirtin tim m'u pat mbresuar; dhe populli im, ndonëse kam qenë fatkeq, më ka mbajtur gjithnjë për të dijshëm; tani ti do të doje që, kur të më shohin të ndërruar, të pandehin se unë, i rënduar nga vitet, e paskam humbur mendjen dhe, si thuhet në gjuhë popullore, qenkam bërë matuf; unë më parë lë jetën time, se të ndahem nga traditat e paraardhësve të mij"21.

    Kjo prani në Oborrin e Skënderbeut e Zaharias dhe (Shën) Nifonit, dhe sidomos caktimi prej tij i Zaharias si "at shpirtëror dhe mësues dhe edukues për të gjithë njerëzit dhe përftues i shpëtimit të të gjithëve" dhe bërja e Nifonit prift "me bekimin e kryehiereut të Krujës", sqarojnë diçka më shumë nga situata e qytetit ku Skënderbeu kishte rezidencën e tij politike dhe ushtarake. Ajo i shtohet edhe pranisë në qytet të "kryepriftit të Krujës" të quajtur Stefan. I dërguar ambasador prej Skënderbeut pranë mbretit të Napolit për të lidhur me mbretin Alfons traktatin e vitit 1451, at Stefani e nënshkruante atë me shkronja greqishte22. Vjen kështu i saktë interpretimi i Marinescu‑t që e sheh këtë akt si dëshmi të "ortodoksisë së tij [kryepriftit të Krujës] dhe të asaj të zotëruesit të Krujës"23. Ajo ndihmon të kuptohet edhe përse, me dokumentin e 5 marsit 1453 oficeri i Zyrës së Thesarit të Aragonës, një Pere Bernat, urdhërohej t'i paguante një rrogë të dyfishtë priftit "Helia de Villiza", kapelan i dioqezës së Krujës. I ngarkuar për të celebruar meshët për "ushtarët e mbretit", at Ilia kishte kërkuar shtimin e rrogës sepse kishte nevojë për një ndihmës, një djakon. Në Krujë nuk e gjente dot një të tillë, mbasi aty "... nuk kishte as priftërinj, as djakonë latinë [katolikë]"24. Si e ka vënë re Marinescu: "Do të ishte kjo edhe një provë më shumë se popullsia e qytetit [të Krujës], kryepeshkopi Stefan i përmendur më 1451 dhe Skënderbeu ndodheshin në dëgjesën e Kishës ortodokse"25. Tani nga "historia" e Zaharias dhe Nifonit kuptohet që Kruja ishte, ende në shek XV, episkopatë ortodokse me një episkop të sajin dhe se nuk ishte shufragane e Metropolisë së Durrësit, sikundër është pohuar shpesh, por varej nga Kryepiskopata e Ohrisë26. Jorga e ka shënuar shtjellimisht këtë duke folur për Nifonin: "Mandej ai vajti në Oborrin e të famshmit Skënderbe, mbrojtësi i krishterimit në Arbërinë e lirë, e cila varej [kishërisht, A.P.] po prej Ohrisë"27.

    Mbetet për t'u diskutuar, në këtë mes, prejardhja Nifonit. Duke ngulmuar në përkatësinë e tij "shqiptare", Konica shkruante: "Nifoni kish lindur në Moré, e cila ahere ish e populluar prej shqiptarësh, sot më të shumët të grekësuar. E ëma e Nifonit ish "një zonjë greke fisnike", i ati "një oxhak shqiptar". Gjetiu, në një shkrim që duket i një auktori tjatër, shohim se i ati "ish një shqiptar i pasur e i letruar"28. Në Histori e Kishës rumune Jorga e ka bërë Nifonin "shqiptaro‑serb nga i ati dhe grek nga e ëma"29. Ndërsa në Histori e shteteve ballkanike (1925) shënonte se edhe Zaharia mund të ishte arbër, ndërsa ka qenë sllav Gavriili, shkruesi i Jetës, "se përndryshe nuk do të kishte ngulmuar mbi prejardhjen sllave të Nifonit"30. Historiani P. Nasturel i ka mëshuar më shumë prejardhjes së tij shqiptare31. E ka mbështetur këtë edhe Beduli, jo vetëm për Nifonin, por edhe Zaharian, duke shtuar argumentin: "po të kemi parasysh se u ngarkua me misionin e atit shpirtëror gjatë qëndrimit të tij në Krujë, mision i cili kërkonte të dije gjuhën e popullit për ta kryer"32.

    As prej Jetës së shkruar prej Gavriilit, as prej teksteve të ndjekësve të tij, nuk del koha e mbërritjes në Arbëri (Krujë) e Zaharias dhe Nifonit. Dhe as ajo e largimit të tyre së andejmi. Por, duke llogaritur që Nifoni ishte lindur rreth vitit 1434 dhe, kur vinte në Arbëri, ishte nxënës i Zaharia Artiotit dhe qe bërë murg me emrin e ri Nifon, madje Skënderbeu "edhe më parë kishte dëgjuar për jetën e tyre", ardhja e tyre në Arbëri mund të vendoset padyshim mbas rënies së Kostandinopojës më 1453, kur Skënderbeu kishte korrur disa fitore kundër osmanëve dhe mund të flitet për "Arbërinë e lirë". Por ndoshta edhe rreth vitit 1458, sikurse e ka menduar Moisescu33 dhe, mbas tij, Beduli34. Nga ana tjetër, largimi i tyre nga Kruja (dhe Arbëria) duket të lidhet padyshim me vitin 1466, përkatësisht me fushatën e atij viti në Arbëri të Mehmetit II. Me atë fushatë sulltani mbërriti të delte deri në brigjet e detit Adriatik. Para ushtrive të tilla rrënimtare, Zaharia dhe Nifoni, si dhe "shumë të tjerët" e bashkuar me ta, janë detyruar të largoheshin nga Kruja dhe të strehoheshin në qytetin e Ohrisë, në manastirin e Shën Mërisë.

    Mbas vdekjes së mësuesit të tij Zaharia, Nifoni e kërkoi ngushëllimin shpirtëror duke kthyer së rishti në manastiret e Malit Athos35. Qëndroi për një kohë në manastirin Kutlumus, në Lavrën e Madhe. Mandej në manastirin Dionisiu. Së andejmi u thirr të shërbente si Metropolit i Thesalonikës, në vitin 1483. Mbas një shërbimi trevjeçar në fronin episkopal, më 1486 u zgjodh Patriark ekumenik i Kostandinopojës36. Por qyteti i Kostandinit të Madh ishte tanimë kryeqytet i osmanëve dhe jeta e të krishterëve, përkatësisht e barinjve të tyre shpirtërorë, vështirësohej gjithnjë më shumë. Kështu që vetëm mbas dy vjetësh sulltan Bajazidi II e largoi Nifonin nga froni. Si la patriarkinë, Nifoni u vendos në manastirin e Shën Joan Prodromit në ishullin përkundrejt qytetit të Sozopojës (Bullgari e sotme). Mbas tetë vjetësh lutjeje dhe qetësie, më 1469 u thirr së rishti për të udhëhequr Patriarkinë ekumenike. Por edhe kjo herë e dytë nuk zgjati më shumë se vjet, mbasi u hoq nga froni prej osmanëve dhe u syrgjynos nga sulltani në Edrené, në kishën e Shën Stefanit37. Me interes një vërejtje e Jorga‑s për këtë syrgjyn: "Të shumta ishin kujtimet me luftime dhe vuajtje ballkanike që sillte me vete ky i syrgjysnosur!"38

    Aty e njohu Radu i Madh, sundues i Vendit Rumun (1495‑1508). Ky "ia kërkoi" atë sulltanit, duke e ftuar Nifonin në zotërimin e vet për të riorganizuar kishën me thirrjen mikluese: "Unë do të sundoj, kurse ti do të na dëftosh udhën e Zotit"39. Ish‑patriarku mbërriti në verën e vitit 1503 në Hungrovllahi, ku iu vu punës për mëkëmbjen e Kishës rumune duke hirotonisur episkopë, duke riorganizuar eparkitë simbas një programi të mirëfilltë. Por qëndrimi i Nifonit aty qe i shkurtër, mbasi mbërriti në mosmarrëveshje me sunduesin për çështje kanonike40. Në verën e vitit 1505 u largua prej Hungrovllahisë për të kthyer përfundimisht në Malin e Shenjtë me formulën "do të më kërkoni, por nuk do të më gjeni"41. U vendos në manastirin Dionisiu, një nga manastiret më të vjetra të Athosit. Aty i jetoi vitet e fundit si murg i thjeshtë, i panjohur prej kujt, në lutje e vetmi. Vdiq më 11 gusht 1508 (viti 7016 për kalendarin e vjetër në fuqi në Malin e Shenjtë) dhe vetëm mbas vdekjes së tij iu zbulua identiteti.

    Mbasardhësi i Radut të Madh, biri i tij Neagoe Basarabi (1512‑1521), që kishte mbajtur anën e Nifonit gjatë mosmarrëveshjeve të tij me Radun, i lypi mbas pak vjetësh manastirit Dionisiu mbetjet e Nifonit. "Që të pastronin dhe të shlyenin gabimin e Radu Vodës". Mbetjet e Nifonit u shpunë atëherë në Vendin Rumun, ku u përnderuan. Mandej iu kthyen manastirit të vendoura në një enë argjendi stolisur në ar, një nga më të bukurat dhe më të çmuarat objekte arti të mbarë Athosit. Më 15 gusht 1517, kur përurohej kisha madhështore e Oborrit të Argjeshit, Neagoe Basarabi ftonte në ceremoninë të gjithë igumenët e manastireve të Malit të Shenjtë. Me gjithë vështirësitë e mëdha që paraqiste asikohe një udhëtim i tillë, igumenët e Athosit iu përgjigjën thirrjes. Kur mbërritën në Vendin Rumun, i bënë dhuratë Basarab Vodës kryet dhe dorën e Shën Nifonit. të nesërmen e përurimit të kishës në fjalë, më 16 gusht 1517, në prani edhe të Patriarkut ekumenik Teolept I dhe të episkopëve të Seresit, të Sardës, të Midisë (së Trakisë), të Melenikut etj., u bë kanonizimi i Nifonit, d.m.th. kalimi i tij në radhët e shenjtërve42. Me porosinë e Neagoe Basarabit, kryeigumeni Gavriil i shkroi Shën Nifonit Jetën.



    Mbetjet e shenjta të Shën Nifonit ruhen sot në dy vende: kryet dhe dora në kishën katedrale metropolitane të Shën Dimitrit në Krajovë (Rumani), ku u bartën prej kishës së Oborrit të Argjeshit më 1949, kurse pjesa tjetër në manastirin e Dionisiut në Malin e Shenjtë. Dy vjetët e ndihmës së tij për mëkëmbjen e Kishë rumune së Hungrovllahisë i siguruan atij përnderim të pashlyer në ato vise, ndërsa dhjetëvjeçari i përfshirjes së tij në qëndresën kundërosmane përkrah Skënderbeut në Krujë u shua nga rrethanat e mbrapshta historike. Kisha Ortodokse e përkujton atë çdo 11 gusht, posaçërisht kisha e Krajovës dhe murgjit e Malit Athos. Atë ditë këndohet një shërbesë e shenjtë kushtuar atij, vepër e murgut Gjerasim Mikrajani. Tropari i Muzgjeve i këndon kështu: "I përndritur je ti me veprat e besimit tënd duke bërë të shkëlqejë gjithë Kishën e Zotit, ndaj edhe je kënduar për përvujtninë tënde; i lavduar nëpërmjet ngjitjes sate në Athos, u bëre xhevahiri i Patriarkëve, o Nifon zulmëmadhi; plot me hir hyjnor gjithë sa me besim dhe dashuri ty të himnojnë".

    BIBLIOGRAFI

    BEDULI, DH.: Disa të dhëna lidhur me periudhën e Skënderbeut nga një vepër agjiografike e shek. XVI, në "Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike", Tiranë 1968 .

    BEDULI, DH.: Disa të dhëna lidhur me periudhën e Skënderbeut nga një vepër agjiografike orthodhokse e shek. XVI,

    drshkr.

    CERONE, F.: La politica orientale di Alfonso di Aragona, në "Archivio Storico per le Province Napoletane", anno XXVIII, fasc. I, Napoli 1903.

    CONSTANTINESCU, N. A.: Neagoe Voda Basarab si Sf. Nifon, Bucuresti 1921.

    DUCELLIER: Aux frontières, 7.

    FEDALTO: La Chiesa, III,

    HASDEU, B. P. shih Viata.

    JORGA, N.: Histoire des États balcaniques jusqu'à 1924, Paris 1925.

    JORGA, N.: Istoria Bisericii Romanesti, Bucuresti 1928.

    KONICA, F.: Një patrik shqiptar në shek. XV, në "Bota shqiptare", Tiranë.

    KURILLA LLAVRIOTI, E.:

    KORABLEV: Actes, II.

    LAMPROS, K.: Catalogue of the greek manuscripst of Mount Athos, Cambrigde 1895.

    MARINESCO, C.: Alphonse V, Roi d'Aragon et de Naples et l'Albanie de Scanderbeg, në "Mélanges de l'École Roumaine", Paris 1923.

    Mazilu, D.: Contributii la studiul vietii Sf. Nifon, Bucuresti 1928 (ekstrakt).

    MOISESCU, G.: Viata Sf. Nifon patriarhul Constantinopolului, në "Biserica Ortodoxa Romina", nr. 9, Bucuresti 1958.

    NANIESCU, I.: shih Viata.

    NASTUREL, P.: Recherches autour la version gréco‑roumain de la vie de S. Niphon II, patriarque de Constantinople, në "Revue des etudes Sud‑Est européennes", nr. 5, Bucarest 1967.

    NOLI, F. S.: George Castrioti Scanderbeg, New York 1947.

    NOVAKOVIC: Zakonski.

    ORBINI: Il regno, 339.

    PARTHEY: Synecdemus, 124, 220

    PETKOVIC: Arbanaski, 196‑197.

    PETTA: Despoti, 34.

    POPESCU, N. M.: Nifon II Patriarhul Constantinopolului, në "Analele Academiei romane", 19143.

    RADONIC: Djuradj, nr. 3.

    SIMANDREA, T.: shih Viata etj.

    ŠUFFLAY: Srbi, 95.

    THALLÓCZY & JIRECEK: Zwei Urkunden, 144

    Viata si traitul Sf. Nifon Patriarhul Constantinopolului, Bucuresti 1865 (ed. HASDEU).

    Viata si traitul Sf. Nifon Patriarhul Constantinopolului, Bucuresti 1888 (ed. NANIESCU).

    Viata si traitul Sf. Nifon Patriarhul Constantinopolului, në "Biserica Ortodoxa Romina", nr. 5/6, Bucuresti 1937 (ed. SIMANDREA).





















    1 JORGA: Histoire, 51.

    2 JORGA: Istoria, I, 121.

    3 BEDULI: Disa të dhëna. Po ai ka lënë një dorëshkrim më të plotë të kësaj kumtese, të cilin pati mirësinë të ma lejonte për konsultim z. K. BEDULI, dhe që në vijim do ta citoj: Disa të dhëna (drshkr.).

    4 Në Bota shqiptare, Tiranë, 1943, 555‑556.

    5 Po ai: po aty, 555.

    6 "Hungrovllahi" emërtohej asikohe principata rumune e Vllahisë për t'u dalluar prej "Vllahisë së Madhe" të Epirit dhe Maqedonisë qeverisur prej Engjëllorëve. Trajta "Hungrovllahi" daton prej shek. XIV, kur Vllahia rumune ishte vasale e mbretërve angjevinë të Hungarisë, kushërinjtë e të cilëve nga Napoli ishin sovranë të Arbërisë dhe zotërues të Moresë.

    7 BEDULI ka regjistruar informatën simbas katalogut të dorëshkrimeve të Arkivit të manastirit Dionisiu, botuar nga EVLLOGJI KURILLA LLAVRIOTI, se në këtë manastir gjenden dy kodikë me jetën e Nifonit, kod. nr. 277‑591 dhe kod. nr. 333‑647: Disa të dhëna (drshkr.), 1. Shtoj për informim si tjetër burim LAMPROS: Catalogue of the greek manuscripst of Mount Athos, Cambrigde 1895.

    8 Një botim të parë rumun ia bëri HASDEU më 1865 nga një dorëshkrim i vitit 1654; një botim të dytë JOSIF NANIESCU më 1888 simbas një dorëshkrimi tjetër të vitit 1682; ndërsa më 1937 TIT SIMANDREA i bëri një botim simbas një dorëshkrimi më të hershëm, të para vitit 1682, që mbahet edhe si më i ploti dhe prej të cilit do të citohet këtu: Viata si traitul Sf. Nifon patriarhul Constantinopolului, në "Biserica Ortodoxa Romina", nr. 5/6, Bucuresti 1937.

    9 Po aty, 2.

    10 Po aty, 3.

    11 Po aty, 4.

    12 Po aty, 4.

    13 Po aty, 5.

    14 KORABLEV: Actes, II, 561‑562. NOVAKOVIC: Zakonski, ad annum 1426, nr. 62. THALLÓCZY & JIRECEK: Zwei Urkunden, 144. RADONIC: Djuradj, nr. 3.

    15 KORABLEV: Actes, II, 561‑563. PETKOVIC: Arbanaski, 196‑197. RADONIC: Djuradj, nr. 4.

    16 "Repossio predetto fù huomo de santa vita e se n'andò al monte Sinai e si fè frate e lì morse". HOPF: Chroniques, 295, 533 (tabela gjenealogjike).

    17 THALLÓCZY & JIRECEK: Zwei Urkunden, 144. PETKOVIC: Arbanaski, 196. ŠUFFLAY: Srbi, 95.

    18 NOLI: George, 21.

    19 DUCELLIER: Aux frontières, 7.

    20 PETTA: Despoti, 34.

    21 "Io son vissuto novanta anni in questa opinione, che dalli miei maggiori da fanciullo nell'animo mio fu impressa; & appresso de' miei popoli, benché mal fortunato, sono sempre stato reputato savio; al presente tu vorresti che, vedutomi essi mutato, credessero che io aggravato dagli anni havessi perduto l'intelletto, & (come da volgari si dice) fossi rimbambito; & io farei prima per abbandonare la vita, che partirmi dalle tradizioni de' miei predecessori". ORBINI: Il regno, 339.

    22 "Fuit facta supscripcio per dictum Episcopum in litteris grecis...". ACA, Reg. 2697, fl. 100 recto‑verso. CERRONE: La politica, XXVIII, 173. RADONIC: Djuradj, nr. 38. NOLI: George, appendix nr. 11.

    23 MARINESCO: Alphonse, 44.

    24 "... quia in eadem civitate nemo est vel presbiter, vel diaconus latinus, qui eundem domnum Heliam ad predictam [missam celebrandam] juvare possit". ACA, Reg. 2551, fl. 125 verso. MARINESCO: Alphonse, 63 shën. 2. RADONIC: Djuradj, nr. 64.

    25 MARINESCO: Alphonse, 64.

    26 Sa përket listat në Hierarchia Latina Orientis, në to Kisha e Krujës jepet me dy statuse, si "kishë greke [ortodokse] shufragane e Durrësit", simbas Notitiae 3 dhe 4 nga PARTHEY: Synecdemus, 124, 220, por edhe si "kishë latine shufragane e Durrësit" për "periudhën perëndimore", mbështetur në dokumente të ASVat., nga FEDALTO: La Chiesa, III, 109 zëri "Croiensis". Do mbajtur parasysh se listat e kësaj Hierarkie përmbajnë emra titullarësh kishtarë që qëndronin, ose mund të qëndronin në Lindje, në varësi të rrethanave politike të atyshme. Zakonisht kur mungonte prania ushtarake "latine", me përjashtime të pakta, as prelatët latinë nuk kishin mundësi të qëndronin në selitë e veta. Ata shënoheshin shpesh si titullarë selish "in partibus infidelium" ose "in partibus schismaticorum" ndërsa vijonin të rrinin në Perëndim duke gëzuar emërimin formal.

    27 JORGA: Istoria, I, 121.

    28 KONICA: Një patrik, 555.

    29 JORGA: Istoria, 121.

    30 JORGA: Histoire, 50.

    31 NASTUREL: Cercetari, 42.

    32 BEDULI: Disa të dhëna, 627.

    33 MOISESCU: Viata, 826.

    34 BEDULI: po aty.

    35 Viata, 5‑6.

    36 Po aty, 7.

    37 Po aty, 8.

    38 JORGA: Histoire, 51.

    39 Viata, 9.

    40 Po aty, 10‑11.

    41 Po aty, 11‑13.

    42 Po aty, 30‑32.
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  5. #35
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    Marr nga historia zyrtare e botuar kete vit nga Akademia e Shkencave.

    K R E U VI

    SHQIPËRIA NË KOHËN E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
    (1443 - 1468)

    1. RIMËKËMBJA E SHTETIT TË KASTRIOTËVE DHE
    FORMIMI I LIDHJES SHQIPTARE TË LEZHËS

    Jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut deri më 1443
    Gjergj Kastrioti lindi rreth vitit 1405. Ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).
    Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Këtu duhet të ketë lindur edhe Gjergji.
    Që kur Gjergji ishte fëmijë, familja e Kastriotëve i ndjeu rrjedhimet shkatërrimtare të pushtimeve osmane. Dokumentet tregojnë se në vitin 1409 Gjon Kastrioti ishte detyruar t'u dorëzonte peng osmanëve një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishën, dhe më pas edhe djalin e vogël, Gjergjin. Ky u dorëzua si peng rreth moshës nëntëvjeçare, kur osmanët pushtuan Krujën (në fillim të vitit 1415) që ishte në kufi me zotërimet e Kastriotëve.
    Dërgimin e Gjergjit të vogël në oborrin osman rreth moshës nëntëvjeçare, e dëshmojnë, pavarësisht nga njëri-tjetri, burime historike bashkëkohore ose pak më të vona, vendase e të huaja. Këtë e pohojnë autorët e vjetër shqiptarë, veprat e të cilëve shërbejnë si burime më të rëndësishme për njohjen e historisë së Shqipërisë të shek. XV, si Marin Barleci, Marin Beçikemi, Gjon Muzaka, Dhimitër Frëngu. Edhe në jetëshkrimin më të hershëm për Gjergj Kastriotin, të hartuar rreth viteve 1481-1482 prej Martin Segonit, tregohet se ai u dërgua i vogël peng, u rrit dhe u edukua pranë oborrit të sulltanit. Të njëjtën gjë njoftojnë edhe kronistë e historianë të huaj, bashkëkohës me Skënderbeun, si italianët F. Filelfo, I. Potani, R. Volaterani, bizantini L. Halkokondili, shumica e autorëve osmanë të shek. XV e XVI: Ashik pasha Zade, Tursuni, I. Bitlisi etj.
    Gjergji, pasi u mor peng rreth moshës nëntëvjeçare, u dërgua në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në Edrene. Ai u edukua këtu gjatë një periudhe dhjetëvjeçare në shkollën e iç-ogllanëve, ku u dallua mbi të tjerët. Në këtë shkollë futeshin zakonisht djemtë e zotërve të nënshtruar për t'u përgatitur e edukuar në frymën osmane si komandantë të zotë e feudalë të bindur. Këta zakonisht shërbenin si spahinj në vendet ku pushtimi osman ndeshte në qëndresën e popullsisë, si dhe në vendet nga ata kishin ardhur.
    Gjergj Kastrioti nga natyra ishte i pajisur me dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Sipas dokumenteve të kohës dhe njoftimeve të Marin Barlecit, Gjergj Kastrioti kishte mendjemprehtësi të veçantë dhe arriti të zotëronte disa gjuhë të huaja. Ai ishte shtatlartë, shpatullgjerë e shumë i fuqishëm. Luftonte mbi kalë e në këmbë dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës e të armëve të tjera.
    Gjergji u shqua gjatë viteve të shkollës, kur iu vu emri mysliman Skënder, dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake, në Ballkan dhe në Azi të Vogël, gjatë të cilave fitoi një përvojë të madhe ushtarake. Pasi mbaroi shkollën e iç-ogllanëve, Skënderbeu hyri në kuadrot ushtarake të sistemit feudal osman dhe përparoi shpejt në karrierën shtetërore, nga pozita e spahiut deri në postin e lartë të sanxhakbeut.
    Funksionet si kuadër osman për vite të tëra Skënderbeu i ushtroi në Shqipëri, duke u lidhur me mjedisin vendas dhe interesat e familjes së tij. Emri i Gjergj Kastriotit për herë të parë përmendet në Shqipëri bashkë me ata të vëllezërve të tij në dokumente të vitit 1426 për çështje pronësie. Në këtë kohë Skënderbeu kishte mbaruar shkollën e iç-ogllanëve dhe ishte në Shqipëri si spahi, më pas u bë subash i Krujës dhe qëndroi në këtë post zyrtarisht deri në fund të vitit 1438, kur në zeametin përkatës është shënuar se i rijepej Zaganoz Beut. Qysh në fillim, kur u hartua regjistri kadastral osman i vitit 835 h. (1431-1432), zeameti i subashit të Krujës është regjistruar me emrin e Zaganoz Beut. Pas riemërimit zyrtar në fund të vitit 1438 në postin e subashit të Krujës, Zaganoz Beu duhet të jetë rikthyer me vonesë në Krujë, sepse Skënderbeu përmendet në Shqipëri edhe më 7 dhe 10 korrik të vitit 1439. Nuk dihet se cilët fshatra formonin timarin e tij në Shqipëri, kur ai ishte në postin e një spahiu. Ndoshta kanë qenë disa fshatra të vilajetit të Dhimitër Jonimës, diku midis Lezhës e Rubikut, ku në mes të viteve 30 Skënderbeu pati në zotërim një timar të madh, me të paktën nëntë fshatra.
    Skënderbeu konsiderohej si bashkësundimtar me të drejta të plota me anëtarët e tjerë të familjes në veprimtarinë politike të Kastriotëve. Prandaj emri i tij është shënuar gjatë viteve 20 e 30 në aktet zyrtare që rregullonin marrëdhëniet e Kastriotëve me vendet e tjera, si p.sh. në vitin 1426 në një aktblerje nga Kastriotët të një pirgu pranë manastirit Hilandar në malin Athos dhe në një aktdhurimi të dy fshatrave të Kastriotëve për manastirin e Hilandarit, si dhe në mars të vitit 1438 kur Stanisha dhe Gjergji kërkuan qytetarinë e Venedikut dhe më vonë (korrik 1439) edhe atë të Raguzës. Qytetaria veneciane e raguzane kërkohej që, në rast shkatërrimi e dëbimi nga zotërimet e veta prej osmanëve, familjarët e Gjonit të strehoheshin në këto vende.
    Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si kuadër osman Skënderbeu punoi aktivisht për mbrojtjen e interesave të familjes së tij. Kështu, sipas një dokumenti osman pa datë, kur Gjon Kastrioti ra në konflikt me osmanët dhe humbi krahinën e Ishmit (Mysjen), Skënderbeu u kërkoi autoriteteve osmane që ta merrte si zeamet këtë krahinë. Gjatë këtyre viteve ai kishte një timar të madh në trevën Lezhë-Rubik, që përshkohej nga udha e karvaneve që lidhte bregdetin me Prizrenin. Kjo rrugë ishte shumë e rëndësishme për veprimtarinë ekonomike e tregtare të shtetit të Kastriotëve. Më 1437-1438 Skënderbeu u bë qeveritar (subash) i vilajetit të Krujës dhe siguroi për këtë një feud të madh prej dhjetëra fshatrash. Ky gradim ndikonte shumë në forcimin e pozitave ekonomike e politike të zotërimeve të Kastriotëve që shtriheshin në lindje e në veri të vilajetit të Krujës.
    Pas vdekjes së Reposhit (1431), që i qe kushtuar jetës fetare, dhe të Konstandinit, dy vëllezërit e tjerë drejtuan shtetin e Kastriotëve, sepse ati i tyre, Gjon Kastrioti, ishte i sëmurë dhe vdiq në maj të vitit 1437. Të dy vëllezërit i kushtuan vëmendje ruajtjes e forcimit të marrëdhënieve me Venedikun e Raguzën, prej të cilave arritën më 1438 e 1439 të siguronin të drejtat e privilegjet që kishte patur ati i tyre me ato dy vende. Ata vepruan bashkërisht deri kur vdiq Stanisha më 1446.
    Pas vitit 1439 Skënderbeu nuk përmendet më në tokat shqiptare. Në këtë kohë në Ballkan po fillonin trazira të reja, si rrjedhojë e aksioneve ushtarake antiosmane të Janosh Huniadit. Prandaj sulltan Murati II e largoi Skënderbeun nga posti i subashit të Krujës, duke e emëruar sanxhakbej me sa duket larg tokave shqiptare, ndoshta në Nikopol të Bullgarisë.
    Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si funksionar osman, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu del me emrin mysliman (Iskënder) në dokumentet osmane, kurse në ato perëndimore ka përdorur vetëm emrin e krishterë Gjergj, gjë që shpreh lidhjet e tij me parinë drejtuese shqiptare.
    Sigurimi i privilegjeve dhe i qytetarisë së Venedikut e të Raguzës në fund të viteve 30, në një kohë kur Skënderbeu po përparonte në karrierën politike si kuadër i Perandorisë Osmane, tregojnë se ai e shikonte të ardhmen jo në kuadrin e karrierës së një funksionari osman. Përkundrazi, praninë e tij në radhët e kuadrove osmane, ai e gjykonte si diçka të përkohshme. Në kushtet kur së bashku me të vëllanë, Stanishën, kishin marrë drejtimin e zotërimeve të Kastriotëve, largimin e tij nga posti i subashit të Krujës dhe emërimin si sanxhakbej larg Shqipërisë, Skënderbeu nuk mund ta shikonte si një "gradim", por si shprehje të mosbesimit të sulltanit ndaj tij.
    Ndonëse kaloi një kohë të gjatë në shkollën e iç-ogllanëve e në vende të huaja si kuadër e komandant i shquar i ushtrisë osmane, Skënderbeu mbajti lidhje të ngushta me familjen e tij, me interesat e zotërimeve të tyre. Ai jetoi për vite të tëra në atdheun e vet, ku u brumos dhe u formua në mjedisin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesit të huaj osman dhe të disfatave të para që osmanët pësuan në Shqipëri gjatë kryengritjeve të viteve 30. Kthesa rrënjësore e Skënderbeut në nëntor të vitit 1443, duke ardhur në Shqipëri për të ngritur lart flamurin e luftës kundër pushtuesve osmanë, ishte rrjedhojë e përvojës jetësore shumë të pasur të tij dhe e luftës së shqiptarëve.

  6. #36
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    Kryengritja e Përgjithshme Çlirimtare (nëntor 1443)

    Shqiptarët e vazhduan luftën kundër pushtuesve osmanë në forma të ndryshme edhe pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV. Nëpër dokumente të gjysmës së dytë të viteve 30 dhe fillimit të viteve 40 përmenden në viset shqiptare spahinj të vrarë, spahinj që, për të shpëtuar kokën, kishin braktisur timaret etj. Qëndresa e përhershme kundër pushtuesve osmanë dhe rrethanat e favorshme ndërkombëtare që u krijuan në fund të viteve 30 e në fillim të viteve 40 të shek. XV nxitën disa nga fisnikët shqiptarë të ngriheshin në luftë kundër pushtuesve të huaj.
    Ndërkaq në jetën kishtare e politike të Shqipërisë ndikuan pozitivisht vendimet e Koncilit të Ferrarës, që u mbajt gjatë viteve 1438-1439. Krahas papë Eugjenit IV, në të morën pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të universit ortodoks, si perandori i Bizantit, Johan Paleologu, patriarku i Konstandinopojës, Jozefi, dhe peshkopët bizantinë e sllavë më në zë. Në korrik të vitit 1439 përfaqësuesit e të dy palëve nënshkruan tekstin e bashkimit shpirtëror të të dy kishave nën supremacinë e Papatit. Ky vendim ndikonte pozitivisht për zbutjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet kishave ortodokse e katolike në Shqipëri dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet sundimtarëve shqiptarë të besimit katolik dhe ortodoks, si dhe të këtyre me forcat politike të huaja. Vendimet e Koncilit të Ferrarës ndihmonin bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane, që politikisht ishin shumë të copëtuara e të përçara, në luftën kundër armikut të përbashkët, pushtuesve osmanë, luftë që filloi të propagandohej si një kryqëzatë e të krishterëve kundër pushtuesve aziatikë e besimit të tyre islam.
    Në fillim të viteve 40 të shek. XV rrethanat ndërkombëtare favorizonin shpërthimin e kryengritjeve antiosmane në Shqipëri. Me vendosjen në fronin e Hungarisë të mbretit të Polonisë, Vladislavit, trupat hungareze, të komanduara nga vojvoda i Transilvanisë, Janosh Huniadi, kaluan nga veprimet mbrojtëse në mësymje dhe përkohësisht arritën të ndalnin përparimin e osmanëve drejt Evropës Qendrore. Pasi grumbulloi një ushtri të fuqishme, të përbërë prej hungarezësh, polakësh, rumunësh etj., J. Huniadi kaloi Danubin, u fut në thellësi të Ballkanit dhe në shtator të vitit 1442 u shkaktoi një disfatë të rëndë trupave osmane. Fitorja e ushtrisë së J. Huniadit ngjalli shpresa te popujt e shtypur të Ballkanit, nxiti lidhjet e sundimtarëve ballkanas me Hungarinë e me forca të tjera politike të kohës për zgjerimin e frontit të luftës antiosmane. Aktivisht veproi në këtë drejtim papa Eugjeni IV, i cili nëpërmjet peshkopëve të vet nxiste elitën drejtuese shqiptare e ballkanike të rrëmbente armët kundër osmanëve sapo trupat e J. Huniadit të marshonin sërish në drejtim të Ballkanit Qendror.
    Këtë situatë ndërkombëtare disa fisnikë shqiptarë, midis tyre edhe Gjergj Arianiti, e vlerësuan të përshtatshme për fillimin e luftës. Në kuadrin e përgatitjeve Gjergj Arianiti forcoi lidhjet me vendet e tjera, duke dërguar përfaqësuesit e vet në Romë e në Bosnjë. Në gusht të vitit 1443 ai siguroi qytetarinë e Raguzës, që të strehohej familjarisht në atë qytet po qe se do thyhej prej trupave osmane.
    Në shtator të vitit 1443 Gjergj Arianiti sulmoi forcat osmane në lindje të zotërimeve të tij dhe i dëboi pushtuesit nga shumë krahina të Shqipërisë Qendrore. Fitoret e tij ndikuan në jetën politike të Shqipërisë dhe patën jehonë edhe në vendet e tjera. Vetë ai vazhdonte përgatitjet për vijimin e luftës kundër osmanëve. Më 21 tetor përfaqësuesit e tij, sipas porosisë që kishin bërë në Raguzë, morën këtu flamurin e Arianitëve, që t'u printe luftëtarëve të tij në betejat e ardhshme. Në fund të muajit nëntor Gjergj Arianiti i kërkoi Raguzës t'i shiste bombarda, armë këto që i duheshin për çlirimin e kështjellave.
    Lufta çlirimtare u përhap edhe në trevat e Shqipërisë së Poshtme. Gjin Zenebishi, i biri i Depës, u kthye nga mërgimi duke zbarkuar në bregdetin shqiptar pranë Butrintit. Me ushtrinë që organizohej këtu marshoi nëpër rrethinat e Gjirokastrës në drejtim të Kosturit, ku forcat e tij u sulmuan në befasi dhe u shpartalluan nga një ushtri osmane dhe vetë Gjini mbeti i vrarë.
    Në fund të vitit 1443 lufta çlirimtare e shqiptarëve mori hov të mëtejshëm nga zhvillimi i ngjarjeve në Ballkan.
    Në tetor të vitit 1443 trupat hungareze të komanduara nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin, u futën në thellësi të Ballkanit dhe filluan “Fushatën e Gjatë" që vazhdoi deri në fillim të vitit 1444. Ato marshuan në drejtim të viseve verilindore shqiptare. Kudo ato gjetën gatishmërinë e banorëve të krahinave ku kalonin për të luftuar së bashku kundër të njëjtit arimik. Vetë Huniadi shkruante ato ditë se ushtria e tij po "rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, arbër, serbë, boshnjakë".
    Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, ku trupat osmane u thyen dhe u tërhoqën të shpartalluara. Ushtria e J. Huniadit vazhdoi marshimin në thellësi të zotërimeve osmane gjatë një dimri të ashpër dhe u fut në Bullgari, duke zbritur deri në juglindje të Sofjes. Gjatë 5 dhe 6 dhjetorit 1443 ushtria e J. Huniadit pësoi disfatë në Vasilicit dhe filloi tërheqjen. Pas një muaj, më 5 janar 1444 ajo pësoi një disfatë të dytë në Pirot (në juglindje të Nishit). Me humbje të ndjeshme të shkaktuara edhe prej kushteve natyrore të stinës, në fillim të shkurtit të vitit 1444, ushtria e J. Huniadit arriti në Budapest me një efektiv disa herë më të vogël nga numri fillestar i luftëtarëve, kur nisi fushatën në tetor të vitit 1443. Sidoqoftë, ngjarjet e mësipërme ndikuan në jetën politike të Ballkanit. Në gusht të vitit 1444, me miratimin e sulltan Muratit II dhe me kufij të rrudhur, u rimëkëmb Despotati i Rashës.
    Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që kishte detyrën e funksionarit të lartë osman, atë të sanxhakbeut të Nikopolit. Shpartallimin e forcave osmane në betejën e 3 nëntorit 1443 dhe vazhdimin e marshimit të trupave të J. Huniadit në drejtim të Bullgarisë, Skënderbeu e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkatdhetarë pjesëmarrës në betejën e Nishit, dhe i shoqëruar nga i nipi Hamza Kastrioti, Skënderbeu mori rrugën në drejtim të atdheut.
    Në fillim Skënderbeu hartoi planin për ringritjen e shtetit të Kastriotëve, që, siç është shprehur në fillim të vitit 1445, formohej nga dy pjesë të mëdha "nga Dibra dhe Mati", që i ndante lumit Drin. Dibra, sipas konceptit të kohës për shqiptarët, të shprehur, p.sh., nga Marin Barleci dhe nga Gjon Muzaka, shtrihej në lindje deri në masivin malor të Mokrës (malet Jakupice), kurse Mati deri në Detin Adriatik.
    Gjatë kthimit nga Nishi, Skënderbeu arriti në Fushë-Dardani, vijoi rrugën Prishtinë-Prizren, që ishte e lirë nga osmanët, dhe më tej zbriti në rajonin e Dibrës. Kjo ishte pjesa më e begatë dhe më e populluar e zotërimeve të Kastriotëve, prandaj ai e përmend atë të parën kur e cilëson veten dhe të vëllanë, Stanishën, si "zotër të Dibrës dhe të Matit".
    Dibra përbëhej nga dy rajone: nga Dibra e Poshtme dhe Dibra e Sipërme. E para ishte zonë fushore dhe shtrihej përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar dhe arrinte në lindje, duke i përfshirë ato, deri te ngushticat e Dervenit në afërsi të Shkupit. Burimet historike të shek. XV, madje edhe më të hershme, tregojnë se afër Gostivarit e në veriperëndim të tij gjendej qendërbanimi më i madh i atij rajoni, fshati Dibrishë (Debrishë), që është edhe sot, emrin e të cilit ka pasur për një kohë edhe rajoni në rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar. Rruga që lidhte Kërçovën me rajonin e Gostivarit në dokumentet mesjetare del e emërtuar “Rruga Kërçovë-Dibër” dhe banorët e fshatit Llopushnik, në juglindje të Gostivarit, përmenden në to si ruajtës të saj. Edhe në krahinën e Dervenit, që shtrihet në lindje të Tetovës, gjendet mikrotoponimia Dibër, që në sllavishten e vjetër kishtare (dëbër) ka kuptimin luginë, grykë. Ky duhet të ketë qenë emërtimi i vjetër i kësaj krahine, të cilin pushtuesit osmanë e zëvendësuan me fjalën përkatëse të tyre derven (derbend). Kjo shërben si një e dhënë që tregon se shtrirja lindore e Dibrës së Poshtme arrinte deri në afërsi të Shkupit. Prandaj osmanët në shek. XV, kur bënë ndarjen e tyre administrative, për rajonin Gostivar-Tetovë përdorën një emërtim osman (vilajeti ose nahija e Kalkandelenit) për ta dalluar nga njësia administrative në perëndim të saj (nahija e Dibrës). Në këtë të fundit, edhe pse mbante emrin e Dibrës, gjatë shek. XV nuk kishte asnjë qendërbanimi ose mikrotoponimi tjetër me këtë emër.
    Në jug të Dibrës së Poshtme shtrihej Dibra e Sipërme, që ishte kryesisht një rajon malor me shtrirje të gjerë. Këtu, në pjesën verilindore të Dibrës së Sipërme, në veri të Krushevës e në segmentin rrugor Përlep-Kërçovë, ishte qyteti mesjetar Debërshtë, emër që vazhdon ta mbajë edhe sot. Kurse në veri të liqenit të Ohrit ishte qyteti mesjetar e nahija Debërc, emër që e mban ende sot krahina e luginës së lumit Sasheska në verilindje të Strugës, nëpërmjet së cilës kalon rruga nga Struga dhe Ohri për në Kërçovë. Martin Segoni, Gjon Muzaka etj., kanë rrëfyer se qyteti i Ohrit ishte në Dibër. Këto dëshmojnë për shtrirjen e gjerë të rajonit të Dibrës së Sipërme gjatë shek. XV dhe mesjetës në përgjithësi.
    Në Dibër Skënderbeu qëndroi disa ditë, ku në fshehtësi mblodhi krerët e vendit dhe u tregoi planin e veprimeve. Së pari ai vuri nën kontroll Dibrën e Poshtme, e cila vetëm në lindje ruhej nga dy garnizone të vogla, të vendosura në kështjellën e Kalkandelenit (Tetovës) dhe, në lindje të saj, në kështjellën e Sobrit, që ngrihej në krahinën e Dervenit për të kontrolluar ngushticat e rrugës Tetovë-Shkup. Sobri ka qenë në fshatin e sotëm Orashko Gradishte, ku edhe sot ruhen rrënojat e një kështjelle. Të dyja këto kështjella, e Tetovës dhe e Sobrit, duhet të kenë kaluar në duart e Skënderbeut. Me këto masa Skënderbeu vuri në kontroll një rrugë tregtare shumë të rëndësishme, që kalonte në rajonin më të pasur të zotërimeve të tij dhe që lidhte viset perëndimore me Shkupin, ku kishte selinë e vet bejlerbeu i Rumelisë. Në këtë mënyrë ai ndërpreu lidhjet e kryeqendrës së Rumelisë me garnizonet osmane, që gjendeshin të shpërndara në viset e tjera shqiptare, të cilat shtriheshin në perëndim të Shkupit.
    Për t`u mbrojtur nga ndonjë sulm i papritur i forcave osmane, Skënderbeu vendosi roje në pozicionet kyçe të rrugëkalimeve dhe dërgoi në drejtim të Krujës një grup luftëtarësh, duke i fshehur në pyjet dhe grykat pranë saj. Kurse më pas Skënderbeu, i shoqëruar nga një numër i vogël luftëtarësh, u nis vetë për në Krujë. Duke e ditur se me forcën e armëve ishte i pamundur pushtimi i kështjellës së saj, Skënderbeu u paraqit pranë autoriteteve osmane të Krujës si i riemëruar në detyrën e subashit të saj, funksion që e kishte ushtruar në fund të viteve 30 të shek. XV.
    Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët e fshehur në rrethinat e saj dhe, në bashkëpunim me krutanët, paralizoi garnizonin osman. Ai i la të lirë ushtarët osmanë që të largoheshin nga Shqipëria, duke përfshirë edhe dizdarin e kështjellës, Ballabanin, i cili pas dy dhjetëvjeçarësh do të vihej në krye të trupave osmane për të rimarrë Krujën.
    Kur zbardhi dita, më 28 nëntor të vitit 1443, krutanët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur dhe, siç shprehet Barleci, "të gjithë kishin në gojë lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë". Në prani të gjithë krutanëve mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i lirisë, ai i Kastriotëve. Me këtë rast, sipas Marin Barlecit, Skënderbeu u mbajti banorëve të Krujës një fjalim të zjarrtë e plot patos patriotik. Duke vlerësuar lart gatishmërinë e madhe të shqiptarëve për të luftuar, sipas M. Barlecit, Skënderbeu iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: "Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja".
    Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës, u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të papërshkruar në mbarë vendin. Ai i dha hov të paparë luftës çlirimtare dhe i paralizoi plotësisht forcat osmane, duke i vënë ato në gjendje frike e paniku.
    Pasi mori Krujën, Skënderbeu në bashkëpunim edhe me të vëllanë, Stanishën, hyri menjëherë në bisedime me banorët e zotërimevë të Kastriotëve si dhe me fisnikët shqiptarë që kishin lidhje farefisnie ose krushqi me Kastriotët. Këtyre ai u parashtroi planin e veprimeve të mëtejshme për çlirimin e kështjellave dhe të krahinave të tjera të Shqipërisë.
    Forcat e Skënderbeut pa humbur kohë nisën sulmet për çlirimin e një vargu kështjellash të tjera në afërsi të Krujës. Së pari morën Petrelën dhe pas saj iu drejtuan dy kështellave në lindje të Krujës, Gurit të Bardhë dhe Stelushit, të cilat kontrollonin rrugët tregtare që lidhnin viset bregdetare me ato lindore. Luftëtarët e Skënderbeut ndërkohë kaluan në Dibrën e Sipërme, ku në bashkëveprim me trupat e Gjergj Arianitit e të Zahari Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradit), të ngritur në veriperëndim të Manastirit dhe që kishte një pozicion shumë strategjik për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin e Manastrin me rajonet në perëndim të tyre. Bashkë me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e shqiptarëve ranë edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella më të vogla që kontrollonin rrugët tregtare në hapësirat e Dibrës së Sipërme. Gjithashtu Skënderbeu në jug të Shkupit mori për herë të parë në zotërim të Kastriotëve rajonin malor të Mokrës (malet Jakupice). Ai vuri nën kontroll rrugën e rëndësishme Shkup-Kërçovë, traseja e së cilës kalonte përgjatë luginës së lumit Treska.
    Po kështu vepruan fisnikët shqiptarë në viset e tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme kështjellën e Jeliçës (Jenipazarit-Pazarit të Ri) dhe atë të Zveçanit duhet t’i kenë marrë Spanët, kurse rajonin e Pejës Dukagjinët. Edhe Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi) nuk qëndroi duarkryq. Më parë me ndihmën e vjehrrit të tij, Gjon Kastriotit, dhe tani me përkrahjen e Skënderbeut, Stefani u fuqizua, zgjeroi kufijtë e zotërimeve të tij dhe si kryeqendër të tyre bëri Zhabiakun.
    Në jug të vendit viset e çliruara arritën deri në brigjet e lumenjve Devoll e Seman. Revolta e përgjithshme antiosmane u shtri edhe në Shqipërinë e Poshtme. “Turqit, - shkruante në dhjetor të vitit 1443 bajli venecian i Korfuzit, - i ka pushtuar një tmerr i madh dhe me nxitim ata të Vlorës, të Janinës dhe të Gjirokastrës po përpiqen të fortifikohen". Por, me gjithë situatën shumë të favorshme, për mungesë organizimi të qëndresës antiosmane nga fisnikët vendas, kështjellat kryesore të Shqipërisë së Poshtme, që nga Berati e më në jug, mbetën në duart e osmanëve.
    Me çlirimin e një vargu kështjellash, shqiptarët u hoqën osmanëve qendrat kryesore ushtarake në viset e çliruara, të cilat i shndërruan në baza të fuqishme për mbrojtjen e tyre.
    Në hapësirat shqiptare që u çliruan me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443 gjendeshin zotërimet e shumë fisnikëve shqiptarë. Më të rëndësishmet prej tyre i përbënte shteti i Kastriotëve, që u ringrit shumë shpejt nën drejtimin e Skënderbeut e të vëllait të madh të tij, Stanishës. Ai gjendej në qendër të viseve të lira, shtrihej në vijën detare Lezhë-Durrës dhe arrinte në lindje deri në afërsi të Shkupit. Në veri të shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jeliçës (Sanxhakut), të Gentës (Zeta) etj. Në veri të kësaj hapësire, disa muaj më pas, do të rikrijohej Despotati i Rashës me kryeqytet Smederevën.
    Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër familjeve të rëndësishme: të Arianitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve, që ishin kufitare me viset e pushtuara prej osmanëve, prandaj mbi to do të binte edhe pesha kryesore e luftës kundër pushtuesve osmanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te lumenjtë Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në afërsi të Manastirit.
    Çlirimi i viseve të gjera në Shqipërinë Qendrore e të Epërme në vitin 1443 shënonte ngjarjen më të rëndësishme në luftën e gjatë e të ashpër që shqiptarët kishin zhvilluar deri në atë kohë kundër Perandorisë Osmane. Çlirimi u krijoi mundësinë një pjese të rëndësishme të shqiptarëve të jetonin të lirë, kurse vitet që vijuan, të luftës kundër pushtuesve të huaj, forcuan përgjithësisht te shqiptarët tiparet e luftëtarëve të lirisë, si dhe vetëdijën e tyre kombëtare.



    Kuvendi i Lezhës dhe krijimi i Besëlidhjes Shqiptare (2 mars 1444)
    Çlirimi i vendit me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443, ishte një fitore historike që duhej mbrojtur e çuar më tej. Përvoja e deriatëhershme shqiptare e ballkanike, sidomos kryengritjet e viteve 30 në Shqipëri, kishin treguar se fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Perandorisë Osmane, nuk mund t`i bëhej ballë pa bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake dhe ekonomike, si dhe pa bashkëpunimin me vendet e tjera. Prandaj Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndoqi një politikë të brendshme e të jashtme shumë aktive. Më mirë se kushdo tjetër ai e kuptoi se për shqiptarët nuk do të kishte perspektiva për mbrojtjen e viseve të lira, duke qëndruar në pozitat e vjetra, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh të pavarura dhe pa një bazë organizative të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte burimet njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit, si dhe gjithë veprimtarinë e zhvilluar në rrafsh të brendshëm me atë të ndërmarrë në rrafsh ndërkombëtar.
    Për zgjidhjen e këtyre detyrave, si hap të parë e të domosdoshëm Skënderbeu gjykoi mbajtjen e një kuvendi të përgjithshëm, ku të përfaqësoheshin drejtuesit e zotërimeve të pavarura dhe fisnikë të tjerë të vendit. Për këtë ai zhvilloi paraprakisht me ta takime vetjake, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një kuvend i fisnikëve shqiptarë.
    Kuvendet krahinore e ndërkrahinore të fisnikëve, të klerikëve apo të pleqve, ishin një traditë e njohur kombëtare e shqiptarëve e trashëguar ndër shekuj, nëpërmjet të cilave realizohej bashkëpunimi dhe bashkimi i shqiptarëve. Një kuvend me një përfaqësi kaq të gjerë kombëtare, që u vendos të mbahej në Lezhë nga shqiptarët, është i pari që njihet deri tani në historinë e tyre.
    Lezha kishte një pozicion gjeografik të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara shqiptare, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Për më tej, duke qenë Lezha nën zotërimin venecian, mënjanoheshin mosmarrëveshjet e pakënaqësitë që mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi, si dhe në drejtim të marrëdhënieve me Republikën e Venedikut. Mbajtja e tij në Lezhë ishte si një thirrje miqësore për bashkëpunim në luftën kundër osmanëve, që fisnikët shqiptarë i drejtonin me këtë rast Republikës së Shën Markut.
    Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si dhe pjesëtarë të tjerë të aristokracisë shqiptare. Midis tyre ishin: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin), Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
    Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes në Kuvend dhe u ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve. Pjesëmarrësit diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre, në themel të të cilit vunë institucionin më të rëndësishëm kombëtar, atë të besës. Ata institucionalizuan Kuvendin si forumin politik më të lartë vendimmarrës të fisnikëve shqiptarë.
    Kuvendi vendosi që bashkimi i shqiptarëve të bëhej në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Ajo ishte një aleancë politike e ushtarake. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, kurse si institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, i cili do të mblidhej herë pas here për çështje të rëndësishme. Nëpërmjet Kuvendit realizohej dhe shprehej bashkimi i shqiptarëve.
    Vendim tjetër shumë i rëndësishëm i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i saj. Ushtria e Bësëlidhjes përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato të përkohshmet që mobilizoheshin vetëm në rast lufte. Ushtria e përhershme formohej me luftëtarët që fisnikët shqiptarë dërgonin pranë komandantit të përgjithshëm sipas një kuote të caktuar për secilin, si dhe nga ushtarët që mobilizonte vetë Skënderbeu. Këta formonin bërthamën kryesore të ushtrisë së përhershme, e cila vazhdimisht ishte në gatishmëri luftarake dhe në mbrojtje të kështjellave, veçanërisht atyre të brezit kufitar lindor nga vinin zakonisht ushtritë osmane. Detyra kryesore e ushtrisë së përhershme ishte mënjanimi i sulmeve të befasishme të trupave osmane mbi viset e lira shqiptare dhe pengimi i depërtimit të tyre në thellësi të vendit, derisa të mobilizohej ushtria e përkohshme. Kjo formonte pjesën më të madhe të ushtrisë së Besëlidhjes dhe përbëhej nga luftëtarët që mobilizoheshin përkohësisht, kur parashikohej fillimi i sulmeve të ushtrive armike. Në ushtrinë e përkohshme përfshiheshin të gjithë banorët e viseve të lira që ishin në gjendje të përdornin armët. Në rast nevoje ushtria e përbashkët mbronte vendin nga pushtuesit osmanë e veprimet armiqësore të vendeve të tjera, si dhe interesat e zotërimet e secilit anëtar të Besëlidhjes.
    Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së ushtrisë, të armatimit të saj, etj., Kuvendi vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët. Fondet monetare të saj do të formoheshin nga ndihmat në të holla që secili anëtar i Besëlidhjes do të jepte sipas një kuote të caktuar nga Kuvendi, nga të ardhurat e kriporeve të Shën Kollit, që kishin Kastriotët pranë grykëderdhjes së lumit Mat, nga taksat doganore, si dhe nga tregtia e drithit, e metaleve etj.
    Besëlidhja e Lezhës u krijua si një aleancë politike dhe ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Në krye të Besëlidhjes dhe të organeve ushtarake e financiare të saj u caktua një udhëheqje e vetme, e kryesuar nga Skënderbeu. Prandaj, edhe pse Besëlidhja kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake, me vendimet e Kuvendit të Lezhës u bë një hap i madh e vendimtar përpara drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit të një pushteti qendror për të gjitha viset e lira shqiptare, pushtet që u përfaqësua nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
    Anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare synonin që, në kuadrin e saj, të ruanin autonominë e tyre dhe Skënderbeu, si kryetar i saj, të mos ndërhynte në zotërimet e të tjerëve, por të ishte si "i parë ndërmjet të barabartëve". Secili prej anëtarëve të Besëlidhjes kishte trupa të veçanta për të mbrojtur zotërimet e interesat e veta dhe ruante të drejtën të kishte marrëdhënie vetjake me vende e forca të tjera politike jashtë Besëlidhjes. Realisht vendimet e Kuvendit i dhanë Skënderbeut një pozitë të veçantë ndaj fisnikëve të tjerë shqiptarë, dhe këta, siç shprehej Gjon Muzaka, në kushtet e rrezikut të pushtimit osman, ishin të detyruar "t`i bindeshin" atij.
    Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm Shqiptar i 2 marsit 1444 shënuan një kthesë vendimtare në luftën kundër pushtimit të huaj osman dhe hapën rrugën e zhvilimit të vrullshëm të procesit të bashkimit politik dhe shpirtëror të banorëve të krahinave të ndryshme shqiptare.
    Gjergj Kastrioti-Skënderbeu doli në krye të jetës politike e ushtarake të vendit jo rastësisht. Për këtë ndikuan: roli i veçantë i tij në organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1443, pozita gjeografike e shtetit të Kastriotëve (që ishte në qendër të viseve të lira dhe nëpër të kalonin rrugët më të rëndësishme që lidhnin krahinat veriore me jugoret dhe lindoret me perëndimoret), zotërimi prej tij i Krujës, kështjellës me pozicionin gjeografik më të përshtatshëm për administrimin e të gjitha viseve të çliruara, dhe për të hyrë në kontakte të shpejta me shtetet e huaja antiosmane, si dhe lidhjet e shumta farefisnore e martesore të Kastriotëve me shumë familje fisnike të tjera, si Muzakajt, Arianitët, Stres Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët), Balshajt etj. Mbi të gjitha ishte personaliteti i vetë Skënderbeut që bëri të mundur daljen e tij në krye të jetës politike e ushtarake të Shqipërisë. Më tepër se cilido anëtar tjetër i Besëlidhjes Shqiptare, Skënderbeu kishte të gjitha cilësitë për drejtimin me sukses të luftës. Ai i njihte shumë mirë mundësitë ekonomike, financiare e ushtarake të vendit të vet. Ndërsa karriera e tij në radhët e kuadrove ushtarakë osmanë e kishte bërë Skënderbeun njohës po aq të mirë të fuqisë, organizimit dhe të artit ushtarak të osmanëve.

  7. #37
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    2. FITORET E BESËLIDHJES SHQIPTARE NËN UDHËHEQJEN
    E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

    Fitoret e para ushtarake (1444-1447)
    Vendimet e Kuvendit të Lezhës i dhanë një bazë të gjerë e të fuqishme organizative, juridike e morale forcimit të aftësisë mbrojtëse dhe të gatishmërisë luftarake të vendit. Barrën kryesore për realizimin e saj Kuvendi ia ngarkoi Skënderbeut.
    Pas mbylljes së Kuvendit Skënderbeu iu përkushtua organizimit të ushtrisë dhe sistemit mbrojtës të vendit. Ai udhëtoi nëpër të gjitha fshatrat e zotërimeve të Kastriotëve për të regjistruar ushtarë, vëzhgoi shtigjet, grykat e luginat nga mund të sulmonte ushtria osmane, caktoi informatorë që të vëzhgonin e të njoftonin menjëherë lëvizjet e armikut, ndërmori meremetimin e kështjellave dhe pajisjen e tyre me luftëtarë e armatime. Vëmendje të veçantë i kushtoi mbrojtjes së ballit lindor të viseve të çliruara, prej nga mund të futeshin për në thellësi të tyre ushtritë osmane. Në fund të pranverës së vitit 1444 mbaruan përgatitjet ushtarake dhe Skënderbeu kishte mobilizuar me mijëra luftëtarë që ishin të gatshëm për të mbrojtur vendin.
    Çlirimi i rajoneve të gjera të Shqipërisë Qendrore e të Sipërme, që formonin një nga zonat më strategjike të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkimi politik dhe ushtarak i fisnikëve shqiptarë, përbënin një ngjarje shumë të rëndësishme, e cila i kalonte kufijtë e botës shqiptare. Zhvillimet politike në Shqipëri tërhoqën kudo vëmendjen e qarqeve drejtuese të vendeve evropiane dhe shkaktuan shqetësim në oborrin osman.
    Për të rivendosur sa më shpejt pushtetin osman në tokat shqiptare, tregon Marin Barleci, që është burimi kryesor për njohjen e këtyre ngjarjeve, sulltani ngarkoi Ali Pashën, një nga komandantët e tij më të shquar. Ky duhet të ketë qenë subashi i Shkupit, Ali Beu. Në krye të disa mijëra vetave, në qershor të vitit 1444, ai iu drejtua rajonit më të pasur të çliruar nga Skënderbeu dhe që ishte më afër Shkupit, Dibrës së Poshtme.
    I informuar me kohë për lëvizjen e trupave osmane, Skënderbeu, sipas M. Barlecit, përgatiti një ushtri prej afro 8 mijë kalorësish e 7 mijë këmbësorësh dhe e drejtoi për në Dibrën e Poshtme. Në afërsi të tyre erdhën dhe u vendosën trupat e Ali Beut. Ishte beteja e parë, guri i provës për forcat e bashkuara shqiptare dhe për komandantin e tyre.
    Beteja u zhvillua në formacion të rregullt luftimi në një fushë të palokalizuar të Dibrës së Poshtme. Qysh nga shek. XVIII nëpërmjet veprës së Xh. Biemit, ajo njihet në historiografi me emrin simbolik beteja e Torviollit dhe po kështu si datë të saj ai përmend 29 qershorin e vitit 1444.
    Skënderbeu e vendosi ushtrinë në fushë të hapur dhe e rreshtoi në formë harku të ndarë në tri pjesë. Në rreshtat e parë të çdo grupimi vendosi kalorësinë dhe pas tyre këmbësorinë. Për të drejtuar zhvillimin e betejës, ai qëndroi me luftëtarët e grupimit të qendrës. Forcat e grupimit të djathtë i komandonte Moisi Arianiti (Golemi), kurse ato të grupimit të majtë Tanush Topia. Mbrapa trupave të qendrës ishin vendosur edhe dy grupime luftëtarësh nën drejtimin e Ajdin Muzakës dhe të Kont Uranit. Në pyjet aty pranë qëndronin të fshehura forcat e rezervës të komanduara nga Gjin Muzaka e Hamza Kastrioti.
    Beteja filloi me sulmin e luftëtarëve shqiptarë të dy grupimeve anësore, të cilët u përpoqën ta çanin ushtrinë osmane në dy pjesë, në kohën kur forcat e grupimit të qendrës me Skënderbeun në krye sulmuan trupat e Ali Beut. Kur armiku ende nuk kishte hedhur në betejë të gjitha forcat, trupat e tij u sulmuan befasishëm nga pas prej luftëtarëve të Gjin Muzakës e të Hamza Kastriotit. E goditur nga të gjitha anët, së fundi edhe nga forcat e freskëta të komanduara nga Kont Urani, ushtria osmane u copëtua, pësoi humbje të rënda dhe u shpartallua plotësisht. Ajo la në fushën e betejës shumë të vrarë e robër. Shqiptarët luftuan heroikisht dhe arritën një fitore të shkëlqyer. Në atë betejë, shkruante M. Barleci, "luanët komanduan luanët".
    Fitorja e Torviollit pati jehonë të thellë në Shqipëri si dhe në vendet e tjera. Ajo përforcoi besimin e shqiptarëve te Skënderbeu e ushtria e Besëlidhjes dhe te lufta e drejtë e tyre për mbrojtjen e lirisë. Ajo i dha shtysë luftës antiosmane të popujve të Ballkanit, që filloi të fuqizohej, dhe shkaktoi shqetësim të madh në oborrin e sulltanit.
    Në këto rrethana Murati II u përpoq të rregullonte marrëdhëniet me mbretin e Hungarisë e të Polonisë, Vladislavin IV, të cilit i kërkoi paqe, dhe më 12 korrik 1444 u nënshkrua në Seged traktati i saj me një afat dhjetëvjeçar. Por paqja vazhdoi vetëm gjashtë javë, sepse, i nxitur nga papa dhe forca të tjera antiosmane, Vladislavi IV e shkeli traktatin e paqes. Ky përgatiti një ushtri prej 14 000 vetash dhe në krye të tyre marshoi në thellësi të Ballkanit deri në Varna. Vladislavi IV e filloi betejën në kundërshtim me mendimin e Janosh Huniadit dhe më 10 nëntor 1444 ushtria e tij u shpartallua prej trupave osmane. Vladislavi mbeti i vrarë në këtë betejë, kurse J. Huniadi mundi të shpëtonte me mbeturinat e ushtrisë hungareze. Fitorja pranë Varnës i dha mundësi sulltanit t`i përdorte ushtritë e veta për të shtypur lëvizjet antiosmane të Ballkanit.
    Në vjeshtë të vitit 1445, sipas M. Barlecit, kundër Shqipërisë u sulën njëra pas tjetrës dy ushtri osmane, të cilat u pritën prej shqiptarëve në një luginë të ngushtë në rajonin e Mokrës, me sa duket në luginën e lumit Treskë, përgjatë të cilit kalonte traseja e një prej rrugëve më të shkurtra për lëvizjen e ushtrive osmane nga Shkupi në thellësi të tokave të lira shqiptare. Skënderbeu lejoi ushtrinë e parë osmane, që sipas M. Barlecit e komandonte Ferizi, të hynte në luginë dhe pastaj e sulmoi befasisht dhe e shpartalloi. Pa kaluar shumë kohë erdhi po në atë luginë një ushtri e dytë e komanduar nga Mustafai. Pasi ngritën fushimin, trupat osmane filluan plaçkitjen dhe shkretimin e vendit. Në kohën kur një pjesë e tyre ishte larguar për të plaçkitur, Skënderbeu goditi kampin armik, ku ndodhej shumica e ushtarëve osmanë dhe arriti një fitore të re të shkëlqyer. Po këtë fat pësoi në vitin 1447 një ushtri tjetër osmane, e komanduar po nga Mustafai, të cilën forcat e Skënderbeut, të radhitura përballë saj, e thyen në Oronik të Dibrës së Sipërme, në lindje të Strugës, dhe zunë rob komandantin osman.
    Fitoret e para ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut patën rëndësi të madhe për jetën politike të vendit. Ato forcuan besimin e shqiptarëve se të bashkuar mund të përballonin me sukses fuqinë ushtarake të Perandorisë Osmane, rritën autoritetin e Skënderbeut si komandant i talentuar, si dhe dashurinë e shqiptarëve ndaj tij. Në rrafsh ndërkombëtar ato i dhanë Skënderbeut dhe qëndresës së tij një rol të veçantë në luftën kundër pushtuesve osmanë dhe e vunë atë në lidhje me forcat e tjera antiosmane të kohës, si me Hungarinë, me shtetet italiane dhe me vende të tjera. Jehona e luftës fitimtare të shqiptarëve filloi të ndihej kudo, duke zënë vend edhe në letërkëmbimin e personaliteteve politike të larta të kohës, si papa Nikolla V, mbreti Alfonsi V i Napolit etj.

  8. #38
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    Konflikti me Venedikun (1447-1448)
    Republika e Venedikut ishte një nga shtetet më të fuqishme detare e tregtare në tërë pellgun e Mesdheut dhe zotëronte një numër qytetesh e qendrash të rëndësishme ekonomike të Ballkanit e më gjerë. Në këtë kuadër një vend të veçantë e rol parësor kishin zotërimet e Republikës së Venedikut në Shqipëri.
    Rëndësia ekonomike, politike dhe strategjike e zotërimeve që kishte në tokat shqiptare, bënte që Republika e Venedikut t`i kushtonte në çdo kohë vëmendje të veçantë ruajtjes së këtyre zotërimeve dhe forcimit të pozitave të veta në to. Për këtë qëllim ajo shfrytëzoi gjendjen politike të krijuar në Shqipëri pas vitit 1443. Nga fundi i këtij viti e më pas, Senati i Venedikut shqyrtoi mundësinë e kalimit në duart e Republikës të Gjirokastrës, të Janinës e të Kaninës, që ende mbaheshin nga osmanët. Duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara nga vdekja e sundimtarit të kështjellës së Dejës, Lekë Zaharisë, nëpërmjet nënës së këtij, Boksës, që ishte motër e Tanush Dukagjinit, në shtator të vitit 1444 Venediku mori Dejën, Shasin si dhe ndonjë kështjellë tjetër të paidentifikuar të tij. Zotërimi i Dejës kishte për Venedikun rëndësi të shumanshme. Nga ana ekonomike jepte të ardhura jo të pakta si qendër doganore në kryqëzim të rrugëve të rëndësishme tregtare. Në plan strategjik e ushtarak, si kështjellë ajo mbronte zotërimet veneciane në rajonin e Shkodrës dhe ishte për Republikën, siç shprehej vetë Senati, "hapi i parë" për të hyrë në viset e çliruara shqiptare.
    Për të mënjanuar kërkesat e herëpashershme të zotërve vendas për dëbimin e Venedikut nga viset shqiptare, Republika lejoi mbajtjen e Kuvendit Shqiptar në qytetin e Lezhës, që e kishte nën zotërim, dhe në vitin 1445 Skënderbeut dhe të vëllait, Stanishës, i dha të drejtat e privilegjet e qytetarisë veneciane. Interesat ekonomikë, politikë, ushtarakë e strategjikë të Republikës së Venedikut në Shqipëri ishin pjesë e interesave jetikë të saj në tërë pellgun e Mesdheut Lindor, ku kishte një numër të madh zotërimesh dhe që vazhdimisht ishin nën kërcënimin e pushtimit osman. Prandaj marrëdhëniet me sulltanët osmanë kishin për Republikën e Venedikut rëndësi të dorës së parë dhe herë pas here ajo nënshkruante traktate paqeje me ta, si më 1446 etj. Një politikë e tillë inkurajonte veprimtarinë pushtuese të sulltanëve dhe dëmtonte luftën e ballkanasve kundër pushtuesve osmanë. Prandaj ishin të pashmangshme kundërshtitë midis Besëlidhjes së Lezhës dhe Venedikut.
    Pasi çliroi Krujën dhe viset e tjera shqiptare, Skënderbeu qysh në fund të vitit 1443, deklaroi se "ishte trashëgimtar i Balshës dhe donte vendet që kishin qenë të tij", një pjesë e të cilave tashmë ishin nën zotërim venecian. Që në fillim të shek. XV interesat e Kastriotëve ishin shtrirë edhe në rajonin verior të bregdetit shqiptar. Krahas qendrës tregtare e doganore të Shufadasë, Gjon Kastrioti zotëroi në bregdet Shëngjinin, si dhe shtëpi në Ulqin. Prandaj ai e martoi një vajzë të tij me sundimtarin e rajoneve të Kotorrit e të Gentës, Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin). Gjoni tregtonte drithë në Kotorr. Në kuadrin e këtyre interesave, Skënderbeu do t’i kërkonte më pas Venedikut Shëngjinin e Velipojën dhe, bashkë me to, rajonin bregdetar përkatës, që të ishte sa më afër zotërimeve të kunatit të tij. Në këtë kohë zotërimet e Stefan Gjurashit njohën një zgjerim të madh dhe shtriheshin nga rrethinat e Kotorrit deri në Medun. Dëbimin e Venedikut prej këtyre viseve nuk e kërkonte vetëm Skënderbeu, por përgjithësisht e gjithë lëvizja politike shqiptare e kohës. Nevojat e luftës antiosmane për mjete ekonomike, për forca njerëzore e për zotërimin e kështjellave, që kishin rol parësor në mbrojten e vendit, kërkonin që edhe qytetet e kështjellat shqiptare, të cilat ishin nën Venedikun, të integroheshin me viset e lira shqiptare.
    Skënderbeu u përpoq të shfrytëzonte kundër Venedikut edhe rrethanat ndërkombëtare. Për fillimin e konfliktit me të ai zgjodhi kohën kur forcat ushtarake të Venedikut luftonin në Lombardi kundër trupave të dukës së Milanos, që ishte aleat i mbretit të Napolit, Alfonsit V. Në kuadrin e përgatitjeve ushtarake, Skënderbeu i kërkoi Alfonsit V, në vitin 1447, anije lufte që t'i përdorte për rrethimin e qyteteve bregdetare që ishin nën zotërimin e Venedikut, si të Durrësit etj., por kërkesa e tij nuk u plotësua.
    Si shkas për fillimin e luftës kundër Venedikut duhet të ketë shërbyer kështjella e Dejës. Ajo kishte qenë nën zotërimin e Lekë Zaharisë dhe me vdekjen e këtij në fund të vitit 1444, Deja kaloi në duart e Venedikut. Çështja e zotërimit të Dejës kishte futur në mosmarrëveshje Nikollë Dukagjin, që përkohësisht e mori atë gjatë kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV, me Lekë Zaharinë, që e mori atë më pas, dhe me nënën e këtij, Boksën e dy nipërit e saj, Pal e Lekë Dukagjinin, që ia dorëzuan kështjellën Venedikut.
    Qysh në verë të vitit 1446 Nikollë Dukagjini ndërmori sulme të ashpra për pushtimin e Dejës, gjë që çoi në acarimin e marrëdhënieve me Venedikun. Ai mori Shasin. Në këto rrethana, në vjeshtë të vitit 1447, Skënderbeu mblodhi Kuvendin e Besëlidhjes Shqiptare dhe u kërkoi anëtarëve të saj që t'i shpallej luftë Republikës së Venedikut në rast se nuk dorëzonte Dejën. Anëtarët e Besëlidhjes e miratuan kërkesën e Skënderbeut. Në nëntor të vitit 1447 "ushtria e fuqishme e Skënderbeut", siç shpreheshin qeveritarët venecianë, filloi luftën dhe sulmoi Durrësin, Dejën dhe kështjella të tjera në rajonin e Shkodrës. Aksioni i tyre qe i fuqishëm dhe e detyroi Senatin e Venedikut që, për të përballuar gjendjen, të vinte në përdorim mjete të shumta. Ai dërgoi përforcime ushtarake në zotërimet e veta në Shqipëri dhe shpalli se, personit që mund të vriste Skënderbeun, do t'i jepte një shpërblim të lartë e të përjetshëm. Gjithashtu udhëzoi qeveritarët e vet të përçanin forcat vendase, sidomos të shkëpusnin Pal e Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu dhe të nxitnin ushtrinë osmane të sulmonte shqiptarët për t'i futur këta në një luftë në dy fronte njëkohësisht.
    Gjatë verës së vitit 1448, duke mbajtur të rrethuar Durrësin e Dejën, forcat ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare iu drejtuan zonës së Shkodrës, që ishte zotërimi më i rëndësishëm i Venedikut në tokat shqiptare. Në sulmin mbi rajonin e Shkodrës mori pjesë edhe Gjergj Arianiti me forcat e tij. Pasi kaluan lumin Drin, në brigjet e tij shqiptarët u ndeshën me ushtrinë mercenare veneciane të komanduar nga Daniel Juriç Sebençini dhe korrën një fitore të shkëlqyer. Pas kësaj ata iu drejtuan Shkodrës dhe Drishtit. Për të mbështetur vazhdimin e veprimeve luftarake shqiptarët ndërtuan një kështjellë mbi gërmadhat e Ballecit, që gjendej në rrëzë të malit Maranaj.
    Kalimi i ushtrisë shqiptare në thellësi të zotërimeve veneciane, u përkrah fuqishëm nga banorët e këtyre viseve, të cilët shpërthyen në kryengritje dhe u bashkuan me ushtrinë e Lidhjes. Zotërimet veneciane në Shqipëri, siç shprehej Senati i Venedikut për situatën e krijuar, ishin në "flakën më të madhe". Kjo i dha mundësi ushtrisë shqiptare t'i shtrinte veprimet luftarake dhe të futej në thellësi të këtyre zotërimeve.
    Në kohën që vazhdonin veprimet luftarake në zonën e Shkodrës, rreth 10 mijë luftëtarë shqiptarë kaluan lumin e Bunës dhe sulmuan në drejtim të qytetit të Tivarit, duke bashkërenduar veprimet me disa mijëra ushtarë të Stefan Gjurashit (Cërnojeviçi), si dhe të mbretit të Bosnjës, Stefan Tomasheviqit, të komanduara nga Stefan Maramonti.
    Skënderbeu me pjesën kryesore të ushtrisë nuk qëndroi gjatë në zonën e Tivarit. Ai kaloi në krahinat lindore të vendit për të përballuar ushtrinë osmane që, edhe nën nxitjen e Venedikut, erdhi në këto çaste në Shqipëri për t'i vënë forcat shqiptare midis dy zjarreve. Në zonën e Shkodrës Skënderbeu la Hamza Kastriotin me një pjesë të forcave për të vazhduar rrethimin mbi Dejën e Drishtin. Pas largimit të tij Venediku nxiti mosmarrëveshjet ndërmjet Stefan Maramontit dhe Stefan Gjurashit dhe arriti të ruante pushtetin e vet mbi qytetet që shtriheshin në bregun e djathtë të lumit të Bunës.
    Kalimi i forcave ushtarake kryesore të Skënderbeut në lindje të vendit e lehtësoi Venedikun nga trysnia ushtarake e shqiptarëve dhe i dha mundësinë të përforconte mbrojten në zotërimet e veta.

    Lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e Sopotnicës (Sfetigradit) gjatë verës së vitit 1448
    Disfatat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane në Shqipëri gjatë viteve 1444-1447 shkaktuan shqetësim të madh në oborrin osman. Për këtë arsye sulltan Murati II vendosi të vihej vetë në krye të ushtrisë osmane për shkatërrimin e forcave shqiptare. Me nxitjen e Venedikut, ai e filloi fushatën në një çast shumë të përshtatshëm për të, kur shqiptarët ishin të zënë në luftën me Republikën e Shën Markut.
    Me pjesën kryesore të ushtrisë shqiptare, Skënderbeu bashkë me Gjergj Arianitin kaluan nga zona e Shkodrës në krahinat lindore dhe përforcuan me të shpejtë kështjellat e vendit, si dhe grykat nga mund të vinte armiku.
    Në qershor të vitit 1448 ushtritë osmane të Rumelisë dhe të Anadollit, të komanduara nga vetë sulltan Murati II, të cilin e shoqëronte edhe i biri 21-vjeçar, sulltani i ardhshëm Mehmeti II, iu afruan brezit kufitar të viseve lindore me qëllim që të hynin në thellësi të viseve të lira shqiptare, të rivendosnin në to pushtetin osman dhe t'i jepnin fund njëherë e mirë qëndresës shqiptare.
    Ushtria e sulltan Muratit II i përqendroi operacionet e saj mbi kështjellën e Sopotnicës (Stefigradit), që ishte baza kufitare më e rëndësishme në pjesën jugore të ballit lindor të viseve shqiptare të çliruara, e cila do hapte rrugën për ripushtimin e Ohrit. Osmanët qysh në fillim, kur në fund të shek. XIV e pushtuan për herë të parë Sopotnicën, e riemërtuan Demir Hisar.
    Nëpërmjet zotërimit të kështjellës së Sopotnicës shqiptarët kishin futur nën kontrollin e tyre rrugë ndërkrahinore shumë të rëndësishme (që lidhnin luginën e Vardarit dhe rajonet e Përlepit e të Manastirit, të cilat ishin nën pushtimin osman, me viset e lira shqiptare në perëndim të tyre) si rruga Velesh - Kërçovë - Rahovnik (Dibër) - Deti Adriatik, rruga Përlep - Kërçovë - Rahovnik - Deti Adriatik, rruga Përlep - Resnjë - Ohër - Strugë - Lugina e Shkumbinit, si dhe rruga Manastir - Resnjë - Ohër - Strugë - Lugina e Shkumbinit. Gjithashtu Sopotnica gjendej jo larg rrugës Shkup -Kërçovë.
    Pozicion gjeografik kyç i Sopotnicës për zotërimin e rrugëve ndërkrahinore bëri që sulltan Murati II të përdorte gjithë fuqinë e vet ushtarake për rimarrjen e saj. Prandaj lufta për Sopotnicën është pasqyruar gjerësisht në veprën e M. Barlecit për Skënderbeun, si dhe nga kronistë e historianë bizantinë e osmanë, madje edhe në këngët popullore shqiptare e sllave. Kronisti bizantin Laonik Halkokondili, si burimi më i hershëm që flet për këtë ngjarje, e përmend kështjellën me emrin Sfeti, qendërbanim mesjetar (Sveta) pranë kështjellës së Sopotnicës. Kurse M. Barleci e emërton Sfetigrad (sllavisht: Qytet i Shenjtë), emër që lidhej me manastiret e kishat e shumta që ishin në rajonin e Sopotnicës. Kurse tek Oruçi, e nën ndikimin e tij edhe te kronistët e historianët e tjerë osmanë, emri i kështjellës është ngatërruar me atë të Koxhaxhikut. Kështjella e Koxhaxhikut gjendej në rrugën përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit Drini i Zi dhe ruante një rrugë dytësore krahinore, atë Strugë - Rahovnik (Dibër) dhe për marrjen e një kështjelle të tillë, pa rëndësi strategjike, nuk mund të angazhoheshin të gjitha forcat ushtarake të Perandorisë Osmane. Ngatërrimi i emrit të Demir Hisarit me atë të Koxhaxhikut nga Oruçi e autorë të tjerë osmanë nuk është thjesht vetëm një rastësi, por ky ngatërrim është bërë sepse emrin e Demir Hisari e mbante edhe një vilajet e kështjellë tjetër që ishin në afërsi të kryeqytetit të Perandorisë Osmane, Edrenesë. Nuk duhet përjashtuar mundësia që në fillim me emrin e Koxhaxhikut osmanët të kenë emërtuar përkohësisht edhe vetë kështjellën e Sopotnicës.
    Pasi trupat osmane rrethuan kështjellën e Sopotnicës, sulltan Murati II u kërkoi mbrojtësve dorëzimin e saj. Por garnizoni i kështjellës, i drejtuar nga prifti matjan Pjetër Perlati, hodhi poshtë kërkesën për dorëzimin e saj dhe e mbrojti atë me heroizëm, duke i thyer sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane.
    Detyrën luftarake të mbrojtësve të kështjellës e lehtësoi shumë ushtria shqiptare, e cila nën komandën e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit vepronte në rrethinat e saj. Skënderbeu organizoi sulme të befasishme e të vazhdueshme kundër rrethuesve të kështjellës dhe luftëtarët shqiptarë depërtuan edhe në kampin e ushtrisë osmane, duke i shkaktuar asaj humbje të ndjeshme.
    Qëndresa e garnizonit të Sopotnicës vazhdoi për aq kohë, sa osmanët arritën të zbulonin dhe të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës me ujë të pijshëm, gjë që e përkeqësoi gjendjen e të rrethuarve. Etja e detyroi garnizonin e kështjellës të hynte në bisedime me sulltanin dhe të pranonte ofertën e tij për t'u larguar i lirë bashkë me armët, me kusht që të dorëzonte kështjellën. Pas gati tre muaj rrethimi, në gusht të vitit 1448 Sopotnica kaloi në duart e osmanëve. Sipas kronistit bizantin L. Halkokondili, banorët e Sopotnicës u masakruan, prandaj, rrëfen ai, Getia iu dorëzua vetë osmanëve, pa bërë qëndresë. Emri i Getias nuk gjendet në burimet e tjera historike, prandaj duhet të jetë Ohri. Ky qytet disa herë ka kaluar në duart e shqiptarëve dhe të osmanëve gjatë shek. XV dhe vetëm në fund të viteve 60 do të pushtohej përfundimisht nga sulltan Mehmeti II, i cili do t'u njihte banorëve të tij disa privilegje.
    Rënia në duart e osmanëve e Sopotnicës, e bashkë me të e Ohrit, ishte një humbje e rëndë për shqiptarët dhe dobësonte sistemin e fortifikimeve mbrojtëse të viseve të lira. Megjithatë, bllokimi për një kohë relativisht të gjatë i trupave osmane në Sopotnicë dhe lajmet për përgatitjen ushtarake kundër osmanëve, që kishte filluar J. Huniadi, e detyruan Muratin II të ndërpriste luftën kundër shqiptarëve. Ai u largua pa realizuar synimin e fushatës së vet ushtarake, marshimin në drejtim të Shqipërisë Perëndimore dhe mposhtjen e qëndresës shqiptare.
    Lufta për mbrojtjen e Sopotnicës la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen historike të shqiptarëve që banonin në zotërimet e Arianitëve. Toponimia dhe antroponimia e këngës “Gjorgj Golemi” (Gjergj Arianiti) dhe e tregimeve popullore për këtë personazh të lavdishëm të shek. XV dëshmojnë se sfondi i përgjithshëm historik i tyre përkujton luftën e Sopotnicës. Mishërimi i saj në krijimtarinë popullore është një përmendore për luftën heroike të shqiptarëve gjatë shek. XV.



    Paqja me Venedikun (tetor 1448)
    Pas largimit të trupave osmane, Skënderbeu u kthye në frontin e luftës kundër Venedikut.
    Për të shqyrtuar qëndrimin që duhej të mbanin ndaj përgatitjeve ushtarake antiosmane të J. Huniadi, anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare mblodhën Kuvendin dhe vendosën që një ushtri e fuqishme e tyre të bashkohej me forcat e Huniadit për të organizuar një fushatë ushtarake të përbashkët kundër pushtuesve osmanë. Për realizimin e këtij projekti të përbashkët, ushtria e J. Huniadit do të marshonte drejt viseve verilindore shqiptare, ku të bashkohej me rreth 20 mijë luftëtarë shqiptarë që do t`i komandonte vetë Skënderbeu.
    Përballë perspektivës që hapte zhvillimi me sukses i një fushate ushtarake të përbashkët shqiptaro-hungareze, Skënderbeu hyri në bisedime me Republikën e Venedikut për t'i dhënë fund konfliktit të armatosur dhe për të normalizuar marrëdhëniet me të.
    Bisedimet me përfaqësuesit e Venedikut u zhvilluan në kampin ushtarak të Skënderbeut, të vendosur pranë Lezhës. Besëlidhjen Shqiptare e përfaqësonin Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini, ndërsa Republikën e Venedikut e përfaqësonte qeveritari i Shkodrës, Paulo Loredani, dhe i dërguari i posaçëm i saj, Andrea Venerio.
    Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua më 4 tetor 1448 traktati i paqes. Sipas tij Republika e Venedikut do të mbante zotërimet e saj në tokat shqiptare, duke përfshirë edhe Dejën, me disa kushte: Skënderbeut do t'i paguante çdo vit 1 400 dukate, disa anëtarë të Besëlidhjes Shqiptare do të kishin prej Republikës privilegje e favore të ndryshme, si p.sh. përjashtimin e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit nga taksat doganore për kripën e stofrat që mund të blinin në Durrës etj.
    Por disa pika të këtij traktati nuk u respektuan nga Venediku. Kështu, Skënderbeut nuk iu dhanë 1 400 dukatet e vitit të parë, që sipas traktatit do t'i merrte brenda 15 ditëve që të përgatitej për fushatën ushtarake të përbashkët me J. Huniadin. Ai iu drejtua edhe Raguzës për një hua në të holla që të përgatitej ushtarakisht, por kërkesa e tij nuk u plotësua.
    Me gjithë përgatitjet intensive për luftë të përbashkët me hungarezët kundër osmanëve, forcat shqiptare nuk arritën të merrnin pjesë në betejë. Despoti serb, Gjergj Brankoviçi, nuk lejoi ushtrinë shqiptare që të kalonte nëpër rrugët e zotërimeve të tij. Rrjedhimisht trupat e J. Huniadit u gjendën vetëm përballë ushtrisë osmane në betejën që u zhvillua më 18 tetor 1448 në afërsi të Prishtinës, të cilën e humbën.
    Pas nënshkrimit të traktatit të paqes të 4 tetorit 1448 konflikti ndërmjet shqiptarëve e Venedikut nuk u shua. Ai u rindez nga Lekë Dukagjini në mesin e viteve 50. Forcat e L. Dukagjinit, duke pasur mbështetjen e pashpallur të Skënderbeut (i cili ndërkohë, sipas qeveritarëve venecianë në Shqipëri, synonte për vete Drishtin dhe Tivarin), arritën të merrnin kështjellën e Dejës dhe atë të Shasit dhe i mbajtën ato për disa vjet, deri kur L. Dukagjini dhe Venediku nënshkruan traktatin e paqes të 19 shkurtit 1459.

    Mbrojtja e Krujës gjatë Rrethimit I (korrik-tetor 1450)
    Fushata ushtarake e sulltan Muratit II kundër Shqipërisë gjatë vitit 1448 nuk dha përfundimet e dëshiruara prej tij. Ishte e natyrshme që, pas fitores së vitit 1448 kundër ushtrisë së Huniadit, sulltani do të kërkonte shkatërrimin e forcave shqiptare. Në mars të vitit 1449 ai pushtoi qytetin e Artës dhe zotërimet e despotit të Artës, Leonardit I (IV) Toko (1448 - 1479), që kishte lidhje me Skënderbeun, u reduktuan në Shqipërinë e Poshtme në Angjelokastër, Vonicë e Varnacë, si dhe në ishujt Leukadë, Qefaloni e Xantë. Prandaj Skënderbeu i përshpejtoi masat për forcimin e mbrojtjes së vendit. U riparuan kështjellat, të cilat u përforcuan edhe me luftëtarë e armatime.
    Për fuqizimin e mbrojtjes së viseve lindore, ushtria shqiptare e komanduar nga Skënderbeu u përpoq të çlironte kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradin). Në këtë aksion morën pjesë me repartet ushtarake të tyre edhe Gjergj Arianiti, Moisi Arianiti (Golemi) e Zahari Gropa. Sopotnica u sulmua nga forcat shqiptare gjatë vitit 1449, por nuk e morën dot. Përpjekjet e sundimtarëve shqiptarë për të rivendosur pushtetin e tyre në rajonet e Sopotnicës e të Ohrit nuk reshtën.
    Për forcimin e aftësisë mbrojtëse të vendit, rëndësi kishin edhe marrëdhëniet me Venedikun. Në prill të vitit 1449 Skënderbeu dërgoi në Venedik përfaqësuesit e vet për t`i kërkuar Senatit të Republikës ratifikimin e traktatit të paqes të tetorit 1448, si dhe autorizimin që ai të mobilizonte luftëtarë nga banorët e zotërimeve veneciane në Shqipëri. Gjithashtu Skënderbeu i kërkoi Republikës së Shën Markut të përforconte Shkodrën e zotërimet e tjera për të penguar kalimin nëpër to të ushtrive osmane që të mos sulmonin prapa krahëve forcat shqiptare. Këto kërkesa Senati i Venedikut i pranoi, kurse nuk pranoi bashkëpunimin ushtarak me Skënderbeun, që do të çonte në prishjen e traktatit të paqes së nënshkruar me sulltan Muratin II.
    Sulmi i trupave osmane kundër Shqipërisë nuk vonoi. Në vitin 1450 sulltan Murati II ndërmori një fushatë ushtarake shumë të fuqishme, duke angazhuar në të gjithë ushtrinë e Perandorisë. Sipas burimeve të kohës, që përmendin Rrethimin I të Krujës, numri i trupave osmane arrinte në l00 mijë veta. Por, sipas rrëfimeve të bashkëkohësve që kanë njohur nga afër organizimin e ushtrisë osmane, numri maksimal i trupave të rregullta që mund të merrte pjesë nëpër beteja larg viseve të tyre ishte rreth 30 mijë veta.
    I njoftuar me kohë për lëvizjen e ushtrisë armike, Skënderbeu përfundoi masat mbrojtëse. Në vende të sigurta malore dhe në qytetet e fortifikuara bregdetare ai strehoi popullsinë e paaftë për luftë, grumbulloi bagëtinë dhe prodhimet bujqësore në vende të sigurta. Në vjeljen, grumbullimin dhe transportimin e prodhimeve bujqësore në ndihmë të popullsisë vuri ushtrinë. Prodhimet bujqësore të paarrira u asgjësuan, që armiku të mos kishte mundësi furnizimi me to.
    Skënderbeu mobilizoi popullsinë e aftë për luftë dhe organizoi një ushtri të fuqishme. Forcat ushtarake ai i ndau në tri pjesë. Nën komandën e Kont Uranit vendosi në kështjellën e Krujës 1 500 luftëtarë vullnetarë të sprovuar. Mijëra të tjerë i organizoi në formë çetash që të vepronin në të gjithë vendin, sidomos pranë rrugëve për të penguar furnizimin e trupave armike me ushqime e mallra të tjera, duke sulmuar sidomos karvanet e furnizimit të tyre. Nga këto më të rëndësishmet ishin forcat e Gjergj Arianitit, që do të vepronin kryesisht përgjatë Rrugës Mbretërore (Egnacia). Detyra më e rëndësishme iu caktua 8 mijë luftëtarëve që u vunë nën komandën e drejtpërdrejtë të Skënderbeut. Këta do të qëndronin kryesisht në rrethinat e Krujës dhe do të sulmonin pa ndërprerë ushtrinë osmane që të mos e lejonin atë të përqendrohej me të gjitha forcat kundër mbrojtësve të kështjellës së saj.
    Gjatë verës së vitit 1450 u grumbulluan në Manastir rreth 30 mijë veta, që ishte numri maksimal i të gjitha forcave ushtarake të Rumelisë e të Anadollit, të cilat mund të grumbulloheshin dhe të merrnin pjesë në luftime larg vendbanimeve të tyre. Ata u vunë nën komandën e sulltan Muratit II, i cili, ashtu si para dy vjetësh në Sopotnicë, kishte me vete edhe të birin 23-vjeçar, sulltanin e ardhshëm, Mehmetin II. Në fund të muajit korrik 1450, sulltan Murati II iu drejtua viseve të lira shqiptare. Trupat osmane ishin të pajisura me mjete ushtarake të shumta e nga më modernet për kohën, duke përfshirë edhe metal për derdhjen e topave.
    Ushtria osmane ndoqi Rrugën Mbretërore (Egnacia). Gjatë marshimit në drejtim të viseve perendimore trupat osmane u gjendën nën sulmet e pandërprera të luftëtarëve të Gjergj Arianitit që vepronin në formën e çetave. Ushtria osmane kudo ku kaloi, vinte në dukje kronisti bashkëkohor bizantin L. Halkokondili, "dogji, duke i vënë zjarrin çdo gjëje që takonte". Ajo depërtoi në thellësi të vendit, iu drejtua Krujës dhe i ngriti çadrat në fushën që shtrihej në perëndim të saj. Nënkuptohet se një pjesë e viseve lindore të zotërimeve të Kastriotëve e të Arianitëve, nëpër të cilat lëviznin ushtritë pushtuese, përkohësisht kaloi nën kontrollin osman.
    Përballë ushtrisë së fuqishme osmane, sulltan Murati II mendoi se shqiptarët ishin ligështuar, prandaj u kërkoi mbrojtësve të kështjellës së Krujës dorëzimin e saj pa luftë. Ai i propozoi Kont Uranit një shumë të madhe të hollash dhe mbrojtësve paprekshmëri gjatë largimit nga kështjella. Por këto oferta u refuzuan prej shqiptarëve. Atëherë Murati II urdhëroi pushtimin me luftë të kështjellës së Krujës. Pranë mureve të saj osmanët derdhën topa të fuqishëm. Me to u rrahën muret kështjellës, një pjesë e të cilave së bashku me portën e hyrjes u dëmtua. Pas bombardimit osmanët u vërsulën drejt mureve të dëmtuara, por ndeshën në "murin" e pamposhtur të mbrojtësve të saj, të cilët me luftën dhe qëndresën e tyre, nuk i lanë të hynin në kështjellë.
    Nga jashtë Skënderbeu me luftëtarët e vet godisnin pareshtur dhe befasishëm ushtrinë armike, nga drejtime të ndryshme, ditën e natën, dhe shpesh e sulmonin atë njëkohësisht në disa drejtime. Me ta bashkëvepronin edhe mbrojtësit e Krujës. Shpesh këta dilnin nga kështjella dhe sulmonin befasishëm ose u kundërpërgjigjeshin goditjeve të trupave osmane.
    Duke parë humbjet e mëdha të ushtrisë së tij prej luftëtarëve të Skënderbeut, sulltan Murati II urdhëroi asgjësimin e tyre, duke i ndjekur kudo edhe nëpër male. Por ekspeditat malore u shkaktuan trupave osmane humbje të rënda. Gjendja e tyre filloi të përkeqësohej gjithnjë e më shumë edhe nga mungesa e ushqimeve dhe e mallrave të tjera, sepse karvanet e furnizimit që vinin nga Lindja nuk mund të qarkullonin për shkak të sulmeve shfarosëse të çetave të shumta shqiptare. Nevojat e ushtrisë për ushqime e mallra të tjera, sulltan Murati II u përpoq t'i plotësonte duke u furnizuar prej tregtarëve venecianë nëpërmjet Durrësit e Shkodrës. Skënderbeu protestoi pranë qeveritarëve të Republikës së Venedikut dhe, pasi tregtarët e saj vazhduan të furnizonin me mallra trupat osmane, atëherë ushtria shqiptare nisi sulmet kundër karvaneve të tyre.
    Lufta nën muret e Krujës vazhdoi gjatë katër muajve. Osmanët e mbajtën vazhdimisht të rrethuar kështjellën e Krujës dhe e sulmuan shumë herë atë për ta pushtuar, por mbrojtësit e saj qëndruan deri në fund. Ushtria osmane, sipas burimeve historike, pati me mijëra të vrarë. Pasi humbi shpresat për mposhtjen e shqiptarëve, Murati II kërkoi të arrinte një marrëveshje paqeje me Skënderbeun, por ajo u refuzua. Duke pasur një ushtri të demoralizuar dhe të lodhur, në mesin e muajit tetor 1450, me fillimin e stinës së shirave dhe afrimit të dimrit, sulltan Murati II e ndërpreu fushatën ushtarake. Gjatë rrugës së kthimit, derisa kaluan tokat shqiptare, ushtritë osmane u shoqëruan nga goditjet e pandërprera të luftëtarëve shqiptarë. Me disfatën e rëndë ushtarake që pësoi nën muret e Krujës, mbylli jetën në vitin 1451 Murati II, një nga sulltanët më të shquar, që me luftëra të vazhdueshme zgjeroi mjaft kufijtë e Perandorisë Osmane.
    Lufta për mbrojtjen e Krujës më 1450 ishte një nga fitoret më të shkëlqyera të shqiptarëve kundër fuqisë ushtarake më të madhe e më agresive të kohës. Fitorja pati jehonë të madhe në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të Evropës. Brenda vendit ajo forcoi më tej besimin e shqiptarëve për vazhdimin me sukses të luftës çlirimtare dhe ndikoi në rritjen autoritetit të Skënderbeut si udhëheqës ushtarak e politik i vendit që po mbronte lirinë e tyre. Nga ana tjetër, ajo tregoi domosdoshmërinë e zgjerimit të frontit të luftës antiosmane, duke përfshirë edhe shtetet e tjera evropiane. Në rrafsh ndërkombëtar ngjarjet e vitit 1450 ndikuan në rritjen e vlerësimit për rolin e shqiptarëve si faktor parësor në kuadrin e përgjithshëm të luftës antiosmane që zhvillohej nga vende të ndryshme. Në opinionin e përgjithshëm evropian Skënderbeu vlerësohej si një nga personalitetet më të shquara të kohës. Ky opinion gjendet i shprehur edhe në një letër që, me rastin e fitores së vitit 1450, Senati i Raguzës i dërgoi heroit shqiptar: "nuk gjejmë fjalë të mjaftueshme për të lavdëruar e admiruar madhështinë e pabesueshme të shpirtit tuaj, mençurinë e burrërinë tuaj të pashoqe ... Ju qëndruat me forca të pakta kundër një armiku të panumërt turqish ... Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë princat, për të gjithë kombet e emri juaj le të konsakrojë një famë të përjetshme!"

  9. #39
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    Përpjekjet për çlirimin e viseve jugperëndimore në bashkëpunim me Mbretërinë e Napolit.
    Beteja e Beratit (26 korrik 1455)
    Luftimet e vitit 1450 për mbrojtjen e Krujës sollën dëme e vështirësi të ndryshme, të cilat duheshin kapërcyer. Pas largimit të ushtrive osmane, Skënderbeu ndërmori masa për rivendosjen e pushtetit të tij në viset lindore të vendit, ku kishte potencialin kryesor ekonomik e njerëzor. Realizimi i një detyre të tillë kërkonte mbështetjen e gjithanshme të Gjergj Arianitit dhe bashkërendimin e veprimeve ushtarake me të. Prandaj Skënderbeu forcoi lidhjet me Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën e tij në vitin 1451.
    Skënderbeu i kushtoi vëmendje forcimit të mëtejshëm të sistemit mbrojtës të vendit. U ndërmorën punime për riparimin e përforcimin e kështjellave. Përpara hyrjes kryesore të kështjellës së Krujës u bënë ndërtime të veçanta parapritëse për të mbrojtur muret e saj prej goditjeve të artilerisë. Në vijim të punimeve në sistemin mbrojtës dhe rreth 20 km (30 mijë hapa sipas M. Barlecit) larg Sfetigradit, diku në rajonin e Mokrës, ndoshta në rrjedhjen e mesme të lumit Treska dhe në jug të krahinës së Poreçes, shqiptarët ndërtuan kështjellën e Modrishës (Modrishta) për të penguar kalimin e trupave osmane në thellësi të vendit nëpërmjet rrugës Shkup-Kërçovë. Ndërkaq shqiptarët kishin arritur të rimarrin qytetin e Ohrit dhe rajonin e tij. Gjatë periudhës së Skënderbeut, më të shumtën e viteve Ohri ka qenë nën zotërimin e shqiptarëve, prandaj një lagje e tij për shekuj ka mbajtur emrin e Skënderbeut.
    Ekspeditat ushtarake osmane kundër Shqipërisë nuk vonuan të rifillonin. Sulltan Mehmeti II që hipi në fronin osman në vitin 1451, pas vdekjes së babait të tij, dërgoi kundër Shqipërisë dy ushtri gjatë vitit 1452.
    Ushtria e parë e përbërë prej disa mijë luftëtarësh nën komandën e Hamza Beut, pasi kaloi Mokrën u fut në luginën e Modrishës dhe filloi të ngjitej e lodhur në drejtim të kështjellës, lartësitë rreth së cilës ishin zënë natën në fshehtësi prej ushtrisë shqiptare. Kur pjesa kryesore e ushtrisë osmane ishte në ngjitje, Skënderbeu urdhëroi këmbësorinë e vet që ta sulmonte. Pozicioni i favorshëm i luftimit për shqiptarët, që sulmonin nga lart poshtë, i dëmtoi rëndë forcat armike. Ndërkohë kalorësia shqiptare me Skënderbeun në krye dhe Hamza Kastriotin kaloi me të shpejtë në luginë dhe u ndërpreu rrugën e tërheqjes forcave armike, të cilat pësuan një katastrofë të vërtetë. Shumica e tyre u vranë dhe shumë të tjerë ranë robër bashkë me komandantin e tyre Hamza Beun.
    Disa muaj më vonë kundër Shqipërisë u dërguan mijëra ushtarë të tjerë osmanë të komanduar nga Debrea. Skënderbeu vendosi t'i sulmonte befasisht. I shoqëruar nga Hamza Kastrioti e Moisi Golemi (Arianiti), në krye të 6 mijë kalorësve marshoi gjatë natës me shpejtësi drejt vendndodhjes së kampit armik. Meqë forcat osmane diktuan afrimin e shqiptarëve, Skënderbeu i sulmoi ato menjëherë e nga drejtime të ndryshme dhe i shpartalloi keqas, duke vrarë dhe komandantin e tyre, Debrenë. M. Barleci rrëfen se beteja u zhvillua në fushën e Pollogut që, sipas tij, kufizohej me qytetin e Shkupit dhe me Mokrën. Sipas përshkrimit të tij, vendbeteja duhet kërkuar diku në rrjedhjen e poshtme të lumit Treskë ose në pjesën veriperëndimore të fushës së Shkupit që kufizohet me Dervenin. Në burimet historike të shek. XV emri i Pollogut ndeshet vetëm për një fshat të vilajetit të Manastirit.
    Mbrojtja e viseve shqiptare të çliruara dhe e ardhmja e tyre vareshin në një farë mase nga situata politike dhe ushtarake në Shqipërinë e Poshtme dhe Lindore, që ishin nën pushtimin osman. Dëbimi i pushtuesve nga këto rajone ishte një kërkesë e domosdoshme dhe e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, kudo që banonin në vise të çliruara apo edhe të pushtuara.
    Pas luftimeve të vitit 1450, Skënderbeu dhe fisnikët e tjerë shqiptarë u përpoqën energjikisht të gjenin rrugët sa më të frytshme për të përballuar kërcënimin osman. Në këtë drejtim ata u përpoqën të forconin lidhjet me vendet e tjera, që t`i angazhonin këta në luftën antiosmane. Skënderbeu i kërkoi Republikës së Venedikut që, nën komandën e tij, të vendoste në Krujë një numër ushtarësh të saj. Por kjo kërkesë, që e angazhonte Venedikun në luftën antiosmane, nuk u pranua prej Senatit të tij, i cili, për më tej, më 1451 ripërtëriu me sulltanin e ri, Mehmetin II, traktatin e paqes që ishte nënshkruar me Muratin II.
    Synimi i shqiptarëve për çlirimin e viseve jugore të vendit, gjeti mbështetjen e mbretërisë së Napolit, e cila nëpërmjet tokave shqiptare mund të sulmohej lehtësisht prej trupave osmane. Prandaj mbreti Alfonsi V synonte të shtrinte influencën e vet në Ballkanin Perëndimor. Ai u lidh me shumë sundimtarë të këtyre viseve dhe u premtoi atyre përkrahje materiale, me kusht që të njihej si kryezot i krahinave që do të çliroheshin me ndihmën e tij.
    Si forcë kryesore për dëbimin e osmanëve nga Ballkani, Alfonsi V shihte shqiptarët. Në një projekt drejtuar Papës në vitin 1451, ai e konsideronte të mjaftueshëm dërgimin prej tij të një mijë ushtarëve për të ndihmuar Skënderbeun e fisnikët e tjerë shqiptarë për çlirimin e viseve jugperëndimore që ishin nën pushtimin osman. Shqiptarët u përpoqën të siguronin nga mbreti Alfonsi V ndihma në ushtarë dhe në mjete luftarake tepër të nevojshme sidomos për marrjen e kështjellave dhe çlirimin e viseve të pushtuara.
    Për të konkretizuar bashkëpunimin shqiptaro-napolitan, fisnikët shqiptarë nënshkruan me oborrin napolitan disa traktate bashkëpunimi, siç ishte ai i 26 marsit 1451, i nënshkruar nga përfaqësuesit e Skënderbeut, traktati i 7 qershorit 1451, i nënshkruar nga përfaqësuesit e Gjergj Arianitit, si dhe traktate të tjera të nëshkruara nga përfaqësuesit e Muzak Topisë, të Gjon Muzakës etj. Në të gjitha këto traktate si problem qendror ishte çlirimi i viseve të Shqipërisë së Poshtme. Sipas tyre, viset që do të çliroheshin me ndihmën e trupave napolitane, do të njihnin si kryezot të tyre mbretin Alfonsi V (traktati i 26 marsit). Në traktatin e 7 qershorit ishin shënuar gjithashtu mënyra se si do të ndaheshin viset shqiptare, pasi të çliroheshin. Gjergj Arianiti do të merrte Kaninën, Vlorën me rrethinat dhe do të gëzonte një sërë të drejtash mbi qytetin dhe krahinën e Beratit. Përfaqësuesi i Gjergj Arianitit, që nënshkroi traktatin, do të merrte krahinën e Vagenetisë (Çamërisë). Në kuadrin e këtyre përpjekjeve u përfshinë edhe Simon Zenebishi me të birin, Alfonsin, të cilët qenë kthyer nga emigracioni dhe u vendosën në zonën bregdetare pranë Butrintit.
    Shqiptarët që banonin në viset e pushtuara e vazhduan në forma të ndryshme luftën kundër osmanëve edhe nën ndikimin e fuqishëm të ngjarjeve që zhvilloheshin në pjesën e çliruar të vendit. Në dokumentet osmane të atyre viteve përmenden në rajonet e pushtuara fshatra të tëra shqiptare si kryengritëse e rebele, spahinj të zhdukur e që kishin braktisur timaret, spahinj që nuk pranonin të merrnin pjesë në fushatat ushtarake kundër tokave të lira shqiptare, spahinj shqiptarë të cilësuar si "tradhtarë" që ishin bashkuar me luftëtarët dhe me prijësat shqiptarë, si me Gjergj Arianitin etj.
    Si rrjedhojë e qëndresës që zhvillohej në Shqipërinë e Poshtme, disa krahina malore si Kurveleshi, Himara, Këlcyra, Leskoviku e ndonjë tjetër, prej kohësh qëndronin thuajse krejtësisht të lira. Në vitet 50 u çlirua zona bregdetare pranë Butrintit, me qendër kështjellën e Kastrovilës (Çamëri). Në të u vendosën trashëgimtarë të familjes sundimtare të Zenebishëve që përpiqeshin të zgjeronin zonën e lirë. Gjatë viteve 1452 e 1453 Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi) organizoi disa aksione të suksesshme kundër ushtrisë së Gjergj Brankoviçit, zgjeroi zotërimet e tij deri në Moraçë dhe shtiu në dorë Medunin.
    Për të lehtësuar zbarkimin e trupave napolitane, që do të merrnin pjesë në luftë për çlirimin e viseve shqiptare, u krijua një lidhje detare e veçantë me mbretërinë e Napolit. Për këtë qëllim në jug të Durrësit u rindërtua kështjella e Kepit të Lagjit (kalaja e Turrës). Pas disa vitesh, po për të lehtësuar komunikimin nëpërmjet detit me vendet e tjera, Skënderbeu ndërtoi një kështjellë në Kepin e Rodonit.
    Si qendër e parë për t`u çliruar në bashkëpunim me forcat napolitane u mendua jo rastësisht Berati, që ishte kufitar me krahinat e lira. Çlirimi i tij, si qendër shumë e fortifikuar, krijonte rrethana shumë të favorshme për dëbimin e pushtuesve nga krahinat e tjera në lindje, në perëndim e në jug të Beratit dhe do të sillte izolimin e një baze tjetër shumë të rëndësishme ushtarake e administrative të pushtuesve, Kaninën, duke i prerë kësaj rrugët e komunikimit tokësor me viset e tjera që ishin nën pushtimin osman.
    Aksioni për çlirimin e Beratit jo rastësisht përkoi dhe u zhvillua i ndërvarur me përpjekjet energjike të sulltan Mehmetit II dhe të administratës qendrore osmane për shtrirjen e konsolidimin e pushtimit osman në rajonet lindore e veriore të viseve të lira shqiptare, si dhe në rajonin e Fushë-Dardanisë dhe të pjesës jugore të luginës së Moravës. Përpjekje intensive për pushtimin e këtyre rajoneve osmanët i ndërmorën sidomos gjatë viteve 1454-1455, pasi ata kishin marrë më 29 maj 1453 Konstandinopojën, e cila konsiderohej e papushtueshme prej fortifikimeve të fuqishme që kishte. Rënia e saj tronditi forcat antiosmane të kohës, kudo që ato vepronin, dhe shënoi fundin e Perandorisë Bizantine. Përkrah forcave osmane në luftën për pushtimin e Konstandinopojës mori pjesë edhe ushtria e Gjergj Brankoviçit.
    Në vitin 1454 sulltan Mehmeti II rrethoi qytetin më të rëndësishëm e më të fortifikuar të Kosovës pas Shkupit, Novobërdën, emri i së cilës njihej mirë në vendet e tjera për prodhimin e arit e të argjendit. Pas një bombardimi 40-ditor me topa të mëdhenj dhe premtimit se mbrojtësve e banorëve të saj u garantohej jeta, Novobërda u dorëzua më 1 qershor 1455 dhe me këtë mori fund periudha e lulëzimit të saj si qytet. Novobërda u braktis masivisht dhe një pjesë e banorëve ndoshta u vranë. Sipas një regjistri osman të vitit 1455, në roje të fortesës së Novobërdës si specialistë armësh të ndryshme, si hekurpunues, marangozë e muratorë, që kujdeseshin për mirëmbajtjen e saj, ishin gjithsej 27 kryefamiljarë të krishterë dhe 60 familje myslimane. Këta të fundit ishin vendosur në Novobërdë, duke ardhur nga rajone të ndryshme të Rumelisë, për të garantuar praninë e pushtetit osman aty.
    Lajmi për rënien e Novobërdës, një qytet ky që njihej shumë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, qe tronditës dhe u prit me shqetësime edhe në vende të tjera, si në Hungari, në Itali etj. Pas marrjes së Novobërdës, osmanët pushtuan edhe qytete të tjera të Fushë-Dardanisë.
    Gjatë verës së vitit 1455, 12 mijë luftëtarë shqiptarë dhe 500 ushtarë të mbretërisë së Napolit rrethuan Beratin dhe nisën sulmet për marrjen e tij. Forcat osmane, që gjendeshin në kështjellë, hynë në bisedime me shqiptarët për dorëzimin e saj dhe kërkuan paraprakisht një armëpushim prej një muaji, kërkesë që u pranua vetëm për 15 ditë. Ata shpresuan jo më kot që ushtritë osmane do t'u vinin në ndihmë, sepse ato tashmë ishin të lira pas marrjes së Novobërdës.
    Duke vlerësuar pozitën kyçe të Beratit dhe rrjedhimet që do të kishte humbja e tij, sulltani largoi nga Fushë-Dardania mijëra ushtarë osmanë dhe i nisi për të sulmuar forcat shqiptare që kishin rrethuar kështjellën e Beratit. Në krye të tyre vuri tre komandantë të shquar, njohës shumë të mirë të viseve shqiptare, të cilët më parë kishin qenë këtu si sanxhakbejlerë: Isa Beun, Hamza Beun dhe Sebalian. Për të mos u diktuar prej luftëtarëve shqiptarë që mbanin të rrethuar kështjellën e Beratit, ata nuk i kaluan trupat nga rruga e zakonshme e luginës së Shkumbinit, por u grumbulluan në Manastir dhe ndoqën rrugën që të çonte në fushën e Korçës. Duke udhëtuar nëpër lugina e rrugë që ishin larg qendrave kryesore të banimit dhe që thuajse nuk përdoreshin më, trupat osmane u futën natën në kështjellën e Beratit, pa u vënë re prej luftëtarëve të Muzak Topisë dhe ushtarëve napolitanë që ishin vendosur në atë drejtim nga kalonte rruga e marshimit të osmanëve.
    Në pasditen e 26 korrikut 1455 pesë mijë luftëtarët e Muzak Topisë dhe 500 ushtarët napolitanë, kur ishin fare të shkujdesur e të shpërndarë, u sulmuan prej ushtrisë osmane dhe u asgjësuan thuajse tërësisht. Sapo u njoftuan për sulmin e papritur të ushtrisë osmane, Skënderbeu dhe Gjergj Arianiti, që me 7 mijë luftëtarët e tyre ishin larg e në drejtimin e kundërt me vendin e betejës, shkuan menjëherë në ndihmë të Muzak Topisë, por, kur ata arritën në fushën e luftës, gjithçka kishte përfunduar. Për më tepër trupat e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit u gjendën të rrethuara dhe beteja rifilloi. Në sajë të heroizmit masiv të luftëtarëve të tyre dhe sidomos të Skënderbeut, që u sul i pari mbi rrethuesit dhe veproi në betejë njëkohësisht si komandant e si ushtar, shqiptarët përballuan sulmin osman, arritën të çanin rrethimin dhe u larguan nga fusha e betejës. Shfarosja e ushtrisë së Muzak Topisë në betejën e Beratit ishte humbja më e rëndë që pësuan shqiptarët gjatë luftës 25-vjeçare nën udhëheqjen e Skënderbeut.
    Edhe pas ngjarjeve të Beratit, shqiptarët nuk hoqën dorë nga synimet për çlirimin e viseve të pushtuara. Në dokumentet e vitit 1456 del se Skënderbeu i vazhdoi lidhjet me Zenebishët, që përpiqeshin të zgjeronin zonën e çliruar në viset bregdetare të Shqipërisë së Poshtme, me qendër Kastrovilën, ndërkohë që forcat e Mbretërisë së Napolit, pasi dëbuan osmanët, morën Himarën. Skënderbeu ndërmori aksione për çlirimin e kështjellave të tjera, që kanë mbetur anonime në dokumentet e kohës. Dy vjet pasi e kishte humbur, Skënderbeu u rimori osmanëve me forcën e armëve, në vitin 1457, qendrën e rëndësishme doganore e tregtare të Myzeqesë, Pirgun, që gjendej në grykëderdhjen e lumit Seman. Bashkëpunimi i Skënderbeut me banorët e viseve të pushtuara ishte tepër i ngushtë dhe vazhdoi deri në fund. Në mesin e viteve 60 përmenden lidhjet e Skënderbeut me despotin e Artës. Marrëdhënie të tilla Skënderbeu vendosi edhe me shqiptarët e viseve të largëta, duke përfshirë edhe ata të Moresë (Peloponezit), të cilët, kur kaluan në Italinë e Jugut e në Sicili edhe këtu, në vendbanimet e reja, ruajtën ndër shekuj kujtimin për Heroin Kombëtar dhe për ngjarjet e lavdishme të shek. XV, dëshmi kjo e lidhjeve të tyre me luftën e bashkëkombësve të udhëhequr nga Skënderbeu.



    Fitorja e ushtrisë shqiptare në Ujëbardhë (1457)
    Pas betejës së Beratit të vitit 1455, gjendja e brendshme politike e Shqipërisë u keqësua përkohësisht. Asgjësimi i forcave të Muzak Topisë në Berat shkaktoi lëkundje e frikë te disa fisnikë shqiptarë, ndonjë prej të cilëve kaloi edhe në anën osmane, siç ishte rasti i Moisi Golemit (Arianitit) dhe i Hamza Kastriotit.
    Moisi Golemi (Arianiti) i kishte zotërimet në Dibrën e Sipërme dhe kufitare me viset e pushtuara. I trembur nga disfata e Beratit dhe i bindur se bashkëpunimi me pushtuesin nuk do të mbështetej prej banorëve të zotërimeve të veta, ai iku fshehurazi në oborrin osman. Për këtë akt Moisiu u shpronësua dhe zotërimet e pasuria e tij kaluan në duart e Skënderbeut. Sulltan Mehmeti II i ngarkoi atij drejtimin e një ushtrie për t`i dhënë Skënderbeut goditjen përfundimtare pas ngjarjeve të Beratit, të cilat ishin dobësuar fuqinë ushtarake të shqiptarëve. Në fund të pranverës së vitit 1456, ushtria osmane e drejtuar nga Moisiu arriti në fushën e Oronikut pranë Ohrit dhe në betejën që u zhvillua aty, u thye keqas prej forcave të Skënderbeut. Pa kaluar shumë kohë, i penduar për bashkëpunimin me osmanët, Moisiu u kthye në Shqipëri për të luftuar besnikërisht deri në vdekje përkrah Skënderbeut, i cili e fali dhe i riktheu menjëherë pronat e pasuritë e konfiskuara.
    Lëkundje të tilla u shfaqën edhe tek anëtarë të rrethit familjar të Skënderbeut, të cilët ky i ndëshkoi ashpër. Ai shpronësoi Gjergj Stres Balshën, djalë i motrës së tij, i akuzuar për bashkëpunim me osmanët. Kulmin kjo veprimtari e arriti me bashkëpunëtorin e ngushtë e nipin e Skënderbeut, Hamza Kastriotin. Me sa duket, në këtë qëndrim ndikoi edhe humbja e shpresave prej tij për të qenë trashëgimtari i Kastriotëve, meqenëse Skënderbeut i lindi djalë. Hamzai kaloi në anën e osmanëve në një nga vitet më kritike të periudhës së luftërave të Skënderbeut.
    Me vdekjen e J. Huniadit në vitin 1456 u shua qëndresa e hungarezëve, një nga vatrat më të fuqishme të luftës antiosmane në Ballkan. I çliruar nga presioni hungarez, sulltan Mehmeti II e përqendroi vëmendjen kundër Shqipërisë, i nxitur edhe nga premtimi i Hamza Kastriotit se me një ushtri të fuqishme mund t'i jepte grushtin përfundimtar Skënderbeut.
    Në korrik të vitit 1457 u fut në tokat shqiptare një ushtri e fuqishme osmane (për të cilën burimet e kohës japin një numër të ekzagjeruar prej 80 mijë vetash) nën komandën e Isa bej Evrenozit, i cili sapo kishte fituar një pozitë krejt të veçantë administrative për kontrollin e drejtpërdrejtë të rajoneve periferike lindore e veriore të viseve që ishin nën kontrollin e Skënderbeut dhe të fisnikëve të tjerë shqiptarë. Në këtë fushatë atë e shoqëronte Hamza Kastrioti, që ishte një njohës shumë i mirë i ushtrisë shqiptare dhe i artit të saj luftarak. Prandaj Heroi shqiptar ndoqi kësaj here një taktikë krejt të re.
    Skënderbeu me luftëtarët e vet si zakonisht zuri shtigjet në trevat lindore të Dibrës, ku priti afrimin e ushtrisë osmane. Pas disa ndeshjeve të parëndësishme me të, ai e shpërndau përkohësisht masën kryesore të luftëtarëve shqiptarë dhe u tërhoq në mënyrë të tillë që armiqtë të bindeshin se i kishin shpartalluar shqiptarët dhe se Skënderbeu ishte braktisur prej luftëtarëve të vet. Kjo manovër e tij pati sukses të plotë aq sa, më 31 korrik 1457, qeveritari venecian i Durrësit e njoftonte dukën e Republikës se: "i madhërishmi Skënderbe ka marrë malet për të shpëtuar kokën dhe e kanë braktisur të gjithë".
    Trupat osmane u futën në thellësi të vendit, zbritën në zonën e Matit dhe nuk ranë në gjurmët e luftëtarëve shqiptarë, gjë që i bindi se ushtria shqiptare vërtet ishte shpartalluar. Më 2 shtator të vitit 1457, kur ushtarët osmanë po pushonin të shkujdesur në fushën e Ujëbardhës, pranë Mamurasit, Skënderbeu, pasi grumbulloi dhe organizoi me shpejtësi forcat e veta, e goditi befasisht ushtrinë armike në disa drejtime. Të ndodhura në gjumin e mesditës, pa armë e me kuaj të pashaluar, trupat osmane pësuan një katastrofë të plotë. Shumica e tyre u vranë e ranë robër në duart e shqiptarëve.
    Fitorja i befasoi bashkëkohësit, të cilët shkruanin ato ditë se "Skënderbeu me një grusht ushtarësh theu, mposhti dhe dërrmoi një ushtri të pamasë turqish", "thuhet se më tepër se 30 mijë turq u vranë ose u zunë rob prej tij" etj., etj. Midis robërve të shumtë ishte edhe Hamza Kastrioti, të cilin Skënderbeu e futi në burgjet e Italisë dhe më vonë e lejoi që të shkonte për të banuar në Turqi.
    Fitorja në betejën e Ujëbardhës pati rrjedhime pozitive të shumanshme politike dhe ushtarake në Shqipëri. Ajo ishte një goditje vendimtare kundër lëkundjeve në gjirin e aristokracisë shqiptare dhe ndikoi në forcimin e pushtetit politik të Skënderbeut mbi gjithë viset e lira shqiptare. Pas disfatës së rëndë të vitit 1457 në betejën e Ujëbardhës, sulltan Mehmeti II ndërpreu përkohësisht sulmet kundër Shqipërisë dhe vetëm në vitet 60 do të dërgonte kundër saj ushtri të fuqishme.

    Regjistrimet kadastrale osmane të viteve 50
    Angazhimi gjatë viteve 1448 dhe 1450 kundër Skënderbeut i të gjithë potencialit ushtarak të Perandorisë Osmane nën drejtimin e vetë sulltan Muratit II bashkë me të birin e tij, sulltanin e ardhshëm Mehmetin II, synonte nënshtrimin me çdo kusht të viseve të lira shqiptare. Në këto rrethana ai ngriti mbi lumin Vardar urën e gurtë të Shkupit. Masa energjike ndërmori në këtë drejtim, pas ardhjes në pushtet, sulltani i ri, Mehmeti II.
    Ekspeditat ushtarake kundër viseve të lira shqiptare gjatë viteve 1452-1455, ky sulltan i bashkëshoqëroi edhe me regjistrimet kadastrale të rajoneve të gjera shqiptare. Madje në luftën për nënshtrimin e viseve shqiptare gjatë vitit 1455 u angazhua edhe vetë sulltan Mehmeti II, kampi i të cilit, në mesin e muajit qershor 1455, ishte vendosur në fshatin Reçan të Prizrenit, por këtë qytet nuk e mori dot. Në fillim të vitit 1456 osmanët pushtuan përkohësisht Medunin.
    Për të mbajtur viset e lira shqiptare nën goditje ushtarake të pandërprerë, sulltan Mehmeti II krijoi një njësi administrative të veçantë në një pjesë të konsiderueshme të tyre me afro 240 hase e timare përgjithësisht të mëdha dhe i shënoi në një regjistër kadastral të veçantë. Në të u përfshinë rajonet e Gostivarit e të Tetovës, të Kaçanikut bashkë me një pjesë të rajonit të Shkupit, të Rrafshit të Dukagjinit (pa qytetet e Prizrenit e të Pejës, sepse osmanët nuk kishin mundur t’i pushtonin), të Zveçanit (Mitrovicës), të Plavës e Gucisë, të Jeliçes (Sanxhaku) etj., duke përfshirë edhe një pjesë të Bosnjës Jugore. Me këtë organizim të veçantë, që nuk pati jetë të gjatë, synohej të shkëputeshin e nënshtroheshin rajonet lindore e veriore të viseve të lira shqiptare, duke ia dhënë ato nën zotërim Isa Beut, që ky të vepronte energjikisht për zotërimin e tyre.
    Zeameti i Isa Beut prej rreth 150 fshatrave shtrihej në të gjitha krahinat e njësisë administrative të drejtuar prej tij, që duhej t`i jepnin afro 800 000 akçe. Me zeamete të tjera u pajisën familjarët e tij, madje edhe gruaja. Pjesa dërrmuese e timareve iu shpërnda personave të afërm me Isa Beun dhe që i shërbenin atij. Ky ishte apogjeu zyrtar i fuqisë ekonomike, politike e ushtarake të Isa Beut si funksionar i lartë osman.
    Faktikisht pushteti i tij nuk u shtri mbi viset e sipërpërmendura, madje as në vilajetin e Kalkandelenit (Tetovës) që ishte më afër Shkupit dhe më i begati nga rajonet e tjera, popullsia e të cilit i paguante afro 500 000 akçe tatime Isa Beut e njerëzve të tij. Në këtë vilajet, ndër të tjerë, kishin haset e tyre gruaja e tij dhe djali i tyre, Mehmet Çelebiu, si dhe përfaqësues të famijeve të njohura fisnike shqiptare, si Hasan bej Zenebishi, që ishte subash i vilajetit të Kalkandelenit, Jusuf çelebi Muzaka (të cilit për pak kohë iu dha në zotërim hasi i djalit të Isa Beut), Kasem Dukagjini etj. Megjithëkëtë detyrat e tyre si funksionarë osmanë ata nuk i ushtruan dot për ndonjë kohë të gjatë, sepse ai rajon mbeti thuajse vazhdimisht nën kontrollin e Skënderbeut. Banorët e rrjedhjes së sipërme të lumit Vardar kanë ruajtur në kujtesë faktin se osmanët i pushtuan këto vise pas shumë luftimesh që zgjatën vite të tëra. Mbrojtësit e kështjellës së Sobrit, që kontrollonte rrugën Shkup-Tetovë, përmenden vazhdimisht si të vrarë. Si rrjedhojë, edhe numri i familjeve myslimane të qytetit të Tetovës erdhi duke u pakësuar, ndërkohë që rritej numri i tyre në Shkup, i cili mbeti nën pushtimin e pandërprerë osman. Në këtë kohë në Shkup u bënë shumë ndërtime, midis të cilave u dalluan mjaft vepra të rëndësishme arkitekturore dhe artistike. Gjatë shek. XV u ndërtuan vepra monumentale të gjinive të ndryshme, si ndërtime mbrojtëse dhe inxhinierike, ndërtimet e kultit dhe ndërtime të arkitekturës popullore si çarshi, hane, banesa etj. Midis këtyre veprave shquhen Ura e gurtë në lumin Vardar (Shkup), xhamitë e sulltan Muratit II, të Isa Beut, Mustafa Pashës etj., banjat publike të Isa Beut e të Daut Pashës, ujësjellësi i Mustafa Pashës, hanet e Sulës e të Kapanit etj.
    Për të kompensuar pozitën administrative, politike dhe ekonomike të projektuar për Isa Beun, por që nuk pati sukses, ai u emërua subash i vilajetit të Shkupit, siç e tregon një shënim i shkruar në muajin qershor të vitit 1457 në regjistrin kadastral përkatës. Ndërsa subashi i mëparshëm i Shkupit kishte një has që i jepte më pak se 100 000 akçe të ardhura vjetore, Isa Beut iu dha një has që i siguronte afro 240 000 akçe në vit, të ardhura këto shumë më të vogla nga ato të postit të mëparshëm.
    Krahas njësisë administrative në zotërim të Isa Beut, sulltani krijoi gjatë vitit 1455 në rajonin e Fushë-Dardanisë e më gjerë një njësi administrative të dytë, të emërtuar "Vilajeti i Vukut", sipas emrit të ish-sundimtarit, Vuk Brankoviçit. Ky vilajet kishte 8 nahije dhe afro 180 timare. Nahijet më të mëdha për nga numri i fshatrave ishin Labi (Llapi) me 229 fshatra, Vuçiterni me 137, Morava me 128, Topolnica me 81, Klopotniku me 42 dhe Prishtina me 40 fshatra. Gjatë vitit 1455 u ndërmorën regjistrime kadastrale osmane edhe në rajone të tjera, si në Sanxhakun Shqiptar etj.
    Regjistrimet e mësipërme mbetën për shumë vjet akte formale. Prandaj më 1458, 1459 dhe 1463 u angazhua sërish vetë sulltan Mehmeti II për nënshtrimin e rajoneve të mësipërme, duke pushtuar, ndoshta përkohësisht, Prizrenin në vitin 1458, më pas Lipjanin, Vuçiternin dhe në vitin 1463 Pejën.
    Gjatë viteve 1454-1456 pushtohet thuajse krejtësisht Despotati serb i Gjergj Brankoviçit, i cili ishte lidhur ngushtësisht me oborrin osman, si nëpërmjet vasalitetit ashtu edhe lidhjeve martesore. Në dhjetor të vitit 1456 vdiq si i mërguar në Hungari Gj. Brankoviçi dhe pas dy vjetësh, në janar të vitit 1458, vdiq edhe djali e trashëgimtari i tij Llazari. Në mars të vitit 1458 osmanët pushtuan kryeqytetin e Rashës, Smederevën, por po atë muaj banorët i dëbuan pushtuesit nga qyteti i tyre. Djali i mbretit Thoma Tomasheviq të Bosnjës, Stefani, u martua me vajzën e Llazar Brankoviçit dhe, me ndihmën e oborrit hungarez e si vasal i tij, u shpall despot i Rashës në mars të vitit 1459. Kundërveprimi osman qe i menjëhershëm dhe despoti Stefan në qershor të atij viti e braktisi përfundimisht shtetin serb të Rashës dhe në vitin 1461 u bë mbret i Bosnjës.
    Gjatë vitit 1463 sulltan Mehmeti II ndërmori fushata ushtarake shumë të fuqishme për nënshtrimin e Ballkanit; pushtoi Bosnjën, Morenë (Peloponezin) dhe emëroi masivisht timarlinj të rinj në viset shqiptare për t`i rivendosur ato nën pushtetin e tij. Për të mbajtur të nënshtruar Bosnjën, sulltani u përpoq të vendoste nën kontrollin e tij kështjellat pranë rrugëve kryesore që të çonin në Bosnjë, si Zveçanin, Jeliçën (Pazarin e Ri) etj. Edhe pse për ruajtjen e këtyre kështjellave sulltan Mehmeti II caktoi spahinj të rinj, ai realisht nuk arriti t`i fuste nën kontroll të plotë rajonet e ish-njësisë administrative, që në vitet 50 ia kishte dhënë Isa Beut për t`i administruar.
    Skënderbeu vazhdoi të përkujdesej për viset veriore shqiptare. Në fillim të muajit shtator të vitit 1464, ai i nisi trupat e veta në drejtim të Sjenicës, në viset e ish-Despotatit të Rashës, dhe u ndesh me trupat osmane, të cilat i shpartalloi përfundimisht. Ky aksion ushtarak i suksesshëm i Skënderbeut u ndërmor në kuadrin e rigjallërimit të bashkëpunimit të tij me Hungarinë. Nga fundi i vitit 1463 deri më 1465 mbreti Matia Korvini i Hungarisë ndërmori një varg aksionesh luftarake kundër osmanëve në Bosnjë dhe arriti të çlironte Bosnjën Veriore.

  10. #40
    i/e regjistruar Maska e shendelli
    Anëtarësuar
    03-12-2002
    Vendndodhja
    hene
    Postime
    345
    3. FORMIMI I SHTETIT TË BASHKUAR SHQIPTAR NËN DREJTIMIN E
    GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT

    Forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut
    Kryengritja fitimtare e nëntorit të vitit 1443 dhe Kuvendi i fisnikëve shqiptarë i mbajtur në mars të vitit 1444 në Lezhë, sollën ndryshime rrënjësore në organizimin administrativ, politik e ushtarak të viseve të çliruara shqiptare. Kuvendi i Lezhës realizoi të parin bashkim të gjerë politik e ushtarak të vendit në formën e një aleance ndërmjet përfaqësuesve kryesorë të aristokracisë shqiptare. Organi më i lartë qendror i këtij bashkimi u bë Kuvendi i fisnikëve. Organe të përhershme të Besëlidhjes ishin kryetari i saj, ushtria dhe arka e përbashkët, në krye të të cilave u caktua një njeri i vetëm, Skënderbeu.
    Vendimet e Kuvendit i dhanë mbështetje ligjore e morale pozitës së veçantë të Skënderbeut, si kryetar i Besëlidhjes, në marrëdhëniet me fisnikët e tjerë shqiptarë. Këtë pozitë ai e shfrytëzoi për të bashkuar sa më organikisht viset e lira shqiptare, nëpërmjet forcimit të pareshtur të autoritetit të pushtetit të tij. Si kryetar i Besëlidhjes ai ushtronte të drejtën për t'i thirrur ose jo në Kuvend anëtarët e saj.
    Për nevojat e mbrojtjes e të vijimit të luftës, anëtarët e Besëlidhjes pranuan krijimin e organeve qendrore, të përqendruara në një dorë të vetme, në atë të Skënderbeut. Vendimet e Kuvendit i ngarkonin ata me detyrime politike, ushtarake e ekonomike. Kështu, në luftë kundër Venedikut gjatë viteve 1447-1448 morën pjesë edhe personalitete drejtuese, të cilëve nuk u ishin cenuar drejtpërdrejt interesat nga pushtimi venecian, si Gjergj Arianiti. Në këtë luftë dhe në bisedimet për nënshkrimin e traktatit të paqes, Skënderbeu ishte figura qendrore e palës shqiptare, edhe pse nën pushtetin e Venedikut nuk ishin përfshirë zotërime të Kastriotëve, siç kishte ndodhur me ato të disa fisnikëve të tjerë.
    Në kuadrin e Besëlidhjes, fisnikët i ruanin të gjitha të drejtat e mëparshme mbi zotërimet e veta. Kjo bënte që në qëndrimin e tyre të shfaqeshin edhe dukuri të tilla, si mospërmbushja e detyrimeve të caktuara në Kuvend, mospjesëmarrje në luftë, lëkundje ndaj vështirësive e presioneve të pushtuesve osmanë, mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, mbajtja e ushtrive jashtë kuadrit të Besëlidhjes etj.
    Me kalimin e viteve u bë gjithnjë e më e domosdoshme të kapërceheshin sa më parë dobësitë e brendshme, të cilat pengonin zhvillimin me sukses të luftës. Detyra e mbrojtjes së viseve të lira shqiptare kërkonte që mobilizimi i banorëve në to dhe ruajtja e kështjellave të mos mbeteshin në duart e zotërve të veçantë. Përshpejtimin e procesit të bashkimit politik të shqiptarëve e favorizonte shumë autoriteti i madh gjithnjë në rritje që Skënderbeu kishte te bashkëkombasit e vet, tek i cili këta shihnin drejtuesin e aftë dhe komandantin e talentuar, që vazhdimisht po u sillte fitore.
    Lufta e suksesshme nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi pozitivisht për integrimin në një shtet të përbashkët të fisnikëve shqiptarë, të cilët i kishin fituar dhe i mbanin zotërimet e tyre në sajë të fitoreve që po korrte ushtria e Besëlidhjes. Duke ruajtur përgjithësisht të drejtat ekonomike feudale, zotërimet e tyre e humbën gradualisht autonominë politike dhe u njësuan me ato të Kastriotëve. Duke kujtuar këto ndryshime, Gjon Muzaka shkruante se shkrirja dhe aneksimi i zotërimeve të fisnikëve shqiptarë nga Skënderbeu ndodhte ngaqë ky "kishte në dorë ushtrinë, dhe ata kishin gjithnjë turkun mbi krye". Ata ishin të varur nga Skënderbeu, sepse nuk ishin të fuqishëm dhe pa përkrahjen e tij nuk mund të përballonin dot furinë osmane. Integrimi në një shtet të përbashkët nuk i dëmtonte rëndë interesat e tyre ekonomike. Duke përmbushur detyrimet ndaj pushtetit qendror të Skënderbeut, fisnikët ruanin të drejtën e administrimit të pronave të veta po nëpërmjet aparatit të tyre të mëparshëm administrativ dhe ekonomik, i cili tani konsideroj si pjesë e aparatit shtetëror të përbashkët, të drejtuar nga Skënderbeu. Fisnikët shqiptarë kaluan kështu në vartësinë e zakonshme feudale ndaj kryezotit të tyre, Skënderbeut.
    Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të qëndrueshëm të zotërve të fuqishëm shqiptarë e rrjedhimisht, të të gjithë vendit. Ndër to më të rëndësishmet ishin lidhjet martesore ndërmjet familjeve fisnike, dukuri të zakonshme këto në shoqërinë feudale. Martesa të tilla ishin bërë që në kohën e Gjon Kastriotit, që ishte martuar me Vojsavën, familja e së cilës, sipas M. Barlecit, jetonte në Pollog (me këtë ai emërtonte rajonin që shtrihej nga qyteti i Shkupit në lindje deri në krahinën e Dervenit në perëndim, ndoshta edhe rajonin në rrjedhjen e poshtme të lumit Treskë). Që në kohën e Gjon Kastriotit motrat e Skënderbeut ishin martuar me anëtarë të familjeve më të fuqishme të kohës: Mara me Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin), Jella me Stres Balshën, Angjelina me Vladan Arianitin, vëlla i Gjergj Arianitit, Vlajka me Gjon Muzakën. Veç këtyre, Heroi shqiptar, i cili qysh në vitin 1443 e kishte cilësuar veten si trashëgimtar të Balshajve, bëri lidhje martesore të tjera. Vetë u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit, kurse të motrën, Mamicën e martoi me Muzak Topinë. Zotërimet e Arianitëve e të Topiajve kishin një rëndësi të veçantë strategjike për mbrojtjen e vendit, sepse nëpër to kalonte Rruga Mbretërore (Egnacia) dhe degëzimet e saj në drejtim të viseve të Shqipërisë së Epërme e asaj të Poshtme, nëpërmjet të cilave trupat osmane mund të futeshin në thellësi të tokave të lira shqiptare për të sulmuar kryeqendrën e tyre, Krujën. Lidhjet martesore të shumta lehtësuan veprimtarinë politike të Skënderbeut për integrimin sa më të plotë të viseve shqiptare nën pushtetin qendror të tij. Edhe në radhët e këtyre familjeve kishte individë të pakënaqur nga forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut. Kështu, p.sh., në vitin 1455 Muzak Topia ankohej për mosmarrëveshjet që kishte me kunatin e vet, Skënderbeun.
    Shprehje e qëndrimeve divergjente ndaj procesit të forcimit të pushtetit qendror të Skënderbeut ishin edhe përpjekjet e ndonjë përfaqësuesi të familjeve aristokrate shqiptare për të pasur lidhje vetjake me vende të tjera, si me Napolin, Venedikun etj. Këto qëndrime shfaqeshin sidomos kur tek ata dobësohej besimi se shqiptarët mund të përballonin vetëm luftën me ushtrinë osmane. Kështu, p.sh., pas rënies së Sopotnicës (1448) dhe Rrethimit të Parë të Krujës (1450), disa nga anëtarët e Besëlidhjes së Lezhës kërkuan individualisht mbështetjen e përkrahjen e vendeve të tjera, duke nënshkruar me ta një numër traktatesh. Krahas traktatit të 26 marsit 1451, që dy ambasadorë të Skënderbeu e nënshkruan në emër të tij dhe të "familjarëve të tij e të baronëve të Shqipërisë" me mbretin Alfonsi V të Napolit, traktate të ngjashme lidhën pas disa muajsh me mbretin e Napolit ambasadori i Gjergj Arianitit (7 qershor 1451), përfaqësuesit e Muzak Topisë, Gjon Muzakës etj. Për të neutralizuar prirjet decentralizuese që po rishfaqeshin në radhët e fisnikëve shqiptarë pas fushatave ushtarake osmane të viteve 1448 dhe 1450 dhe për të ruajtur bashkimin politik të vendit, Skënderbeu forcoi lidhjet familjare me personalitetin politik më të rëndësishëm shqiptar pas tij, Gjergj Arianitin, duke u martuar me vajzën e tij, Donikën.
    Krahas lidhjeve vetjake me shtetet perëndimore, pati edhe raste që ndonjë nga fisnikët shqiptarë hyri në marrëveshje me osmanët, siç vepruan Muzakajt më 1451 dhe Dukagjinët më 1452 e më pas. Zotërimet e Muzakajve, si kufitare në jug me viset e pushtuara, ishin vazhdimisht të konfrontuara me osmanët, kurse ato të Dukagjinëve kontrollonin rrugët tregtare që sillnin të ardhura të mëdha nga qarkullimi i mallrave ndërmjet rajoneve bregdetare dhe fushave verilindore (të Rrafshit të Dukagjinit e të Fushë-Dardanisë), që ishin vazhdimisht nën kërcënimin e sulmeve osmane, derisa më 1455 filloi ripushtimi i rajoneve verilindore e veriore të viseve të lira shqiptare.
    Lëkundjet në gjirin e aristokracisë shqiptare u thelluan edhe më tej pas disfatës së vitit 1455 në betejën e Beratit. Duke e gjykuar si të pashpresë vazhdimin e mëtejshëm të luftës kundër osmanëve, Moisi Arianiti (Golemi), Gjergj Stres Balsha (djalë i motrës së Skënderbeut) dhe Hamza Kastrioti (djali i vëllait të tij) kaluan në bashkëpunim të hapur me osmanët.
    Shpartallimi prej Skënderbeut i lëkundjeve dhe tendencave separatiste, që arritën deri në bashkëpunim të hapur me pushtuesit osmanë, u bë faktor i rëndësishëm për ruajtjen dhe forcimin e pushtetit të tij mbi të gjitha viset e lira dhe krijimin e një shteti të vetëm shqiptar. Në këtë proces u përfshinë edhe rajonet periferike jugore e veriore të vendit, ku shtriheshin zotërimet e Arianitëve dhe të Dukagjinëve. Integrimi i tyre në shtetin e Skënderbeut u bë më vonë se në viset e tjera dhe në fillim të viteve 60 mund të quhej i kryer.
    Forcimi i pushtetit qendror të Skënderbeut mbi zotërimet e Arianitëve eci më lehtë se mbi ato të Dukagjinëve. Në këtë proces ndikonin lidhjet martesore të familjes së Skënderbeut me Arianitët dhe sidomos fakti që zotërimet e këtyre ishin kufitare dhe qenë vazhdimisht nën kërcënimin e pushtimit osman. Pushteti qendror shtetëror u forcua aq shumë mbi Arianitët saqë, pas vdekjes së Gjergj Arianitit, më 1461, djemtë e tij ishin të detyruar të përmbushnin urdhrat e Skënderbeut. Djali i madh i Gj. Arianitit, Thomai, në emër të tij dhe të dy vëllezërve më të vegjël, në qershor të vitit 1461, u pranua në audiencë nga duka i Venedikut me letërekomandimin e Skënderbeut. Ndaj një vartësie të tillë të plotë, e ëma e tyre, që ishte edhe vjehrra e Skënderbeut, në fund të vitit 1463 do t`u shprehte pakënaqësinë e saj shteteve të tjera.
    Më e vështirë qe rruga e përfshirjes së zotërimeve të Dukagjinëve në shtetin e Skënderbeut. Deri më 1455, kur sulltan Mehmeti II filloi veprimet intensive për pushtimin e Fushë-Dardanisë e të Rrafshit të Dukagjinit, zotërimet e Dukagjinëve nuk i kishin ndier dhe aq pasojat shkatërrimtare të sulmeve osmane, sepse ende kufizoheshin me vise të papushtuara dhe lidheshin me to me rrugë tregtare që sillnin të ardhura të rëndësishme doganore. Prandaj Dukagjinët, veçanërisht gjatë viteve 1450-1455, ndoqën një politikë deri diku të veçuar nga ajo e Besëlidhjes, duke u afruar edhe me osmanët për shkak të interesave ekonomike e tregtare. Skënderbeu përdori mjete të ndryshme që t'i largonte ata nga osmanët, duke kërkuar edhe ndërmjetësinë e shteteve të huaja, si të Papatit etj. Në vitin 1452 ai nënshkroi një akt bashkëpunimi me Pal e Nikollë Dukagjinin.
    Me pushtimin prej turqve të Fushë-Dardanisë dhe të një pjese të Rrafshit të Dukagjinit gjatë viteve 1455-1462 edhe zotërimet e Dukagjinëve u dëmtuan rëndë dhe iu ekspozuan tërësisht të njëjtit rrezik. Në këto kushte Dukagjinët i ndërprenë lidhjet me osmanët dhe në fund të viteve 50 ata dalin të lidhur plotësisht me pushtetin qendror të Skënderbeut. I pakënaqur nga kjo vartësi, Lekë Dukagjini do të ankohej më 1463 se "nuk donte të ishte nën Skënderbeun". Por një proces i tillë ishte i pashmangshëm dhe i domosdoshëm në kushtet e luftës kundër rrezikut të përbashkët, pushtimit osman. Në dokumentet e viteve 60 gjithnjë e më shumë flitet për “shtetin e Skënderbeut”.
    U arrit kështu të përfshiheshin në një shtet të vetëm të gjitha viset e lira shqiptare. Ato shtriheshin në jug nga rrjedha e lumenjve Devoll e Seman dhe përfshinin në veri kështjellat e Jeliçës (Pazarit të Ri) e të Zveçanit (Mitrovicës) bashkë me rajonet e tyre. Në perëndim shtriheshin nga brigjet e detit Adriatik dhe përfshinin në verilindje Rrafshin e Dukagjinit e Drenicën dhe në lindje rajonin e Dervenit në perëndim të Shkupit dhe atë të Mokrës në jugperëndim po të këtij qyteti.
    Integrimi politik dhe organizativ i viseve të lira shqiptare në një shtet të përbashkët u pasqyrua edhe në raportet publike midis fisnikëve shqiptarë, si dhe me vendet e tjera. Ndërprerja e veprimtarisë së pavarur politike të fisnikëve shqiptarë ka gjetur shprehjen e vet edhe në dokumentet e kohës, ku emrat e tyre, me kalimin e viteve, dalin gjithnjë e më rrallë dhe, që nga fillimi i viteve 60, thuajse nuk do të përmenden më. Në dokumentet e kohës Skënderbeu del si e vetmja figurë drejtuese e jetës politike të vendit. Nga "zot" i Krujës, që përmendet në vitet 40, ai do të cilësohet më pas "zot i Arbërisë" dhe më 1464, me rastin e ardhjes së papa Piut II në Ballkan, ai do ta kurorëzonte mbret Skënderbeun. Përfshirja e të gjitha viseve të lira shqiptare në një shtet të vetëm u pasqyrua edhe në marrëdhëniet e tij me oborrin osman. Prandaj në vitin 1463 sulltan Mehmeti II nënshkroi traktat paqeje vetëm me Skënderbeun dhe ai ishte i detyrueshëm edhe për fisnikët e tjerë shqiptarë, siç dëshmojnë p.sh. mirë dokumentet e kohës që kanë shënuar pakënaqësinë e trashëgimtarëve të Gj. Arianitit për të përmbushur detyrimet që rridhnin prej tij.
    Rreziku i përhershëm osman mbi jetën e shqiptarëve ndikoi që, në procesin e formimit të një shteti të vetëm shqiptar në të gjitha viset e lira, të vepronin kryesisht faktorët e mirëkuptimit.
    Bashkimi dhe përfaqësimi i familjeve të mëdha aristokrate shqiptare në një shtet të përbashkët u shpreh edhe në lidhjet martesore ndërmjet tyre, veçanërisht me Kastriotët, në simbolet shtetërore që lidheshin me të, si dhe në individualitetin kombëtar të tij dhe në traditën historike vendase.



    Organizimi shtetëror
    Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare, që u krijuan me vendimet e Kuvendit të Lezhës, qysh në fillim u ndërthurën me aparatin shtetëror administrativ, ushtarak dhe ekonomik të Kastriotëve dhe me kalimin e viteve u njësuan natyrshëm me të, sepse në krye të tyre ishte i njëjti personazh historik, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare u shfaqën me tiparet e një pushteti qendror, ndikimi i të cilit erdhi duke u forcuar gjithnjë e më tepër mbi të gjitha viset e lira shqiptare, aq sa edhe aparati administrativ dhe ekonomik i fisnikëve të tjerë shqiptarë u bënë pjesë e tij. Viset e lira shqiptare u përfshinë kështu në një administratë të vetme shtetërore, që kishte tiparet e një monarkie feudale.
    Organet qendrore drejtuese, vendimmarrëse, këshillimore dhe ushtarake të shtetit shqiptar ishin: Kryetari i Shtetit, Kuvendi i Fisnikëve, Këshilli i Lartë dhe Këshilli i Luftës.
    Kryetari i Shtetit drejtonte të gjitha organet e mësipërme dhe qëndronte në krye të piramidës shtetërore. Për pushtetin e tij do të flitet më poshtë.
    Kuvendi i Fisnikëve shqiptarë ishte institucioni më i lartë vendimmarrës i shtetit shqiptar. Si organ pushteti ai mblidhej herë pas here për çështje shumë të rëndësishme dhe që kishin të bënin kryesisht me pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftë përkrah apo kundër vendeve të tjera dhe me nënshkrimin me to të traktateve të paqes. Kuvendi i Fisnikëve qëndroi si institucion deri në fund të jetës së Skënderbeut dhe nëpërmjet tij ruhej bashkimi i shqiptarëve.
    Këshilli i Lartë ishte organ i përhershëm këshillimor pranë kryetarit të shtetit, që shprehte interesat e fisnikëve shqiptarë. Anëtarët e tij ishin bashkëpuntorët më të ngushtë të Skënderbeut, si Pal Engjëlli, Kont Urani, Tanush Topia, Moisi Golemi (Arianiti) etj. Këshilli i Lartë shqyrtonte çështje të rëndësishme të jetës së brendshme të shtetit shqiptar dhe të marrëdhënieve të tij me vendet e tjera.
    Këshilli i Luftës kishte një veprimtari të kufizuar dhe mblidhej kryesisht gjatë aksioneve luftarake për të ndihmuar komandantin e përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Skënderbeun. Në të bënin pjesë komandantët e reparteve ushtarake.
    Krahas organeve të mësipërme, që formonin pjesën vendimmarrëse dhe drejtuese të aparatit shtetëror, vepronin edhe organe të tjera shtetërore, që merreshin më çështje organizative, ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të politikës së jashtme. Aparati shtetëror ishte shtrirë në të gjitha viset e lira shqiptare dhe vepronte sipas ndarjeve administrative të vendit, të cilat, si kudo në mesjetë, ishin tradicionale si ndarje krahinore e kishtare.
    Emërtesat e funksionarëve e të nëpunësve të administratës shtetërore përgjithësisht ishin trashëguar prej terminologjisë së administratave shtetërore lindore (bizantine e sllave) dhe perëndimore (anzhuine e veneciane), që kishin vepruar më parë në Shqipëri. Po kështu ndodhte edhe me hierarkinë kishtare dhe aparatin administrativ të saj në Shqipëri, ku ushtronin veprimtarinë e tyre kisha katolike dhe ajo ortodokse bizantine e sllave.
    Në shtetin e bashkuar shqiptar fisnikët i ruajtën deri në një farë mase të drejtat e mëparshme mbi zotërimet e tyre dhe kryenin detyrën e logothetëve të dikurshëm të administratës shtetërore bizantine, duke vepruar si mëkëmbës të kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ata kishin nën varësinë e tyre aparatin administrativ e ushtark të krahinave që ishin përfshirë nën juridiksionin e tyre. Aparati administrativ i një krahine zakonisht kishte në krye një vojvodë. Nën varësinë e tij ishin: qefalitë, që ishin komandantët e garnizoneve të kështjellave, psarët, që ishin nëpunës të administratës, si dhe proniarët e krerët, të cilët si feudalë të vegjël, kishin për detyrë të vilnin taksat për vete e për pushtetin qendror dhe të shkonin në luftë.
    Pranë kryetarit të shtetit, Skënderbeut, ishte edhe një aparat ekonomiko-financiar për administrimin e të ardhurave dhe të shpenzimeve të shtetit, që drejtohej nga protovestiari dhe ndihmësi i tij, ruajtësi i thesarit (thesaureri).
    Për marrëdhëniet me vendet e tjera Skënderbeu kishte një aparat të veçantë të përbërë nga kancelarët dhe nga ambasadorët apo të ngarkuarit (oratorët). Kancelarët përpilonin në gjuhë të huaj shkresa të ndryshme, si traktate që do të nënshkruanin me vende të tjera, akte përfaqësimi për personat e ngarkuar me misione të ndryshme, diploma dhe akte publike etj. Shkresat e dala nga administrata e shtetit shqiptar, disa prej të cilave janë ruajtur në arkivat evropiane deri në ditët tona, dëshmojnë për kulturën e lartë humaniste të Skënderbeut dhe të oborrtarëve të tij. Ambasadorët dhe oratorët e tij Skënderbeu i pajiste me autorizime të veçanta dhe kështu ata kishin të drejtë ta përfaqësonin atë dhe të përfundonin e të nënshkruanin në emër të tij, si kryetar shteti, traktate të rëndësishme me mbretërit e kryetarët e shteteve të huaja. Ambasadorët dhe oratorët e Skënderbeut ishin klerikë e laikë të kulturuar, që njihnin me themel gjuhët e huaja, si latinishten, italishten, turqishten, greqishten etj.
    Kryetari i Shtetit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndronte në krye të piramidës shtetërore me të drejtat e një monarku feudal. Titulli zyrtar i tij ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae). Në vitin 1464 Skënderbeu do të kurorëzohej mbret prej papa Piut II, një e drejtë ekskluzive kjo e kreut të kishës. Ceremonia për marrjen e skeptrit mbretëror nga Skënderbeu ishte parashikuar të organizohej me rastin e ardhjes në Shqipëri të vetë papa Piut II në krye të ushtrive evropiane, si kryekomandant i së cilës do të ishte Skënderbeu.
    Të drejtat e një monarku si kryetar shteti Skënderbeu i ushtronte në të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore, si në marrëdhëniet me nënshtetasit e vet, ashtu edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e tjera. Ai ishte në krye të të gjitha strukturave të aparatit shtetëror, të cilat zbatonin urdhrat e tij. Ashtu si monarkët e tjerë të kohës së tij, Skënderbeu shpallte dekrete, si akte normative, për shpërndarjen e pronave tokësore e të pasurive të tjera personave që dalloheshin në veprimtarinë ushtarake dhe civile, për shpronësimin e atyre që dëmtonin interesat shtetërorë etj. Skënderbeu nxirrte urdhra për sistemin tatimor, regjimin e doganave dhe detyrime të tjera që, sipas së drejtës feudale, kishin nënshtetasit e tij.
    Po ashtu si organet e mësipërme shtetërore vendimore, këshillimore, ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të marrëdhënieve me vendet e tjera, edhe aparati gjyqësor ishte nën varësinë e kryetarit të shtetit, Skënderbeut. Ai ushtronte të drejtën e dënimit me burgim, me konfiskim pasurie, me gjoba etj., si dhe të faljes së nënshtetasve të vet për fajet dhe shkeljet e ligjeve.
    Si një monark pushteti i Skënderbeut ishte i trashëgueshëm. Kur ai largohej nga atdheu dhe shkonte me misione të rëndësishme në vendet e tjera, meqenëse djalin e kishte të mitur, të drejtat e tij si kryetar shteti i ushtronte e shoqja, Donika. Ajo ndihmohej në kryerjen e detyrave shtetërore prej këshilltarëve të oborrit. Edhe pas vdekjes së Skënderbeut dhe emigrimit në Itali të pasardhësve të tij, atyre iu ruajt e drejta e trashëgimisë për shumë kohë në Shqipëri. Kur djali i Skënderbeut, Gjoni, dhe më pas i nipi, Gjergji, arritën moshën madhore, u mirëpritën nga bashkëkombasit e tyre, si trashëgimtarë të ligjshëm, kur u rikthyen në Shqipëri dhe nisën luftën për rimëkëmbjen e shtetit të Skënderbeut. Gruaja dhe pasardhës të tij u trajtuan si familje mbretërore në oborret italiane dhe në atë spanjoll pas emigrimit nga Shqipëria.

    E drejta dhe simbolet shtetërore
    Shteti shqiptar mbështetej mbi të drejtën feudale, që ishte një e drejtë privilegji, laike e kishtare, e një shoqërie të shtresëzuar e të diferencuar nga ana ekonomike, politike e kulturore. E drejta në Shqipëri ishte një trashëgimi historike që kishte individualitetin e vet kombëtar. Korpusi i legjislacionit të saj nuk ka ardhur i plotë deri në ditët tona. Janë ruajtur fragmente nga statutet e qyteteve shqiptare dhe kohët e fundit është zbuluar i plotë Statuti i Shkodrës. I shkruar gjatë shek. XV, ky statut na njeh me normat që rregullonin jetën e brendshme të qyteteve dhe më gjerë me organizimin e shoqërisë shqiptare gjatë epokës së Skënderbeut.
    E drejta që vepronte në Shqipëri gjatë periudhës së Skënderbeut ishte e zhvilluar dhe përfshinte një varg normash në fusha të ndryshme të jetës së asaj shoqërie. Sipas tyre prona, veçanërisht ajo mbi tokën, trashëgohej në vijën mashkullore dhe, në mungesë të djemve, në vijën femërore. Kur vajza martohej, asaj i jepej si prikë një pjesë e pasurisë atërore, në para ose si prona, të cilat noterizoheshin në emër të saj. Krahas kësaj trashëgimie ligjore, njihej edhe trashëgimia me testament. Në fushën e pronësisë mbi tokën, nëpërmjet akteve normative e kontratave përcaktoheshin llojshmëria dhe sasia e detyrimeve në të holla, në prodhime në natyrë dhe në punë angari që kishin fshatarët pa tokë ndaj pronarëve, pronarët ndaj zotërve të tyre si dhe ndaj shtetit etj. Po kështu, me punëtorët dhe specialistët e mjeshtërive të ndryshme, të ndërtimit, të armëve etj., bëheshin kontrata sipërmarrjeje, ku përcaktoheshin afatet kohore të shërbimeve dhe pagesat e tyre.
    Normat e së drejtës në kohën e Skënderbeut parashikonin edhe masa shtrënguese ndaj veprave penale kundër jetës, shëndetit, pasurisë dhe interesave të individëve të veçantë, të bashkësive shoqërore dhe të institucioneve shtetërore. Masat ndëshkimore ndaj veprave penale ishin të larmishme e të shkallëzuara. Personat që drejtpërdrejt ose tërthorazi dëmtonin pronën e të tjerëve, që nuk përmbushnin detyrimet ndaj zotërve të tyre dhe që braktisnin pronat e këtyre, detyroheshin të zhdëmtonin, ndryshe ndëshkoheshin edhe më rëndë.
    Në kushtet e jetës së trazuar politike dhe ushtarake të Shqipërisë gjatë shek. XV parashikoheshin dënime të rënda, si shpronësime, burgime dhe dënime me vdekje ndaj personave që braktisnin luftën apo që kalonin në anën e kundërshtarëve të zotërve të tyre. Mbartësit e qëndrimeve të tilla Skënderbeu, i cili si Kryetar shteti ishte njëherazi edhe gjykatësi më i lartë i vendit, i ndëshkoi rëndë edhe kur ato u shfaqën në gjirin e familjarëve të tij. Kështu, p.sh., një nipin e vet, që u bashkua me osmanët, e burgosi, kurse një të dytë e ekzekutoi. Krahas masave ndëshkimore, njihej edhe falja e dënimit. Kur Moisi Golemi (Arianiti) u kthye i penduar pranë Skënderbeut, ky i riktheu pronat që i kishte konfiskuar Moisiut, kur u bashkua me osmanët.
    Shtresëzime të legjislacionit mesjetar gjenden edhe në të drejtën dokesore shqiptare, që është një trashëgimi shumë e lashtë, ku janë ndërthurur tradita e vetorganizimit shoqëror lokal, në shkallë fshati e më gjerë, me legjislacionin shtetëror të kohës, i cili mbarte norma të trashëguara edhe nga e drejta romake dhe ajo bizantine. Prandaj e drejta dokesore njihet me emërtimin osman kanun, që do të thotë ligj. Edhe në vendet e tjera ballkanike, siç e dëshmon kodi i Stefan Dushanit, e drejta dokesore e popujve të tyre ka qenë në themel të Korpusit legjislativ shtetëror të shkruar, që sanksiononte marrëdhëniet juridike ekonomike e politike të nënshtetasve me shtetin dhe kryetarin e tij.
    Disa norma të së drejtës dokesore kanë evoluar gjatë shekujve në përshtatje me zhvillimin e shoqërisë shqiptare. E drejta dokesore gjithnjë ka qëndruar si bosht për ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve. Ajo qëndronte e vepronte në moralin dhe në jetën e shqiptarëve mbi dallimet shoqërore, mbi besimet e ndryshme fetare që ata kishin, kurse elementin jo shqiptar e drejta dokesore e përjashtonte nga një barazi e tillë. Në të nuk mungonin edhe elementë lokalë dallues, por ishin dytësorë në krahasim me normat e përbashkëta kombëtare të së drejtës dokesore. Kësaj i nënshtrohej kushdo në Shqipëri, madje edhe e drejta kishtare (kanonike), që njihej mirë për konservatorizmin e saj dhe për masat e ashpra ndëshkimore, të cilat i kërkonte të merreshin ndaj personave që shmangeshin nga normat kishtare. Nuk mungojnë dokumentet mesjetare dhe të periudhave më të vonshme që përmendin raste të shumta, kur klerikët shqiptarë të të gjitha besimeve fetare, të ndodhur përballë çështjeve të tilla, zgjidhja e të cilave nuk përputhej me normat e të dy të drejtave (dokesore dhe kishtare), gjithnjë kanë respektuar e vepruar sipas së drejtës dokesore, duke shkelur atë kishtare.
    Në rajone të gjera të Shqipërisë, që gjatë shek. XV kanë qenë pjesë e viseve të lira shqiptare, e drejta dokesore jo rastësisht ka arritur të njihet deri në ditët tona me emërtimet "kanuni i Skënderbeut", "kanuni i Lekë Dukagjinit" etj. Kjo dëshmon se e drejta dokesore, si një trashëgimi historike, ka qenë natyrshëm në themel të veprimtarisë shoqërore dhe të legjislacionit shtetëror të shqiptarëve gjatë shek. XV. Prandaj, edhe për këtë arsye, veprimtaria politike dhe legjislative e Skënderbeut gjeti mbështetje të gjerë shoqërore, përpos faktit që pushtimi osman u rrezikonte interesat ekonomikë e pronësorë, fetarë e kulturorë, politikë etj., të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare.
    Vend të veçantë në të drejtën dokesore shqiptare kishte institucioni i besës. Besa ishte kult kombëtar aq sa ka zënë vend edhe në korrespondencën e fisnikëve shqiptarë me shtetet e huaja dhe fjala shqipe “besë” e këtij institucioni është huazuar edhe nga gjuhët e popujve fqinjë. Në një letër të vitit 1420 drejtuar Republikës së Raguzës, në vend të emrave Zot e Krisht që përdoreshin si formulë përbetimi, Gjon Kastrioti ka vënë fjalën besë: “Besa ime, e zotit Gjon, dhe e bijve të mi për çdo tregtar ... i kam dhënë besën kujtdo që vjen në tokën time në Shufada se, në rast se i bëhet ndonjë dëm ose ndonjë e keqe, ... do të paguaj unë, zoti Gjon, ose bijtë e mi”. I biri i tij, Skënderbeu, ka shkruar në vitin 1460 : “Të mbajmë besën, për mbrojtjen e së cilës kemi përballuar rreziqe të mëdha, edhe pse gjithnjë kam qenë përpara një vdekjeje të sigurt”.
    Organizimi shtetëror i shoqërisë shqiptarë gjatë epokës së Skënderbeut dhe shekujve të mëparshëm të mesjetës ka qenë ngritur mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar. Pjesë e këtij korpusi legjislativ kanë qenë edhe statutet e qyteteve shqiptare, të cilat, sipas burimeve historike të kohës, kanë qenë të shkruara. Këto dëshmojnë më së miri se veprimtaria shoqërore e shtetërore në Shqipëri zhvillohej mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar.
    Shteti shqiptar, i bashkuar nën drejtimin e Skënderbeut, kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në traditën vendase dhe shprehnin sovranitetin e tij. Skënderbeu krenohej me historinë e lavdishme të kombit shqiptar. Prandaj, ai mbajti si emër të dytë vetjak përgjegjësen e emrit të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, që te osmanët ishte Iskander (Skënder në gjuhën shqipe). Siç e dëshmon edhe M. Barleci, emërtimet gjeografike Maqedoni dhe Epir janë përdorur në mesjetë si sinonime të emërtimit etnogjeografik Arbëri. Për më tej, krahas evokimit të lavdisë së Pirros dhe të epirotëve të lashtë (sinonim i emrit “arbër” gjatë mesjetës), Skënderbeu përdori edhe simbolet shtetërore të Pirros së Epirit (shqiponjën dhe përkrenaren e zbukuruar me një kokë dhie), të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (shenja e Diellit), si dhe simbole pellazgjike. Simbolet dhe evokimet e mësipërme dëshmojnë për formimin e tij kulturor humanist dhe tregojnë se ai mbështetej në traditën vendase për t'i dhënë një frymë sa më kombëtare shtetit të tij dhe luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.
    Shtetin e tij Skënderbeu e emërtoi me emrin etnogjeografik kombëtar mesjetar Arbëria (Albania) edhe pse në të u përfshi një pjesë e viseve shqiptare. Titulli zyrtar i Skënderbeut ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae), të cilin e gjejmë të shënuar në vulën e në shkresat zyrtare të tij, si dhe në letrat e kancelarive të huaja që i janë drejtuar atij si kryetar i shtetit shqiptar.
    Shkresat zyrtare të Skënderbeut, që njihen deri tani dhe që kanë dyllin me gjurmën e vulosjes së tyre, tregojnë se kryetari i shtetit shqiptar ka pasur dy vula zyrtare, që kishin madhësi e simbole të ndryshme.
    Vula e madhe zyrtare e Skënderbeut ishte në formë rrethore me diametër 41 mm dhe perimetër afro 125 mm. Në qendër ajo kishte shqiponjën dykrenore dhe yllin me gjashtë cepa, të vendosur ndërmjet krerëve të saj. Anash vula kishte rrethin me shkronja të mëdha GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Në krye të rrethit të vulës ishte shenja e diellit me tetë rreze, që ndante fillimin dhe mbarimin e emërtimit GEORGIVS CASTRIOTIVS SCENDARBIC. Shenja e diellit me tetë rreze ka qenë simbol shtetëror i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Nën krerët e shqiponjës dhe mbi krahët e saj kishte inicialet D AL të fjalëve Dominus Albaniae. Këto iniciale të fjalëve Dominus Albaniae, që përbënin titullin zyrtar të Skënderbeut, tregonin pozitën juridike të tij (Dominus) si kryetar shteti, si dhe emrin e shtetit (Albania), ku ai ushtronte pushtetin e tij.
    Vula e vogël e Skënderbeut ishte skalitur në gurin e çmuar të unazës personale të tij. Ajo kishte formë tetëkëndëshe me përmasa maksimale 9 mm gjatësi dhe 7 mm gjerësi. Simbolet e saj ishin marrë nga mitologjia e lashtë pellazgjike. Në gurin e vulës së vogël ishin skalitur dy figura të mitologjisë pellazgjike: mbretëresha Leda dhe Zeusi i Dodonës i shndërruar në mjellmë.
    Si simbole më përfaqësuese për shtetin shqiptar Skënderbeu përdori shqiponjën dykrenore me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa, simbole këto që ishin mjaft të njohura në mjedisin shqiptar. Këto simbole ishin edhe në stemën dhe në flamurin shtetëror. Në një katolog venecian stemash është vizatuar në mes të viteve 60 të shek. XV stema e Kastriotëve, kur djali i Skënderbeut, Gjoni, mori titullin “fisnik venecian”. Gjithashtu stema ruhet e gdhendur në varrin monumental të nipit të Skënderbeut, Konstandinit, që gjyshja e tij, Donika, ia ngriti në Napoli të Italisë në vitin 1500. Shqiponja e zezë dykrenore, siç e ka treguar M. Barleci, ka qenë e vendosur edhe në qendër të flamurit të Skënderbeut që fushën e kishte të kuqe.
    Shqiponja dykrenore ishte simbol i njohur shtetëror i Perandorisë Bizantine dhe i familjes së Muzakajve, që kishin krushqi me Kastriotët. Edhe Arianitët dhe Gjurashët kishin shqiponjën dykrenore si simbol të tyre. Kurse ylli me gjashtë dhe shtatë cepa ishte përdorur si simbol nga Muzakajt dhe nga Balshajt. Ylli me gjashtë cepa duhe të ketë qenë vendosur edhe ndërmjet krerëve të shqiponjës në flamurin e Skënderbeut, si një element dallues kundrejt flamurit të Perandorisë Bizantine.
    Vula me shqiponjë, si simbol shtetëror i Skënderbeut, del se është përdorur për herë të parë në letra që janë shkruar gjatë mesit të viteve 50 dhe ndoshta jo rastësisht. Në të njëjtën kohë me vulën duhet të jetë përdorur edhe flamuri me fushë të kuqe dhe shqiponjën dykrenore në mes, që e ka patur Perandoria Bizantine. Nëpërmjet këtyre simboleve synohej që të shprehej uniteti i viseve të lira shqiptare dhe të tregohej se pas pushtimit të Konstandinopojës prej turqve më 1453, shqiptarët ishin forca kryesore antiosmane që luftonte në ish zotërimet e Perandorisë Bizantine. Këto simbole të reja pushteti të përdorura nga Skënderbeu pasqyrojnë procesin e krijimit të një shteti të vetëm në tokat e lira shqiptare.
    Kryeqytet i shtetit të bashkuar shqiptar u bë Kruja. Ndonëse në hapësirat e këtij shteti kishte qytete të tjera më të mëdha e më të rëndësishme si qendra ekonomike, si Prizreni e Ohri, për shkak të pozicionit të vet gjeografik shumë të favorshëm Kruja u bë kryeqendra administrative e viseve të lira shqiptare. Nëpërmjet rrugëve të shumta tokësore e detare që kryqëzoheshin pranë saj, Kruja, si qendër administrative, kishte komunikimin më optimal me të gjitha viset shqiptare dhe me shtetet e huaja.

Faqja 4 prej 44 FillimFillim ... 2345614 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 109
    Postimi i Fundit: 30-11-2009, 05:18
  2. Historia kombtare
    Nga llokumi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 14-02-2003, 20:51
  3. Major Gjergj Vata
    Nga Albo në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 21-12-2002, 20:31
  4. Gjergj Kastrioti-Skenderbeu
    Nga Kallmeti në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 17-08-2002, 14:58

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •