Marre nga Shekulli
Qeveria ka firmosur në 3 prill 2003 një protokoll i cili ligjëron ngritjen e grupeve të specialistëve grekë që do të shqyrtojnë tekstet shkollore të historisë, letërsisë etj.
Shqipëri-Greqi, pakt për histori të re
Elda Spaho
Një vit e gjysmë më parë, shteti shqiptar dhe ai grek kanë nënshkruar një protokoll. Për të cilin deri tani nuk është ditur asgjë. Ka qenë një deklaratë e tre ditëve më parë, lëshuar nga ministrja greke e Arsimit, Marjeta Janaku, ajo që ka shtyrë “Shekullin” të interesohet nëse vërtet pala shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje, e cila i paraprin ndryshimeve në tekstet shkollore. Bëhet fjalë për një marrëveshje e cila ka ligjëruar ngritjen e një grupi të përbashkët ekspertësh shqiptaro-grekë, që do të studiojnë mënyrën se si janë paraqitur historia, gjeografia, letërsia, kultura dhe ekonomia e secilit prej dy vendeve, në tekstet shkollore të tyre. Por që tani, pa filluar mirë puna, ministrja greke ka cilësuar qartë se cilët tekste duhet të ndryshojnë më shumë në këtë mes. Ato shqiptare padyshim, veçanërisht tekstet e historisë. “Grupi grek do të shkojë në Shqipëri për të diskutuar heqjen nga librat e historisë, kryesisht të palës shqiptare, pasaktësitë dhe ngjarje të cilat helmojnë marrëdhëniet dypalëshe. Ka akoma ide për Shqipërinë e Madhe”,-ka thënë ajo për stacionin televiziv grek NET.
***
Nënshkrimi i protokollit është pohuar zyrtarisht nga Ministria e Arsimit. “Shekulli” boton sot të plotë përgjigjen që kjo e fundit dha dje, për problemin në fjalë. “Në zbatim të pikës 2 të protokollit nënshkruar në Athinë më 3 prill 2003 mes qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë mbi programin e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve për vitet 2003-2005, është rënë dakord për ngritjen e një komiteti të përbashkët ekspertësh për të studiuar mënyrën se si janë paraqitur historia, gjeografia, letërsia, kultura dhe ekonomia e secilit vend në tekstet shkollore në vendet respektive. Palët kanë rënë dakord në këtë protokoll që përmbajtja e teksteve në fjalë të studiohet në përputhje me standardet e konventave të Këshillit të Europës dhe UNESKO-s. Edhe në kontaktet e fundit me palën greke Ministria shqiptare e Arsimit (MASH) ka shprehur gatishmërinë e saj që ekipet e ekspertëve të takohen në një kohë të përshtatshme për palët. MASH është në pritje që pala greke të përcaktojë ekspertët e saj. Do të ishte vetëm gjykimi shkencor e profesional i tyre që do të verifikonte realitetin e teksteve shkollore të përdorura në të dy vendet dhe që do të krijonte kushtet për përsosjen e standardeve të kërkuara si dhe që nuk do të linte hapësira për paragjykime”.
***
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Arsimit, grupi i specialistëve shqiptarë është ngritur. Por deri tani ende nuk është bërë takim mes dy palëve për të shqyrtuar librat shkollorë. Takim, që me sa duket nga deklaratat e ministres greke, nuk do të vonojë shumë sepse fqinji ynë mezi pret të korrigjojë faktet e servirura gabim në librat shqiptarë.
Ç’mendojnë për protokollin e nënshkruar në Athinë, në 3 prill të vitit të kaluar, ata që i kanë hartuar këto libra, ata që kanë shkruar historinë me të cilën shqiptarët janë rritur? Për fat të keq, autorët nuk kanë dëgjuar për një dokument të tillë. “Shekulli” intervistoi dje tre prej tyre dhe vetëm njëri dinte diçka të mjegullt rreth protokollit. Gazmend Gjoka, Myzafer Korkuti dhe Fatmira Rama, që kanë shkruar historinë duke filluar qysh nga antikiteti, thonë të bindur se përveç të vërtetës, në tekstet e tyre nuk ka asnjë rresht që “helmon marrëdhëniet mes dy shteteve”, siç ka deklaruar ministrja Janaku. Aq më pak ka fakte që duhen hequr apo tjetërsuar.
Historia është një shkencë dhe si e tillë nuk mund të ndryshohet me zor, as të bëhet më e mirë. “Nëse e kaluara mes dy shteteve tona nuk ka qenë edhe aq miqësore, kjo nuk do të thotë se historia e atyre viteve duhet ndryshuar”,-thotë Shpuza.
Asnjë nga tre autorët e pyetur nuk kishte dëgjuar për ngritjen e grupeve të ekspertëve, çka dëshmon që askush nuk është kujtuar t’i thërrasë ata. Dhe kanë të drejtë të kenë frikë e kërkojnë që nëse historia e teksteve shkollore do të ndryshohet, më parë të gjithë duhet të përfshihen në një debat të gjerë shkencor. Sepse historia është histori.
Krijoni Kontakt