BRUKSEL / Raporti i hollësishëm gati në fund të vitit
BE kërkon studim për heqjen e vizave në Ballkan
--------------------------------------------------------------------------------
BRUKSEL
Ballkanasit mund të lëvizin lirisht në Europë, por vetëm nëse kjo nuk sjell pasoja negative për BE-në. Parlamenti Europian i ka kërkuar dy ditë më parë ekzekutivit të BE-së një studim të hollësishëm lidhur me pasojat e liberalizimit të vizave në rajonin e Ballkanit. Sipas një raporti të publikuar në faqen e internetit të Bashkimit Europian, në këtë studim do të përfshihen Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia dhe Serbia e Mali i Zi, vende që aspirojnë heqjen e regjimit të vizave. Parlamentarët europianë i kanë kërkuar institucionit ekzekutiv të Bashkimit Europian që deri në fund të vitit të hartojë një studim për ndikimin që do të kishte qarkullimi i lirë i banorëve të Ballkanit në vendet e BE-së. "Komisioni Europian duhet të kryejë një studim mbi ndikimin që mund të ketë lehtësimi i dhënies së vizave për vendet e rajonit dhe ta prezantojë atë në fund të vitit. Në këtë studim duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë shqetësimit lidhur me lëvizjen e studentëve të Ballkanit në territorin e Bashkimit Europian, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe atyre të klasës politike", theksohet në projektrezolutën e përgatitur nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian. Parlamentarët europianë kërkuan nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe nga Komisioni Europian, që të rrisin bashkëpunimin për sigurinë në pikat kufitare me Ballkanin, si pjesë e strategjisë në fushën e drejtësisë dhe punëve të brendshme për rajonin. Sipas tyre, ky përforcim i kontrollit të kufijve duhet të kombinohet me liberalizimin e vizave. Parlamenti Europian u ka bërë thirrje edhe vendeve të Ballkanit Perëndimor të rrisin sigurinë në zonat kufitare, në mënyrë që liberalizimi i regjimit të vizave të mos sjellë probleme për vendet e BE-së.
Krijoni Kontakt