Ngjarje e rëndë në qendër të Tiranës. Plagosen presidenti i federatës së boksit dhe inxhinieri i njohur
Atentat plagosen Lame e Ngjeqari
Dilnin nga emisioni “Zonë e Lirë” e Arian Çanit, qëllohen me breshëri automatiku
Aleksandra Bogdani
TIRANË- Atentat të ftuarve të Arian Çanit në emisionin “Zonë e Lirë”. Vetëm pak minuta pasi ka përfunduar emisioni, drejtuesi Çani, biznesmeni i njohur, Vajdin Lame dhe i ftuari i përjavshëm në “Zonë e Lirë”, Xhevahir Ngjeqari kanë dalë nga godina e “TV Arbërisë”, për të pirë një kafe në bar “Europa”. Burime të policisë së Tiranës pohojnë se në rrugicën e ngushtë atyre u kanë zënë pritë persona të armatosur, të cilët kanë hapur zjarr sapo i kanë parë përpara bar “Lux”-it. Të shtënat janë dëgjuar në të gjithë zonën e 9-katësheve, por kanë tmerruar më shumë punonjësit e TVA, të cilët kanë dalë me vrap jashtë për të parë ç’ndodhte. Plumbat kanë plagosur rëndë inxhinierin Xhevahir Ngjeqari dhe biznesmenin e njëkohësisht presidentin e federatës së boksit, Vajdin Lamen. Ndërsa drejtuesi i emisionit “Zonë e Lirë” është dëmtuar lehtë në këmbë.
Atentati
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 23. 30 minuta në zonën e quajtur 9-katëshet. Pak minuta pas të shtënave, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë së Tiranës dhe komisariatit numër 1, të cilët kanë shoqëruar të gjithë dëshmitarët në vendngjarje. Njerëzit që ndodheshin aty kanë shoqëruar për në spital të plagosurit VIP, Lame, Ngjeqari dhe Çani. Burimet e mësipërme pohojnë se Xhevahir Ngjeqari është më i dëmtuari i atentatit. Ai ka marrë plagë të rënda në trup dhe gjendja e tij shëndetësore ishte më e rëndë. I plagosur rëndë është edhe Vajdin Lame, por jashtë rrezikut për jetën. Në mjediset e spitalit ushtarak të Tiranës ka marrë ndihmën mjekësore edhe gazetari i njohur, Arian Çani, pasi burimet sqarojnë se është dëmtuar në këmbë nga rikosheti i një plumbi.
Hetimet
Zyrtarët e policisë së Tiranës kanë qenë të rezervuar në dhënien e informacionit për këtë atentat në qendër të Tiranës. Burimet sqarojnë se deri në orët e para të mëngjesit, nuk ishte përcaktuar ende se cili ishte objektivi i atentatit që plagosi tre njerëzit e njohur. Hetimet kanë vazhduar përgjatë gjithë natës, ku janë mbledhur dëshmi të dëshmitarëve, por edhe të dëmtuarve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak minuta pas emisionit të drejtuar nga Arian Çani, ku Vajdin Lame ishte ftuar të diskutonte për problemet e federatës së boksit, ndërsa Xhevahir Ngjeqari, i njohur si personazhi i përhershëm i këtij emisioni denoncoi edhe një tjetër herë ministrin e Transporteve, Spartak Poçi në lidhje me Korridorin tetë. Nuk dihet ende nëse autorët e këtij atentati që ngriti në këmbë punonjësit e policisë së Tiranës janë identifikuar, ashtu siç nuk është përcaktuar qartë se cili prej tre të plagosurve VIP ishte në objektiv të atentatorëve.
16/10/2004
Në foto: Inxhinieri i njohur, Xhevair Ngjeqari, i cili u plagos dje rëndë pas një atentati në qendër të Tiranës
Krijoni Kontakt