Me kete teme do doja te te ftoj anetaret ne bashkebisedim reth qendrimit shqiptar ndaj Hebrejve ne Shqiperi si dhe qendrimi i ketyre-qe ishin numer jo i rendesishem- te dundit ndaj nesh.
Frymezimin e mora nga artikulli i sotem i Gezetes Shqiptare, te cilin po e parashtroje me poshte:
Unë, izraelitja që ndjehem vlonjate
Ana Kohen, mjekja që ndihmoi luftën në Kosovë
--------------------------------------------------------------------------------
Zenepe Luka
VLORE
Shumëkush e njeh në Vlorë. Madje, edhe rrugica ku ka jetuar është quajtur jozyrtarisht "Rrugica e izraelitëve". Quhet Ana Kohen, është izraelitja e lindur dhe rritur në Vlorë. Pas shumë vitesh në Shqipëri, familja e saj ka ikur në Amerikë, ndërsa para pak ditësh, 18 vjet pas kësaj periudhe, Ana ka ardhur në Vlorë. Kërkon shtëpinë në lagjen "Kume", ku ka lindur. Kërkon shoqen e ngushtë Stelën, varrin e gjyshit, shokët e maturës. Ajo ka takuar edhe kryebashkiakun Shpëtim Gjika në zyrën e këtij të fundit. "Jam vajzë e Vlorës dhe nuk mund të rrija pa trokitur tek kjo derë", i ka thënë ajo.
Edhe pas ikjes nga Shqipëria, Kohen ka vazhduar të ndihet shqiptare. Doktoresha e famshme, njëkohësisht edhe kryetare e shoqatës "Motrat Qiriazi", e cila njihet për kontribut të madh në luftën e Kosovës, ka treguar për Gazetën diçka nga jeta e saj.
Si ka ardhur fisi Kohen në Vlorë Dr. Anna?
Prindërit e mi, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u larguan nga Janina dhe janë vendosur në fshatin Trevllazën të Vlorës, duke ndërruar emrat. Këhtu, babai quhej David, u quajt Daut. Nëna Nina u bë Bule, ashtu dhe gjyshi e gjyshja. Pas luftës lindën 4 fëmijë, unë jam e dyta. Lindëm në qytet, unë kam lindur në kabinën e plazhit në lagjen Kume, në muajin gusht.
Në çfarë rrethanash jeni larguar nga Vlora?
Në rrethana krejt normale dhe i takon vitit 1966. Babi ishte shumë i sëmurë dhe kur doli në një komision mjekësor në Tiranë, e këshilluan të operohej jashtë shtetit. I shkroi disa letra Enver Hoxhës, duke i kërkuar dhe familjen dhe u aprovua. Me anë të ambasadës franceze, jemi larguar me Al Italian dhe u vendosëm në Greqi, sepse ne kishim nënshtetësi greke. Greqia ishte shumë e varfër, kështu që prindërit dhe tre fëmijët u larguan për në Amerikë. Unë vazhdova Universitetin për stomatologe, sepse dy vjet i kisha mbaruar në Tiranë.
Ç'lidhje keni me komunitetin shqiptar në Amerikë?
Përfundova universitetin, çela një klinikë private. Për të qenë e sinqertë, deri në vitin 1988, nuk kam pasur lidhje me komunitetin shqiptar, madje kisha harruar edhe gjuhën shqipe. Shkak ka qenë një paciente që më erdhi në klinikë dhe kur po plotësonte kartelën, lexova emrin Trëndafile. E pyes nëse ishte shqiptare. "Po më tha". Unë jam vlonjate, iu përgjigja. Që nga ajo ditë u lidha fort me komunitetin shqiptar.
Njiheni edhe për ndihmë gjatë luftës në Kosovë...
Në vitin 1988 jam zgjedhur presidente e shoqatës "Motrat Qiriazi", që ishte formur nga disa gra kosovare. Në Kosovë filloi lufta dhe kërkova të flisja në një televizion amerikan në emër të shoqatës dhe u shpreha që unë jam një shembull që dëshmoj se si shqiptarët kanë ndihmuar izraelitët në kohën e luftës: "Jam sot këtu për të thënë se duhen ndihmuar shqiptarët, kosovarët". Majftoi kjo thirrje dhe u mblodhën izraelitë të Amerikës, ku ishte edhe kongresmeni Lantos. Ata u prekën kur tregova historinë time dhe ndihmën që ka dhënë Shqipria. Pas kësaj bisede, u mblodhën gjysmë milioni dollarë dhe unë në emër të shoqatës "Motrat Qiriazi", jua kam dorëzuar zyrtarisht dy shoqatave në Tiranë, si dhe shoqatës "Motrat Qiriazi", dega e Kosovës. Dimë që janë përdorur për refugjatët kosovarë në Shqipëri, ndërsa 120 mijë dollarë që i dërguam për familjet shqiptare që mbanin kosovarët në shtëpitë e tyre.
Kohen merr medalje nga Presidenti Moisiu
Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i dorëzoi dje gjatë një takimi në Presidencë medaljen "Për merita të veçanta civile" Dr.Ana Kohen, me motivacionin "Për kontribut të vyer në ndihmë të popullsisë shqiptare, në periudhën e krizës humanitare kosovare; për ndihmesë të çmuar dhënë emigrantëve shqiptarë të sapovajtur në SHBA", akorduar në 13 Janar 2004, me propozim të Ministrisë sonë të Jashtme. Znj. Kohen, Dr. kirurge stomatologe, qytetare amerikane me origjinë izraelite, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për nderimin që i bëhet tha se, përkushtimi ndaj vendit tonë, në të cilin ka kaluar një pjesë të jetës së saj, do të jetë i pakursyer dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Krijoni Kontakt