Ç’thonë analizat për “thesarin” e Arianitëve
Studiues nga Hungaria, Brukseli e Shqipëria kanë kryer analiza mbi Epitafin e Gllavenicës. Gjergj Arianiti, murgu që qëndisi thesarin e Mesjetës. Tezat e Theofan Popës e Dhimitër Shuteriqit
Alma Mile
Si ai janë vetëm tre në gjithë botën. Tepër i lakmuar për bukurinë dhe vlerën e tij, prej koleksionistëve të huaj, por edhe prej grabitësve, Epitafi i Gllavenicës, ka qenë kohëve të fundit, objekt i studimeve të historianëve e shkencëtarëve shqiptarë e të huaj. Ky objekt i rrallë, i vitit 1373, në qendër të të cilit konturohet trupi i Krishtit të vdekur, shtrirë mbi një çarçaf, rrethuar nga shenjtorë, serafinë e ëngjëj, përbënte një mister për studiuesit, të cilët kanë qenë të interesuar të zbulojnë diçka më shumë rreth historisë së krijimit të tij, por edhe të realizimit. “Epitafi i Gllavenicës është një nga objektet më të rëndësishme që trashëgon Shqipëria nga Mesjeta, një brilant historie e teknologjie. Ai është konceptuar si një pikturë, duke përdorur të gjithë elementët e saj”, - thotë Frederik Stamati, shefi i laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, pranë Institutit të Kulturës Popullore, i cili ka drejtuar studimet mbi epitafin. Sipas tij, në këtë vepër, e grabitur një herë në vitin 1995, rigjetur një vit më vonë e që tani ruhet në Muzeun Historik Kombëtar, ka një larmi ngjyrash, dritë – hije, madje dhe një pikë imagjinare drite, e cila ndriçon gjithë epitafin dhe i japin atij një vezullim gati qiellor. “Fatkeqësisht Mesjeta jonë është e varfër në dokumente të shkruara. Deshifrimi i strukturës lëndore të një objekti është sikur ta ndriçosh atë nga brenda dhe na jep të dhëna, prej të cilave mund të nxjerrësh përfundime. Kjo është edhe arsyeja pse ndërmorëm një varg studimesh shkencore mbi materialin që është përdorur për realizimin e epitafit”, -shpjegon Stamati, i cili në Kongresin e Akademikëve nga e gjithë bota, ka referuar mbi epitafin dhe përfundimet e analizave. Këto studime janë kryer nga Laboratori i Arkeometrisë dhe Konservimit, pranë Institutit të Kulturës Popullore, në bashkëpunim me Laboratorin Qendror të Restaurimeve Muzeut Kombëtar Hungarez (Magyar Nemzeti Muzeum) dhe Institutit Mbretëror për Trashëgiminë Kulturore në Bruksel. Mësohet se për kryerjen e këtyre analizave kanë punuar dy historianë mjaft të njohur botërorë, hungarezja, Marta Jaro, specialiste për fillin metalik dhe belgu Jan Wouters, specialist për analizat e ngjyruesve të fillit tekstil. Sipas Stamatit, përveçse u arrit të zbuloheshin përbërësit e fijeve, me të cilat është qëndisur epitafi, studimet e kryera, hedhin dritë edhe mbi origjinën e këtyre fijeve dhe marrëdhënieve tregtare. Për t’i vënë një emër origjinës së këtij filli, në përbërjen e të cilit janë zbuluar elementë të mëndafshit, bakrit, argjendit e arit, studiuesit i janë referuar studimeve të Hoke dhe Petraschek – Heim, të cilët duke u mbështetur tek raporti i bakrit dhe argjendit, bëjnë dallimin mes prodhimit evropian dhe atij lindor. Sipas tyre, në bazë të këtij raporti, filli i përdorur në epitafin e Gllavenicës, është prodhuar dhe tregtuar në vendet e Lindjes. Kjo tregon për një lidhje tregtare që ka ekzistuar në shek.XIV. Frederik Stamati sqaron se të njëjtën përbërje fijesh e gjejmë edhe në tekstilet më të rralla, të asaj kohe, që ruhen në muzeumet e Evropës. Përsa i përket ngjyrave, në të dallohen katër ngjyra bazë: e kuqe, blu, jeshile dhe e verdhë. Sipas tij, tashmë që kanë kaluar gjashtë shekuj dhe veprimi i dritës ka ndikuar në zbardhjen e ngjyrave, është e vështirë që të flasësh me saktësi dhe të vlerësosh nuancat e dikurshme. Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve nga koha, në të dallohen qartë, nga tre nuanca për çdo ngjyrë. “Nuancat e së njëjtës ngjyrë janë përdorur kryesisht në veshjet e paraqitura në epitaf për të formuar dritë-hijet, si në rastin e Shën Llukës, Shën Markut, Shën Theollogut, ose për të dalluar veshje të ndryshme dhe për të konturuar linjat e pjesëve të trupit, në rastin e nuancave bezhë. Kështu është vepruar për flokët, mjekrën, buzët, sytë, hundën, gishtat, e sidomos në dritë-hijen e Krishtit”, - shton Stamati. Sipas analizave që u janë bërë fijeve, ka rezultuar se ngjyrosja e tyre është bërë nga katër lloj bimësh dhe një insekt, disa prej të cilave jo vetëm rriteshin në vendin tonë, por edhe eksportoheshin drejt Venedikut.
Porosia
Dora e Gjergj Arianitit
Përsa i përket moshës dhe deri diku krijuesit të tij, flet vetë epitafi. Mbi të është shkruar: “U plotësua (u qëndis) ky areas (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjëlindëse të patundur, me shpenzimin dhe mundimin e episkopit të gjithëhirshëm Kalisit të Glavenicës dhe Beratit në muajin mars 22, viti 6881 (1373). Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trup i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërijve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit dhe vëllezërve Gjergjit dhe Ballshës. Dora e Gjergj Arianitit dhe arëqëndisësit”.
Sipas shefit të Laboratorit Arkeometrik dhe të Konservimit, Frederik Stamati, fillimisht, ky shkrim është botuar nga A. Papadopulos-Kerameus dhe shqip nga Theofan Popa në vitin 1957 në studimin “Të dhëna mbi princët mesjetarë shqiptarë në mbishkrimet e kishave tona”. “Në vitin 1964, në studimin “Glavenica e lashtë dhe Ballshi i sotëm”, Popa përmend se “…ekziston në Berat një gojëdhënë, sipas së cilës epitafi dhe disa objekte të tjera të rëndësishme janë sjellë në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” nga manastiri i “Shën Mërisë” së Ballshit. Fillimisht kallogjerët i çuan këto objekte në manastirin e Shën Gjergjit të Mbreshtarit (rreth dy orë larg Beratit)”. Në vitin 1974, ndërsa punoja për një restaurim të pjesshëm të tij, Theofan Popa më thotë se “Epitafi i Glavenicës është qëndisur nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Arianitit, që historikisht i bie të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Gjithashtu prej tij kam mësuar se epitafi është gjendur në bodrumin e një shtëpie të rrënuar në Ballsh, e cila në atë kohë ishte dioqezë, ku ishte futur për tu ruajtur si një objekt shumë i vlefshëm dhe se ishte dëmtuar nga minjtë, gjë që ne e vumë re gjatë restaurimit, në njërën nga mbulesat anësore të epitafit”, - thotë shefi i laboratorit. Sipas Stamatit, të njëjtën ide, lidhur me Gjergj Arianitin, e ka mbështetur edhe Dhimitër Shuteriqi, studiues i historisë së Arianitëve, vetëm pak kohë para se të ndahej nga jeta. Megjithatë, sipas tij, ky Gjergj Arianiti, ka qenë murg dhe mbetet të ketë qenë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut, i cili mund të jetë bërë murg, pas vdekjes të së shoqes. Për këtë Shuteriqi nuk kishte gjetur dokumente.
“Epitafi i Glavenicës është qëndisur nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Arianitit, që historikisht i bie të jetë gjyshi i vjehrrit të Skënderbeut. Gjithashtu prej tij kam mësuar se epitafi është gjendur në bodrumin e një shtëpie të rrënuar në Ballsh, e cila në atë kohë ishte dioqezë, ku ishte futur për tu ruajtur si një objekt shumë i vlefshëm dhe se ishte dëmtuar nga minjtë, gjë që ne e vumë re gjatë restaurimit, në njërën nga mbulesat anësore të epitafit”
Sipas analizave që u janë bërë fijeve, ka rezultuar se ngjyrosja e tyre është bërë nga katër lloj bimësh dhe një insekt, disa prej të cilave jo vetëm rriteshin në vendin tonë, por edhe eksportoheshin drejt Venedikut.
Të dhëna
Epitafe të këtij lloji janë vetëm tre në botë
I përket vitit 1373
U grabit në vitin 1995
Sot ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar
Krijoni Kontakt